Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.

User

Mirësevini, Vizitor. Ju lutemi të identifikoheni ose regjistrohuni.


Sponsor


    







Etiketa

Forumi TeologjikForumi TeologjikHistoria dhe Filozofia e KrishtereVITI 1554, Cikli i diellit 12, cikli i hënës 3


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: VITI 1554, Cikli i diellit 12, cikli i hënës 3  (E lexuar 2337 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« më: 03-03-2008, 09:16:49 »
Citojeni

Fshati Selcan. Pastaj Valshi. Shtëpitë karakteristike. Rrënoja të vjetra. Janë gjurmët e një qytetërimi të hershëm. Një qytezë ilire e shekullit IV. Ecim mes rrënojave dhe kërkojmë, kërkojmë gjurmët e një kulturë të vjetër. Shenjat e këtij qytetërimi të lashtë. Shfletojmë libra, harta, gravura.

1.

O Zot ndjemë dhe mëshiromë mua, të paditurin, guximtar i padenjë për të realizuar trishtueshëm dhe pa fantazi hyjnore diçka të thjeshtë dhe të papërfillshme për piktor ONUFRIN, duke ravijëzuar diçka, që vetëm mund t‘i afrohet trishtueshëm së vërtetës, por që mund të jetë gjithsesi tërë e Vërteta. Është më e ndërlikuar të flasësh për të thjeshtën, për atë që ka qenë dhe është më e lehtë të flasësh për të ndërlikuarën, për atë si duhet të ketë qenë. Ky është paradoksi midis realitetit dhe përfytyrimit. Në këto dy skaje shndërrit përralla pikturike e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme e Onufrit.

Ndjemë o Zot dhe qofsh Ti, i ndërmjetmi i madh midis meje dhe Onufrit, për të larguar çdo sherr dhe moskuptim midis nesh, çdo mospërputhje që pati është e pashmangshme, kokëfortë dhe absolute.

Pengu i anonimatit për Onufrin nuk është i papërfillshëm: katër shekuj. Gjatë kësaj kohe anonimati pati të drejtat e tij mospërfillëse. Ishte një këputje e vrazhdë e shekullit të artistit me shekujt pasardhës.

Ka shumë arsye dhe shpjegime pse ndodhi kështu me Onufrin. Ai nuk është aspak i vetmi me një fat të tillë paradoksal. A s‘ka ndodhur kështu edhe me BUZUKUN?

Një vështrim më i përgjithshëm të rrënqeth: a s‘ka gllabëruar anonimati qytetërime të tëra të lashta?

Statujat e thyera arkeologjike nuk ruajnë emrin e krijuesve të tyre. Ato mbeten përfundimisht anonime.

Të mos harrojmë: Onufri është zbulimi i madh i kohës sonë.

Më 1908. Teodor Ipen, konsulli perandorak i Austro-Hungarisë në Shqipëri, boton studimin "KRAHINA E SHPATIT NË SHQIPËRINË E MESME" sipas vëzhgimeve të tij në këtë zonë. Në studim ai përshkruan me hollësi kishat në fshatrat e Shpatit e ndër të tjera edhe të Shelcanit dhe Valshit.

Konsulli austro-hungarez gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, përveç diplomacisë merret edhe me studimin e kishave të vjetra. Po në Shelcan dhe në Valsh ai nuk e zbuloi Onufrin.

Fotografi. Dokumente të një ekspedite shkencore, relike të vjetra. Skica, dorëshkrime. Kishat e Valshit dhe Shelcanit.

Ndoshta, për një rastësi krejt të pakuptimtë dhe të llahtarshme, unë kam lindur në qershor të vitit 1949, vit kur një ekspeditë shkencore kërkonte në malësitë e Shpatit dhe pikërisht në Shelcan dhe Valsh gjeti afresket e Onufrit, duke u mahnitur me një varrezë kaq shumëshekullore. Vetë Onufri ka lindur gjithashtu në qershor, më saktë më 12 qershor, sepse kjo është data në kalendarin e shenjtorëve për asketin princ dhe vegimtar. Shën Onufrin e Tebës së Egjiptit të shekullit IV. Sipas zakonit, apo ciklit ritual të pagëzimit të krishterë ortodoks, fëmija i lindur, ndoshta në fillim të shekullit XVII, është pagëzuar dhe për të respektuar 12 qershorin është zgjedhur emri i stërlargët i Shën Onufrit.

Anonimati u mund. Porta e mbyllur e enigmës së tij u hap. Duke publikuar këtë zbulim, Aleks Buda theksonte: "Kush njeh krahinën e Shpatit, nuk do ta besonte të ishte e mundur atje ekzistenca e një arti kaq të zhvilluar, siç është ai i piktorit ONUFRI". Shpati është krahina që ruan kryeveprat më të shumta të ONUFRIT. Shelcani dhe Valshi janë binomi i tij i pakrahasueshëm.

Kisha e Shelcanit. Afresket. Shën Onufri.

Në kishën e Shelcanit kam parë afreskun e Shën Onufrit, pikturuar nga piktor Onufri, me kuriozitetin titanik për të kuptuar mbase piktori ka ravijëzuar tiparet e tij te portreti; asketit të para dymbëdhjetë shekujve. Asketi Onufër jetoi në shpellë gati lakuriq dhe mjekra e tij arrinte në tokë e thinjur, kishte një madhështi të zymtë dhe lebetitje të shenjtë. Asketi Onufër zgjodhi palëvizshmërinë. Piktori Onufër zgjodhi lëvizshmërinë, odiseadën e tij të pikturimit të kishave në Ballkan e Shqipëri.
ANKETË

Berati. Shkëlqimi i arkitekturës së këtij qyteti. Mangalemi, labirintet e rrugicave. Monumenti i Onufrit në bronz në kështjellën e Beratit. Ecim nëpër rrugët e kalldrëmta. Kisha e Shën Todrit. Në muret e saj shtatë afreske të periudhës më të hershme. Lexojmë firmën e Onufrit.

Më vonë u zbuluan krijime të Onufrit edhe në dy monumente brenda Kështjellës së Beratit. Pikërisht në Berat zbulimi i të atit çoi edhe në zbulimin e të birit. Është fjala për piktor NIKOLLA I ONUFRIT. Këtë herë ishte arti që ndihmoi në pasurimin e biografisë së jetës vetjake të Onufrit. Afresket e kishës ku pikturoi NIKOLLA I ONUFRIT. Gjithashtu emri i Onufrit shërben si simbol ndërlidhës në historikun e pikturës mesjetare të piktorëve të tjerë të Shqipërisë si filli i Arianës në labirintin e kësaj trashëgimie të kuptimit e të lidhjes së etapave e të shkollave të saj.

