|
Berni
|
 |
« më: 09-01-2007, 11:41:49 » |
|
Quhet Sealand dhe është vetëm 550 metër katror
Del në shitje shteti më i vogël në botë, themeluar në 1967
Eshtë pak më i madh se një apartament, por ka flamurin e tij, simbolin e vet dhe pasaportë të veçantë për të gjithë qytetarët. Quhet Sealand dhe njihet si shteti më i vogël në botë. Tani është në shitje dhe do të jetë pronë e njeriut që do të bëjë ofertën më të mirë. Sealand (Toka e detit) është themeluar në vitin 1967 dhe në realitet nuk është më tepër se dy kolona të bashkuara në mes të detit, në një distancë të vogël nga bregu britanik. Historia e Sealand është themeluar nga rrënjët e kulturës "hipi" në fund të viteve '60. Ishte viti 1967, kur Paddy Roy Bates "pushtoi" këtë vendqëndrim pranë bregdetit britanik në Harwich, Essex dhe vendosi aty familjen e tij, në një vend të humbur detar. Dy kolona të mëdha, 6 milje nga bregu, që mbajnë platformën e qytetit, ky është Sealand. Bukuria e historisë së vendit me sipërfaqe 550 metër katror është se Bates e transformoi atë në një principatë të vërtetë, duke shfrytëzuar mbi të gjitha lirinë në ujërat territoriale, të cilat nuk janë pronë e Britanisë për shkak të kartave nautike. Kështu, ai që konsiderohet si vendi më i vogël në botë tani ka pasaportën e tij, monedhën e vet (dollarin Sealand), pullat e veta, flamurin e tij dhe për të pasur gjithçka që kanë edhe vendet e tjera, ka edhe skuadrën e tij të futbollit. Gjatë viteve, Bates është dashur të përballet me gjithçka. Si një sovran i mirë i është dashur ta mbrojë vendin e tij edhe nga pushtimet, ndër të cilat tentativa e vitit 1978, kur me mashtrim disa holandezë e gjermanë, duke përfituar nga mungesa e mbretit, rrëmbyen të birin dhe pushtuan Sealand. Bates formoi një ushtri të vogël dhe e rimori Sealand, duke i trajtuar ata si të burgosur lufte dhe i liroi vetëm pas ndërhyrjes së Holandës e Gjermanisë. Por kërcënimi më i madh për mbijetesën e Sealand ishte një zjarr i madh në qershor të vitit 2006, i cili shkretoi një pjesë të madhe të strukturës së saj, duke rrezikuar të gjithë strukturën. Kështu, Micheal Bates, i biri i Paddy Roy, i cili tashmë është 85 vjeç dhe trashëgimtar i fronit që nga viti 1999, ka vendosur se është më mirë të jesh një qytetar i thjeshtë në tokë se sa një mbret i një platformë në mes të detit. Prandaj principata e tij ka dalë në shitje, me shpresën se ai do të marrë një grusht të mirë parash, të paktën me tetë shifra. Por çfarë e bën joshëse Sealand? Themelor është fakti se bëhet fjalë për një parajsë fiskale, ose i ka të gjitha mundësitë që të kthehet në një të tillë. Nëse e keni portofolin plot, ju pëlqejnë vendet e veçanta me lagështirë dhe erë, nuk keni frikë nga vetmia dhe ju pëlqen shoqëria e peshqve, jepni ofertat. Gian Luca Roço/Tgcom
|