Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: JEAN-PAUL SARTRE  (E lexuar 1914 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
oiseau en vol

Shiko profilin
« më: 07-07-2006, 06:29:38 »
Citojeni

Duke marrë shkas nga një nderhyrje e Sirenegius ne temën e ekzistencializmit, do të mundohem te sjell këtu, te plotë, te pacunguar konferencen e Jean-Paul Sartre "Ekzistencializmi është një humanizem". E di shumë mirë qe kjo ka qenë perkthyer ne shqip (qe unë nuk e kam lexuar) por kjo qe do të sjell është përkthim krejt i ri (i imi) dhe nuk i detyrohet ne asgjë perkthimit dhe botimit ekzistues ne shqip.

E bëj këtë për te shmangur çdo keqkuptim me të drejtat e autorit. Përderisa ky tekst qarkullon i lirë ne internet (frengjisht) atëherë kushdo ka te drejtë ta beje te qarkulloje dhe ne gjuhe te tjera, ne rastin tonë, ne shqip.

Konferenca do të sillet e plotë ne rreth 15 postime, për të mos e renduar faqen me shkrime te gjata. Kush deshiron mund t'i bashkoje pastaj copat dhe ja ku kemi ne dorë një konference te filozofit Sartre.

Kjo konference do të na beje me te qartë çfare është ekzistencializmi, dhe pse Heidegger nuk duhet rreshtuar ne këtë linjë, me rrezikun te kryejme një keqkuptim te rëndë.

Gjithashtu, mund te sjell dhe ndonjë material te vete Heideggerit në lidhje me këtë rrymëëë filozofike.


Jean-Paul Sartre

Ekzistencializmi është një humanizëm

1945

Do të doja këtu ta mbroj ekzistencializmin përkundër njëfarë numri qortimesh që i janë drejtuar atij.

Fillimisht, atij i është qortuar të ftuarit e njerëzve për të ndenjur në një qetësi të dëshpërimit, sepse, duke qenë se të gjitha zgjidhjet janë të mbyllura, do të duhej konsideruar që veprimi në këtë botë është krejtësisht i pamundur, dhe pastaj të përfunduarit në një filozofi kundruese, çka kjo veç të tjerash, ngaqë kundrimi është një luks, na shpie në një filozofi borgjeze. Këto janë në veçanti qortimet e komunistëve.

Na është qortuar gjithashtu të theksuarit e poshtëëërsisë njerëzore, të treguarit ngado të së ndyrës, të shtrembërës, së papastrës, dhe të shpërfillurit e njëfarë numri bukurish të qeshura, të anës së shndritshme të natyrës njerëzore ; për shembull, sipas Zonjushes Mercier, kritikë katolike, ne kemi harruar buzëqeshjen e fëmijës. Si të parët dhe të dytët na qortojnë të kaluarit menjanë solidaritetit njerëzor, të konsideruarit që njeriu është i veçuar, madje kryesisht ngaqë ne nisemi, thonë komunistët, nga subjektiviteti i pastër, d.m.th. nga unë mendoj karteziane, d.m.th. nga çasti ku njeriu preket në vetminë e tij, çka kjo do të na kthente të paaftë më tej për tu rikthyer tek solidariteti me njerëzit që janë jashtë meje dhe që nuk mund t'i arrij në cogito-n.

Dhe nga krahu i krishterë, na qortohet të mohuarit e realitetit dhe të seriozitetit të sipërmarrjeve njerëzore, pasiqë nëse i fshijmë urdhërimet e Zotit dhe vlerat e nënshkruara në përjetësinë, nuk mbetet më gjë tjetër përveçse arbitrariteti i pastër, secili duke mundur të bëjë ç'të dojë, dhe duke qenë i paaftë nga këndvështrimi i tij për të dënuar këndvështrimet dhe veprimet e të tjerëve.

Është ndaj këtyre qortimeve kjo që unë kërkoj tu përgjigjem sot ; ja përse këtë ekspoze të shkurtër e kam titulluar : Ekzistencializmi është një humanizëm. Shumë vetë do të mund të habiten që këtu të flasim për humanizëm. Ne do të përpiqemi të shohim në ç'kuptim e marrim atë. Sidoqoftë, ajo çka ne mund të themi qysh në fillim është që me ekzistencializëm ne kuptojmë një doktrinë e cila e kthen të mundshme jetën njerëzore dhe që, veç kësaj, deklaron që çdo e vërtetë dhe çdo veprim mpleksin një mjedis dhe një subjektivitet njerëzor. Qortimi thelbësor që na bëhet, e dimë këtë, është të vënurit e theksit mbi anën e keqe të jetës njerëzore. Një zonjë për të cilën më kanë folur tani vonë, kur lëshon një fjalë të pistë, ngaqë e nxehur, ajo deklaron duke u shfajësuar : ''Më duket se po kthehem ekzistencialiste.''Për rrjedhojë, ekzistencializmi barazohet me shëmtinë ; ja përse deklarohet që ne jemi natyralistë ; dhe nëse ne jemi të tillë, mund të habitemi që ne të ngjallim frikë, që ne të skandalizojmë shumë më tepër sesa nuk e bën këtë sot vetë natyralizmi i mirëfilltë. Kushdo që lexon më së miri një roman të Zola, siç Toka, është i tmerruar sapo që ai lexon një roman ekzistencialist ; kushdo që përdor mençurinë e kombeve – që është fort e trishtë – na quan neve edhe më të trishtë. Megjithatë, çfarë ka më dëshpëruese sesa të thuash ''ndihmo veten të ndihmosh të tjerët'', ose dhe ''bëj mirë e gjej keq, shtypi kokën të thërret baba''? Njihen opinionet e përgjithshme që mund t'i përdorim në lidhje me këtë çështje dhe që tregojnë gjithmonë të njëjtën gjë : nuk duhet luftuar kundër pushteteve të paravendosura, nuk duhet luftuar kundër forcës, nuk duhet synuar përsipër kushtit tënd, çdo veprim që nuk futet në një traditë është një romantizëm, çdo orvatje që nuk mbështetet mbi një përvojë të njohur është e destinuar të dështojë ; dhe përvoja tregon që njerëzit shkojnë gjithmonë drejt poshtëë, që duhen trupa të fortë për t'i mbajtur, përndryshe është anarki. E megjithatë, janë po këta njerëz që i përsërisin këto proverba të trishta, që sa herë që u tregojmë atyre një veprim pak a shumë të ndyrë, ato të thonë që kjo është aq njerëzore, njerëz që ushqehen me këngë realiste, pra janë këta njerëz ata të cilët e qortojnë ekzistencializmin të jetë tepër i zymtë, dhe në atë pikë që pyes veten nëse ata nuk i qortojnë atij pesimizmin por më tepër optimizmin ! Mos vallë në thelb, ajo çka ngjall frikë, në doktrinën që do të përpiqem t'ju paraqes, nuk është fakti që ajo i lë një mundësi zgjedhjeje njeriut ? Për ta ditur këtë, duhet që ne ta rishikojmë çështjen në një plan të ngushtë filozofik. çfarë quajmë ekzistencializëm ?


