Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.

User

Mirësevini, Vizitor. Ju lutemi të identifikoheni ose regjistrohuni.


Sponsor







Etiketa

Forumi ShkencorForumi ShkencorGjeografi (Moderator: erlehta)Uganda, vendi më "i ri" në botë


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Uganda, vendi më "i ri" në botë  (E lexuar 81 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« më: 28-04-2008, 08:49:33 »
Citojeni

Popullsia më e re e planetit jeton në zemër të Afrikës: 56% e banorëve të Ugandës është nën moshën 18 vjeç

Në Ugandën e largët afrikane, që në vitin 1998 është ngritur një institucion i posaçëm, i cili merret me këshillimin e qeverisë në lidhje me politikat demografike. I është dhënë rëndësi zhvillimit dhe shtimit të popullsisë, për shkak të prioriteteve kryesore të vendit: marrjes së vetes nga lufta civile shkatërrimtare, si dhe nga shpërthimi vdekjeprurës i SIDA-s, sëmundje që në vitet ‘90 goditi 30% të popullsisë. Sot Uganda është një ndër vendet me rritjen më të shpejtë demografike në botë: numri i popullsisë është dyfishuar në krahasim me 20 vitet e shkuara dhe pritet që të dyfishohet brenda një kohe rekord. Sipas parashikimeve brenda vitit 2030, Uganda do të numërojë 60 milionë banorë. Nëse tendenca aktuale do të vazhdojë, në vitin 2050 parashikohet që në Ugandë të banojnë 103 milionë vetë, shihër që e kalon me disa milionë numrin e banorëve të Rusisë. Por ajo që kërkon vëmendje nuk është vetëm numri i popullsisë, por mbi të gjitha struktura. Uganda është vendi me popullsi më të re në botë: 56% e banorëve të saj është nën moshën 18 vjeç. Kampala, kryeqyteti plot pluhur e trafik i vendit, gëlon nga të rinjtë. Zakonet dhe ambiciet e tyre reflektohen në pikat e shumta të internetit, që ndodhen në të gjithë qytetin, në universitetin e tij, si dhe në xhiron marramendëse të operatorëve të telefonisë celulare, që shesin pafund skeda njëdollarëshe, të mjaftueshme për të dërguar 30 sms. Edhe pse duan ta kapin shpejt zhvillimin, vështirësitë e kësaj masë të rinjsh janë të dukshme: ndërtesat e shkollave shpesh janë lënë përgjysmë të papërfunduara, shumë të rinj janë të papunë dhe një pjesë e mirë e njerëzve të rrugës janë fëmijë jetimë. Me popullsinë e saj rinore, Uganda ndodhet në linjën e parë të përballimit të sfidës demografike, një problem që prek shumë vende. Por, ndërsa në Evropë dhe Azi problemi është rënia e shkallës së lindjeve, në Ugandë sfida është e ndryshme dhe shumë më komplekse: gjetja e mënyrave për të ushqyer dhe punësuar gjeneratën më të madhe të të rinjve në historinë e njerëzimit. Sipas statistikave, sot në botë janë 1 miliard e gjysmë persona të moshës nga 12 deri në 24 vjeç. 88% e tyre po rritet në vendet në zhvillim. Sfidat e vërteta janë pikërisht vendet e varfra me popullsi të re, ku të rinjtë presin të shkollohen e punësohen për të ndryshuar më pas fatin e vendeve të tyre.