Qyteti i Kosturit në Greqi. Kisha e Shën Apostujve. Afresket e saj të mrekullueshme. Lexojmë një mbishkrim "Bazilika u pikturua prej ONUFRIT të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shumëshkëlqyer i Beratit". Viti 1547. Më 1938-ën një studiues grek, Orlando, boton një libër, ku përmend edhe pikturat murale me vlera të veçanta të një piktori me emrin Onufër në qytetin Kostur. Kush ishte ky Onufër? Pyetja është e menjëhershme e logjike. Orlando thotë se afresket e Onufrit kanë zbukuruar muret e brendshëm të një bazilike të vogël në një lagje të Kosturit. Gjithsej janë 31 afreske. Orlandoni shënon se në mes të murit verior ndodhet edhe mbishkrimi, ku ndër të tjera thuhet: "1547korri 23 u pikturua prej Onufrit të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shumëshkëlqyer...

Orlandoni e lexon BENETION d.m.th. Venetik. Ai thekson se gati një shekull më parë një tjetër studiues i quajtur Kristidh e ka lexuar emrin e mësipërm GREBENION d.m.th. Grebeneja. Por Orlandoni thonë se leximi Grebenion është gabim. Ai argumenton se në Mesjetë qytet shumë i shkëlqyer ishte Venetiku dhe jo Grebeneja. Si argument më vendimtar ai ngre lart nivelin artistik të pikturave dhe konkludon se Onufri me siguri është ndikuar nga mënyra e teknikës përëndimore. Si qëndron e vërteta? Onufri i Kosturit është në mënyrë të padiskutueshme Onufri ynë. Zef Valentini thotë se emri i qytetit të shënuar nuk është BENETION, por Beration, pra është emri i qytetit shqiptar Berat. Por, identifikimi i Onufrit nuk mbështetet vetëm në saktësinë e leximit të emrit të qytetit të Beratit, por në krahasimin e pikturave të Kosturit me ato në Shqipëri. Megjithatë jemi ende larg, shumë larg zbulimit dhe njohjes së vërtetë të piktorit ONUFËR. Më 1547-ën, Onufri pikturon në Kostur. Këtu, në mbishkrimin e tij shënon se ka ardhur nga qyteti i shumëshkëlqyer, Berat. Konkretisht e quan qytetin shqiptar LLAMPRATAT POLI. Berati e meriton plotësisht epitetin. Nuk kemi të bëjmë me një lavdërim euforik. Berati është një metropol i arteve mesjetare. Në këtë qytet Onufri ka jetuar. Ndoshta edhe ka marrë mësimet e para. Në Kostur ai është mjeshtër i formuar. Padyshim është i famshëm dhe i preferuar edhe në vise të tjera larg Beratit.

Kosturi është qyteti ku Onufri bën afirmimin e dytë. Zërza e Prilepit në Maqedoni. Një fshat mes maleve. Kisha e Gjon Theologut. Ikonostasi i një mjeshtërie të rrallë. Ikonat e mrekullueshme. Më 19 qershor 1992 isha në Manastir, Maqedoni dhe bëra një vizitë në Metropoli. Hirësia e tij, Metropoliti Pjetër më çoi në katin e sipërm të Metropolisë për të parë një koleksion të veprave të artit kishtar. Befas pashë me sytë e mi dy ikona të mëdha të Onufrit. Njëra, Shën Mëria me Krishtin fëmijë dhe tjetra Krishti. Metropoliti Pjetër më informoi se ato i kishin sjellë në manastir para ca kohe nga një kishë e fshatit Toplicë e manastirit. Rëndësia e këtij zbulimi nuk kaloi pa jehonë.

Mustafa Ibrahimi ka gjetur të dhëna për vepra të tjera të Onufrit në fshatin Zërzë të Prilepit. Pikërisht në dy kisha, por pa na dhënë numrin e ikonave. Kisha i përket manastirit Zërze. Ndërtimi i kishës i takon viteve 1400. "Kisha e Shpërfytyrimit është ripikturuar në vitet 1535-1540 nga Onufri ynë.

Këtu shpaloset koleksioni i kompozimeve në afresk me pasionet e Krishtit. Disa nga këto subjekte nuk janë përsëritur më nga Onufri. Pra, viti 1535 saktëson përfundimisht se Onufri ndodhet në Prilep, ku punon pesë vjet rresht. Ky është momenti jetësor i tij. Kur lidhjet me Patrikanën e Ohrit forcohen derisa bëhen të karakterit zyrtar kishtar. Pas vitit 1540 duhet të ketë ardhur për të punuar në Berat. Nga një logjikë e hamendësuar mund të them se qëndrimi në Berat i Onufrit duhet të përfshijë harkun kohor 1540-1547. Tashmë ne e dimë me siguri se më 1547-ën Onufri ka punuar në Kostur, ku me krenari përmend se ka ardhur prej Beratit. Prej kohësh kam shprehur mendimin se mund të gjenden krijime të Onufrit në Italinë e Jugut. Jam nisur nga një logjikë e thjeshtë, meqenëse Onufri, siç e ka shkruar vetë në një mbishkrim të tij, ka qenë PROTOPAPË, titull ky i lartë intelektual fetar, ç‘ka tregon që në Patrikanën e Ohrit, e cila në shekullin XVI mbulonte në juridiksionin e saj tërë kishat ortodokse të Italisë së Jugut.

Onufri ka zhvilluar veprimtari dhe ka inspektuar jo vetëm kishat në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqinë e Veriut, por edhe në jugun italian. Kështu, studiuese G. Ferrari boton më 1964-ën studimin "Greci e Albanesi in Calabria nei secoli XVI-XVII", duke treguar që piktorët shqiptarë kanë afreskuar dhe kanë dekoruar kishat në Kalabri. Më befasues është studiuesi M.S. Calo Mariani, i cili ndalet te një çikël ikonash që kanë figurën e Virgjëreshës. Në shkrimin "La vergine Odigitria di Torre Maggiore e la pittura postbizantina in Puglia", 1991 flet konkretisht për një ikonë të Shën Mërisë që ai e quan "la Madona del Rito" të realizuar prej piktorit Onufri. Ky studiues nuk e bën lidhjen e kësaj ikone të famshme me krijimtarinë e Onufrit të Shqipërisë. Kjo ikonë është botuar edhe në librin "Puglia e Albania". Në të njëjtin libër botojmë edhe një ikonë të Onufrit, që sot ndodhet në Berat po me figurën e Marisë. Vështrimi krahasimtar midis të dy ikonave bën të qartë faktin se ikona që ndodhet në Torre Maggiore të Puglias është vepër e të njëjtit ONUFËR. Kështu, emri i ndritur i Onufrit nuk shkëlqen vetëm në hinterlandin e Ballkanit, por edhe në Apenine. Këto pika dëshmojnë për aktivitetin e Onufrit brenda dhe jashtë vendit tonë. Në mbishkrimet e monumenteve të mësipërme spikasin datat e jetës së Onufrit. Janë dy data të shkruara prej vetë atij. Viti 1547 i Kosturit dhe viti 1554 i Valshit. Janë dy të njohura në ekuacionin me shumë të panjohura të jetës së piktorit. Këto dy data bazë vërtetojnë se Onufri ka lindur dhe ka jetuar në shekullin XVI. Po nga mbishkrimet e tij ne mësojmë edhe të dhëna të tjera plotësuese. Në të Kosturit theksonte se bazilika "u pikturua prej Onufrit të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shumëshkëlqyer i Beratit. Epiteti superlativ për qytetin e njohur të Shqipërisë është certifikatë krenarie e mburrjeje, njëkohësisht na mëson për pikturat e Onufrit në Berat edhe përpara vitit 1547.

