|
Berni
|
 |
« më: 28-06-2008, 15:16:17 » |
|
Kulmi më i lartë i botës së banuar është një mal. Por jo më i larti në tokë. Ndoshta as më i bukuri. E lartmadhërojnë hindutë, e adhurojnë budistët, e cilëson si hyjnor populli i Tibetit. Kush nuk ka dëgjuar ndonjëherë më parë për Kailasin, ndoshta nuk e njeh legjendën e malit Meru ose Sumeru, qendër e universit ndërmjet qiellit dhe ferrit, me shtatë kontinentet e tij të shpërndarë si petalet e një luleje që rrethohen nga dete dhe kufizohen nga zinxhiri i fundit malor, përtej të cilit shtrihet kozmosi i zbrazët. Sa për mitikun Meru, Kailasi konsiderohet si manifestimi i tij fizik, mbushur plot me zota si Olimpi i grekëve. Maja e tij ka formën e një tempulli, pak a shumë si një kupolë, ku puranasit antikë besojnë se aty ndodhet Zoti Shiva dhe bashkëshortja e tij, Parvati, të bashkuar në përjetësi. Ndërmjet mitit dhe realitetit aty kanë lindur katër lumenjtë e mëdhenj të Azisë: Indi, Sutleji, Brahmaputra dhe Karnali. Nën këmbët e tij shtrihet liqeni më i madh i botës, magjiku Manasarovar dhe nga burimet e tij janë ushqyer qytetërime si Shang Shung, të parët e tibetianëve.
Kailasi është akoma i dukshëm ndërmjet reve për pelegrinët kurajozë, të gatshëm për të përballuar lodhjet e stërmundimshme të udhëtimit dhe humoret e politikanëve kinezë që hapin dhe mbyllin kufijtë e rajoneve më të skajshme të Himalajave.
Nga këndvështrimi gjeografik i përket lartësisë së Gangdise, 1300 kilometra larg nga kryeqyteti Lhasa. Një xhiro në 51 kilometrat që e kufizojnë atë është e barabartë, të paktën për besimtarët e devotshëm të katër besimeve vendase, me larjen e të gjitha mëkateve, duke të dhënë mundësinë për të nisur një jetë të re, e cila do të lehtësohet nga pesha e një "karma" plot dëshira të pahijshme dhe krejtësisht tokësore. Për besimtarët orientalë, "karma" është fryti i veprimeve të së kaluarës, por nuk është diçka që mbetet përherë dhe as një fat i shkruar në yje. Çdo mëngjes, në çdo çast të ekzistencës mund të marrësh një rrugë tjetër, "të ngjisësh një tjetër mal". "Nëse do të dish se kush ke qenë, shiko se kush je aktualisht. Nëse do të dish se cili do të jesh, shiko se çfarë je duke bërë tani", thoshte 2500 vjet më parë Buda Sakyamuni. Në këto treqind vitet e fundit nuk ka pasur asnjë udhëtar që është kthyer nga Tibeti pa një përshtypje të paharrueshme.
Lama Anagarika Govinda ka shkruar në veprën e tij të famshme, "Rruga e reve të bardha": "Vëllazëria (ndër pelegrinët e Kailasit) është e ngjashme me një rregull fetar. Edhe pse të pambështetur, ata janë burim frymëzimi për pjesën tjetër të botës, sepse (pelegrinët) kanë qenë ballë për ballë me përjetësinë, ata kanë parë vendin e zotave". Miti është përforcuar me kalimin e shekujve nga provat e shumta që ka kaluar ajo majë e madhërishme mali, e cila nuk lejon të shëmtojë imazhin e majës së tij më të lartë (6714 metra), që e kanë eksploruar për qindra vjet alpinistë ambiciozë dhe ateistë. Protektorët e padukshëm të pastërtisë së tij kishin ndërtuar një barrierë të pamposhtshme, e cila i detyronte njerëzit t‘i vinin vërdallë me lodhje dhe vendosmëri, duke përfshirë këtu edhe arrogantët e skeptikët. Një prej të shumtëve është anglezi Arnold Savage Landor, që tentoi t‘i vinte Brahnaputras emrin e tij, duke pretenduar padrejtësisht se kishte zbuluar burimet. Landor shkroi hap pas hapi detajet shkencore të udhëtimit të tij, pasi u arrestua për thyerje të rregullave dhe sepse kishte detyruar një nga shoqëruesit e tij tibetianë t‘i puthte këmbët për kushedi se çfarë ofendimi.
