|
Berni
|
 |
« më: 14-09-2007, 14:44:31 » |
|
Historia e qytetit danez Elsinor është e gjatë dhe interesante. Ajo lidhet me tragjedinë e famshme të quajtur “Hamlet”. Udhëtimi nëpër Elsinor përshkohet nga emocione të ankthshme dhe vërtet i ngjason një drame të thellë, përmasat e së cilës të tronditin në shpirt. Është kjo drama e përjetshme e Hamletit, që ka shekuj që sfidon mendjet njerëzore. Qyteti i shumëvizituar, me infrastrukturë që përthyhet mes modernes dhe klasikes, i shtrirë pranë detit të ftohtë nordik, në një lartësi lehtësisht të dukshme ka kështjellën e Hamletit, e ndërtuar në fund të viteve 1500, nga mbreti Frederik II. Dhe është pikërisht kjo që e bën këtë qytet të veçantë, të njohur, të dashur e të frikshëm. Kështjella qëndron pushtetshëm, ndërsa rrugët e shumta të modelit mesjetar, nëpër të cilat u ngjiz ngjarja, e cila bëri jehonë botërore, kanë pamje të frikshme. Vetëm njëzet minuta duhen, në një udhëtim me anije, nga qyteti Elsinor deri te kështjella e Hamletit, një qytet i mrekullueshëm, ku çdo gjë është në vendin e vet, një përpikëri tipike skandinave.
Ura Suedinë dhe Danimarkën, dy shtete të cilat i ndan deti i ftohtë nordik, i lidh ura më e madhe në Europë, njëra nga çuditë dhe mrekullitë arkitektonike të shekullit XXI. Në të vërtetë, Suedinë Jugore dhe Danimarkën, përveç urës i lidh një histori e çuditshme; mbi to qëndron gjithëpushtetshëm fantazma e Hamletit, princit të famshëm të Danimarkës; vendit prej ku u ngjiz njëra nga ndodhitë më të veçanta të botës së letërsisë, vendit ku është shqiptuar një pyetje e dilemë e thellë, e makthshme, në mënyrën me të dhimbshme e më tragjike të mundshme, "të rrosh apo mos të rrosh", pyetje e dilemë që trondit vetminë krijuese gjithherë, tashmë për shekuj të tërë.
Qyteti Të vizitosh qytetin Elsinor dhe Kështjellën e Hamletit vërtet është emocion i natyrës së veçantë; emocion që në trajtat më të vështira mund të përkthehet në letërsi, sepse aty ka diçka nga ajo që Elioti e quan të pamundshme. Janë një sërë arsyesh që e bëjnë këtë vizitë specifike, të veçantë, emocionuese: aty ngërthehen pasionet, mëria dhe dashuria, vrasja dhe gjakmarrja, bestytnitë dhe dimensionet religjioze, të përplasura në mënyrën më të vrazhdë, të cilat nga dora e Shekspirit u shndërruan në mite, vlera të tejkohëshme e universale. Prandaj ballafaqimi me këtë fenomen ka ngarkesë të veçantë emocionale, ka në vete makth të pashpjegueshëm. Rruga nga Malmoe për në Elsinor, qytet ky ku rri pushtetshëm me hijen dhe misterin e përjetshëm kështjella e madhe e Hamletit, është pak më shumë se një orë. Kçshtjella është e qetë, prehet në vetvete, sikur të ruante e të përkunde akoma kumtin e vrasjes misterioze; ajo është e mistershme sikur të ruante brenda dashurinë tradhtare, kupën e helmit, peripecitë e zgjedhjes së dilemës dhe hakmarrjen si tipar i rëndësishëm psikologjik i kësaj drame. Kështjella është e ankthshme, por tërheqëse, sfiduese, me një mal dilemash që sa vijnë jo se nuk mplaken, por gjallërohen e kumbojnë fuqishëm. Anija është e stërmbushur me vizitorë, aty fliten gjuhë të ndryshme. Të gjithë kanë destinacion Elsinorin, vendin ku u ngjiz dhe u prodhua miti për Hamletin. Sapo dalim nga uji, në tokë na shoqëron një ndjenjë e çuditshme. Pranë detit është kështjella gjigante, e formës klasike, e rrethuar në të katër anët me ujë, mes së cilës ngrihet kulla që simbolizon Kishën. Përballë saj qëndron në heshtje katedralja, pas së cilës shtrihet qyteti që asnjëherë nuk u "shkëput" nga hija, nga fantazma e Hamletit. Them me vete, sa e vështirë është të jetohet me emocionin e kësaj hijeje, me ankthin e fantazmës që ngjall mëri e dashuri përnjëherë, me ato emra hotelesh e retorantesh që mbartin në vete emcione të veçanta. "Hamleti", "Ofelia", etj... janë emrat e hoteleve e restoranteve të bukura, ndërsa rrugët gumzhijnë nga vizitorë të shumtë. Ato janë rrugë të vogla, të rrethuara nga ndërtesa mesjetare, shumica prej të cilave datojnë nga shekulli XVI. Kalojnë autobusë të shumtë nga gjitha vendet europiane e mua më çojnë këmbët pranë hyrjes së madhe të Kështjellës. Në shkallët e amfiteatrit të improvizuar, jashtë, rrinin të nemitur dhe të vëmendshëm koka të shumta të përhumbura nga hija e saj.
