|
Berni
|
 |
« më: 23-05-2006, 10:23:18 » |
|
Shumë filozofë mendojnë se xhelozia nuk ka gjë të përbashkët me dashurinë dhe se njeriu që është xheloz ndaj partnerit të tij nuk e dashuron me të vërtetë këtë. Xhelozia, sipas këtyre filozofëve, është vetëm shprehje e ndjenjës së pronësisë ku njeriu e sheh partnerin si pronë të tij, të cilën nuk do t'a humbasë. Pra të dashurosh dikë është t'a lësh atë në rrugën e tij. Por sipas studimeve më të fundit xhelozët nuk duhet të ndjejnë turp që janë të tillë. Profesori i psikolgjisë në Universitetin Austin në Texsas David Buss thotë: "Xhelozia nuk është diçka e padobishme, si mund të mendojnë shumë vetë, përkundrazi përgjatë historisë së zhvillimit të njeriut, xhelozia është zhvilluar si një mekanizëm mbrojtës i lidhjes bashkëshortore. Xhelozia ka lindur si një mjet mbrojtës ndaj kanosjes së pabesnikërisë dhe lënies. Duke njohur këto kanosje njeriu fiton një zgjuarsi të ndjenjave dhe të mëson se si të sillesh".
Xhelozia ndez pasionet
Sipas psikologes gjermane Cora Besser-Sigmund, xhelozia mund të pasurojë lidhjen bashkëshortore dhe të ndezë pasionet. Mungesa e plotë e xhelozisë mund të mos tregojë gjë tjetër veçse marrjen fund të ndjenjave. Ajo është e mendimit se pak xhelozi është e nevojshme pasi tregon se gjithçka shkon mirë në lidhjen bashkëshortore. Është krejt normale dhe e llogjikshme që njeriu do t'a mbajë pranë vetes atë që dashuron. Nëse nuk ndjen ndopak xhelozi atëhere as lidhja nuk është lidhje dashurore.
Ndjenjat nuk duhen ndrydhur
Besser-Sigmund nuk është e mendimit që njeriu duhet të shtypë brenda tij xhelozinë dhe të mos i'a shfaqë atë bashkëshortit të tij siç bëjnë shumë vetë. Vetë përpjekja për të fshehur xhelozinë ështe e kotë pasi ajo shfaqet në një mënyrë apo tjetër. Por xhelozia nuk duhet t'i shfaqet partnerit as në format e nxehjes, bërtitjes apo ngritjes së dorës. Në vend të kësaj i duhet thënë bashkëshorti "më fal por unë jam bërë pak xheloz dhe nuk mund t'a përmbaj këtë ndjenjë". Ky veprim do të ndihmonte për të kuptuar më mirë se çfarë është ajo që të bën xheloz dhe si t'a heqësh këtë ndjenjë. Por është e rrezikshme kur xhelozia e tejkalon masën. Kur njeriu është xheloz apo dyshon tërë kohës duke dashur t'a ketë bashkëshortin gjithnjë nën kontroll, kjo do të sillte atë që: asnjërit nuk do t'i mbetej ndonjë ndjenjë pozitive për tjetrin.
Kush e nxit besnikërinë?
Për këtë kujdeset një hormon i caktuar "besnikërie", oksitoksina.
Ajo ndikon në shumë proçese që ndodhin në trup, si: gjatë periudhës së shtatzanisë dhe lindjes rritet prodhimi i saj, ajo liron shtrëngimet gjatë lindjes dhe nxit formimin e qumështit te nëna gjatë amënimit. Mendohet se përmes ndikimit të hormonit të oksitoksinës krijohet edhe lidhja e ngushtë nënë-foshnjë. Po kështu edhe gjatë takimeve trupëngjeshur ndër partner ka një rritje të oksitoksinës në gjak. Ky hormon zgjon ndjenjat e lumturisë.
Psikologët mendojnë se homoni oksitoksinë ndikon në jetë tonë dashurore për vetëm katër vjet. Ritmi katërvjeçar i oksitoksinës mund të jetë trashëgim nga stërgjyshërit tanë. Në atë kohë gratë ishin të varura nga partnerët e tyre për sa kohë që i kishin fëmijët të vegjël. Meshkujt i mbanin ato me ushqim dhe u ofronin atyre mbrojtje. Për shkak se rritja e fëmijës kërkon kohë të gjatë, stërgjyshet tona lindnin mesatarish një fëmijë në katër vjet. Kohën midis lindjes ato e kalonin me sa duket gjithnjë në lidhje të qëndrueshme çiftore. Pas rreth 4 vjetësh fëmija dilte nga faza e quajtur "foshnjë". Nëna ishte sërisht e pavarur dhe mund t'i drejtohej një partneri të ri. Në këtë mënyrë, është rregulluar në trurin tonë përgjatë evolucionit lidhja njerëzore.
Rënia në dashuri dhe mbarimi i saj.
Fatmirësisht sjelljet e njeriut nuk janë të varura vetëm nga hormonet. Pjesa më e madhe e tyre përcaktohen nga rregulla kulturore dhe shoqërore. Kështu që hormoni është vetëm një shenjë që tregon se "prika" jonë gjenetike ndikon pjesërisht në sjelljet tona. Kjo trashëgimi nuk është e njëjta tek gruaja si tek burri, të paktën ndryshon në një kromozon. A mund të jetë ky shkaku që këta shpesh nuk kuptohen ndërmjet tyre?
Tipet e xhelozisë
Xhelozia materiale ose zilia
Shfaqet si një dëshirë e shfrenuar për të pasur gjëra ekskluzive që i zotërojmë dhe që nuk duam t'ia japim të tjerëve në përdorim.