(vijon)
E identifikuar
oiseau en vol

Shiko profilin
« Përgjigjja #1 më: 07-07-2006, 06:34:27 »
Citojeni

2.


Shumica e njerëzve që e përdorin këtë fjalë do të ziheshin ngushtë për ta justifikuar atë, pasiqë, sot që kjo fjalë është kthyer në modë, deklarojmë me dëshirë që një muzikant apo një piktor është ekzistencialist. Një redaktor i rubrikës së jetës mondane në revistën Clartés (Qartësi) nënshkruan Ekzistencialisti ; dhe në thelb, kjo fjalë ka marrë sot një gjerësi dhe shtrirje të tillë që ajo nuk nënkupton më asgjë prej gjëje. Duket që, në mungesë doktrine pararoje të ngjashme me surealizmin, njerëzit e etur për skandale dhe lëvizje i drejtohen kësaj filozofie, çka veç të tjerash, kjo nuk mund tu sjellë atyre asgjë në këtë domen ; në realitet, kjo është doktrina më pak skandaloze, më e rrepta ; ajo është e destinuar vetëm për teknikët dhe filozofët. Megjithatë, ajo mund të përkufizohet lehtësisht. Ajo çka e ndërlikon gjërat, kjo është që ka dy lloje ekzistencialistësh : të parët, që janë të krishterë dhe midis të cilëve do të rreshtoj Jaspers dhe Gabriel Marcel, të besimit katolik ; dhe, nga ana tjetër, ekzistencialistët ateistë midis të cilëve duhet rreshtuar Heidegger, dhe gjithashtu ekzistencialistët francezë dhe vetë unë. E përbashkëta e tyre është thjesht fakti që ato vlerësojnë se ekzistenca paraprin thelbin, ose, nëse ndryshe, që duhet nisur nga subjektiviteti. çfarë duhet kuptuar nga kjo ? Kur ne konsiderojmë një objekt të punuar, si për shembull një libër ose një gërshërë, ky objekt ka qenë prodhuar nga një artizan që është frymëzuar nga një koncept ; ai i është referuar konceptit të gërshërës, dhe gjithashtu një teknike paraprake që bën pjesë në konceptin, dhe që në thelb është një recetë. Kështu, gërshëra është njëkohësisht një objekt që prodhohet në njëfarë mënyre dhe që, nga ana tjetër, ka një dobi të përcaktuar, dhe nuk mund të marrim me mend një njeri që do të prodhonte një gërshërë pa e ditur për çfarë do të shërbente. Ne do të themi pra që, për gërshërën, thelbi – d.m.th. tërësia e recetave dhe e cilësive që lejojnë për ta prodhuar dhe përkufizuar atë – paraprin ekzistencën ; dhe kështu prania, përballë meje, e kësaj gërshëre apo e këtij libri është e përcaktuar. Këtu kemi pra një vizion teknik të botës, në të cilën mund të themi që prodhimi paraprin ekzistencën.

Kur ne mendojmë një Zot krijues, ky Zot është shpesh i thjeshtuar në një artizan më të lartë ; dhe cilado qoftë doktrina që ne konsiderojmë, qoftë ajo e Descartes apo e Leibniz, ne pranojmë gjithmonë që vullneti ndjek pak a shumë nxënien ose, të paktën, e shoqëron atë, dhe që Zoti, kur ai krijon, e di më së miri çka krijon. Kështu, koncepti i njeriut, në mendjen e Zotit, është i ngjashëm me konceptin e gërshërës në mendjen e industrialit, dhe Zoti e prodhon njeriun duke ndjekur teknika dhe një konceptim, saktësisht si artizani që prodhon një gërshërë sipas një përkufizimi dhe një teknike. Kështu, njeriu individual realizon njëfarë koncepti që është në nxënien hyjnore. Në shekullin e XVIII-të, në ateizmin e filozofëve, nocioni i Zotit është i zhdukur, por jo megjithatë ideja që thelbi paraprin ekzistencën. Këtë ide ne gjejmë pothuaj ngado : tek Diderot, tek Voltaire, dhe madje edhe tek Kant. Njeriu është zotërues i një natyre njerëzore ; kjo natyrë njerëzore, që është koncepti njerëzor, gjendet tek të gjithë njerëzit, çka kjo nënkupton që çdo njeri është një shembull i veçantë i një koncepti universal, njeriu ; tek Kant, nga ky universalitet rezulton që njeriu i pyjeve, njeriu i natyrës, siç dhe borgjezi janë të shtrënguar tek i njëjti përkufizim dhe zotërojnë të njëjtat cilësi bazë. Kështu, edhe këtu, thelbi njeri paraprin këtë ekzistencë historike që ne e takojmë në natyrë.


