|
Berni
|
 |
« më: 18-04-2007, 04:11:14 » |
|
87 për qind e depozitave janë të siguruara nga Agjencia
Në 2006 vërehet një rritje prej 7.5 për qind e depozitave në valutë;
Në 2006 vërehet një rënie prej 3.5 për qind e depozitave në lekë;
Totali i depozitave të sistemit është 525 miliardë lekë;
Depozitat e individëve rezultojnë 416 miliardë lekë;
Totali i bankave të siguruara është 17;
Fitimi neto i sistemit bankar, 7.45 miliardë lekë;
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit ka rënë 0.5%;
Agjencia siguron depozitat e individëve deri në 700 mijë lekë;
Të ardhurat nga primi i sigurimit, 828.896 mijë lekë;
Totali i depozitave krahasuar me 2005 është rritur me 20%;
Përjashtohen nga kompensimi
Pjesa e depozitës mbi 700 mijë lekë;
Depozitat e çdo shoqërie tregtare;
Depozitat e drejtorit, të administratorëve të bankës;
Depozitat në degën e bankës jashtë Shqipërisë;
Depozitat e aksionarëve me të drejtë pronësie, në masën 5%;
Depozitat e kontrollorëve dhe të ekspertëve kontabël të bankës;
Depozitat e atyre që gëzojnë më shumë se 20% interes preferencial;
Depozitat e personave që përdorin llogarinë për veprimtari kriminale;
Depozitat jonominativë, përfshirë depozitat në vlerë me vlerë të prurësit;
Depozitat e vendosura në bankën e siguruar gjatë dhe pas ditës së hyrjes në këtë bankë.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave publikon raportin vjetor, sa dhe ku janë të sigurt shqiptarët
Në rast falimentimi mund të kompensohet në llogaritë deri në 700 mijë lekë
Depozitat e individëve gjatë vitit 2006 kanë shënuar një rritje prej 16 për qind dhe depozitat e siguruara një rritje prej 10 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që numri i bankave të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në fund të 2006-ës është 17, të cilët janë banka private shqiptare apo të huaja. Shifrat janë paraqitur në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, sipas të cilës ecuria në rritje e kredidhënies flet për kërkesën e lartë të komunitetit për financim dhe për mundësitë gjithmonë në rritje të sektorit bankar për të përmbushur këtë kërkesë. Agjencia gjithashtu siguron depozitat e individëve deri në 700 mijë lekë me afat në lekë, depozitat me afat në valutë, depozitat pa afat në lekë, depozitat pa afat në valutë, certifikatat e depozitave në lekë, certifikatat e depozitave në valutë etj.
Depozitat e siguruara
Në fund të vitit 2006, totali i depozitave të sistemit është 525 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 20 për qind kundrejt fundvitit 2005. Depozitat e individëve rezultojnë përkatësisht me shumën prej 416 miliardë lekë, duke zënë një peshë prej 79 për qind kundrejt totalit të depozitave në tërë sistemin bankar, prej të cilave të siguruara janë 200 miliardë lekë, të cilat të shprehura në përqindje përfaqësojnë rreth 48 për qind të depozitave të individëve. Pjesën më të madhe të depozitave të individëve e zënë depozitat në lekë dhe vetëm 34.5 për qind e tyre janë depozita në valutë. Për periudhën njëvjeçare dhjetor 2005-dhjetor 2006 vërehet një rritje prej 7.5 për qind e depozitave në valutë dhe një rënie prej 3.5 për qind e depozitave në lekë (si % kundrejt totalit), e cila mund të gjejë shpjegim nga oshilacionet e normave të interesit për depozitat në lekë dhe tendenca e bankave të mëdha për të rritur depozitat në valutë. Depozitat e individëve gjatë kësaj periudhe njëvjeçare kanë shënuar një rritje prej 16 për qind dhe ato të siguruara një rritje prej 10 për qind.