Atëherë të gjithë pelegrinët detyroheshin të kamufloheshin si fakir dhe "sadhu", pasi mali ishte i ndaluar për njerëzit e bardhë. Ndërsa alpinisti italian, Reinhold Mesner, ishte i vetmi i huaj i cili përfundoi ciklin e xhiros brenda një ditë, që parashikonte të bëhej në tri ditë. Kurse alpinisti i famshëm anglez, Eduard Uhimper, tha: "Sa më lart të ngjitesh nuk ke se çfarë të shohësh, gjithçka ndodhet poshtëë". Aventurat, gjithmonë e më të rrezikshme dhe ndonjëherë tragjike, të cilat gjithmonë i fshiheshin Përëndimit, janë treguar nga një shkrimtar që nuk kishte qenë kurrë në Kailas. Kështu, anglezi Snelling, i cili u zhduk në vitin 1991, i mblodhi këto histori në Londër, duke gërmuar ndërmjet bibliotekave dhe arkivave të "Royal Geographic Society" dhe gjithashtu duke intervistuar disa bashkëmoshatarë të tij pas kthimit në atdhe me shpirtin të pushtuar nga perceptime shpesh "të pamundura për t‘u përshkruar me fjalë". Ndër tregimet e shumta të eksploratorëve kuriozë, shenjtorë dhe aventurierë, të cilët kanë dokumentuar atë itinerar metafizik dhe tokësor, po shkëpus një eksperiencë të përshkruar nga një sprovë indiane, Bhaguan Sri Hamsa, që arriti në Kailas në vitin 1908. Shpesh herë Hamsa kishte tentuar të arrinte gurun e tij, Datatreya, në dimensionin e ekstazës vizionare me çmim sakrifice të pafund, duke ecur në borë e në baltë. Kur arriti në liqenin Gauri Kung, në periferi të Kailasit, u ul mbi një shkëmb në pritje të një shenjë, si një "darshan" i mjeshtrit, i vendosur për t‘u ndriçuar ose të vdiste duke medituar. Në fillim dëgjoi zërin e tij, por më pas donte ta "shikonte" dhe pasi e kishte imagjinuar gjatë, hapi sytë dhe e gjeti përballë. U përul në këmbët e tij, por Datatreya e ngriti në këmbë, e përqafoi dhe më pas filloi në Realizimin e Unit". Sri Hamsa tregonte atëherë: "E gjeta veten të reflektuar gjithandej, në të gjithë universin. Mbretëronte një harmoni totale, plot dituri, një dashuri e pafundme dhe mirëqenie e përjetshme. Gjithçka ishte e vërtetë, e zgjuar dhe e mirëqenë". Ai i ofroi mjeshtrit gjithçka kishte: një biskotë të vetme. Mjeshtri hëngri vetëm gjysmën dhe pjesën tjetër ia riktheu si "prasad" (ushqim i shenjtë). Por fatkeqësisht shumë pak nga pelegrinët që kanë arritur në Kailas kanë mundur të përjetojnë eksperienca të tilla. Ndërsa një nga më të trishtueshmit dhe prekësit e dështimeve ka qenë ai i treguar një shekull më parë nga një udhëtar amerikan i quajtur Eduin Gilbert Skeri, i obsesionuar që në adoleshencë nga ideja për të takuar "Mahtman e Tibetit". Një natë Skeri ëndërroi një hartë të botës dhe një gisht i cili shenjonte nga Bengala në Himalaja, duke i treguar një rrugë dhe një shpellë ku do të gjente të shkruar numrat nëntë dhe pesë, të cilat mendonte se përfaqësonin datën 5 shtator. Ishte viti 1918. Për dhjetëra herë me radhë pas pelegrinazheve të tij të mëparshme, që gati sa nuk i shkaktuan vdekjen në Kailas, Skeri u maskua si indian dhe përballi lodhjen, të ftohtin, stuhitë, urinë dhe kafshët e egra për të arritur në kohë në vendin e takimit me Mahatman. Por asgjë aty përreth nuk i kujtonte vendin e ëndrrave, derisa në faqen e një mali sheh vizionin e shumëpritur. Por u zhgënjye