(vijon)
E identifikuar
oiseau en vol

Shiko profilin
« Përgjigjja #2 më: 07-07-2006, 18:21:21 »
Citojeni

3.


Ekzistencializmi ateist, që unë përfaqësoj, është më i lidhur. Ai deklaron që nëse Zoti nuk ekziston, ka të paktën një qenie tek e cila ekzistenca paraprin thelbin, një qenie që ekziston përpara se të mundet të jetë i përkufizuar nga asnjë koncept dhe që kjo qenie është njeriu ose, siç e thotë Heidegger, realiteti njerëzor. ç'do të thotë këtu që ekzistenca paraprin thelbin ? Kjo nënkupton që njeriu ekziston fillimisht, haset, ia beh në botë, dhe që pastaj ai përkufizohet. Njeriu, i tillë siç ai shihet nga ekzistencialisti, nëse nuk është i përkufizueshëm, kjo është që ai nuk është fillimisht asgjë. Ai do të jetë vetëm pastaj, dhe ai do të jetë i tillë siç ai do të jetë bërë. Kështu, nuk ka natyrë njerëzore, pasiqë nuk ka Zot për ta krijuar atë. Njeriu është jo vetëm i tillë siç ai e sheh veten, por i tillë siç ai e do veten, dhe meqë ai e sheh veten pas ekzistencës, meqë ai e do veten pas këtij vrulli drejt ekzistencës, njeriu nuk është asgjë tjetër përveç asaj çka ai bëhet. I tillë është principi i parë i ekzistencializmit. Kjo është gjithashtu ajo çka e quajmë subjektiviteti, dhe që na e qortojnë madje nën këtë emër. Por ç'duam të themi ne me këtë, në mos që njeriu ka një dinjitet më të lartë sesa guri apo tavolina ? Sepse ne duam të themi që njeriu ekziston fillimisht, d.m.th. që njeriu është fillimisht ai që hidhet drejt një ardhmërie, dhe që është i ndërgjegjshëm të hidhet në këtë ardhmëri. Njeriu është fillimisht një projekt që jetohet subjektivisht, në vend që të jetë një skumë, një kalbësirë apo një lulelakër ; asgjë nuk ekziston paraprakisht për këtë projek ; asgjë nuk është në qiell e kuptueshme, dhe njeriu do të jetë fillimisht çka ai do të ketë projektuar të jetë. Jo çka ai do të dojë të jetë. Sepse ajo çka ne kuptojmë rëndom me dashje, kjo është një vendim i ndërgjegjshëm, dhe që është për shumicën ndër nesh i mëpasshëm ndaj asaj çka njeriu është bërë vetë. Unë mund të dua të futem në një parti, të shkruaj një libër, të martohem, e tërë kjo është veçse një shfaqje e një zgjedhje më zanafillore, më të vetvetishme sesa ajo çka e quajmë vullnet. Por nëse vërtetë ekzistenca paraprin thelbin, njeriu është përgjegjës për çka ai është. Kështu, hapi i parë i ekzistencializmit është të vendosë çdo njeri në zotërim të asaj çka ai është dhe të ngarkojë mbi të përgjegjësinë e plotë të ekzistencës së tij. Dhe, kur ne themi që njeriu është përgjegjës për vetveten, ne nuk duam të themi që njeriu është përgjegjës për individualizmin e tij të mirëfilltë, por që ai është përgjegjës për të gjithë njerëzit. Ka dy kuptime për fjalën subjektivizëm, dhe kundërshtarët tanë luajnë mbi të dyja këto kuptime. Subjektivizëm do të thotë nga njëra anë zgjedhje e subjektit individual nga vetvetja, dhe, nga ana tjetër, pamundësia për njeriun të tejkalojë subjektivitetin njerëzor. Është kuptimi i dytë ai që është kuptimi i thellë i ekzistencializmit. Kur ne themi që njeriu zgjedh veten, ne kuptojmë që secili prej nesh zgjedh veten, por nga këtej ne duam të themi dhe që duke e zgjedhur veten ai zgjedh të gjtihë njerëzit. Në fakt, nuk ka asnjë veprim tonin i cili, duke krijuar njeriun që ne duam të jemi, nuk krijon në të njëjtën kohë një imazh të njeriut të tillë që ne e çmojmë që ai duhet të jetë. Të zgjedhësh këtë apo atë, kjo është të pohosh në të njëjtën kohë vlerën e asaj që ne zgjedhim, sepse ne nuk mund të zgjedhim kurrë të keqen ; ajo çka ne zgjedhim është gjithmonë e mira, dhe asgjë nuk mund të jetë e mirë për ne pa qenë e tillë për të gjithë. Nëse ekzistenca, nga ana tjetër, paraprin thelbin dhe që ne të duam të ekzistojmë në të njëjtën kohë që ne e përpunojmë imazhin tonë, ky imazh është i vlefshëm për të gjithë dhe për mbarë epokën tonë. Kështu, përgjegjësia jonë është shumë më e madhe sesa ne të mund ta supozojmë, sepse ajo angazhon mbarë njerëzimin. Nëse unë jam punëtor, dhe nëse unë zgjedh të futem në një sindikatë të krishterë më tepër sesa të jem komunist, nëse, nga kjo futje, unë dua të tregoj që nënshtrimi është në thelb zgjidhja që i shkon përshtat njeriut, që mbretëria e njeriut nuk është mbi tokë, unë nuk angazhoj vetëm rastin tim : unë dua të jem i nënshtruar për të gjithë, për rrjedhojë hapi im ka angazhuar mbarë njerëzimin. Dhe nëse dua, fakt më individual, të martohem, të kem fëmijë, edhe pse kjo martesë varet vetëm nga situata ime, ose nga pasioni im, ose nga dëshira ime, nga këtej unë angazhoj jo vetëm veten time, por mbarë njerëzimin mbi udhën e monogamisë. Kështu unë jam përgjegjës për veten time dhe për të gjithë, dhe unë krijoj njëfarë imazhi të njeriut që zgjedh ; duke zgjedhur veten, unë zgjedh njeriun.


