|
Berni
|
 |
« më: 27-11-2005, 11:22:19 » |
|
Zv.konsulli Charles Morrill sqaron procedurën që ndiqet për pajisjen e një studenti me vizë
Bruna Prifti
Asgjë më shumë se studentë shumë të mirë shqiptarë për të studiuar në Amerikë. Kjo, sipas zv.konsulli Charles Morrill, është një nga pikat e ndjeshme të seksionit konsullor. Megjithëse kur vjen fjala për vizat, ka një procedurë shumë rigoroze që duhet ndjekur. "Gjëja e parë për të cilën duhet të sigurohemi, është që personi që po aplikon është një student dhe nuk është dikush tjetër që ka si qëllim të jetë emigrant në SHBA. Ka shumë njerëz në të gjithë botën që mendojnë se, duke marrë vizë studenti, është një mënyrë e shpejtë për t'u bërë emigrant", - thotë ai, duke shtuar se në momentin që aplikojnë për vizë studentët duhet të pranojnë që pas mbarimit të studimit ata të kthehen në vendin e origjinës. Bashkë me sigurimin për studentë legjitimë, i interesuari duhet të sqarojë përse ka interes studimi në fushën që ka zgjedhur. "Së dyti, sigurohemi për burimet financiare për përballimin e studimeve. Sipas rregullave, që janë shumë strikte, personi që aplikon duhet të vërtetojë që ka burimet e mjaftueshme financiare për të mbuluar të gjitha shpenzimet gjatë vitit të parë të studimeve, përfshirë edhe shpenzimet e jetësës. Këto burime financiare të justifikuara mund të jenë edhe një bursë. Nëse këto burime nënkuptojnë burime private, duhet të vërtetohet që këto para janë në bankë", - thekson ai, duke shtuar se në lidhje me vitin e dytë e në vazhdim, duhet të demonstrojnë që kanë burim të mjaftueshëm të ardhurash, që duhet të mbulojnë kostot e shkollës. Sipas Morrill, bursat janë një mënyrë shumë e mirë për të paguar kostot e shkollimit, sidomos për studentët e huaj, ndërsa kur mbulimi i shpenzimeve merret përsipër nga universiteti, aplikimi i studentit duhet të shoqërohet me një letër që e vërteton këtë. "Një nga dokumentet e rëndësishme për intervistën është një formular i quajtur I20 dhe është një dokument që lëshohet nga shkolla pritëse. çdo student duhet të ketë këtë formular, që është lehtësisht i verifikueshëm prej nesh", - thotë ai. Pas përfundimit të studimeve, të diplomuarit, sipas tij, mund të qëndrojnë për praktikë në fushën e studimit. "Zakonisht flitet për një vit trajnimi apo specializimi praktik, përpara se këta studentë të huaj të kthehen në vendin e tyre. Në varësi të diplomës që kanë marrë, studentët e huaj mund të aplikojnë edhe për atë që ne e quajmë viza H1B", - thotë Morril, duke shtuar se kjo është në thelb një vizë pune dhe ofrohet për vende të tilla pune që nuk mbulohen dot nga amerikanët. Sipas tij, këto viza mund të lëshohen deri në 6 vjet. "Shumë prej këtyre vendeve të punës janë për programues të softeve të kompjuterave. Në përgjithësi bëhet fjalë për fushat e shkencave, ku edhe nevoja është më e madhe", - thotë ai, duke deklaruar se qeveria amerikane identifikon një sërë vendesh pune për të cilat ka nevojë për të huaj, kur kërkesa është shumë e madhe dhe numri i amerikanëve që ofrohen nuk është aq. Sa i takon aplikimeve, shumica janë në Detroit, Miçigan dhe në Nju Jork, por pa përjashtuar edhe Harvardin, Jeillin dhe Universitetin e Nju Jorkut.
Shekulli
|