Fenomeni historik

Sipas një këndvështrimi, aktualisht Uganda po ndjek rrugëtimin e ndërmarrë më parë edhe nga vende të tjera, i cili zakonisht të çon drejt begatisë. Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, Uganda dhe vende të tjera të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe juglindjes së Azisë do të përshkojnë të njëjtin tranzicion demografik të ngjashëm me atë që shoqëri të tjera e kanë kaluar gjatë periudhës së industrializimit të viteve 1800 dhe 1900. Koncepti i tranzicionit demografik është një rrugëtim me ulje-ngritje, me shkallë të ndryshme lindshmërie dhe vdekshmërie, është një fenomen i popullsive paraindustriale, relativisht të varfra dhe që bien lehtësisht pre e epidemive. Ky proces karakterizohet nga një rritje e ndjeshme demografike. Shkalla e vdekshmërisë, pas përmirësimit të kushteve spitalore dhe sanitare, nis të bjerë më ndjeshëm se shkalla e lindjeve. Kjo sjell formimin e një popullsie të madhe në numër, që riprodhohet e shtohet gjithnjë e më shumë, duke u dyfishuar, apo trefishuar. Me rritjen e zhvillimit social, shkalla e lindshmërisë ka tendencë rënieje. Praktikisht, një vend ka në dispozicion një periudhë 30, 40- vjeçare për të gjeneruar dhe investuar në këtë pasuri të sajën. Avantazhet e kësaj "dritareje demografike", edhe pse është e vështirë që të llogariten saktësisht, mund të jenë të jashtëzakonshme. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e arritën kulmin e tranzicionit demografik në gjysmën e dytë të viteve 1900. Kina, në të cilën shkalla e lindshmërisë kishte rënë falë së ashtuquajturës "politika e fëmijës së vetëm", po arrin pikun e fenomenit, pikërisht në këtë periudhë. India, ku shkalla e rritjes mbërriti kulmin në vitet ‘70, ndodhet në prag të hyrjes në fazën pozitive. Sipas ekonomistëve, rritja e të ardhurave për frymë në Lindjen e Largët nga 1965 deri në 1990 ka përfshirë 40% të strukturës demografike të vendeve të rajonit. Diktaturat shkatërrimtare ushtarake dhe destabiliteti ekonomik komprometuan rëndë mundësinë pozitive demografike të vendeve të Amerikës Latine. Për sa i përket Ugandës, edhe pse ajo po përshkon të njëjtin rrugëtim demografik me atë të kryer kohë më parë nga vende tashmë të pasura e të begata, ndodhet vetëm në zanafillë të procesit. Me një mesatare vdekshmërie 47 vjeç dhe me 56% të banorëve nën moshën 18 vjeç, Uganda e vitit 2008 është demografikisht e ngjashme me Britaninë e Madhe të viteve 1800, ku 51% e popullsisë ishte nën 20 vjeç dhe njerëzit ndërronin jetë sapo kalonin pragun e të 40-tave. Shkalla e lindshmërisë për Ugandën është ende 7 fëmijë për grua. Kjo dinamikë popullsie sugjeron që ky vend, së bashku me shtete të tjera me popullsi të re në botë, nuk do të kenë asnjë avantazh demografik, të paktën deri në fund të vitit 2045. Një tjetër mundësi është edhe ajo që Uganda, vende të tjera të ngjashme të zonës së Saharasë së poshtme dhe vende të tilla si Afganistani apo Jemeni, të përshkojnë një rrugëtim të panjohur deri tani. Në mbështetje të kësaj hipoteze dalin disa shifra: vendet në zhvillim paraqesin aktualisht një shkallë rritjeje, rinie dhe transformimi të paparë më parë. Britania e Madhe, edhe kur ndodhej në mesin e "ciklonit" imperialist dhe të revolucionit industrial, nuk shënoi në asnjë rast rritje që e kalonte 1.5% në vit. Shtetet e Bashkuara arritën një kulm prej 2.05 në vitin 1950 me fenomenin e famshëm të baby-boom. Sipas parashikimeve të institucionit ugandez, që merret me demografinë, në vitin 2008 popullsia e Ugandës do të shënojë një rritje prej 3.6%. Këto vitet e fundit, si në Kenia, ashtu edhe në Jemen është kapërcyer shifra e 4%. Një popullsi që rritet me 3% dyfishohet brenda 23 vitesh. Kjo do të thotë që për të qenë të pasur si prindërit e tyre, ose po aq të varfër, fëmijët e sotëm do të kenë nevojë për një ekonomi më dyfish, më solide e të konsoliduar. Fenomeni që shkakton numrin më të madh të pyetjeve dhe të frikës njëherazi është vendi ku ndodhin fenomene të tilla demografike dhe cilat popullsi e shtresa të saj presin. Vala e të rinjve të fillimit të shekullit po përplaset pikërisht mbi shoqëritë që kanë më pak aftësi për ta tretur një goditje të tillë. Sukseset demografike të së shkuarës mbështeteshin në ekonomi të fuqishme. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës papunësia e të rinjve u ul ndjeshëm gjatë viteve ‘70, pavarësisht fenomenit të baby-boom menjëherë pas lufte. Në mënyrë të ngjashme me këtë, nga viti 1993 deri në vitin 2003 rritja e Prodhimit Kombëtar Bruto në të gjithë Azinë arriti që ta tejkalonte shtimin e numrit të popullsisë aktive. Gjatë të njëjtës periudhë, në Afrikën poshtëë Saharasë, PKB u rrit me 2.9%, jo mjaftueshëm për të kompensuar rritjen prej 2.9% të popullsisë aktive. Ndërkohë, në Lindjen e Mesme, gjithmonë në periudhën në fjalë, presioni demografik ishte pjesërisht përgjegjës për një shkallë papunësie të të rinjve në masën 30%. Perspektiva e gjeneratave të tëra të të rinjve, e destinuar të rritet në vende me ekonomi të brishta e të qeverisura nga qeveri të korruptuara, ka frymëzuar parashikime jo shumë optimiste. Sipas teorisë së një sociologu gjerman, që i bazon studimet e tij në analiza historike, kur individët meshkuj të moshës nga 15 deri 29 vjeç kapin 30% e një popullsie, ka shumë mundësi që në këtë vend të shpërthejë ose ndonjë konflikt i brendshëm, ose ndonjë konflikt mes fqinjëve. Sipas studiuesit, kjo teori mbështetet në disa raste jo të vogla në numër gjatë historisë së njerëzimit. Pas revoltave të janarit të shkuar në Kenia, studiuesi vuri re se popullsia e këtij vendi ishte 13 herë më e madhe në numër në krahasim me vitin 1928 dhe meshkujt nga 15 deri në 29 vjeç sot janë ekzaktësisht 30% e popullsisë.