(vijon)
E identifikuar
erlehta
Die Schlumpfine
Gjinia: Femër


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #3 më: 09-07-2006, 03:29:40 »
Citojeni

Gjithmonë më ka pëlqyer mendimi filozofik e Sartrit.

P.s   Urime për materialin qe ke sjell.

E identifikuar

Es gibt nur ein Glück im Leben: lieben und geliebt zu werden.

Luaj Lojra Online
oiseau en vol

Shiko profilin
« Përgjigjja #4 më: 09-07-2006, 07:59:38 »
Citojeni

Falemnderit, Erlehta.

4.


Kjo na lejon të kuptojmë atë çka mbulojnë fjalët paksa të mëdha si ankth, braktisje, dëshpërim. Siç dhe do ta shihni, kjo është tejet e thjeshtë. Së pari, ç'kuptojmë me angushti ? Ekzistencialisti deklaron me dëshirë që njeriu është ankth. Kjo nënkupton këtë : njeriu që angazhohet dhe që kupton që ai është jo vetëm çka ai ka zgjedhur të jetë, por dhe një ligjvënës që zgjedh në të njëjtën kohë me veten mbarë njerëzimin, nuk do të mund t'i shpëtojë ndjenjës së përgjegjësisë së tij të plotë dhe të thellë. Sigurisht, shumë njerëz nuk janë të ankthshëm ; por ne pretendojmë që ato e maskojnë ankthin e tyre, që ato i ikin atij ; sigurisht, shumë njerëz besojnë në të vepruar që ato angazhojnë vetëm veten e tyre, dhe kur u themi atyre : po sikur të gjithë të bënin kështu ? ato ngrejnë shpatullat dhe përgjigjen : të gjithë nuk bëjnë kështu. Por në të vërtetë, duhet gjithmonë të pyesim veten : ç'do të ndodhte nëse të gjithë do të bënin po aq ? dhe këtij mendimi shqetësimi i përvidhemi vetëm nëpërmjet një lloj vetëmashtrimi. Ai që gënjen dhe që shfajësohet duke deklaruar : të gjithë nuk bëjnë kështu, është dikush që nuk ndihet rehat me ndërgjegjen e tij, sepse fakti i të gënjyerit mpleks një vlerë universale të dhënë ndaj gënjeshtrës. Edhe kur ai kur maskohet ankthi shfaqet. Është ky ankth ai që Kierkegaard e quante ankthi i Abrahamit. Ju e dini historinë : Një engjëll e ka urdhëruar Abrahamin të flijojë birin e tij : gjithçka ecën mirë nëse është vërtetë një engjëll që ka ardhur dhe që ka thënë : ti je Abrahami, ti do të flijosh djalin tënd. Por çdokush mund të pyesë veten, së pari, a është ky vërtetë një engjëll, dhe a jam vërtetë Abrahami ? Kush ma provon këtë ? Kishte një herë një të çmendur që kishte haluçinacione : i flisnin nëpërmjet telefonit dhe i jepnin urdhëra. Mjeku e pyeti : "Por kush po ju flet ?" Ajo u përgjigj :"Ai më thotë që është Zoti." Dhe çfarë i provonte asaj, në fakt, që ai ishte Zoti ? Nëse një engjëll vjen tek unë, çfarë e provon që ky është një engjëll ? Dhe nëse unë dëgjoj zëra, çfarë i provon që ato vijnë nga qielli dhe jo nga ferri, ose nga një e nënvetëdijshme, ose nga një gjendje patologjike ? Kush e provon që ato më drejtohen mua ? Kush e provon që pikërisht unë jam caktuar për të vendosur konceptimin tim të njeriut dhe zgjedhjen time ndaj mbarë njerëzimit ? Nuk do të gjej kurrë ndonjë provë, dhe as ndonjë shenjë për tu bindur këtu. Nëse një zë më drejtohet mua, jam gjithmonë unë ai që do të vendos që ky zë është zëri i engjëllit ; nëse unë konsideroj që një veprim është i mirë, jam unë ai që do të vendos për të thënë që ky veprim është i mirë dhe jo i keq. Asgjë nuk më cakton të jem Abrahami, e megjithatë jam i detyruar në çdo çast të bëj veprime shembullore. Gjithçka ndodh njëlloj sikur, për çdo njeri, i tërë njerëzimi t'i kishte sytë të ngulitur mbi atë çka ky njeri bën dhe të rregullohej sipas asaj çka ai bën. Dhe çdo njeri duhet të thotë me vete : a jam vallë ai që ka të drejtë të veprojë në atë mënyrë që njerëzimi të rregullohet sipas veprimeve të mia ? Dhe nëse ai nuk ia thotë këtë vetes, kjo është që ai i fshihet ankthit. Këtu nuk bëhet fjalë për një ankth që do të çonte në prehje, në mosveprim. Bëhet fjalë për një ankth të thjeshtë, që të gjithë ato që kanë patur përgjegjësi e njohin. Kur, për shembull, një shef ushtarak merr përgjegjësinë e një sulmi dhe dërgon njëfarë numri ushtarësh në vdekje, ai zgjedh për ta bërë këtë, dhe në thelb ai zgjedh i vetëm. Padyshim ka urdhëra që vijnë nga lart, por ato janë të gjerë dhe një interpretim është i nevojshëm, interpretim që vjen nga ai, dhe nga ky interpretim varet jeta e dhjetë apo katërmbëdhjetë burrave. Në vendimin që ai merr, nuk mund të mos ketë një lloj ankthi. Të gjithë shefat e njohin këtë ankth. Kjo nuk i pengon ata të veprojnë, përkundrazi, ky është vetë kushti i veprimit të tyre ; sepse kjo supozon një shumësi mundësish, dhe kur ato zgjedhin një prej tyre, ato e kuptojnë që kjo zgjedhje ka vlerë vetëm ngaqë ajo është e zgjedhur. Dhe ky lloj ankthi, që është ankthi i përshkruar nga ekzistencializmi, ne do të shohim që ai shpjegohet veç kësaj nëpërmjet një përgjegjësie të drejtpërdrejtë kundrejt njerëzve të tjerë që ai angazhon. Ai nuk është një perde që do të na ndante nga veprimi, por ai bën pjesë në vetë veprimin.