Xhelozia romantike
Në këtë rast dominon frika për të humbur ndenjën dhe dashurinë e veçantë të një personi. Për të përballuar këtë lloj xhelozie është e nevojshme të forcohet besimi në vetvete, duke i lejuar vetes mundësinë për të zvogëluar ankthin dhe agresivitetin, të lidhur me vetë xhelozinë. Gjithashtu është e nevojshme të rrisni afëtësinë tuaj duke përmirësuar imazin që keni për veten, duke ulur depresinon dhe inatin, të lidhura këto me idenë e një humbje të mundëshme të personit të dashur.
Xhelozia nga konkurenca sociale
E ka origjinën nga dëshira për të pasur një të mirë që nuk e keni dhe frikësoheni se dikush tjetër mund t'a marrë atë në vëndin tënd. Kjo lloj xhelozia rritet kur vetes i atribuohet përgjegjësia e një pozicioni të disfavorshëm apo një dështim.
Kush janë personat xhelozë?
Në përgjithësi personat xhelozë përshkruhen si të pasigurtë, të paduruar, ziliqarë, irracionalë, me një opinion të keq për veten. Nuk duket se ka ndonjë dallim të madh midis dy gjinive lidhur me intesitetin e xhelozise megjithëse sjelljet e tyre janë në mënyrë të dallueshme të ndryshme nga njëra tjetra. Nga ky këndvështrim meshkujt jënë më të rregullt se gratë në marrjen e inisiativave të hapura në rast tradhëtish, duke tentuar të diskutojnë mbi problemin, në përballje me rivalin ose në sulme ndaj partneres. E kundërta është sjellja e grave që duket sikur përjashtojnë xhelozinë por që vuajnë më shumë, pushtohen nga ndjenja negative si dëshpërimi, depresioni dhe sëmundje të tjera psikosomatike. Nuk duket sikur ka ndonjë diferencim mes dy gjinive lidhur me veprimet që ndërmarrin më pas. Disa studime kanë treguar se reagimi më i zakonshëm si për femrat ashtu edhe për meshkujt është tronditja nga çfarë ka ndodhur. Por ka raste që xhelozia e sëmurë dhe nevoja për të kontrolluar jetën e tjetrit, për të mbledhur prova nuk është një mënyrë e mirë për t'u bindur. Kjo ndodh kur nuk gjenden faktet e tradhëtisë duke tentur të kapet "mat"partneri me fjalë apo veprime. Kjo shpesh herë sjell edhe zhgënjime kur rezultatet e hetimeve nuk kanë dhënë frutin e duhur dhe partneri impenjohet edhe më shumë për gjetjen e provave. Në këto raste nuk kërkohet prova e fajit por konfirmimi i dyshimeve. Problemi këtu është se situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe të na bëjë të ndihemi padronë të gjëndjes dhe çdo gjë tjetër është e parëndësishme.
Studimet e kohëve të fundit kanë treguar sa e rëndësishme është jetëgjatësia e xhelozisë. Kur ndjenja e xhelozisë zgjat më shumë se një orë në ditë mund të jetë një zile alarmi për një patologji shumë serioze. Xhelozia është një ndjenjë natyrale dhe jo për t'u demonizuar. Në rrjedhën e historisë ka pasur një rëndësi të madhe pasi synon ruajtjen e species dhe të stabilitetit të çiftit: te burrat është e lidhur me sigurinë e atësisë dhe kujdesin ndaj fëmijëve të vet ndërsa te femrat është e lidhur me nevojën për të mbajtur të lidhur partnerin në mënyrë që të na sigurojnë ushqim dhe mbrojtje. Por kur xhelozia e tejkalon limitin mund të jetë një rast për t'u shqetësur. Problemi qëndron në faktin se nuk është e lehtë të shohësh kufirin mes xhelozise normale dhe asaj patologjike.
Mund të flitet për një xhelozi normale kur bëhet fjalë për një ndjenjë episodike, që nuk sjell dhimbje për personin tjetër. Por nëse këto limite kalohen atëhere kemi të bëjmë me patologji.
Sa zgjat xhelozia?
Nëse në një ditë mendoni intensivisht dhe me dhimbje për një tradhëti eventuale të partnerit për më shumë se një orë atëhere kjo duhet të konsiderohet një zilkë alarmi.
Këshilla në këto raste është: të mos vuani në heshtje por t'i drejtohen një specialisti për të hetuar dhe jo të lini që një simtomë që është shumë shqetësuese të rritet, të kalojë në depresion, panik dhe çrregullime të personalitetit, deri në paranojë. Në bazë të një studimi tjetër tregohet se si personat xhelozë mund të kalojnë në anomali psikologjike. Rezultatet pasqyruan se ai që ishte xheloz paraqiste të paktën një simtomë psikiatrike. Kështu në disa raste xhelozia duhet të konsiderohet si një sëmundje e lidhur me anomalitë e sistemit nervor. Kur xhelozia merr përmasa të mëdha mund të kthehet në një shqetësim delirant. Shpesh flitet për këtë lloj shqetësimi në tipologjinë e xhelozisë kur tema e delirit vjen nga siguria që kemi se tradhëtia sapo është konsumuar, ndërsa xhelozia lind nga dyshimi ose nga frika e kësaj. Deliranti përpiqet të gjejë prova të pakundërshtueshme dhe në këtë rast është të shtyjë partnerin të rrëfejë. Nëse ai e pranon për të zbutur klimë ose për të parë se çfarë do të ndodhë, deliranti bëhet edhe më agresiv dhe insistues në kërkimin e tradhëtive të tjera. Mes të dyve ka një raport sado-mazokist që ndyshon në varësi të rolit që ka partneri që pranon tradhëtinë. Një shqetësim i tillë shfaqet me meshkujt alkoolist.
|