Sistemi financiar
Gjatë vitit 2006, sistemi bankar vijoi zhvillimin e tij të qëndrueshëm. Gjendja financiare e tij vlerësohet e kënaqshme, me një ecuri në nivele të mira dhe të qëndrueshme të treguesve të rentabilitetit, me një mjaftueshmëri të kapitalit mbi nivelin minimal të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, por me një prirje të lehtë në rënie si shprehje e konsolidimit të tij. Gjatë këtij viti, aktivet e sistemit bankar shënuan një rritje me 127.7 miliardë lekë, rreth 57.6 miliardë lekë më shumë se rritja aktive e evidentuar në vitin 2005. Teprica e kredisë së sistemit bankar gjatë vitit 2006 shënoi rritje me 70.2 miliardë lekë ose 55%, nga 57.6 miliardë lekë për vitin e mëparshëm. Agjencia siguron të gjitha depozitat e individëve në lekë dhe në monedhë të huaj, të konvertuar sipas kursit zyrtar të këmbimit, të përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës në ditën e ndërhyrjes.
Bankat paguajnë kuotën e sigurimit
Për çdo bankë të siguruar, primi vjetor i sigurimit të depozitës është 0.5% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, të regjistruara në fund të çdo ditë pune për tre muajt e fundit të vitit. Këtë prim të pagueshëm nga bankat e siguruara, Agjencia mund ta ulë deri në 0.1%, vetëm në rast se mjetet financiare të saj do të jenë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave, veprim i cili kryhet me akt nënligjor. Ky raport aktualisht është 1.9%, nga 1.6% që ishte vitin e kaluar. Pagesa e primit bëhet në katër kës'të tremujore, sipas afateve të përcaktuara në ligj. Njëkohësisht me pagesën e këstit të parë bankat sjellin pranë ASD deklaratën e primit, e cila konfirmon llogaritjen e primit. Të ardhurat nga primi i sigurimit, të cilat përbëjnë dhe burimin kryesor të të ardhurave të ASD, për vitin 2006 arritën në shumën 828.896 mijë lekë, e cila krahasuar me një vit më parë ka shënuar një rritje prej 15%. Në politikat e vitit 2006 të ASD, për bankat u aplikua e njëjta normë vjetore e primit të sigurimit të depozitave të tyre. Kjo normë vjetore e pagesës së primit është e njëjtë për të gjitha bankat, për arsye se në fillimet e tyre sistemet e sigurimit duhet të përmbushin sa më shpejt qëllimin e sigurimit të fondeve të nevojshme për rritjen e nivelit të sigurimit në të ardhmen.
Kompensimi i depozitës së siguruar
Në ligjin “Për sigurimin e depozitave” janë përcaktuar nivelet për kompensimin e depozitave, me nivel maksimal 700 mijë lekë, e me një aplikim të co-insurance 15 për qind të pjesës mbi 350.000 lekë. Ky nivel i shumës së mbulimit (pra të siguruar) është afërsisht dy herë më i madh se GDP për kapitalin në vendin tonë. Duke pasur parasysh qëllimin kryesor të funksionimit të skemave të sigurimit të depozitave, i cili është krijimi i besimit në sistemin bankar te depozitorët e vegjël dhe depozitorët me një formim jo të mirë ekonomik, kjo shumë mbulimi e justifikon këtë qëllim. Një nga detyrat kryesore të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është kompensimi i depozitave të siguruara sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se tre muaj nga dita e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës në bankën e siguruar.
Bankat e siguruara nga ASD
Banka Popullore
Banka Italo Shqiptare
Banka Raiffeisen
Banka e Bashkuar e Shqipërisë
Banka Italiane e Zhvillimit
Banka Kombëtare Tregtare
Banka Tirana
Dega e Bankës Kombëtare Greke Tiranë
Banka Ndërkombëtare Tregtare
Dega në Tiranë e Bankës Alfa
Banka Amerikane e Shqipërisë
Banka ProCredit
Banka e Parë e Investimeve
Banka e Kreditit e Shqipërisë
Banka CREDINS
Union Bank
ALBANA LIKA
|