(vijon)
E identifikuar
SirenegiuS
KV R-D


Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #5 më: 10-07-2006, 08:25:46 »
Citojeni

Para ca kohësh kam lexuar një liberth me rreth 100 faqe "Existentialism and Human Emotions" , një përmbledhje nga shkrimet e Sartre, qe perfshinte edhe këtë pjesen qe po sjell Oiseau.
Ne shqip duhet te jape me tepër kenaqesi. Faleminderit për perkthimin dhe postimin në forum.
E identifikuar
oiseau en vol

Shiko profilin
« Përgjigjja #6 më: 11-07-2006, 19:00:49 »
Citojeni

Kenaqesia e imja, Sirenegius buzeqeshje


5.


Dhe kur flasim për braktisje, shprehje aq e dashur për Heidegger, ne duam të themi vetëm që Zoti nuk ekziston, dhe që pasojat e kësaj duhen nxjerrur deri në fund. Ekzistencialisti është mjaft i kundërt me njëfarë tip morali laik që do të donte ta hiqte qafe Zotin me sa më pak shpenzime. Kur, rreth 1880-ës, disa profesorë francezë u përpoqën të ngrejnë një moral laik, ata thanë pak a shumë kështu : Zoti është një hipotezë e panevojshme dhe e kushtueshme, ne nuk e marrim parasysh këtë hipotezë, por megjithatë, për që të ketë një moral, një shoqëri, një botë të qytetëruar, është e nevojshme që disa vlera të jenë të marra seriozisht dhe të konsideruara si të qena a priori ; duhet të jetë detyrimisht a priori të qenurit i ndershëm, të mos gënjyerit, të mos rrahurit e gruas tënde, të bërit e fëmijëve, etj... Ne do të bëjmë pra një punë të vogël e cila do të lejojë të tregojmë që këto vlera ekzistojnë sidoqoftë, të nënshkruara në një qiell të kuptueshëm, ndonëse, veç kësaj, Zoti të mos ekzistojë. Thënë ndryshe, dhe besoj që kjo është prirja e tërë asaj çka e quajmë në Francë radikalizmi, asgjë nuk do të ketë ndryshuar nëse Zoti nuk ekziston ; ne do të rigjejmë përsëri të njëjtat norma ndershmërie, progresi, humanizmi, dhe ne do ta kemi bërë Zotin një hipotezë të vjetëruar që do të vdesë qetësisht dhe nga vetvetja. Ekzistencialisti, përkundrazi, mendon që është mjaft bezdisëse që Zoti të mos ekzistojë, sepse me të zhduket çdo mundësi të gjeturi vlera në një qiell të kuptueshëm ; nuk mund të ketë më të mirë a priori, pasiqë nuk ka ndërgjegje të pafundme dhe të përkryer që ta mendojë atë ; asgjëkundi nuk është e shkruar që e mira ekziston, që duhet të jesh i ndershëm, që nuk duhet të gënjesh, pasiqë pikërisht ne jemi mbi një plan ku ka vetëm njerëz. Dostojevski kishte shkruar : "Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, gjtihçka do të ishte e lejuar." Këtu është pikënisja e ekzistencializmit. Në fakt, gjithçka është e lejuar nëse Zoti nuk ekziston, dhe për rrjedhojë njeriu është i braktisur, sepse ai nuk gjen as tek vetja as jashtë tij një mundësi ku të kapet. Ai nuk gjen më shfajësime. Nëse, në fakt, ekzistenca paraprin thelbin, nuk do të mundemi kurrë të shpjegojmë duke iu referuar një natyre njerëzore të dhënë dhe të caktuar ; thënë ndryshe, nuk ka determinizëm, njeriu është i lirë, njeriu është liri. Nëse, nga ana tjetër, Zoti nuk nuk ekziston, ne nuk gjejmë përballë nesh vlera apo urdhëra që do të legjitimojnë sjelljen tonë. Kështu, ne nuk kemi as prapa nesh, as përpara nesh, në domenin hyjnor të vlerave, justifikime apo shfajësime. Ne jemi vetëm, pa shfajësime. Kjo është ajo çka unë do ta shpreh duke thënë që njeriu është i dënuar të jetë i lirë. I dënuar, sepse ai nuk e ka krijuar veten e tij, por megjithatë i lirë, sepse me tu hedhur në botë, ai është përgjegjës për gjithçka që bën. Ekzistencialisti nuk beson në fuqinë e pasionit. Ai nuk do të mendojë kurrë që një pasion i bukur është një ciklon shkatërrimtar i cili e përcjell njeriun fatalisht në disa veprime, dhe që, për rrjedhojë, është një shfajësim. Ai mendon që njeriu është përgjegjës për pasionin e tij. Ekzistencialisti nuk do të mendojë dhe që njeriu mund të gjejë një shpëtim në një shenjë të dhënë, mbi tokë, që do ta orientojë atë ; sepse ai mendon që njeriu e deshifron vetë shenjën siç t'i teket. Ai mendon pra që njeriu, pa asnjë mbështetje dhe pa asnjë shpëtim, është i dënuar në çdo çast të shpikë njeriun. Ponge ka thënë, në një artikull mjaft të bukur : "Njeriu është ardhmëria e njeriut." Kjo është tejet e saktë. Por, nëse nga këtej kuptojmë që kjo ardhmëri është e nënshkruar në qiell, që Zoti e sheh atë, atëherë kjo është e paqenë, sepse ajo as që do të ishte një ardhmëri. Nëse kuptojmë që, cilido qoftë njeriu që shfaqet, ka një ardhmëri për tu bërë, një ardhmëri të virgjër që e pret, atëherë kjo fjalë është me vend. Por atëherë, jemi të braktisur. Për t'ju dhënë një shembull që të lejojë të kuptojmë më mirë braktisjen, do të citoj rastin e një prej nxënësve të mi që ka ardhur të më gjejë në rrethanat e mëposhtme : babai i tij ishte prishur me nënën e djalit, dhe madje ishte i anuar për të bashkëpunuar me Gjermanët, vëllai i tij i madh kishte qenë vrarë në ofensivën gjermane të 1940-ës, dhe ky djalë i ri, me ndjenja paksa primitive, por bujare, dëshironte të hakmerrej për të vëllain. E ëma jetonte e vetme me të, tejet e përvuajtur nga gjysmë-tradhtia e të shoqit dhe nga vdekja e djalit të madh, dhe nuk gjente tjetërkund ngushëllim përveçse tek djaloshi që kisha përballë. Ky djalosh kishte zgjedhjen, në këtë çast, ose të nisej për Angli dhe të futej në Forcat Franceze të Lira – d.m.th., ta braktiste të ëmën – ose të rrinte pranë nënës së vet, dhe ta ndihmonte për të jetuar. Ai e kuptonte mjaft mirë që kjo grua jetonte vetëm për të dhe që zhdukja e tij dhe ndoshta vdekja e tij – do ta zhyste të ëmën në dëshpërim të thellë. Ai kuptoi gjithashtu që në thelb, konkretisht, çdo akt që ai bënte kundrejt nënës kishte shpërblimin e vet, në këtë kuptim që ai e ndihmonte atë për të jetuar, në vend që çdo akt që ai do të bënte për të ikur dhe luftuar ishte një akt i paqartë që mund të shkonte dëm, të mos hynte në punë : për shembull, duke u nisur për Angli, ai mund të rrinte pafund në një kamp spanjoll, duke kaluar nëpërmjet Spanjës ; ai mund të arrinte në Angli ose në Algjer dhe të vihej në një zyrë për tu marrë me shkresa. Për rrjedhojë, ai gjendej përballë dy tipesh veprimi tejet të ndryshme – njëri konkret, i menjëhershëm, por që i drejtohej vetëm një individi, dhe tjetri një veprim që i drejtohej një bashkësie më të gjerë, një kolektiviteti kombëtar, por që ishte nga vetë këndej i paqartë, dhe që mund të ndërpritej në rrugë e sipër. Dhe, në të njëjtën kohë, ai nguronte ndërmjet dy tipesh morali. Nga njëra anë, një moral i simpatisë, i përkushtimit individual, dhe nga ana tjetër, një moral më i gjerë, por me një efikasitet më të diskutueshëm. Duhej zgjedhur ndërmjet të dyjave. Kush mund ta ndihmonte për të zgjedhur ? Doktrina e krishterë ? Jo. Doktrina e krishterë thotë : jini të mëshirshëm, duajeni fqinjin tuaj, flijohuni për tjetrin, zgjidhni udhën më të vështirë etj., etj. Por cila ishte udhë më e vështirë ? Kë duhet të duam si vëllaun tonë, luftëtarin apo nënën ? Cila është dobia më e madhe, ajo e paqarta, të luftosh në një tërësi apo ajo e sakta, të ndihmosh një qenie të caktuar për të jetuar ? Kush mund të vendosë këtu a priori ? Askush. Asnjë moral i nënshkruar nuk mund ta thotë këtë. Morali kantian thotë : mos i trajtoni kurrë të tjerët si mjet por si qëllim. Shumë mirë ; nëse unë rri pranë nënës sime, unë do ta trajtoj atë si qëllim dhe jo si mjet, por nga vetë ky fakt, unë rrezikoj të trajtoj si mjet ata që luftojnë përreth meje ; dhe anasjelltas, nëse shkoj të bashkohem me ta unë do t'i trajtoj ata si qëllim, dhe nga ky fakt rrezikoj ta trajtoj nënën time si mjet.


