Miliona njerëz në të gjithë botën festojnë ndërrimin e viteve, por askush si ne shqiptarët nuk ka në qendër të tryezës së asaj nate gjelin e detit dhe bakllavanë. Është e vështirë të gjesh ushqime të tjera me imazh kaq festiv.

Ditën e fundit të çdo viti, gjeli i detit nuk mungon në tavolinën e asnjë familjeje shqiptare, që përgatitet të festojë sa më gëzueshëm ndërrimin e viteve. Është e vështirë të gjesh një ushqim tjetër me imazh kaq festiv sa ai. Miliona njerëz në të gjithë botën e festojnë ndërrimin e viteve, por askush si ne shqiptarët nuk ka në qendër të tryezës së asaj nate gjelin e detit dhe bakllavanë. I gatuar në forma nga më të ndryshmet, ai i jep më shumë shije orës së ndërrimit të viteve, në prani të miqve dhe të afërmve për t’i uruar ardhjen e një viti plot mbarësi, shëndet dhe lumturi. Edhe amerikanët e kanë këtë shpend simbol në Ditën e tyre të Falënderimeve. Më shumë se 45 milionë gjela deti serviren gjatë kësaj dite feste në SHBA. Por përveçse simbol i festës së Vitit të Ri, gjeli i detit është shumë i këshillueshëm edhe për vlerat ushqimore. Mjekët këshillojnë se nuk duhet të presim vetëm ditën e fundit të vitit për ta pasur në tavolinë. Ai duhet të jetë gjithnjë i pranishëm në menynë tonë ushqimore. Është vërtet e vështirë të gjesh një lloj mishi që përshkruhet kaq shumë në recetat mjekësore, falë treshes magjike të përbërë nga proteinat, yndyrat dhe kaloritë e pakta. Një pjesë e mirë e meritës i takon mishit të bardhë i pasur me fibra, ngjyra e të cilit i detyrohet përqendrimit të pakët të mioglobinës, pigmentit që bashkë me oksigjenin është përcaktues i ngjyrës. Por më shumë se mishi i pulës dhe i lepurit, mishi i gjelit të detit ia kalon atij të viçit për sa i përket përmbajtjes së proteinave dhe sasisë së hekurit. Një studim i fundit i bërë në Nju Jork ka treguar se mishi i gjelit të detit, simboli i tavolinës së festave të fundvitit, përveçse i shijshëm është edhe shumë i shëndetshëm. Për më tepër, vetitë e tij e bëjnë një ushqim perfekt edhe për regjimin ushqimor të fëmijëve: është lehtësisht i tretshëm dhe me shumë veti ushqyese. Mishi i gjelit të detit përmban edhe selenium që parandalon zhvillimin e kancerit, përmirëson sistemin imunitar dhe ndihmon metabolizmin e hormonit tonë të tiroides. I vlerësuar dhe i propozuar nga dietologjia moderne, sot shefat më të mëdhenj të kuzhinës përdorin variante nga më të ndryshmet për servirjen e tij. Më i miri është versioni tradicional i pjekur në furrë me pak yndyrë dhe erëza apo i mbushur me gështenja të ziera, bukë të thekur e fruta të thata. Por versionet e shefave modernë të kuzhinës thonë se rozmarina nuk duhet të mungojë gjatë pjekjes së tij dhe se mbushja mund të bëhet shumë mirë edhe me salsiçe, midhje apo kërpudha dhe tartuf.
FestaNë shumë vende dhe shtete të botës, tanimë është formuar tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive. Në fakt, Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e tij, edhe pse me shekuj kanë pësuar ndryshime, ato, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat esenciale. Viti i Ri është festë: e disponimit të mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.Nuk janë të pakta qytetet e metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot-moteve, dalin masivisht në qendër të qytetit. Kjo formë e kremtimit të Vitit të Ri tanimë është tradicionale në shumë kryeqytete të shteteve të Europës dhe botës, sikurse është: Parisi, Londra, Roma, Madridi, Nju Jorku, Moska, Meksiko, Kajro, Tokio.
Historia e gjelit XhakGjeli Xhak ishte një ndër më të adhuruarit e Tedit, një prej djemve të Abraham Lincoln-it. Kur me rastin e Ditës së Falënderimeve Xhak ishte duke përfunduar në furrë, padroni kërkoi mëshirë për gjelin, që fatmirësisht shpëtoi nga thika. Ky episod qëndron në origjinë të ceremonisë së përvitshme të "faljes së gjelit të detit", ku Presidenti i jep lejen gjelit që të jetojë i lumtur në ndonjë fermë shpendësh. Dita e Falënderimeve, që festohet të enjten e katërt të nëntorit, është një nga festat me më shumë udhëtime të vitit. Darka ka në qendër gjelin e detit, patatet dhe ëmbëlsirën me kunguj. Shtetet e Bashkuara e shënuan zyrtarisht këtë festë në vitin 1863, megjithëse festa besohet të jetë festuar për herë të parë në vitin 1621. Amerikanët festojnë Ditën e Falënderimeve të enjten e fundit të çdo nëntori. Është kjo koha kur familjet dhe miqtë mblidhen për të dhënë bekimet e tyre. Ideja filloi në vitet 1600 pasi pelegrinët erdhën në Amerikën e Veriut nga Anglia për të filluar një jetë të re. Por shpendi që konsumojmë sot është shumë i ndryshëm nga gjeli i detit që hanin pelegrinët në shekullin e 17. Këta gjela deti kanë vetëm një ngjashmëri të vogël me gjelin e egër, që hëngrën në Darkën e parë të Falënderimeve pelegrinët në vitin 1621. Gjelat e dikurshëm nuk peshonin më shumë se 6 kilogramë. Gjelat e sotëm mund të shkojnë deri në 36 kilogramë.
