FJALA E PRESIDENTIT MOISIU NE QYTETIN E TROPOJES
Tropojë, 24 tetor 2002Të dashur qytetarë të Tropojës,
Si president dhe si bashkëqytetar kam nderin të jem mes jush për t´ju shprehur respektin e thellë të shtetit shqiptar dhe personal ndaj jush, vlerave dhe traditave tuaja, për të takuar qytetarët atdhetarë dhe të mrekullueshëm, që me kurajo dhe sakrifica të pashoqe përballuan krizën e luftës së Kosovës dhe mbrojtën me armë integritetin territorial të shtetit shqiptar kundër sulmeve dhe provokacioneve të mercenarëve të Millosheviçit.
Njëherësh, kam ardhur për të ndarë me Ju, shqetësimet tona të përbashkëta, për të bashkëbiseduar për hallet e problemet tuaja si edhe për të konfirmuar mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar ndaj kërkesave e nevojave tuaja për më shumë rend, më shumë qetësi, më shumë vende pune, lëvizje, integrim dhe zhvillim.
Historia dhe trashëgimia juaj janë shumë herë më fisnike, më të pasura, më të shquara dhe më atdhetare, sesa dhimbjet që koha dhe rrethanat krijuan apo imponuan. Ju i keni dhënë Shqipërisë personalitete të shquara, atdhetarë dhe politikanë.
Veprën e madhe të Mic Sokolit, Ali Ibrës, Bajram Currit, dhe patriotëve të tjerë për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të bashkuar, e vazhduan me dinjitet brezat e tjerë të trevës së Tropojës, mes të cilëve djali juaj dhe krenaria nacionalizmit shqiptar, udhëheqësi i studentëve dhe të lëvizjes demokratike, i paharruari Azem Hajdari.
Në lëvizjen e studentëve në dhjetor ‘90 mjaft studentë inciatorë ishin nga treva e juaj. Ju i keni dhënë Shqipërisë edhe një plejadë të madhe me shkrimtarë, artistë, doktorë, politikanë dhe inxhinierë të talentuar. Unë pata kënaqësinë që një muaj më parë të nderoja bilbilin e Tropojës dhe të këngës shqiptare, të pavdekshem Fatime Sokoli duke qenë i bindur se, nderimi i vlerave, traditave dhe personaliteteve që i kanë kushtuar këtij vendi jetën dhe kontributin e tyre, është një detyrim për të gjithë ne.
Të nderuar bashkëqytetarë,
Gjatë viteve të fundit, Tropoja, më shumë se asnjë qytet tjetër, ishte viktimë e krizave më të rënda të tranzicionit, paragjykimeve, mungesës së sigurisë dhe pasojave të izolimit. Ndaj edhe shumë herë është dëgjuar pyetja: Po në Tropojë, kur do të rivendoset rendi dhe do të funksionojë shteti? Kur do të marrë fund zinxhiri i vrasjeve dhe ngjarjeve të rënda që fatkeqësisht mbajnë peng Tropojën dhe imazhin e saj prej disa vitesh?
Unë jam sot këtu për të konfirmuar gadishmërinë dhe vendosmërinë e shtetit shqiptar për të rikthyer përfundimisht drejtësinë, autoritetin e ligjit dhe të shtetit, besimin për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë. Jam këtu për t’ju thënë juve se Tropoja është pjesë e pandarë, integrale dhe e barabartë e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare.
Ne nuk duhet të mbetemi peng i të kaluarës, por të nisim një rrugë të re bashkëpunimi dhe zhvillimi, pajtimi dhe besimi reciprok mes shtetit, qytetarëve dhe vetë banorëve të kësaj treve. Ne nuk duhet të tolerojmë më keqpërdorimin e ndjenjave demokratike të tropojanëve dhe çdo qytetari tjetër shqiptar për spekullime elektorale.
Për secilin prej nesh është koha të kapërcejmë mbi veten, mbi ndarjet dhe qejfmbetjet, mbi kujtimet e hidhura dhe dhimbjet, mbi dëshpërimin dhe zhgënjimin për të parë përpara, nga e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhmja e fëmijëve tanë, vlerave tona dhe e shtetit tonë. Unë jam sot këtu për t’u thënë se është koha të ndryshojmë.