(vijon)
E identifikuar
The Sphinx

Shiko profilin
« Përgjigjja #7 më: 12-07-2006, 10:42:00 »
Citojeni

Shumë falemnderit qe e ke sjelle këtu. Goxha pune! buzeqeshje
E identifikuar
oiseau en vol

Shiko profilin
« Përgjigjja #8 më: 13-07-2006, 17:10:56 »
Citojeni

The Sphinx, përderisa është një konference qe te gjithë ia kanë dëgjuar zërin, por jo te gjithë lexuar, atëherë është vërtetë një kenaqesi nëse ndonjëri ndalet pak minuta për te krijuar idenë e tij te vet mbi Sartre dhe mbi ekzistencializmin. Ju përshëndes dhe unë buzeqeshje

Pjesa me poshte duhet pare mirë sepse Sartre fillon te thotë me shkoqur si duhet kuptuar liria e njeriut.


6.


Nëse vlerat janë të paqarta, dhe nëse ato janë gjithmonë tepër të gjëra për rastin preciz dhe konkret që ne konsiderojmë, nuk na mbetet gjë tjetër përveçse tu besojmë instinkteve tona. Kjo është ajo çka ky djalë i ri është përpjekur të bëjë ; dhe kur unë e kam takuar atë, ai thoshte : në thelb, ajo që ka rëndësi, është ndjenja ; duhej të zgjidhja atë çka më shtyn vërtetë në njëfarë drejtimi. Nëse ndjej që unë e dua nënën time aq sa për të sakrifikuar gjithçka për të – dëshirën time për hakmarrje, për veprim, për aventura – unë rri pranë saj. Nëse, përkundrazi, ndjej që dashuria ime për nënën nuk është e mjaftueshme, unë iki. Por qysh të përcaktohet vlera e një ndjenjë ? çfarë e bënte vlerën e ndjenjës së tij për nënën e vet ? Pikërisht fakti që ai rrinte për të. Unë mund të them : e dua aq shumë këtë mik sa për t'i falur një shumë parash ; unë mund ta them kështu vetëm nëse e kam bërë këtë tashmë. Mund të them : e dua aq shumë nënën time për të qëndruar pranë saj, nëse kam qëndruar me të. Unë nuk mund ta përcaktoj vlerën e kësaj ndjenjë përveç nëse, pikërisht, kam bërë një veprim që e vulos dhe e përcakton atë. Mirëpo, meqë unë i kërkoj kësaj ndjenjë të justifikojë veprimin tim, unë gjendem i futur në një rreth vicioz.