Pak historiMendohet se gjeli i detit fsheh pas vetes një orgjinë amerikane. Pas Amerikës u përhap në Europë. Por gjeli (Meleagris gallopavo) mendohet se është “kultivuar” në Meksikë. Sipas ekspertëve të gjithë gjelat e detit, qofshin të egër, qofshin shtëpiakë, i përkasin llojit Meleagris gallopavo. Sipas legjendave që tregohen, Kristofor Kolombi ka qenë europiani i parë që e ka njohur këtë shpend kur më 14 gusht 1502, zbarkoi në brigjet e Hondurasit, kur mori disa ushqime nga vendasit e mes tyre edhe ato që ai i quajti Gallinas de la tierra.

Gjithsesi është e sigurt se mes viteve 1511 dhe 1512, gjeli i detit u transportua në Spanjë. Dokumenti i parë, që mban firmën e 24 tetorit 1511, i firmosur nga peshkopi i Valencias, tregonte për një anije që transportonte për në Sevilje 10 gjela deti për t’u riprodhuar, gjysma meshkuj e gjysma femra. Dokumenti i dytë mban datën 30 shtator 1512 dhe tregon për dy gjela deti që kanë ardhur në Spanjë nga Santa Domingo. Në Meksikë, në vitin 1570, ishte mishi më i përdorur dhe më ekonomik. I importuar nga Amerika në Spanjë, e që prej aty ai u shpërnda shumë shpejt në të gjithë Europën. Një çift gjelash u soll nga Santa Domingo në Romë, pas vitit 1520. Në vitin 1538 gjelat e detit gjendeshin në Francë. Në Angli, në mesin e shekullit XVI, gjendeshin në Norvegji, Danimarkë dhe në fermën mbretërore suedeze në vitin 1556. Në Gjermani nuk mendohet të jenë njohur para vitit 1530, por u shfaqën në një banket martesor më 1560-n. Mishi i tij i shijshëm u vlerësua shumë edhe në Europë. Aq sa në banketin e parë ku ai u përdor në Gjermani u konsumuan 150 gjela deti të pjekur. Lajmi bëri aq shumë bujë sa u shfaq në të gjitha kronikat e saj kohe.
Gjel deti me kungujNëse jeni lodhur nga gatimi tradicional i gjelit për mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ja një recetë shumë e lehtë dhe e shëndetshme. Sidomos për ata që janë me dietë.
Përbërësit për katër persona
800 mish i bardhë gjel deti; 1 qepë, 2 kunguj, ½ gote birrë, 2 lugë vaj ulliri, pak miell, kripë, piper
Lajmë dhe pastrojmë mirë kungujt. Më pas i presim në rondele shumë të holla. Edhe qepëm e grijmë shumë hollë. I vendosim së bashku që të skuqen në një tenxhere të thellë ku hedhim edhe një lugë vaj ulliri. I shtojmë edhe një gotë ujë dhe i lëmë të ziejnë për rreth 10 minuta në zjarr të ngadalshëm. Pasi skuqen i heqim dhe i lëmë mënjanë. Në tenxheren ku skuqëm kungujt dhe qepën shtojmë një lugë vaj ulliri dhe hedhim mishin e gjelit të prerë në copa, që më parë e kishim kaluar në miell. I lëmë të skuqen pak dhe i shtojmë një gjysmë gotë birre. Në fund shtojmë kungujt dhe qepën te mishi i gjelit. Shtojmë kripë dhe piper dhe i lëmë të ziejnë për disa minuta të gjitha bashkë. Në fund i servirim.
Gjel i mbushur me gështenjaSi fillim ziejmë gështenjat për rreth 30-45 minuta derisa të zbuten plotësisht. Kur të kenë zier, i heqim lëkurën dhe i ndajmë në copa. Në një tigan shkrijmë gjalpin, shtojmë qepën dhe degën e selinos dhe i kaurdisim në zjarr mesatar. Kur qepa të ketë marrë ngjyrë të verdhë e shuajmë me një 1 gotë vere, të cilën e lëmë të avullojë. Shtojmë bukën e tharë të prerë në kubik, copat e gështenjave, majdanozin, borzilokun, trumzën, kripën dhe piperin. I përziejmë me kujdes dhe i lëmë në zjarr dhe për pesë minuta duke e lënë më pas të ftohet plotësisht. Kur masa me të cilën do të mbushim gjelin e detit është ftohur, e fusim atë brenda gjelit të detit dhe zgavrën e qepim me fill kuzhine që të mos dalë mbushja. Më parë gjeli është larë e pastruar dhe mishi i tij është fërkuar me limon. Lidhim me spango gjithashtu edhe këmbët dhe krahët e gjelit në mënyrë që gjatë pjekjes të ruajë formën e tij dhe vendosim degët e rozmarinës midis spangos dhe mishit. Në fund e spërkasim me vaj ulliri dhe e vendosim në tavë, të cilën më pas e vendosim në furrë. Duhet të piqet ngadalë dhe duhet spërkatur herë pas here me lëngun që lëshon.
Shqip