Në mbishkrimin e Valshit të vitit 1554 piktori nuk nënshkruan thjesht si piktor, si një njeri laik (si në rastet e mbishkrimeve të Kosturit, Beratit e Shelcanit), por si i përfshirë në hierarkinë kishtare si protopapë i Neokastrës. Ky titull i lartë u jepej klerikëve për merita të shquara intelektuale dhe flet për një periudhë të dytë të jetës së Onufrit. Protopapë është quajtur në shekullin XVIII edhe rektori i Akademisë së Re të Voskopojës, iluministi i ditur, Teodor Kavalioti (1718-1789). Një date e tretë, që do të na ndihmonte në rikonstruktimin e jetës së Onufrit është ajo e mbishkrimit të të birit, më 1578-ën, i cili thekson se është Nikolla i Onufrit. Tërthorazi ky fakt le të kuptohet se Onufri më 1578-ën nuk jetonte më dhe se i biri vinte në shprehje të ruajtjes së kujtimit të tij, të famës, famë që e gëzonte që në të gjallë.

Sqarojmë se Onufri më 1578-ën nuk jetonte më. Kur ka lindur Onufri? Në mënyrë hamendësore mund të themi se ka shumë mundësi që Onufri të ketë lindur nga fundi i dekadës së parë ose në dekadën e dytë të shekullit XVI. Më 1547-ën ka qenë në moshë të rritur. Më 1554-ën ishte në moshë të pjekur ose të thyer. Në distancën 7-vjeçare në jetën e Onufrit ka dy ngjarje: ndërfutja me organizimin kishtar dhe martesa e tij.

Nuk e dimë sa fëmijë pati, ç‘u bënë pinjollët e kësaj familjeje... Dimë vetëm për birin më të shquar të Onufrit, Nikollën. Kjo do të thotë se pas 1554-ës, Onufri nuk do të ketë rrojtur shumë. Të gjitha këto janë hipoteza. Berati me shtëpitë e Mangalemit. Labirintet e rrugicave. Monumenti i tij në kala. Elbasani, lagjja brenda kalasë, kisha e vjetër e Shën Mërisë, Shelcani, Valshi.

Ku ka lindur Onufri? Cila është vendlindja e tij? Tradicionalisht nga disa studiues të nisur nga mbishkrimi i Valshit, ku Onufri e quan veten "piktor e protopapë të Neokastrës" (Elbasanit) pranohet se piktori është elbasanas. Ka shumë mundësi të jetë kështu. Ky mendim nuk hidhet pa argumenta. Si shtesë plotësuese jepet fakti i pikturimit nga Onufri i bazilikave në dy fshatrat e Shpatit, krahinë e Elbasanit. Mbishkrimi më i hershëm i Onufrit, ai i Kosturit, flet për ardhjen e piktorit nga Berati. Pse ai thotë pikërisht nga Berati dhe nuk përmend qytet tjetër? Në Kostur, Onufri është larg trojeve të Shqipërisë së Mesme. Ky është fakti që shpjegon se piktori për të sqaruar e vënë në dukje identitetin e tij në mjedisin e huaj krenohet pikërisht me qytetin shqiptar të Beratit, për të cilin shprehet me një epitet poetik.

Mos Onufri ka qenë nga Berati? Kjo duhet dokumentuar. Vetëm një gjë është e sigurt: Berati ka qenë një qytet që Onufri e ka njohur mirë. Ka jetuar në të. Berati ka një peshë të veçantë në jetën dhe veprimtarinë e piktorit. Në shekullin XVI Berati ka qenë metropoli dhe qendra e madhe e artit mesjetar në Shqipëri. Aq sa shkolla artistike që krijon piktori do të klasifikohet nga studiuesit si "shkolla beratase". Ka një problem akoma të pastudiuar në Shqipëri. Por shkenca nuk mund ta mohojë apo të heshtë për këtë problem. Dihet që ikonat dhe dorëshkrimet e Kostandinopojës, filluan të mbarten dhe të largohen nga Kostandinopoja shumë më përpara se sa të pushtohej nga osmanët. Ka dokumente që flasin qartë për rafgimin e thesareve historike dhe liturgjikë të Bizantit drejt Ballkanit e sidomos drejt Italisë. Një nga këta njerëz, që e kanë realizuar këtë rol shpëtimtari të kulturës, ka qenë dhe i dituri BASARION. Problemi i hapur shkencor ka të bëjë jo vetëm me dorëshkrimet e lashta mesjetare të Shqipërisë, por edhe me atë koleksion ikonash që mund ta ketë origjinën pikërisht nga metropoli i Bizantit, Kostandinopoja. Është fakt që pas shekullit XV, Shqipëria përjeton një fuqizim të artit të shkëlqyer bizantin. Si shpjegohet kjo dukuri e pazakontë? Si mund të kuptohet fakti që një shekull më vonë, të formëzohet dhe të shkëlqejë Onufri dhe të tjerë piktorë bashkëkohorë të Shqipërisë? Shqipëria në shekullin XVI është krejtësisht e pushtuar. Por arti bizantin jo vetëm nuk ka vdekur, por në mënyrë disa herë të shpjegueshme ky art është ringjallur. Në shekullin XVI Shqipëria duhet të ketë qenë plot "substancë bizantine" të artit të ikonave dhe të dorëshkrimeve. Shqipëria brenda trupit të saj futi dhe ruajti shpirtin perandorak bizantin si asnjë vend tjetër në Ballkan. Ajo u bë shtëpi e thesareve të njerëzimit, më saktë e mrekullive të Bizantit. Në kisha jo të mëdha dhe më modeste të Shqipërisë, mund të zbuloje dorëshkrime nga më të rrallat në botë, mund të gjeje ikona madhështore dhe të papërsëritshme. Kjo dukuri duhet të hulumtohet, sepse në fund të fundit aty do të gjejmë edhe vetë kyçin e artë të enigmës së ONUFRIT.

Midis ikonave magjike, mes dorëshkrimeve impresionuese dhe të pavdekshme, piktorët shqiptarë u krijuan vetë si intelektualë të mëdhenj dhe u bënë kështu artistë të pavdekshëm. Kështu lindi ajo që quhet "Shkolla beratase". Onufri ka lindur në Shqipërinë e Mesme. Emri, datëlindja dhe jeta e tij qenë të lidhura me viset dhe hapësirën, me dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë së Mesme: me Elbasanin dhe Beratin. Onufri ka qenë jashtëzakonisht i ditur jo vetëm në njohjen e sekreteve të pikturës dhe të estetikës së stërholluar ikonografike, por dhe përgjithësisht në shkrimet biblike. Ai ka njohur shkëlqyeshëm personazhet biblikë, të cilët i ka pikturuar. Onufri hyri tek intelektualët e mëdhenj të kishës lindore me traditë bizantine në një etapë të re që quhet pasbizantine. Ne nuk dimë kush kanë qenë mësuesit e tij dhe mentorët e tij që e kanë udhëhequr në formimin intelektual dhe artistik.