Nga ana tjetër, Gide e ka thënë fort mirë që një ndjenjë që luhet apo një ndjenjë jetohet janë dy gjëra pothuaj të padallueshme nga njëra-tjetra : të vendos që e dua nënën time duke ndenjur pranë saj, apo të luaj një komedi që do të bëjë që unë të rri për nënën time, kjo është pak a shumë e njëjta gjë. Thënë ndryshe, ndjenja ndërtohet nga veprimet që bëjmë ; pra unë nuk mund të mbështetem tek ajo për tu drejtuar. çka kjo do të thotë që unë as nuk mund të kërkoj në veten time gjendjen autentike që do të shtyjë të veproj, as t'i kërkoj një morali konceptet që do të më lejojnë të veproj. Të paktën, do të thoni ju, ai ka vajtur të këshillohet me një mësues. Por, nëse ju kërkoni një këshillë pranë një prifti, për shembull, ju e keni zgjedhur këtë prift, ju e dinit tashmë pak a shumë atë çka ai do t'ju këshillonte. Thënë ndryshe, të zgjedhësh këshilltarin, kjo është akoma të angazhosh vetveten. Prova këtu është që, nëse ju jeni i krishterë, ju do të thoni : këshillohuni me një prift. Por ka priftërinj kolaboracionistë, priftërinj asnjanës, priftërinj rezistentë. Cili të zgjidhet ? Dhe nëse djali i ri zgjedh një prift rezistent, ose një prift kolaboracionist, ai ka zgjedhur tashmë llojin e këshillës që do të marrë. Kështu, duke ardhur të më takojë mua, ai e dinte përgjigjen që do t'i jepja, dhe unë kisha vetëm një përgjigje për t'i dhënë : ju jeni i lirë, zgjidhni, d.m.th. sajoni. Asnjë moral i përgjithshëm nuk mund t'ju tregojë çka është për tu bërë ; nuk ka shenja në botë. Katolikët do të përgjigjen : po, ka shenja. Le t'i pranojmë, jam unë sidoqoftë ai që zgjedh kuptimin që ato kanë. Ndërsa kam qenë i kapur rob, kam njohur një njeri të shënuar që ishte jezuit ; ai kishte hyrë në urdhërin e Jezuitëve në këtë mënyrë : ai kishte pësuar njëfarë numri dështimesh të mëdha ; fëmijë, i ati kishte vdekur duke e lënë të varfër, ai kishte qenë futur në një institucion fetar ku e kishin bërë të ndjehet gjithmonë që ai ishte pranuar aty për mëshirë ; më vonë, ai nuk ia kishte dalur mbanë të merrte disa fletë nderimi që u pëlqejnë aq shumë fëmijëve ; pastaj, rreth tetëmbëdhjetë vjeç, ai kishte dalur huq në një aventurë sentimentale ; së fundi në moshën njëzet e dy vjeç, gjë mjaft e rëndomtë, por që kishte qenë pika që e kishte mbushur kupën, ai kishte dështuar në përgatitjen e tij ushtarake. Ky djalosh mund të konsideronte pra që ai kishte dështuar në të gjitha ; kjo ishte një shenjë, por një shenjë e çfarë ? Ai mund të strehohej në hidhërim ose në dëshpërim. Por ai ka gjykuar, me mjaft zgjuarsi për të, që kjo ishte shenja që ai nuk qe bërë për fitore shekullare, dhe që vetëm fitoret e fesë, të shenjtërisë, të besimit, ishin të arritshme për të. Ai ka parë këtu pra një fjalë të Zotit, dhe ka hyrë në urdhërin e Jezuitëve. Kush nuk e sheh që vendimi i kuptimit të shenjës ka qenë marrë nga vetëm ai ? Do të kishim mundur të nxirrnim dhe tjetër gjë nga kjo seri dështimesh : për shembull që ia vlente më mirë që ai të qe ndërtimtar ose revolucionar. Ai mbart pra përgjegjësinë e plotë të deshifrimit. Braktisja mpleks këtë që ne e zgjedhim vetë qenien tonë. Braktisja shkon me ankthin tonë. Përsa i përket dëshpërimit, kjo shprehje ka një kuptim tejet të thjeshtë. Ajo do të thotë që ne mjaftohemi të mbështetemi mbi atë çka varet nga vullneti ynë, ose mbi tërësinë e gjasave që e bëjnë të mundshëm veprimin tonë.


(vijon)


p.s. : ka mundësi qe postimet e metejshme te bëhen pak me te rralla, sezoni i veres i ka këto pune. Pushime te mbara te gjithëve !


E identifikuar
Vështrusja

Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #9 më: 15-07-2006, 12:04:19 »
Citojeni

Sartre, "Neveria", dhe Ekzistenca

Tani shpejt kam mbaruar se lexuari romanin e Sartre Neveria. Duhet te them se ky roman sherben si një mënyrë e shkelqyer për te kuptuar filozofine e Sartre. Ndoshta unë personalisht nuk patjohem plotësisht me pikëpamjet filozofike te Sartre, kjo nuk ja heq aspak bukurine romanit te tij apo mendimeve te tija. Kisha lexuar me pare mbi Sartre dhe i kisha dëgjuar disi mendimet e tij mbi ekzistencën, por ky roman e kap aq bukur mendimin e tij saqë është e pamundur të mos e vleresosh.

