|
Hylli
|
 |
« më: 04-03-2005, 12:22:57 » |
|
Fjalor Sinonimik i Gjuhës Shqipe
Një vepër e madhe leksikografike
Dr. Shefkije Islamaj
Pak kohë më parë doli nga shtypi fjalori i parë shpjegues i sinonimeve në gjuhën shqipe. Fjalori është rezultat i një pune të gjatë e të vështirë të një grupi leksikografësh tanë të njohur, autorë edhe të fjalorëve të gjuhës shqipe (1980, 1984, 2002). Hartimi i një fjalori të sinonimeve në gjuhën shqipe ka qenë një kërkesë e madhe dhe e ngutshme jo vetëm gjuhësore po edhe kulturore, sidomos pas hartimit të disa veprave me interes të leksikografisë shqiptare: FGJSSH, FSHS. Fjalori frazeologjik, Fjalori i antonimeve etj. Sinonimet konsiderohen ndër problemet më të ndërlikuarat e më të vështirat teorike e praktike gjuhësore, jo vetëm në gjuhësinë shqiptare. Për këtë arsye edhe studimi i tyre në gjuhësinë shqiptare është i paktë dhe praktika jonë leksikografike, mjaft e varfër. Për studimin e tyre kemi vetëm një monografi të vogël (Shefkije Islamaj, çështje të sinonimeve në gjuhën shqipe. Prishtinë, 1985) dhe një numër fare të vogël trajtimesh. Janë botuar edhe dy fjalorë të tipit tjetër: G.Kiçi – Fjalor i sinonimeve, antonimeve, i fjalëve të njëjta, i termave të ngjashëm, i fjalëve të përafërta, i varianteve e të tjera të gjuhës shqipe, USA, 1992; A. Dhrimo, E. Ymeri, E Tupja – Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe, Tiranë, 2002. Fjalori sinonimik i gjuhës shipe i autorëve J. Thomaj, M. Samara, H. Shehu e Th. Feka përmban 29.000 fjalë. Fjalorit i paraprin Parathënia, ndërsa fill pas saj me titullin Hyrje autorët sjellin një vështrim kritik të gjatë e të hollësishëm për sinoniminë leksikore dhe fjalorin sinonimik. Vështrimi sqaron problemet kryesore teorike e praktike që lidhen me sinoniminë leksikore shqipe dhe kriteret bazë për hartimin e një fjalori të mirëfilltë sinonimik. Vështrimi me karakter studimor i sillet një numri të konsiderueshëm çështjesh që lidhen me përcaktimin, tipologjinë, kufijtë, shtrirjen e raportet që karakterizojnë sinoniminë leksikore me theks të veçantë për rrugën që kanë ndjekur autorët për përfaqësimin e saj sa më të plotë e sa më të drejtë në fjalorin që kemi në dorë. Pas këtij vështrimi jepen Udhëzimet për përdorimin e fjalorit dhe Shkurtesat. Fjalësi i fjalorit shtrihet në 1057 faqe. Fjalori është recensuar, redaktuar e korrektuar nga ana letrare e teknike me shumë kujdes nga punonjës të zellshëm shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. Ky është fjalor shpjegues ose përshkrues i sinonimeve në gjuhën shqipe dhe si i tillë ka mëtimin që të paraqesë pasurinë sinonimike të shqipes, në të vërtetë sistemin e sinonimisë leksikore të shqipes. Sinonimet në gjuhën shqipe përbëjnë një klasë shumë të pasur. Fjalori paraqet sistemin sinonimik të gjuhës së sotme shqipe me lidhjet dhe me veçoritë e njësive të këtij sistemi nga ana e përmbajtjes dhe nga ana e përdorimit. Fjalori ka edhe përmasën normative dhe stilistike, në të vërtetë në fjalor është bërë shtresimi normativ e stilistik i sinonimeve të gjuhës shqipe. Në këtë kontekst vlera e tij është e shumëfishtë. Parimi bazë për përcaktimin e sinonimeve dhe rrjedhimisht për përfshirjen e tyre në këtë fjalor, sipas autorëve, është ky: dy fjalë janë të afërta ose sinonimike "nëse shumica e elementeve (e semave) a elementeve semantike thelbësore janë të njëjta ose ruhen në dy njësi semantike themelore (kuptime)". Autorët shfrytëzojnë edhe kritere të tjera plotësuese (teorike dhe teknike), të domosdoshme në fjalor sinonimesh dhe në një fjalor të këtij tipi. Fjalori përfshin korpusin kryesor të sinonimeve më të përdorshme të shqipes së sotme. Ai përmban vetëm fjalë sinonimike, ndërsa janë lënë anash me të drejtë sintagmat, togfjalëshat e njësitë frazeologjike, sepse këto të fundit trajtohen si struktura sintaksore dhe si të tilla janë në numër të pakufizuar kombinimesh. Nuk janë përfshirë as sinonimet e ashtuquajtura variante të thjeshta fonetike e gramatikore. Burimet e lëndës së shfrytëzuar për këtë fjalor janë mjaft të gjera, duke përfshirë këtu fjalorët ekzistues të shqipes, kartotekën e leksikut të shqipes, fjalorë të tjerë dhe, natyrisht, vjeljet vetjake të