|
Berni
|
 |
« më: 31-03-2007, 07:43:14 » |
|
Cotopaxi ka formën më interesante e më të bukur ndër të gjitha majat kolosale të Andeve të larta. Ai është një kazan i vërtetë natyror, që mbulohet shpesh me një masë të stërmadhe dëbore, e që ndriçon gjatë përëndimit të diellit me një shkëlqim të pamasë", shkruante dikur Aleksandër fon Humboldt, mbi vullkanin më të lartë aktiv në botë. E kjo ndodhte 205 vjet më parë, kur shkencëtari e eksploratori i pasionuar gjerman kishte mbetur pa gojë nga bukuria e rrallë që shihte t‘i shpalosej para syve.
Me mushka në xhungël
Gjeografi dhe eksploratori i famshëm i natyrës udhëtoi në vitin 1802 për disa muaj me radhë me ekipin e tij të ekspeditës më këmbë, me mushka e kuaj të ngarkuar me arka në mbarë Ekuadorin. Atë e tërhoqën pa masë vullkanet e mbuluara me dëborë në gjerësinë e ekuatorit, të renditura ashtu ndanë njëri-tjetrit mes Kordilereve në një shtrirje prej 250 kilometrash. Askund tjetër në rruzullin tonë nuk shihen male të zjarrta kaq të mëdha e të larta. Humboldt e cilësonte atë si "rruga e vullkaneve", që nis nga kryeqyteti i vendit, Quito. Sot autostrada e mirëmbajtur, e njohur me emrin "Panamericana", kalon mes përmes këtyre dy vargmaleve me 52 vullkane, të cilat në një mot të kthjellët të japin një pamje spektakolare. 18 prej tyre vlerësohen se janë aktive dhe sot e kësaj ditë. Ashtu si në kohët e Aleksandër fon Humboldt, edhe sot turi nis me "rrugën e vullkaneve" në Quito, që me 2850 metrat e saj vlerësohet si ndër më të lartat kryeqytete në botë.
Quito, prej 30 vjetësh trashëgimi kulturore
Pedro, udhërrëfyesi ynë, nis t‘i qetësojë miqtë e tij evropianë, që ndërsa fillojnë të përjetojnë ditën e dytë me shi e shohin veten të rrethuar nga malet e retë, nisin të shfaqin shenjat e para të nervozizmit. "Kapriçiot e motit janë njëra ndër konstantet e pakta në vendin tonë". Dhe pikërisht vetja të duket si Humboldt-i që shkelte për herë të parë në Quito.
Qyteti i vjetër me pallatet, kishat dhe sheshet e periudhës koloniale, është një vendgërmim arkeologjik i rrallë për historianët e për të interesuarit e kulturave antike të indiosve të Amerikës Latine dhe qysh nga viti 1978 është shpallur "Trashëgimi kulturore e UNESCO-s".
Quitsa-to, ashtu sikurse quhej në gjuhën origjinale vendase dikur qyteti, do të thotë as më shumë e as më pak se "pika e mesit të botës". Dhe pikërisht këtë duhet të ndjejë edhe një udhëtar e turist kur viziton "monumentin e ekuatorit" në afërsi të Quito-s, që të kujton matjen e parë të aksit të Tokës në vitin 1736.
Një këmbë në Hemisferën Veriore, e tjetra në atë Jugoren.
Nga këtu nuk është shumë larg deri në majën e parë të vullkanit, që Humboldt e pushtoi më 26 maj 1802. Sot, këtë rajon të vullkanit të shuar Pichincha mund ta arrish me një teleferik modern, i cili është përuruar në vitin 2005, në pak minuta.
Pedro duhet të ketë pasur, sigurisht, të drejtë me prognozat e tij mbi motin e paqëndrueshëm, pasi vetëm pak kohë më vonë, tufat e reve nisën të çahen, duke e lënë të lirë pamjen që përftohej nga teleferiku në stacionin malor mbi kryeqytetin Quito, që shtrihet në një luginë prej 50 kilometrash të gjerë.
Kur Humboldt thyente rekordin
Ditën tjetër, edhe mbulesa e dëborës të Cotopaxi (5896 metra e lartë) mund të shihej nga qielli blu prej dritares së teleferikut. Me një minibus mund të arrish në Quito pas nja dy orësh udhëtim, duke ecur në një rrugë me gropa në drejtim të jugut, që të çon në dyert e Parkut Kombëtar të Cotopaxi-t.