Jam në dijeni të faktit se Tropoja është zona ekonomikisht më e varfër në vend. Menjanimi i varfërisë arrihet nga siguria e jetës së qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik. Ndaj është koha të kuptojmë se zhvillimi i Tropojës dhe i të gjitha zonave të tjera gjeografikisht periferike, nuk mund të arrihet me furgona policie, izolim dhe mënjanim nga projektet kombëtare të zhvillimit, por me prezencë të plotë të shtetit, investime publike, rritje të numrit të shkollave dhe të spitaleve, ndërtimin e rrugëve dhe të ujësjellësave.
Ne, në asnjë rrethanë, nuk duhet të lejojmë pabarazinë dhe diskriminim krahinor apo politik në ndarjen e financave publike, në planet e investimeve dhe në hartimin e projekteve strategjike. Ne jemi një vend me pasuri të mëdha, por me ekonomi relativisht të pazhvilluar.
Shanset që na jepen, siç janë projektet e mëdha kombëtare, duhet t’i shohim detyrimisht të lidhura me nevojat e komuniteteve lokale. Nëse Durrësi, Kukësi, Laçi apo Mirëdita përfitojnë direkt nga projekti i madh kombëtar, siç është rruga Durrës-Kukës, atëherë ne duhet të ndërtojmë rrugë lidhëse dhe të rrisim mundësitë e komunikimit të Tropojës, Pukës dhe rretheve të tjera fqinjë me to, si rruga e vetme për të garantuar zhvillim të të gjithë zonës verilindore.
Hapi i parë në këtë drejtim duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarit dhe nevojave të tij jetike. Është e patolerueshme që qyteti që furnizon me energji elektrike gjysmën e Shqipërisë, të mos ketë drita në pjesën më të madhe të ditës dhe të natës.
Përmirësime të plota duhet të ketë edhe në pajisjen me sistemin telefonik të banorëve dhe komunave, zgjerimin e sistemit arsimor, ngritjen e kopshteve dhe çerdheve për fëmijët, nxitjen e prodhimit artizanal dhe të punishteve private, rritjen e numrit të aktiviteteve kulturore dhe sportive, si rruga më e mirë për të arritur standartet e një jetë normale për qytetarët dhe komunitetin.
Duke falenderuar forcat e ushtrisë për punën e tyre të palodhur në zgjerimin dhe ndërtimin e rrugëve të transportit, shpresoj për një përshpejtim të zbatimit të këtij projekti dhe projekteve të tjera të nisura, për ta bërë sa më të lehtë lëvizjen dhe komunikimin.
Qeveria duhet të hartojë strategji rajonale të posaçme zhvillimi për zonën tuaj dhe zona të tjera të ngjashme në vështirësi ekonomike. Këto strategji duhet të garantojnë hapje të vendeve të punës, zgjerimin e akseve rrugore që lidhin rrethin tuaj me Kosovën dhe Malin e Zi dhe me portin verior të Shëngjinit si edhe hapjen e pikave të reja të kalimit kufitar.
Njëkohësisht, secili prej nesh duhet të jetë një ambasador i vendosur për të ftuar biznesin shqiptar dhe të huaj, grupet e industrialistëve dhe të bankave që të hedhin vështrimin për investime turistike në Tropojë dhe zonat përreth, të cilat me klimën, hapësirën, mundësitë dhe veçoritë e tyre të pashfrytëzuara, janë një dhuratë e pazëvëndësueshme e natyrës.
Ka mjaft shqiptarë të diasporës me origjinë nga Tropoja dhe zonat e tjera të veriut, të cilët më lejoni që në emrin tuaj t’i ftoj të vijnë pa frikë dhe të investojnë në viset e gjyshërve dhe etërve të tyre. Shteti shqiptar do t’i mbështesë dhe sigurojë këto investime, por në rradhë të parë, ju, me besën, burrërinë dhe punën tuaj të ndershme, do të jeni garancia më e mirë për ta.
Marrë nga
www.president.al