autorëve. Edhe për kuptimet, shpjegimet e shënimet plotësuese autorët, përgjithësisht, u janë drejtuar fjalorëve shpjegues të shqipes. Ashtu si edhe fjalorët e tjerë gjuhësorë normativë, edhe fjalori i sinonimeve përdallon në mënyrë të duhur e të qartë "normën nga jonorma, të përgjithshmen nga e kufizuara, të gjallën nga e vjetëruara" etj., madje në këtë rrafsh fjalori jep ndihmesë të çmueshme në përdallimin e shtresave leksikore të shqipes. Ai saktëson përdorimin e tyre në ligjërim. Ndër çështjet bazë për autorët e fjalorit ka qenë çështja nëse do të merret për bazë vetëm vlera objektive e sinonimeve, si shenjues të një realie të caktuar në mbarë gjuhën apo vlera e tyre në vetëm njërin prej niveleve të gjuhës. Autorët kanë zgjedhur rrugën më të drejtë duke marrë për bazë vlerën objektive të tyre në gjuhë dhe nga ky aspekt fjalori paraqet pikënisje të mirë e të qëndrueshme për studime të mëtejshme në fushën e sinonimisë shqipe. Sinonimet janë kategori gjuhësore funksionale, prandaj Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe ka vlerë të madhe praktike. Duke pasur parasysh rëndësinë e sinonimeve në përdorimin e tyre praktik, në të folur e në të shkruar, duke pasur parasysh se ato shprehin jo vetëm pasurimin e zhvillimin e gjuhës, të leksikut të tij, po edhe të shprehjes stilistike e të zhdërvjelltësisë së saj, autorët kanë arritur përmes këtij fjalori të provojnë se shqipja shpreh gjerësi, pasuri, larmi e zhdërvjelltësi në shkallë të lartë. Për këtë arsye në trajtimin e çdo njësie sinonim autorët janë përpjekur që të japin jo vetëm përmbajtjen e çdo fjale, funksionin dhe përdorimin e saj, po sidomos lidhjet e shumta ekzistuese, reale, ndërmjet tyre. Sipas fjalorit që po shfletojmë, pamja e shqipes në nivelin e sinonimisë del shumë e pasur dhe me mundësi zgjedhjeje të pakufishme në këtë rrafsh. Sa për ilustrim po përmendim se ka njësi leksikore që mbledh rreth vetes 20 e më shumë fjalë me raport sinonimie midis tyre, ndërsa gjerësia e grupit sinonimik zakonisht qëndron në raport me gjerësinë e strukturës së saj semantike. Ka raste kur numri i sinonimeve e kalon numrin 100. Mjafton të shohim sa për ilustrim fjalën hap (f.530 dhe të shohim numrin e kuptimeve të saj (15 kuptime) dhe natyrisht numrin e sinonimeve të saj (afro 39 sinonime). Numri i madh i sinonimeve ka kushtëzuar ndarjen kuptimore dhe shpjegimin e kuptimeve kryesore dhe në këtë përmasë fjalori shpreh parimësi në shkallë të lartë. Pasuri e madhe sinonimike shprehet edhe në rrafshin e sinonimisë dialektore. Autorëve u takon merita për qëndrimin e drejtë ndaj tyre dhe për gjallërimin e shumë syresh të skajuara sot në përdorim. Në fjalorë janë përfshirë edhe mjaft fjalë të huazuara, historizma e fjalë të reja, për arsye të përdorimit të tyre në ligjërime të caktuara (letërsi, publicistikë etj.). Fjalori paraqet burim të gjerë terminologjie. Kërkesat e mëdha sot të terminologjisë shqipe mund t'i drejtohen edhe këtij fjalori. Zbërthimi i hollë i shpjegimeve, përdallimi i kujdesshëm semantik i tyre ndihmojnë që shumë terma – sinonime të aktivizohen në terminologji të caktuara. Është e qartë se në punën e hartimit të fjalorëve asnjëherë nuk mund të thuhet se çdo gjë është sjellë në përfundimin e dëshiruar. Ai përpunohet e ripunohet, plotësohet e pasurohet, përmirësohet e përsoset me botimet e ribotimet e tyre. Baza e qëndrueshme është krijuar për ta vazhduar punën më tej. Autorët kanë arritur të krijojnë një sistem të njësuar konceptor për sinoniminë, si në rrafshin teorik ashtu edhe në atë praktik. Përsosja e pasurimi duhet të mbeten qëllim për çdo hartues fjalorësh, prandaj edhe për autorët e këtij fjalori. Fjalori do t'u hyjë në shërbim gjuhëtarëve, shkrimtarëve, publicistëve, përkthyesve, mësuesve, nxënësve, studentëve e të tjerëve që në çfarëdo mënyre kanë të bëjnë me gjuhën dhe, natyrisht, atyre që përpiqen për një ligjërim të pasur, të saktë, të larmishëm dhe të zhdërvjellët. Ai do ta ndihmojë, pa dyshim, zhvillimin dhe pasurimin e leksikut të shqipes.
Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe – Jani Thomai, Miço Samara, Hajri Shehu, Thanas Feka, ASHAK. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1084 f.)
|