Në vendet si Uganda, shtimi i emigracionit është një pasojë logjike e shtimit të numrit të të rinjve. Nëse 87% e të rinjve të planetit jetojnë në vendet në zhvillim, do të thotë që në vende të tjera të botës të rinjtë numërohen me gishta. Sipas një qendre që merret me studimet demografike brenda Bashkimit Evropian, vendet e BE-së do të kenë nevojë për 190 milionë emigrantë brenda vitit 2035 për të mbajtur në shifrat aktuale të ashtuquajturin "raporti i varësisë" dhe sigurisht për të mbajtur popullsinë disi të re. Për sa i përket Ugandës, ky vend mund të eksportojë shumë më tepër se sa vetëm fuqi punëtore. Të rinjtë e gjeneratës së celularëve janë një racë e ndryshme. Bëhet fjalë për mendje shumë prodhuese e me fantazi. Ata nuk janë racë e shushatur dhe e hutuar, por persona me informacion e interesa të gjëra. Janë një tribu e re. Në fakt ky është variabëli më interesant për sa u përket të rinjve të sotëm, qofshin këta të vendeve përëndimore, apo të varfra. Revolucioni informatik, lehtësia e madhe e zhvendosjes, si dhe teknologjitë e reja, a do të mund t‘i bëjnë tranzicionet demografike të së ardhmes rrënjësore dhe pozitive si ato të së shkuarës? Sipas disa studiuesish, situata është optimiste. "Ajo çka më shqetëson, është fakti që shpesh konkluzione të caktuara bazohen në stereotipa dhe paragjykime. Kontesti është shumë i rëndësishëm e nuk duhet harruar dhe kontesti këtë herë nuk është Uganda, Etiopia apo Afrika, por secila prej tyre, plus botën mbarë, pasi asgjë tanimë nuk mund të shihet veç e veç. Globalizmi i ka bërë bashkë me një fill të padukshëm të gjithë banorët e botës, në këtë rast edhe të rinjtë dhe kjo nuk ka precedent", thotë një studiues i demografisë në lidhje me tendencat e së ardhmes dhe parashikimet për mbarëvajtjen e gjërave.

Të rikthehemi në Uganda. Po të bëjmë një vizitë në njërin prej materniteteve të kryeqytetit, mjekët janë të zënë gjatë gjithë kohës me punë. 15 vjet më parë, në këtë spital numri i lindjeve ishte 25-30 në ditë. Sot, i njëjti personel me të njëjtin numër shtretërish ndihmon ardhjen në jetë të 50-80 fëmijëve. Po si e imagjinojnë ekspertët e demografisë të ardhmen e vendit, nëse gjërat do të vazhdojnë të ecin me këtë ritëm? "Kur eci në rrugët e Londrës, apo Nju Jorkut, e shoh gjithë ata njerëz të rendin plot energji e nxitim, më vjen mirë dhe përfshihem edhe unë në energjinë e tyre. Kur kthehem në kryeqytetin e Ugandës mendoj: A do të jetë e mundur vallë që ajo që shoh në Përëndim të bëhet dikur e mundur edhe në tokën time? Pra, që të gjithë të jenë të shëndetshëm, të veshur mirë, me fytyra të qeshura? Apo pas disa vitesh ajo që do të më zënë sytë këtu do të jenë vetëm turmat e lypësve që vdesin urie dhe ëndrra për një jetë më të mirë do të jetë e varrosur edhe më thellë? Sigurisht nuk është ky peizazhi që do të doja për Ugandën, por nëse do të ndodhë do të jem në gjendje ta shpjegoj se përse ndodhi një gjë e tillë", thotë një specialist i demografisë, i cili megjithatë shpreson për më të mirën.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin Wallpapers | Filmime Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Direktoria | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Yasnw | MuzikaWeb LinksMoz | Balkan | Shqiperia | Albania | Shtypi Shqiptar PDF | Blogu Shqiptar | MSN Avatars |