kur arriti pranë, sepse pa që "ishte vetëm një shpellë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ishte e zbrazët… U shtriva sipër batanijes time në një skomoditet total". Për tri ditë mbeti në atë gjendje të mjerë shpirtërore dhe në fund shkruan: "Kuptova se njeriu duhet ta krijojë vetë lirinë në vetvete. Çdo njeri ndërton burgun e tij… Është të ndërvepruarit që na sjell lumturinë dhe dhimbjen". Por gjithsesi, Skeri vazhdoi të kërkonte Mahatman ndër malet e Tibetit. "I pisët, i veshur keq dhe me trupin plot plagë serioze", tregon një agjent tregtie britanik i Giantse. "Skeri u "zvarrit", "Skeri u "zvarrit" deri në dyert kryesore të qytetit Giantse dhe duke folur në gjuhën e tyre i kërkon rojës për ta lënë të hyjë. Duke besuar se ishte një lypës tibetian, roja donte ta dëbonte, derisa një ushtarak pa se ishte vërtet njeri i bardhë, "në gjendje të mjerueshme, plot me parazitë, i uritur dhe i sëmurë". Por Skeri akoma nuk ishte dorëzuar. Besonte se nuk kishte bërë akoma mjaft përpjekje dhe tentoi sërish për të arritur në Kailas nëpërmjet Kashmirit. Por atje u arrestua dhe u riatdhesua. U rikthye në San Francisko me 5 cent në xhep dhe prej atëherë u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Ky ishte një shembull tipik i pelegrinëve që ndërmerrnin udhëtimin e gjatë dhe të stërmundimshëm drejt Tibetit, për një kërkim shpirtëror të papërgatitur. Por ai pelegrin ëndërrimtar në fund të udhëtimit të tij kishte përdorur të njëjtat fjalë nga sprova indiane "Bhumananda": "Zoti është këtu, brenda nesh dhe jo atje në majë të malit. Mali është veçse një pirg me gurë. Njerëzit nuk mund të ngrihen menjëherë në nivelet e kundrimit. Rruga drejt shpirtit të lirë është një ngjitje e vështirë. Disa fillojnë të ngjiten nga një distancë e largët, ndërsa disa të tjerë nga një më e afërt [...]. Por edhe pse rrugët janë të ndryshme, pika e mbërritjes është një e vetme". Tuçi ishte një nga studiuesit e shumtë të influencuar jashtëzakonisht shumë nga misteri i malit të shenjtë, madje më shumë se paraardhësi i tij, suedezi Sven Hedin, i cili zbuloi rreth Kailasit burimin e Bramaputras dhe më vonë u tërhoq nga bota për të vdekur i vetëm dhe i harruar pas kritikave të akademikëve xhelozë. Italiani pati më shumë mbështetje dhe fat, njihte gjuhën antike vendase dhe domethënien simbolike të shkrimeve ku përshkruhen fuqitë e vendeve hyjnore. Madje besonte, siç pohon Eduard Konze, se kishte qenë një tibetian në ndonjë jetë tjetër të së kaluarës. Duke cituar Radhakrishnan, shkroi se "është bukur të gjunjëzohesh atje ku të tjerë janë gjunjëzuar", në veçanti në një vend si Kailasi, të cilin ai e quan "shenjtërimi i zanafillës së historisë". Sa keq që përshkrimi i tij i fundit për malin e shenjtë u zhduk gati i gjithi pas rikthimit të tij triumfues në atdhe. Por në realitetin tonë nuk ka mal që t‘i transformojë njerëzit për mirë, madje edhe po të kishte do të ndodhte totalisht e kundërta. Në fund të fundit, mbyllja e tibetianëve përpara dhe pas kinezëve (veç manastireve të shkatërruara gjatë revolucionit kulturor) ndoshta i kanë kursyer Kailasit fatin e trishtë të vendeve të tjera të shenjta analoge të planetit tonë.
Gazeta Shqip
|