Dilema dhe fantazma I shoqëruar nga im bir Luisi dhe ime shoqe Edita, eci me trishtimin e tragjikes hamletiane. Askush s'mund të mos tronditët kur sheh rrugët me emra që bartin në vete histori të përmasave botërore, restorantet dhe hotelet që mbartin ne vete tipare të shumtë të ndjesive njerëzore: vrasje, dashuri, tradhti, hakmarrje e çdo gjë tjetër. Dhe përsëri mua mw rëndon dilema: "të rrosh a të mos rrosh", para aktit të hakmarrjes dhe nuk kam sesi të mos mendoj për kalatë e shumta shqiptare dhe hakmarrjen që ende merr jetë njerëzish të kombit tim. Kjo pyetje e dilemë që e ka gjenezën te ankthi e vrasja enigmatike sillet në memorien time, ashtu sikundër në memorien e njerëzimit, si ngjarje shumëdimensionale, pa ndonjë shpjegim të pranuar nga shumëkush. Në atë kështjellë, sipas shkrimtarit anglez Shekspirit, u ngjiz dashuria jashtëmartesore, u krye akti makabër i vrasjes së mbretit Hamlet nga i ungji dhe mbretëresha, dhe më në fund u jetësua dilema e përhershme, e pambarim, e hakmarrjes. Ndërsa edhe sot, pas kaq shekujsh, duken gjurmët e një historie që vazhdimisht dëshirojmë ta kujtojmë, ta lexojmë e përjetojmë.
Hamleti i të gjithëve Kështjella rri e heshtur, e pajetë, por tronditëse. Dy ushtarë sikundër në skenën teatrale, sillen rreth e përqark për të përkujtuar mbretërinë. Përfytyroj aty princin Hamlet, në tundimet e makthshme, si hyn në mjegullën e misterit të vrasjes së të atit, ku me net të tëra i shfaqet fantazma e tij dhe sfilitet me trishtimin dhe dhembjen e humbjes së babait. Vizitorët e shumtë, të të gjitha racave e etnive, ecin rrugëve të kësaj kështjelle në qetësi, sikur të ishin në ndonjë tempull të shenjtë. Ata i përcjell në mënyrë të çuditshme një heshtje zhbiruese, sikur të përkundin në vete dilemën e pakapërcyeshme: "të rrosh a të mos rrosh" dhe sfidën e hakmarrjes nga motive dashurie e urrejtjeje. Ishte pena gjeniale e Shekspirit, e cila e ngriti këtë ngjarje në piedestalet e artit universal. Me një stil madhështor, Shekspiri i jep kësaj ngjarje nuanca përtej historike, e denacionalizon, do thoshim Hamletin dhe e bën pjesë të kulturës e identiteti kulturor të çdo kombi. Që këndej Hamleti sa është i danezëve, është i anglezëve, është i shqiptarëve, e të tjerëve në sajë të penës së Shekspirit. Por, vërtet tingëllon çuditshëm, por për ne shqiptarët duket më afër. Me të drejtë, në shekullin tonë, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë Ismail Kadare, i rikthehet Hamletit, tek i cili sheh lidhje semantike me gadishullin e Ballkanit, respektivisht me shqiptarët. Duke diskutuar këtë fenomen letrar e përtej letrar, i bashkuar me Tomas S. Eliotin, sikur thotë se "Hamleti" i kapërcente mundësitë e Shekspirit, ndoshta "Hamleti" kapërcente çdo mundësi. Sepse kjo është një dramë e pamundur, një dramë krejt e veçantë në vete, e vështirë për t'u shpjeguar, sepse ajo prek hyjnoren dhe tokësoren, të bukurën dhe të shëmtuarën, humanen dhe çnjerëzoren. Në të vërtetë, tragjedia “Hamleti”, është perla që ngjitet në piedestalin e lartë të vlerave të letërsisë botërore, mbase edhe dramaturgjisë dhe artit skenik, e botës së madhe të librit, prej ku poetë, shkrimtarë, dramaturgë, skenaristë "vjedhin" copëza eksperiencash, prirjesh estetike e semantike. Veç kësaj Hamleti është një nga ndodhitë tronditëse që ka intriguar dhe vazhdon të intrigojë rrafshe të shumëfishta interpretuese, prej atyre filozofike, psikologjike, religjioze, mitike etj, interpretime që nuk ndalen as pas shumë shekujve jetë. Në Elsinor, në kështjellë, mblidhen gjithë kombësitë, të gjitha moshat. Jo aq për atraksionin e veçantë që ka qyteti, rrugët, emrat e kafeve dhe hoteleve, sesa për semantikën që simbolizon kështjella, dhe, mbi të gjitha, për marrëdhënien që ka krijuar Hamleti me çdo qenie njerëzore.
Ndue Ukaj
|