|
Berni
|
 |
« më: 14-09-2007, 14:48:49 » |
|
Në fillim të gushtit që sapo kaloi, nën një diell përvëlues nga më të nxehtit e shekullit dhe lajmeve shokuese për vrasje grash, drogmenësh të kapur, zjarresh të përhapura në të gjithë vendin, mungesës së energjisë elektrike e ujit, një lajm i rëndësishëm qarkulloi nëpër sitet e Internetit dhe shtypin ndërkombëtar. “Rrjeti Ndërkombëtar i Grave Komunikuese Aktive" me qendër në Kanada shpalli 26-gratë më të shquara të vitit 2007. Midis tyre edhe një grua nga Shqipëria. Dhe kjo ishte gazetarja, aktivistja për liritë dhe të drejtat e gruas, por dhe botuesja Kozeta Zavalani. Përveç një të përditshmeje jo aq qendrore, lajmin thuajse nuk e botoi asnjë organ shtypi tjetër, pa përmendur kanalet televizive. Këto ditë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nxitoi të shpallte një program për barazinë gjinore në Shqipëri, një deklaratë kjo që të kujton fjalimet programatike të shumë viteve më parë. Qeveria, shoqëria dhe media, para së gjithash, duhet të kenë shembuj për të përhapur, shembuj për të frymëzuar gjysmën mjerane të popullsisë, e cila mund të jetë edhe me kulturë e arsimim të plotë, por gjithsesi është e paemancipuar. Kozeta Zavalani vlerësohet kështu nga një organizatë prestigjioze në një kohë kur kronika e zezë në Shqipëri flet për vrasje e vetëvrasje të grave, për helmime e shitje për prostitucion, flet për keqtrajtime e deri te kufoma të copëtuara për të mos u njohur kurrë, që gjenden pas shumë ditësh a muajsh në greminat e vendit. Kësaj panorame aspak për t'u lakmuar i mëshohet aq shumë dhe ngurrohet, apo ca më keq, nuk ka informacion për një ngjarje aq të rëndësishme për jetën e grave të Shqipërisë.
Gazetarja Po kush është në të vërtetë Kozeta Zavalani dhe përse shpallet ajo ndër më të shquarat gra të botës për vitin 2007? Në vitin 1981 një vajzë nga Korça mbaronte studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Por dëshirat e saj nuk ishin përmbushur. E prirur qysh në gjimnaz drejt letërsisë, ajo kishte arritur të botonte vjershat e tregimet e para te "Zëri i Rinisë" dhe për këtë shkak ajo e shihte të ardhmen e saj të lidhur me botën publicistike, artistike, pse jo, edhe shoqërore. Gjendja e gruas, sidomos, i interesonte së tepërmi për shkakun e thjeshtë sepse shihte diferenca të mëdha në mjediset e shoqërisë shqiptare, me gjithë programet "revolucionare" për emancipimin e gruas. Ky makth shoqëror, kjo kontradiktë kur gruaja dashurohet si vajzë, admirohet si nënë e përbuzet si femër qenë shqetësime të vazhdueshme të gazetares Zavalani, e cila, dalngadalë, falë aftësive të saj vokale, bëhet edhe një spikere e njohur e radiove dhe televizioneve që do të lindnin.
“Stina për ndryshim” Ndryshimet demokratike do ta sillnin familjen në një stad të ri të mentaliteteve dhe të kërkesave ndaj jetës. Kozeta aktivizohet gjithmonë e më shumë në shoqata të ndryshme të Shoqërisë Civile, krijon edhe vetë grupimin feminist "Familja e Media-Fuqia për Ndryshim", nis botimin e revistës "Stina për Ndryshim", e cila do të ketë për kryefjalë të saj shembuj nga ato pak gra të forta e të emancipuara, ato modele shpresëdhënëse për të cilat kishte nevojë shoqëria e re shqiptare. Revista, si çdo veprimtari e ndërmarrë nga gratë shqiptare do të haste vështirësi, që e bëjnë edhe sot të botohet jo rregullisht e të qarkullojë ngadalë, ndërsa ankthi i gruas që kërkon me këmbëngulje të shprehë publikisht pikëpamjet e saj, dorëzohet para ngushtësisë ekonomike e sponsorizuesit bëhen gjithmonë e më të rrallë. Njohëse e mirë e anglishtes dhe gjuhëve të tjera, Kozeta i vë vetes edhe një synim tjetër. Ta bëjë të njohur shoqërinë femërore shqiptare edhe në organizatat e ngjashme të botës së zhvilluar. Vështirësitë janë të mëdha. Shpesh Shqipëria njihet pak e aspak, ose edhe atje ku njihet ekziston një koncept i padrejtë për shoqërinë shqiptare, ndërsa për nivelin e grave tona sundon mendimi orientalist.