VALMËT - MOTIVI ETNOGRAFIK

Krahina e Shpatit është mbretëria e Onufrit. Në Shelcan dhe në Valsh ka pjesën më të madhe të krijimtarisë pikturike. Afresket e mrekullueshme me motive biblike.

Monumenti i Valshit është me sa duket përmendorja e tij artistike para vdekjes. Në mbishkrimet e afreskeve ai na jep disa të dhëna me interes të madh. Mbishkrimi i kishës së Shën Premtes mban datën 1554. Aty Onufri përmend fisin e Valmëve në vendin e "Valshëve". Po këtu shënon "...ky tempull i shenjtë ... është ngritur me dëshirën e këtij katundi..." Kuptohet që kemi të bëjmë me një toponim popullor origjinal, që lidhet me fisin shqiptar të valmëve, të fshatit me peshë zotëruese në mjedis, aq sa edhe vetë Marin Barleti qytetin e Elbasanit e quan "qyteti i Valmit" (Urbus Valmarum). Këtu Onufri pa dyshim ka jetuar disa kohë. Ose dhe shumë kohë.

Kështjella e Elbasanit, muret, kullat... Topa... topa... grumbuj gjylesh, heshtash të vjetra.

Treva e Shpatit është treva e Gjergj Arianitit të famshëm, një nga luftëtarët më të mëdhenj të epokës skënderbejane. Më 1432-shin ai shkatërroi ushtritë e sulltanit në Bushek. Kronikat flasin se në vitet ‘60 të shekullit XVI populli i Shpatit është në kryengritje. Në Elbasan, i quajtur aso kohe me emrin NEOKASTËR më 1596-ën një shqiptar Dhimitri udhëheqës i masave, është kaq i fuqishëm sa në korrespondencën me ambasadorët e Evropës premton se mund ta çlirojë Shqipërinë nga Durrësi në Butrint. Në Valsh bën pikturën e tij më të shquar, më të lirë, më pasionante. Përfytyrimet e tij pikturike ai i lëviz, i përplas me njëra-tjetrën, i fikson në mënyrë përfundimtare duke krijuar një lidhje logjike të figurave, kronologjive, simboleve. Në afresket ai jep përpara shekujve spektaklet e tij që të kujtojnë filmin, vetëm se u mungon kolona zanore.

DIALOGU SHQIPËRI - RILINDJE EVROPIANE

Onufri nuk është një enigmë e vetmuar. Ai është më vete dhe njëkohësisht në lidhje me të tjerët. Onufri nuk mund të kuptohet dot pa piktorin Theofan i Kretës, pa Fran Katalanin, gjithashtu piktor i çuditshëm nga Kreta, që nuk dihet ç‘prejardhje ka pasur, pa piktorin shqiptar Eustath Jakovin nga Gjakova, një tjetër gjeni të shekullit, Longinin e Pejës në Kosovë, që ka pikturuar deri në Bosnjë, si dhe piktorin Mihal i Vlorë që ka pikturuar në Akuila të Italisë. Të gjitha këto shpërthime talentesh janë brenda shekullit.

Historia jonë deri tek epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është natyrisht rezultat, është kulm historik i një piramide që ka bazë mijëvjeçarët e kaluar. Arti i Onufrit shkëlqen në një kohë kur Evropa përjetonte epokën e shkëlqyer të Rilindjes. Trojet shqiptare nuk mbeten jashtë kësaj rilindjeje. Nga trevat veriore dolën shumë artistë shqiptarë që kontribuuan në Rilindjen Dalmate. Mjeshtri nga Tivari, Andrea Shkodrani, Arkitekti Bosa, Andrea Aleks Durrsaku, nxënës i Donatelos. Lufta e popullit shqiptar kundër invazionit otoman mbrojti për artin e Rilindjes Evropiane që lulëzonte. Nuk mund të kuptohet arti i MONA LIZËS pa rrethimet e famshme të Vranjës dhe peneli i Leonardo da Vinçit pa shpatën e Skënderbeut. Rilindja shqiptare vazhdon me poetin Mikel Marulin, astronomin Gjon Gazul, me humanistin Marin Beçikemi nga Shkodra. Në shekullin XVI, kur Shqipëria është nën ferrin tragjik "të errësirës egjiptiane" të Perandorisë Osmane, pikërisht në këtë shekull kultura shqiptare e shekullit XVI zhvillohet në kushte të reja, ajo nuk i shkëput lidhjet me Rilindjen. Kjo kulturë përfaqësohet nga yllësia e denjë e emrave BARLET - ONUFËR - BUZUK. Trinomi i mësipërm na bën ta lexojmë më mirë gjendjen e statusin e atdheut tonë, në këtë shekull. Arti i Onufrit lidhet me veprën e Barletit dhe të Buzukut.

Të mos harrojmë që në Shqipëri akoma zotëronte stili paleolog bizantin, ikonografia lindore. Të mos harrojmë se edhe një kryemjeshtër i madh siç qe Onufri gjenial, në shekullin XVI vazhdon të pikturojë sipas stilit paleolog bizantin, ndonëse me një art dhe mjeshtëri të habitshme.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #1 më: 03-03-2008, 11:17:32 »
Citojeni

LINDJA E NJERIUT

Krishterimi është nga dukuritë më të përbotshme, një botëkuptim planetar, që për njëzet shekuj zotëron idetë e njerëzve dhe të popujve. Ai nuk mund të mohohet siç nuk mund të mohohet historia njerëzore. Shqipëria është një nga vendet me krishterim nga më të lashtët, pra ka një krishterim gjenetik, një fermentim të brendshëm historik, aq sa i mençuri i madh, Milan Shuflai, ka thënë se dy qendra ilire, Salona dhe Durrës,i janë djepe nga më të vjetrit të krishterimit në Evropë. Një nga temat më të parapëlqyera biblike është LINDJA E KRISHTIT. Afresku i Onufrit me këtë temë është tronditës. Gjithashtu edhe ikona, e cila përbën miniaturat më të shkëlqyera të tij. Lindja e Krishtit nga Onufri është konceptuar si legjendë e madhërishme popullore. Në qendër të kompozimit është Maria lehonë. Mbi foshnjën, brenda në shpellë është lopa dhe gomari, kafshët shtëpiake të njerëzve të thjeshtë. Në peizazhin shkëmbor ndrit ylli, drejt të cilit i kanë sytë tre Kalorësit Magë...

E veçanta e skenës është fryma e optimizmit. E festës. Mjedisi shqiptar! Lindja e Krishtit për Onufrin në këtë mënyrë është jo aq lindja e Përëndisë sesa lindja e një njeriu. Është fjala për çdo njeri. Pa e ditur se do të bëhet Mbinjeri. Është fjala për vetë fëmijën Onufër. Ashtu siç është fjala për vetë fëmijët e një populli të tërë. Madje dhe të njerëzimit.
SAKRIFICA E ABRAHAMIT

Kostur. Kisha e Shën Apostujve. Afresket...