Para malit shtrihet një qilim i madh bimësie e lulesh të bukura, që nis e humbet pastaj në hirin gri të llavës së ngurtë në lartësinë 4200 metra. Mbi një terren që nis e gjarpëron deri te një vendparkim i vogël aty pranë në lartësinë 4500 metra mbi nivelin e detit, janë mbledhur disa alpinistë për të diskutuar për etapat e ngjitjes që do të përshkojnë, me sa duket pas pak çastesh.
Ndërsa shohim vullkanin aktiv, që për herë të fundit shpërtheu në vitin 1999, turistëve e udhëtarëve u vijnë, padyshim, ndërmend përshkrimet e Aleksandër fon Humboldt, që ndërmori në këtë vend kërkime e studime meteorologjike e gjeologjike në vitin 1802, duke e pasur epiqendrën e ekspeditës së tij në stacionin e afërt "La Cienega".
Mbi tarracën e tij, ai skicoi vullkanin e famshëm dhe e plotësoi i mahnitur me shënimin: "Këtu shihen në të njëjtën kohë dhe në një afërsi të frytshme, vullkani kolosal i Cotopaxi-t, pamjet mbresëlënëse të Ilinissa-s dhe të ‘Nevado de Quelendaña‘. Është kjo njëra ndër pamjet më mbresëlënëse e impresionuese, që mund të kem parë në të dyja hemisferat deri më sot".
"Hazienda" sot është një hotel shumë i rekomanduar nga turistët, suita ku bujti dikur edhe Humboldt mund të prenotohet pra për 150 dollarë nata. Në qershor të vitit 1802, Humboldt u ngjit në vullkanin e akullt, Chimborazo. Ai nuk mundi dot të shkonte në majë.
Një gropë e konsiderueshme "rreth 175 metra e thellë dhe 20 metra e gjerë", siç e përshkruan ai, e detyroi atë të kthehej mbrapsht. Por Humboldt kishte kapur një lartësi prej 5900 metrash dhe kishte arritur kësisoj një rekord botëror. Më lart se kaq, asokohe nuk ishte ngjitur asnjë njeri.
Në pyjet e shiut të Amazonës
Në Ekuador, përveç maleve ka edhe rajone të tjera, që ia vlen të vizitohen, për të cilat Humboldt duket se nuk ka qenë më pak i impresionuar. Vetëm 20 minuta në vijë ajrore nga Quito ndodhet Coca, qyteti i naftës dhe porta e pyjeve të shiut, që gjendet në Lindje të Andeve në thellësi të vendit. Nga Coca mund të shkosh brenda 90 minutave me një kanu motorike në lumin Napo në pyjet e shiut të Amazonas. Një "Floatel", siç quhen barkat e hotelit (është një bashkim i fjalëve "Floating Hotel" në anglisht), nga lumi ofrohen të gjitha kënaqësitë, prej të cilave dikur Humboldt, duke udhëtuar në xhungël, duhej të hiqte dorë.
Papagajtë bashkohen në kor me zogjtë e tjerë shumëngjyrësh të pyllit në "Yasuni National Park", që prej kohësh gëlon nga turistët. Vetëm disa specie zogjsh të fjetur rrinë ashtu të shtrënguar fort mbi degët e pemëve e nuk shqetësohen fort nga njerëzit. Pas tyre lëvizin pa pushim majmunë kokëçjerrë. Kur bie muzgu, atëherë me domosdo të duhet një llambë dorë. Tanimë nisin e shfaqen edhe zogjtë e natës, që si papritur të vërtiten para syve me sytë e tyre të ndritshëm. Ndërkohë, bretkosat nisin gumëzhimën e tyre shurdhuese, që duket sikur plotësojnë me një melodi të përftuar nga ksilofoni, koncertin e simfonisë së pyllit nën dritën e hënës.
Tek indisosit Hoaorani
Në një anë të bregut të lumit të Napos, vendasit indigjenë Hoaorani kanë lëshuar një trap në xhungël. 26 familje është numri i atyre që janë lejuar të jetojnë lirisht si paraardhësit e tyre në atë park. Njëri prej tyre, Mariano, i çon vizitorët nëpër pyllin e shiut dhe nga kasollja e tij ka ngritur një tempull në pyll, i cili ai e shpjegon me efektin që ai ka në shërimin e sëmundjeve të pyllit, tregon më pas pemë të larta Kapok, duke i çuar miqtë e tij më pas në të fshehtat e "Ayahuaska-Liane", nga brendia e së cilës nisin ceremonitë mistike të indiosve.
G.Shqip
|