Jeta tjetër Është koha kur Kozeta Zavalani kryen disa specializime pasuniversitare nëpër botë, ndërkohë që ka rastin të mbajë leksione nëpër konferenca të ndryshme me nivel të lartë lektorësh e dëgjuesesh. Kështu ajo referon në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, në Institutin ISIDA të Palermos në Itali (me leksionin "Gruaja forcë ekonomike në afirmim") në CIPE, Uashington D.S. Ka referuar gjithashtu temën "Shkëmbimi i udhëheqjes së grave" në Los Angeles po të SHBA-ve, por edhe në Marok, Varshavë etj. Në këto veprimtari të rëndësishme ajo ka rastin të njihet e të miqësohet me personalitete të mëdha të jetës politike e shoqërore të botës si me zonjën Hillary Clinton, znj. Susane Jalbert e Susane Davis, znj. Donna Messer, themeluese e organizatës "Connect Us Communications Canada", e cila do ta shpallë më pas këtë grua shqiptare një nga më të shquarat e vitit 2007. Jeta e saj tani merr një kuptim tjetër. Është shpërthyer rrethi asfiksues i mentalitetit shqiptar, ndonëse në çdo hap që hedh i ndjen hijet e mediokritetit nga pas. Pse jo, edhe në rrethin e saj shoqëror ku bëjnë pjesë gra të talentuara në fushat e tyre përkatëse, ndonjëherë e shohin me egoizëm, xhelozi, apo edhe me dyshim këtë jetë intensive të publicistes e veprimtares së palodhur Zavalani.
Ambasadore e paqes Por le të kthehemi te motivacioni që e përcakton Kozeta Zavalanin një nga gratë më të shquara të botës. Natyrisht do të ishte i pasaktë termi "Gruaja më e shquar e botës". Gratë e shquara njihen për fusha të veprimtarive të ndryshme, të cilat përkojnë me fizionominë e tyre, por edhe me synimet e tyre. Për Kozetën "Rrjeti Ndërkombëtar për Gra Komunikuese Aktive" shprehet se ajo është një botuese, aktiviste për të drejtat e gruas, por edhe vetë një grua shembullore, një nënë e devotshme dhe një bashkëshorte e mirë; rol model për gratë. Dhe le t'i mendojmë pak të gjitha këto cilësi të marra së bashku. E vështirë të arrihen njëherësh të gjitha. Jeta shoqërore e politike mund të të detyrojë të lësh pas dorë jetën familjare, ose e kundërta. Kozeta Zavalani mban drejtpeshimin edhe në këtë qerthull të vështirë ku endet lodhja, mentaliteti, vështirësitë ekonomike etj. Lajtmotivi i jetës janë bërë fjalët e Hillary Clinton, publikuar në Vademekumin për gratë, kur thotë se "Liria dhe përparimi nuk kanë lindur nga heshtja". Mbi këtë motiv ajo ka shkruar librat: ”Gra që më kanë frymëzuar” dhe “Gjysmëbota”. Duke ushqyer tolerancën, respektin e ndihmën ndaj njëri-tjetrit, asaj i pëlqen të punojë duke jetuar edhe për hirë të të tjerëve”, siç ështe thënia e Federatës për Paqen Botërore, që e ka zgjedhur atë ambasadore të paqes, pasi ka në thelb trajtimin e barazisë njerëzore, atë barazi që në duhet të kemi si qenie para njëri-tjetrit dhe para Zotit.
E papunë Në vendin tonë, me gjithë hapjen e kufijve, demokratizimin dhe një farë liberalizmi në jetën e femrave të qyteteve të mëdha, sidomos, barazia gjinore është për t'u vajtuar. Programet e partive, me gjithë premtimet për ta zbutur disi jetën publike e politike përmes pjesëmarrjes së grave në të, nuk mund të mos nëpërkëmben nga vetë paragjykimet kanunore të drejtuesve të tyre. Aq e vërtetë është kjo, sa një grua e shquar ndërkombëtarisht si zonja Kozeta Zavalani sot është e papunë, sepse nuk është militante dhe mundohet të kontribuojë ekonomikisht në familjen e saj me aktivitete botuese, duke dhënë kontributin e saj në shoqërinë civile. Megjithatë, me thjeshtësinë që e dallon, ajo nuk flet për vete, por falënderon znj. Kozara Kati, që ka vlerësuar aftësitë e saj në dobi të QSHDNJ, si dhe Rrjetin Ndërkombëtar të Grave Komunikuese Aktive, që ka vlerësuar maksimalisht veprimtarinë dhe kontributin e saj.
Mihallaq QILLERI
|