Këtu Onufri ka pikturuar një skenë nga më tërheqëset dhe mbresëlënëset. SAKRIFICËN E ABRAHAMIT. Përëndia i kërkoi Abrahamit që për të treguar dashurinë ndaj tij, të therte djalin e vetëm. Abrahami i devotshëm rrëmbeu thikën. E ngriti mbi djalin. Ndërkohë, një engjëll ndërpret veprimin e skajshëm. Na duket për një moment se po jetojmë eposin homerik. Agamemnoni e çoi në altarin e vdekjes dhe të flijimit vajzën e tij të dashur Efigjeninë. Miti grek thotë se Artemisa, në çastin e fundit e zëvendësoi vajzën me një sorkadhe. Riti i sakrificës ka sunduar dhe torturuar në shekuj mendjet e ndërgjegjet e popujve. Skena onufriane është plot trazime me një thjeshtësi, por dhe me një dhimbje të madhe për gjestin e Abrahamit. Është vërtetimi i devotshmërisë ndaj hyjnores dhe i vuajtjes së llahtarshme ndaj ndjenjave njerëzore.

Në mitin e Rozafës shqiptare bëjnë të kundërtën me një krenari të pabesueshme, blasfemuese. Legjenda muros një femër të gjallë e krejtësisht të pafajshme. Ndaj kombi shqiptar vuan kompleksin eskilian të "Rozafës" në shekuj, një tjetërsim kuptimor i sakrificës. Ndonëse si jehonë biblike mbetet edhe proverbi "shqiptari kur jep fjalën, ther djalën", proverb thjesht patetik.
KALORËSIT

VALSH. Kisha e Shën Premtes. Afresket. Skena me kalorës.

IKONA. Skena me kalorës. Shën Gjergji. Dhimitri me Kironin.

Në pikturat e kryemjeshtrit kalorësit janë motive të parapëlqyera. S‘është e vështirë të kuptojmë. Onufri ka figuruar tipa të afërt me bashkëkohësit apo paraardhësit heroikë të shekullit kastriotas. Të bëjnë përshtypje kuajt e hakërruar. Në lëvizje me jelet e ngritura. Qëndrimi i hijshëm dhe elegant i kalorësit. Të kujtojnë deri diku tablotë me kalorës të Paolo Uçelos. Mjeshtëria e Onufrit këtu është tronditëse. Heshtja e humbet pushtetin mbi pikturën.

APOLOGJIA E SHPËTIMTARIT

Valsh, Kisha e Shën Premtes


Afresku madhështor i "Zbritjes së Krishtit në Ferr"

Në këtë afresk Onufri bën apologjinë e shpëtimit. Vetëkuptohet që kjo bëhet nga Shpëtimtari: Mesia. Është një imazh jo aq biblik se sa i ndërgjegjes popullore. Shpëtimtari thyen dyert e urryera të Ferrit. Shkel me këmbët e tij kryezotëruesin e së Keqes: Djallin. Figura e djallit është pikturuar e karikaturizuar; qenie sa antropomorfe aq edhe zoomorfe. E pështirë. E urrejtshme. Krishti me duart e tij ngre Adamin dhe të Urtët e Mëdhenj të tjerë të dënuar në Ferr. Ansambël shumëfigurësh, ku shpëtimtari vjen nga sipër. Vertikalisht. Shkatërron strukturën e Ferrit. Vetë simbolin e tij.

DAVIDIADA

Afresk. Lufta e Davidit me Goliathin


Jo rastësisht kryevepra e Onufrit është portreti i Davidit. Davidi përfaqëson fitoren e njeriut kundër monstrës me emrin Goliath. Është një lloj Prometheu, që ndonëse lëviz nëpër subjekte biblike, nuk e ka humbur identitetin antik. Humanizmi evropian bëri që të shkëlqejë figura e Davidit, kryepersonazhi i artit, i shpirtit dhe i kryengritjes. Davidi është sfida e Njeriut të Ri. Kundër shtypjes, arrogancës së padurueshme të të mëdhenjve. Ai është metafora e demokracisë. Kaq e dashur për popujt. Mjeshtri ka bërë sfidën e tij. E ka konceptuar Davidin portret sintezë të popullit. Davidi është sa ballkanas aq edhe tipik shqiptar. Një shqiptar jo vetëm i luftës, por edhe i kulturës. Ka psikologji të dukshme shpërthyese. Realizëm të përkryer. Ka diçka skënderbejane. Jo për tiparet autentike të fytyrës se sa tipareve simbolike të heroit.

PARABOLA E VIRGJËRESHAVE

Ikona "Hyrja e Marisë në tempull"


Onufri ka pikturuar shkëlqyeshëm Dhjetë Virgjëreshat e parabolës ungjillore. Figurat e tyre janë të tubuara harmonishëm. Janë një ansambël, që mbartin kuptimin e kontradiktës së brendshme të parabolës. Studiuesi i veprës së Onufrit, piktori i njohur kosovar, Shyqyri Nimani, e ka vlerësuar me të drejtë në mënyrë hiperbolike skenën e Dhjetë Virgjëreshave. Këtu arti i Onufrit ka shpërthimin e vet të "qetë". Virgjëreshat e Onufrit janë nimfa, nuse afërditase - jo lakuriq, por me veshjet e rënda, madje me gardërobë baroko - bizantine.

DARKA MISTIKE

Afresk. Darka Mistike. Krishti me dymbëdhjetë apostujt


Skena e "Darkës Mistike" të Onufrit është tipike. Krishti dhe dymbëdhjetë Apostujt janë përgatitur në mënyrë ceremoniale që të hanë dhe të pinë verë, skenë krejt e kundërt me asketizmin me prejardhje dioniziane. Ajo që të bën përshtypje të posaçme është se tryeza është e rrumbullakët dhe jo karakteristike, siç e ka arti pikturik i kësaj skene biblike në Evropën Përëndimore. Ikonografët gjithmonë e kanë vënë në dukje këtë fakt. Tryeza e rrumbullakët është përgjithësisht traditë bizantine ballkanike, por edhe shqiptare. Shqiptarët kanë sofrën. Onufri ka parasysh këtë gjë.

PROFETI I PANJOHUR

Kisha e Shën Premtes. Valsh. Afresku madhështor i Profetit të panjohur.


Ngaqë nuk ka sinjaturë është quajtur konvencionalisht "Profeti i Panjohur". Figurë e një fuqie artistike të rrallë. Duket sikur nga gishtërinjtë e Onufrit ka buruar rrezatim magjik. Ka lënë përjetë në sipërfaqen e murales ëndrrën e pashlyeshme të trimërisë dhe të heroikes të të gjitha kohërave. Kush është ky profet? Çfarë profetizon ai? Profeti i Panjohur i Onufrit të kujton portretet e Mikelanxhelos. Ai ngrihet mbi universin arkaik të asketizmit. Atë nuk e bren humbja. Nuk e mposht asgjësimi i mediokritetit të pashmangshëm të shekujve. Nuk e gllabëron dot anonimati i pashpirt. Në sytë e profetit është Fuqia. Mjafton një portret i tillë për ta bërë të pavdekshëm cilindo piktor. Që vdekëtarët të tallen me vdekjen.

