|
erlehta
|
 |
« më: 26-10-2005, 12:59:43 » |
|
Studentët, peticion kundër pedagogut
Bruna Prifti
"Pedagogu na shet libra me detyrim, na ofendon dhe na bën terror psikologjik". Ky është thelbi i peticionit që një grup studentësh të vitit të katërt të degës së Historisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë kanë bërë kundër pedagogut të tyre, Agron Gani. Peticioni që mban firmat e 15 studentëve, parashtron një sërë pretendimesh që lidhen me sjelljen pedagogjike të profesorit të lëndës së Historisë Moderne të Evropës në këtë fakultet. Sipas peticionit, tashmë i dërguar në departamentin e lëndës, në dekanat, në Rektorat dhe në Ministrinë e Arsimit, pedagogu mes të tjerash i detyron studentët të blejnë libra. Vetë studentët nënshkrues të peticionit pranojnë se kanë konstatuar shumë shkelje nga ana pedagogut, të cilat më pas i mblodhën në peticion. "Duke qenë prej më shumë se tri vitesh studentë në këtë degë, kemi konstatuar shkelje administrative dhe ligjore gjatë procesit akademik nga ana e pedagogut Agron Gani", - thotë njëri prej tyre. Ankesat Kërkesa, drejtuar së fundi edhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përmban 7 pika, në të cilat numërohen pretendimet e studentëve, të cilësuara prej tyre si shkelje dhe abuzim nga ana e pedagogut. Pedagogu, sipas peticionit të bërë, "ushtron gjatë gjithë vitit akademik terror psikologjik mbi studentët, duke u krijuar atyre "psikologjinë e të mundurit", në mënyrë që ata të gjejnë forma të tjera për t'u vlerësuar pozitivisht". Studentët kanë theksuar se pedagogu mban anën e studentëve të caktuar. Studentë, që vetë nënshkruesit e peticionit, janë ata që pedagogu u ka bërë kurse private ose me të cilët e lidhin interesa të tjera. "Kjo gjë dëshmohet në vlerësimet e tij", - thonë studentët, duke iu referuar notave në provimeve. Edhe për këto të fundit, studentët kanë shprehur shqetësimin e tyre. "Pedagogu formulon teza provimi jashtë kritereve profesionale dhe didaktike, tezat janë jashtë masë tendencioze dhe nuk bazohen në kritere objektive", - thuhet në peticion, ku shtohet se "Kulmi i abuzimit të tij është sezoni i provimeve, ku pjesa më e madhe e studentëve që kanë kaluar, pranojnë nën zë se kanë futur mik ose kanë paguar". Libra me detyrim Libra me listë dhe raporte aspak normale student-pedagog. Këto janë të tjera pretendime që studentët "kryengritës", kanë bërë në emër të pedagogut Agron Gani. "Pedagogu Agron Gani i detyron studentët të blejnë libra, leksione të shtypura, për më tepër libra të autorit që janë jashtë programit akademik si rasti i librit "Burbonët modernë", madje duke kërkuar që blerja e tyre të bëhet me listë", - thuhet në pikën e parë të peticionit. Sipas tij, pedagogu Gani shet libra edhe pa të drejtë autori. "Shet libra pa të drejtë autori si "Burime të zgjedhura", të cilat, pasi i fotokopjon, i shet me detyrim, gjithashtu me listë", - theksohet në peticion. Studentët deklarojnë se gjatë vitit akademik, ai kalon caqet e raportit dypalësh, duke arritur në ofendime personale. Në peticion, mes të tjerash, janë përmendur edhe disa prej ofendimeve, që gjithmonë, sipas studentëve, përdoren nga pedagogu. "Qiraxhiu e gjen hanxhiun", apo "Ju vini nga lugina e shpellave", janë dy prej ofendimeve që studentët kanë përmendur në peticion. Kërkesa Pas të gjitha pretendimeve të tyre, studentët kanë kërkuar që pedagogu të mos asistojë në provimin e radhës. Ndërsa menjëherë të hetohet rreth pretendimeve të tyre. "Ne kërkojmë që pedagogut Agron Gani të mos i lejohet të asistojë në provimin e radhës, që studentët të vlerësohen objektivisht", - thuhet në peticion, ndërsa vetë studentët nënshkrues të tij ofrohen të bashkëpunojnë për të vërtetuar të gjitha sa kanë parashtruar. "Kërkojmë të hetohet rreth pretendimeve tona dhe për shkeljet e konstatuara të merren masa përkatëse sipas rregullores dhe ligjeve në fuqi", - deklarojnë ata, duke shtuar se presin që e gjithë kjo të marrë një zgjidhje shumë shpejt.
1. Pedagogu Agron Gani i detyron studentët të blejnë libra, leksione të shtypura, për më tepër libra të autorit që janë jashtë programit akademik, si rasti i librit "Burbonët modernë", madje duke kërkuar që blerja e tyre të bëhet me listë. 2. Ushtron gjatë gjithë vitit akademik terror psikologjik mbi studentët, duke u krijuar atyre "psikologjinë e të mundurit", në mënyrë që ata të gjejnë forma të tjera për t'u vlerësuar pozitivisht. 3. Ai mban anën e studentëve të caktuar, të cilëve u ka bërë kurse private ose me të cilët e lidhin interesa të tjera, çka dëshmohet në vlerësimet e tij. 4. Formulon teza provimi jashtë kritereve profesionale dhe didaktike, tezat janë jashtë masë tendencioze dhe nuk bazohen në kritere objektive. 5. Shet libra pa të drejtë autori si "Burime të zgjedhura", të cilat, pasi i fotokopjon, i shet me detyrim, gjithashtu me listë. 6. Gjatë vitit akademik kalon caqet e raportit student-pedagog, duke arritur në ofendime personale si "Qiraxhiu e gjen hanxhiun", "Ku të punojnë prindërit", "Ju vini nga lugina e shpellave", e të tjera. 7. Kulmi i abuzimit të tij është sezoni i provimeve, ku pjesa më e madhe e studentëve që kanë kaluar, pronojnë nën zë se kanë futur mik ose kanë paguar.
|