BARINJTË

Ikona dhe afreske të Onufrit. Barinjtë. Lindja e Krishtit Kryqëzimi i Krishtit. Afresku "Sakrifica e Abrahamit" në Kostur. Çifti i barinjve ulur pranë njëri-tjetrit në një shkëmb.

Barinjtë onufrianë! Në ikonat dhe afresket e Onufrit ata lëvizin. Flasin sipas skenarit të legjendave apokrife. Ata kanë marrëdhënie me tokën, qiellin, po sidomos me kafshët. Ajo që të befason është se bariu mban në kokë një kapele me strehë të ngritur në Mesjetë si kapelë shqiptare, aq sa dhe RABLEJA i madh e quan "chapeau albanais". Barinjtë onufrianë mbajnë kapele të tilla, shenja semantike të individualitetit shqiptar. Element tjetër është kungulli i ujit që mbajnë në brez. (Susak përdoret shumë edhe sot në viset e Shpatit). Disa barinj mbajnë në duar instrumente muzikore frymore. Ndonjë është i veshur me rrobën ilire të quajtur "dalmatika". Dhentë, kuajt, gomari, kau etj., janë shenjat e natyrshme të këtyre barinjve. Padyshim që Onufri kumton botën e shqiptarëve të tij. A është e rastësishme që në lindjen e Krishtit ai vendos një bari shqiptar. Gjithashtu edhe në Skenën e Kryqëzimit ai vë përsëri një bari shqiptar! Dihet se në të dyja këto pika kulmore apo skajore të mitit të Krishtit nuk kanë qenë të pranishëm shqiptarët. As në Nazaret. As në Golgota. Atëherë përse veproi kështu Onufri? Për të modernizuar? Apo për të treguar se ka një lindje apo një kryqëzim të Krishtit në mjedisin e martirizuar shqiptar? Apo për të thënë se ka një krishterim botëror, por ka edhe një krishterim etnik të vendit të tij të pushtuar, të shkatërruar mizorisht, të cilit i masakrohet vetekzistenca? Onufri është një nga artistët e mëdhenj, metafora e të cilëve nuk mund të kuptohet menjëherë.
DYERT E BUKURA

"Dyert e bukura". Gjashtë ikona me ornamente të valëzuara. Në muzeun ONUFRI Berat

Ardhja e Gabrielit te Maria e Virgjër (në dy ikona). Dhe katër skena të tjera, të ikonizuara janë figurat e shkrimtarëve ungjillorë: Marku, Mateu, Lluka dhe Gjoni, kau dhe shqiponja.

Ikona "Lindja e Krishtit".

Të bën përshtypje realizimi pikturik krejt i veçantë i tyre. Në to kemi skenat e arkitekturave, që të kujtojnë Beratin mesjetar, fronat që kanë mbështetëse te këmbët, perdet e kuqe, llambadarët dhe tryezat e shkrimit, veglat e të shkruarit. Ata janë katër biografët që shkruajnë në thelb të njëjtin libër, historinë e Krishtit.

VIZIONET PAGANE

Ikonat "Pagëzimi i Krishtit" dhe "Ngjallja e Shën Llazarit"


Onufri ka ditur të krijojë stilin e vet, frymën kombëtare. Madje këtu qëndron merita e tij më e madhe. Në njohjen e traditave pikturike ai njeh edhe tradita më të hershme sesa ato të kristianizmit. Në ikonat dhe afresket e tij gjen personazhe paganë, të parakrishterimit, natyrisht me qëllime alegorike. Në funksion të ideve teologjike të subjekteve. Në skenën e "PAGËZIMIT TË KRISHTIT" na ka lënë dëshmi disa vizione pagane, që lidhen me politeizmin. Skena e pagëzimit është ngritur mbi parimin e duelit midis dy logjikave mitologjike. Të antagonizmit midis dy botëve. Krishti shpall triumfin e botës së tij mbi figurën e përmbysur në kohë pagane të Poseidonit. Onufri njeh kozmogoninë pagane. Ai pikturon Diellin dhe Hënën. Të antropomorfizuar. Dielli dhe Hëna me fytyra njeriu i kanë gojët e hapura dhe prej tyre del rryma e erërave. Kjo të kujton zotërit e erërave si p.sh., BOREA. Në Shqipëri ka ekzistuar një traditë origjinale e osmozës së paganizmit me krishterimin e hershëm. Kafshët alegorike si: delfinët, gjarpërinjtë, kuçedrat e ujit, gaforret, peshqit, që aq lirshëm lëvizin nëpër tablo janë elemente pagane.

Ngjallja e Shën Llazarit

Përsëri Onufri na ofron vizione pagane. Sarkofagu nga del i ngjallur Llazari është i tipit romak. Por pa reliev. Ai nuk ngjan me sarkofagët e përdorur nga të krishterët e parë. Një hollësi tjetër: Llazari e ka të tërë trupin, madje dhe fytyrën të mbështjellë me rripa të hollë e të gjatë pëlhure. Tamam sipas ritit të mumieve egjiptiane.
E KUQJA E PAHARRUAR

Ikonat e Onufrit. E kuqja. Muzeu Onufri në Berat

Është folur nga studiuesit për spektrin e ngjyrave të Onufrit. Në të spikat e kuqja. Kjo ngjyrë është e parapëlqyer, u jep ansambleve të afreskeve dhe miniaturave të ikonave ndjesi të forta të jetës. E kuqja Onufriane. Epiteti i përdorur në këtë rast ka fituar të drejtën e qytetarisë në historinë e artit. Kjo ngjyrë ka një lloj ndezje të brendshme, diçka sugjestionuese, tepër të ngrohtë, përdoret nga Onufri artistikisht e funksionalisht. Në etnografinë shqiptare, e kuqja është ngjyrë e preferuar kryesore. Në pikturën bizantine të stilit të paleologëve, e kuqja vihej në dukje mes formës së koloriteve në përgjithësi, por tek Onufri e kuqja luan rol të dukshëm harmonizues. Duke e bërë Onufrin një nga kalorësit më të mëdhenj shqiptarë të shekujve. Onufri, veç të kuqes, përdor edhe okrën si dhe oranxhën. Me to pikturon shkëmbinjtë e stërralltë, shpellat, mjedisin peizazhor të marrë nga pamjet e vendit të tij. Kështu Onufri respekton një mjedis që ka sintaksën e vet të ngjyrave. Tempulli i krishterë me mozaikët e dyshemeve, me afresket e mureve, madje edhe të kupolave, si dhe me pikturat e lëvizshme të ikonave është një univers i tërë me ngjyra, me forma të lexueshme, me një dritë të brendshme, që përbën një ekstazë hyjnore të njeriut. Krishterimi ortodoks e futi brenda guaskës arkitekturale thelbin e artit pikturik. Arti i Onufrit i ngjan polifonive kishtare kukuzeliane. E kuqja dhe portokallja onufriane e afrojnë piktorin me dritësimin hyjnor, qiejt parajsorë. Një problem i jashtëzakonshëm është praktika e ngjizjes kimike të ngjyrave tek Onufri. Kjo kërkon një studim të posaçëm.

ESTETIKA TRANSCENDENTALE

Nikolla Kabasilla, liturgjist i madh i shekullit XVI, e mbron me zjarr profetik ikonografinë dhe paraqitjen e Zotit dhe të shenjtorëve. Ka një imagjinatë akoma më të saktë kur shkruan se figurat njerëzore në ikona dhe afreske duhet të jenë të tilla që të kuptohet një kufi shkrirës midis materies dhe jomateriales. Nga të gjitha tiparet e fytyrës dhe të trupit njerëzor, sipas tij, vetëm sytë janë pjesa më hyjnore dhe më pak materiale. Sytë e shenjtorëve janë miliona qiej në miniaturë. Të sytë është kozmogonia e pafundme dhe ajo që nuk i përket hapësirës, por në fakt kohës. Kështu arrihet te ideja "VERSO - CHRONOKRATOR" d.m.th. "Zoti i kohës".

Koncili i Kostandinopojës në vitin 843 risolli përfundimisht mbas skizmës së llahtarshme ikonoklaste triumfin e nderimit të ikonave, që u quajt dhe triumfi i ortoksisë. Ikonoklastët duket se u shpartalluan përfundimisht. Kjo pikturë e zyrtarizuar rreptësisht u ciklua sipas dogmave që nuk bënin asnjë lëshim. Me qindra janë traktatet e teoricienëve dhe përcaktuesve të formave dhe të gjesteve, të lëvizjeve dhe të vendeve të paracaktuara në ikonografi. Në bibliotekat e Malit Athos në Sinaj, në bibliotekën e dikurshme të Kështjellës së Beratit etj., janë akoma traktatet se si një piktor duhet të modelojë ikonat. Arti bizantin përsëri u gjeometrizua, por në vend të pikave, trekëndëshave e sferave kishin përparësi figurat njerëzore.

Piktura bizantine, duke ruajtur antropomorfizmin e figurave, krijon një gjendje të veçantë të të shprehurit artistik, që nëpërmjet figurave sensuale të arrihet soditja hyjnore, siç do të shkruante Dionis Pseudoarepagjiti. Doktrina biblike e "Logosit" të trupëzuar në formë njeriu për të shpëtuar njeriun, është boshti i gjithësisë. Sipas Gjon Efhaidit, artisti i kishës "nuk pikturon vetëm trupin, por më tepër shpirtin". Kështu shpjegohet ekspresiviteti i gjithçkaje: Krishti paraqitet në dhimbjen e tij të pakufishme të kryqëzimit, shtrembërohet. I zënë nga ngërçi i përbindshëm, Laokondi jep një dhimbe të qetë. Krishti, një superdhimbje të hatashme. I pari ka trup të bukur anatomik, i dyti, të drobitur. Të stilizuar nga vuajtja e patregueshme. Onufri lëviz midis këtyre dy titanëve të përfytyrimit njerëzor. Midis dy arteve ai gjen konceptet e veta mitike (mistike). Onufri është përfaqësues i artit të Rilindjes Paleologe, që shpirtëzoi artin e kanonizuar bizantin me koncepte humanitare. Humanizmi i krishterë në fakt qe djepi i Rilindjes Evropiane. Po, Onufri është humanist shqiptar. I mbrujtur nga realiteti i kohës. Midis paraardhësve dhe pasardhësve.

Studimet do të bëjnë afrimin gradual drejt shpjegimeve të mundshme të së vërtetës aonufriane, sipas logjikës së kohës së sotme që për Onufrin është e ardhme. Onufri është rebel i humanizmit dhe i së Ardhmes. Për të kuptuar artin e tij duhet njohur i gjithë sistemi i simboleve dhe zbulimi, nxjerrja në dritë nga ferri i arketipave dhe logjikës së tyre të parapërgatitur. Kështu, Onufri njeh shkëlqyeshëm strukturën gjeometrike të hapësirës pikturore. Ky gjeometrizim absolutisht i saktë, e ndan hapësirën e çdo ikone në përmasa dhe në pika të cilat përbëjnë një tërësi që të kujton hartat e yjeve në qiell. Ai i vendos figurat sipas disa sistemeve, siç është rrethi dhe qendra e tij, figura piramidale, vija ndarëse e Tokës me Qiellin, që është njëkohësisht dhe vijë konvencionale midis trupores dhe shpirtërores. Në Shelcan parapëlqen medaljonet rrethore, që kanë në mes figurat e shenjtorëve. Në stilizimet arkitektonike Onufri përdor një logjikë gjeometrike paksa të veçantë, pa respektuar konceptin e perspektivës pamore. Është një gjeometri metaforike. Aty dallojmë elemente të arkitekturës popullore të Beratit dhe të qyteteve të tjera shqiptare të kohës. Ky është ndikimi i jetës së gjallë tek Onufri. Ajo që të tërheq vëmendjen tek Onufri është koncepti i kompozimeve konvencionale, që është përdorur kaq shumë nga piktorët modernë si: Shagall, Magriti, Klee etj. Tek ikona "Lindja e Krishtit" Onufri jo vetëm që e shfrytëzon mrekullisht këtë konvencionalitet të hapësirës, por edhe konvencialitetin e kohës, sipas parimit të simultanizmit, d.m.th. të bashkimit në një njësi të vetme të të tëra njësive të kohës. Kështu është njëkohësisht në ikonë edhe Krishti i porsalindur foshnje dhe jo larg tij imazhi i larjes së këtij Krishti nga soloma, veprime këto që të kujtojnë më tepër montazhin e filmit. Ikonat onufriane janë kështu pamje filmike të fiksuara brenda një imazhi.

Edhe Gjon Pagëzori tregohet me kokën e tij të paprerë. d.m.th., para çastit të ndëshkimit të tmerrshëm, por në të njëjtën ikonë ai mban në dorë kokën e tij të prerë d.m.th., të çastit të pasndëshkimit. Gjon Pagëzori ka dy kokë, atë mbi supe dhe atë që mban në dorë. Kjo të kujton qeniet biqefale të mitologjisë së vjetër babilonase. Ky konvencionalitet i kohës është gjithashtu një nga mrekullitë më të mëdha të artit bizantin, që i ka lemerisur dhe tronditur thellë surrealistët e piktorët modernë të mijëvjeçarit të dytë.

Andre Breton flet me një adhurim të skajshëm për artin bizantin. Tekstet e tij janë më me kuptim dhe më të thella sesa ato të Kandinskit. Shumë studiues të artit bizantin kanë gjetur në strukturat konvencionale të hapësirës dhe të kohës, estetikën më të pasur dhe më të pashtershme të modernizmit. Nga kjo pikëpamje moderniteti i artit onufrian është i pashlyeshëm dhe përherë çudindjellëse.

HARRESA E NJË VARRI TË PAHARRUAR

Ohër. Maqedoni. Katedralja e Shën Sofisë


Valsh. Bazilika e vogël e Shën Premtes. Muret me afreske. Në dyshemenë me pllaka guri, të brendësisë së kësaj bazilike, është një pllakë e ngritur vertikalisht, simbol mbivarror i një njeriu të rëndësishëm të varrosur nën këtë dysheme.

Kam shumë arsye të mendoj se ky është varri i vërtetë i Onufrit. Nëse një ditë do ta hapim këtë varr, në bazë të kafkës së gjetur mund të rindërtojmë pamjen natyrore të vërtetë të fytyrës së Onufrit. Kështu kanë vepruar antropologët me kafkën e Ivanit të Tmerrshëm apo të Filipit të Maqedonisë. Padyshim që kjo do të ishte një zbulesë madhështore dhe ne do të kishim përpara syve pamjen e Onufrit, të cilën ai nuk e vetëpikturoi asnjëherë.

Shpresoj se duhet guxuar drejt fytyrës së fshehur të Onufrit. Ky është guximi më njerëzor drejt të pashmes, drejt materializimit tashmë shpirtëror. Është një lindje e dytë natyrore, pra një dyim i nënës së tij. Kështu ne mund të shohim fytyrën e kryemjeshtrit, që duket se nuk do të gjendej kurrë.

Një tavolinë e mbushur me material letrar. Dorëshkrime. Faqe të tëra me një kaligrafi elegante. Skica ikonash dhe afreskesh. Foto e një gruaje fisnike të moshuar. Është Viktori Puzanova. Studimet e para të shkëlqyera për Onufrin i bëri një grua e mrekullueshme, por tashmë gati e panjohur për të gjithë. Për një mister dhe trill të fatit, kjo ishte një grua ruse me prejardhje nga Rostovi, ku kishte lindur në vitin 1893. Quhej Viktori Puzanova. Nga një familje aristokrate, ndoshta princërore, me një inteligjencë të hatashme dhe me një kulturë të rrallë, ajo u dha pas botës së librave dhe e lidhi jetën e saj me ikonografinë. Pas Revolucionit të Tetorit, më 1917-ën, ajo u largua nga atdheu i saj dhe u end nëpër botë, derisa erdhi në Shqipëri. Studimet e Puzanovës për Onufrin, por edhe për ikonografinë shqiptare janë të shkruara me një stil elegant dhe me një ndjesi mrekullie të një artisteje të vërtetë. Ajo mund të quhet krijuesja e onufrologjisë. Ajo është krijuesja e ikonografisë si disiplinë studimore. Të tjerët që kanë ardhur më pas mësuan nga ajo. Shumë pak e kanë cituar veprën e saj, ose nuk e kanë cituar fare.

Prej shumë vitesh kam menduar dhe kam shkruar diçka për Viktori Puzanovën. Kjo ruse e bardhë, me dramën e saj kolosale të emigrimit nga vendi i lindjes që rafgoi nga nderet ceremoniale aristokrate bizantine ruse, ashtu siç përshkruan Tolstoi, drejt një varfërie plebejane dhe të vështirë shqiptare ku mund të ishte çmendur ose të kishte vrarë veten. Në të vërtetë kjo grua qe një Krisht femër në vetvete. Ajo gjeti në Shqipëri një ish-oficer të Vrangelit Vasilin, bashkëjetoi me të dhe vdiqën në tokën shqiptare gati të harruar.

Një vizatim i portretit të Puzanovës. Një makinë udhëton drejt varrezave të Tufinës, ekipi i filmit shpreson se mos gjejë varrin e harruar të Puzanovës.

Varre pafund.

Në administratën e varrezave shfletoj regjistra me emra. Ata kthehen e rikthehen mes rreshtave.

Shfletojnë dhe rishfletojnë dhe ja: Eureka!

Parcela Nr. 6, rreshti midis numrave 1-12.

Eci mes varreve të panumërt. Ndaloj. Një grumbull bari. Kërkojnë me duar dhe befas diku pllaka e vogël me mbishkrimin "Puzanova Viktoria" me alfabet cirilik dhe nën të vitet 1893-1967. Përbri saj varri i Vasilit, por i shkruar me alfabet shqip. Varret të mbuluara nga bari dhe ferrat. Autori flet dhimbshëm:

Kam vendosur ta bëj varrin e saj vetë me shpenzimet e mia. Nuk jam njeriu i saj. Ajo qe ruse dhe unë jam shqiptar. Midis nesh është një histori e tërë kontradiktore. Herë-herë e llahtarshme dhe pa asnjë kuptim. Në një farë mënyre Viktori Puzanova, kjo grua çudi mes një indiferentizmi të pabesueshëm dhe një mosmirënjohjeje të pamotivuar, është nga të paktat femra në botë që ka të drejtë të quhet si nëna e dytë e Onufrit.

Po Puzanova e ka rilindur Onufrin.

Vetë Onufri nuk e di këtë gjë. Nuk ka se si ta dijë. Të dy tashmë janë të vdekur dhe që të dy i paguan borxhe të mëdha harresës dhe moskujtesës.

Bari i gjelbër i tokës shqiptare është tashmë përmbi figurat e tyre, mbi shpirtrat dhe mbi eshtrat.

O grua, që nuk linde dot, që ndoshta dhe gjuhën shqipe s‘e mësove siç duhet, që jetove me kultin e ikonave dhe me adhurimin për Andrea Rublovin!

Sa je gëzuar dhe ç‘gëzim i vërtetë ka qenë gëzimi yt, kur ke gjetur në Shqipëri një tjetër artist të madh, Onufrin. Rublovi dhe Onufri janë vëllezër dioskurë të ikonografisë botërore.

E meriton, o grua ruse të të këndojnë mbi varr një vajtim të lashtë polifonik shqiptar. I ke dhënë Shqipërisë atë që shumë shqiptarë nuk ia kanë dhënë dot vendit të tyre. Nuk të kam njohur dhe tashmë të njoh. Nuk të kam ditur dhe tashmë di vetëm pak, sepse asnjëherë nuk mund të di gjithçka dhe përfundimisht atë që duhet të dija për ty.

Ndoshta Ti, o grua, ishe njëra nga dhjetë virgjëreshat e pikturuara të Onufrit.

Ndoshta Ti, o grua, ishe vetë Soloma që lau Krishtin fëmijë, d.m.th., vetë Onufrin fëmijë. Kjo larje është epifania e madhe e kujtesës, e nderimit dhe e dashurisë.

Është pagëzimi i njeriut për të shpëlarë nga vetja elementet e së keqes, instinktet shtazore, mosmirënjohjen, paturpësinë, injorancën etj., dhe për t‘u bërë njësh me trupin hyjnor të Zotit! Harresa është hidrofilia e së keqes.

Pas kaq kohësh shirat bien mbi varrin tënd, o Viktori Puzanova, s‘janë gjë tjetër veçse epifania e madhe e kujtesës dhe e qiejve e duar kerubinësh dhe engjëjsh e mbajnë për ta larë si disa mëndesha të providencës, figurën foshnjë dhe lakuriqe të Viktori Puzanovës.

Amen!

Gazeta Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin Wallpapers | Filmime Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Direktoria | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Yasnw | MuzikaWeb LinksMoz | Balkan | Shqiperia | Albania | Shtypi Shqiptar PDF | Blogu Shqiptar | MSN Avatars |