Me poshtëë po tregoj pak për romanin duke shkeputur tek-tuk citime nga ai dhe duke i diskutuar ato citime ne kontekstin e filozofise se Sartre.

Ngjarja fillon me vendimin e Rokantenit (protagonisti), një historiani qe jeton ne Francë, për te mbajtur një ditar në vend qe shpjegoje sensasionet qe e kanë ngacmuar atë kohët e fundit. Pas pak ditesh ai është aq i permbushur me çfarë ai quan Neveri saqë fillon te përmend çdo detaj, çdo ndjenjë, çdo impresion qe është duke ndodhur brenda dhe jashtë vetes se tij.

Rokanteni nderroi banim dhe erdhi në Bouville (Francë) për te vazhduar studimet, kerkimet e tija mbi de Rollebon (një aristokrat Francez qe ka jetuar gjat Revolucionit). Rokanteni mendonte se duke levizur tek vendi ku kish banuar vete Rollebon, ai do të arrinte për ta kuptuar me mirë këtë personazh historik. Por një nga pikat kryesore te romanit ndodhë kur Rokanteni kupton se, ne fakt, ai nuk mund te kuptoje dot kurrë Rollebon, te paktën jo ashtu sikur ky i fundit te ishte akoma i gjallë.

Pra, Rokanteni e ndjen veten te kufizuar nga e kaluara, dhe ne këtë mënyrë ai zgjedhe qe te jetoj vetëm ne te tashmen. E kaluara është vetëm një koncept i pakuptimt qe nuk ekziston, ndryshe nga e tashma ku gjërat ekzistojne.

Mënyra sesi Sartre luan me kohën, sesi e përshkruan ekzistencën dhe mënyra sesi përshkruan reagimet tona kur përballemi me këtë ekzistencën është shumë e lezetshme. Lexoni çfarë shkruan duke observuar një plakë:

"Ndalet, ndreq shaminë. Duart i dridhen. Niset përsëri: tani e shoh nga shpina. Gërdalla plakë! Përfytyroj sikur do të kthehet në të djathtë në bulevardin Noar. Ka për të ecur nja njëqind metra: për hapin që ka i duhen dhjetë minuta, dhjetë minuta gjatë të cilave do të rri kështu, duke e parë, me ballë të ngjitur pash xhamit. Do të ndalet njëzet herë, niset përsëri, ndalet…

Po shoh të ardhmen. Eshtë atje, vendosur në rrugë, sa për të thënë, më e zbehtë se e tashmja. C'i duhet të vijë? Cfarë do të sjellë më tepër? Plaka largohet duke u capitur, ndalon, shtrëngon një balluke të përhimtë që i del nga cepi i shamisë. Ecën, ishte atje, tani është këtu… Nuk di më se ku jam: vallë jam duke parë lëvizjet e saj, apo mos jam duke paraparë? Nuk dalloj më të tashmen nga e ardhmja e megjithatë kjo gjendje po zgjat, po realizohet pak nga pak; plaka ecën përpara në rrugën e shkretë, ngre me zor këpucët e veta të mëdha për meshkuj. Kjo është koha, koha fare lakuriq, ajo gjen ngadalë ekzistencën, të bën ta presësh dhe kur të vijë, njeriu pështiroset, sepse kupton që ajo tashmë ka qenë e pranishme prej kohe."

Ajo qe ndodhë është se Rokanteni fillon te kuptoje qe kjo ndjenja e Neverise është e lidhur me ekzistencën. Ai zbulon qe "ekzistenca paraprine esencen". Gjera perfaqesore ashtu si shija, ngjyrat, ererat, peshat, dhe aparencat janë vetëm një krijim i observuesve. Ne një pikë ne romanin Rokanteni përpiqet ti mbushi mendjen një tjetër personazhi qe dashuria është vetëm një esencë, qe nuk ka kuptim ne ekzistencën, vetëm asgjesi.

Sartre dallon midis një "qenie-ne-vetvete" (objekt) dhe një "qenie-për-vetvete" (consciousness, ndergjegjia njerëzore). Në lidhje me "qeniet-ne-vetvete", lexoni çfarë thot Rokanteni duke observuar banakierin e një kafeneje:

"Ai quhet Adolf. E pashë teksa ulej dhe vazhdova, sepse nuk mund të ktheja kokën. Eshtë i veshur me këmishë, me rripa në ngjyrë lila: ka përveshur mëngët e këmishës deri sipër bërrylit. Rripat mezi shihen mbi këmishën e kaltër, janë krejt të fshehur, të zhdukur nën të kaltrën, por kjo është një vuajtje e rreme: në të vërtetë ata nuk mbeten pa u diktuar, më ngacmojnë me kokëfortësinë e tyre dhe më bëhet sikur të nisur për t'u bërë ngjyrë lila, ishin mbetur në udhë pa i braktisur fillesat e veta. Njeriu ka dëshirë t'u thotë: 'Hajde, kthehuni në ngjyrë lila e të marrë fund kjo punë.'Po, jo, ata mbeten pezull, kokëgdhë në atë përpjekjen e tyre që nuk përfundon. Nganjëherë e kaltra që i rrethon rrëshqet mbi ta dhe i mbulon plotësisht:  një çast nuk i shoh. Mirëpo kjo s'është veçse një dallgë, e kaltra zbret së shpejti vende vende dhe shoh se si shfaqen ishuj me ngjyrë gjysmë jargavani, të cilët zgjerohen, bashkohen dhe i rikrijojnë rripat."

Momentet e Neverise se Rokantenit vine kur ai e kupton qe është duke krijuar esencen, apo karakteristikat, e objekteve qe sheh. Ai e kupton qe ngjyra është thjesht një ide, dhe "lila" është vetëm një fjale  e papërshtatshme për te pershkruar diçka qe ai s'ka pare me pare. Esencat e objekteve janë vetëm diçka siperfaqesore qe ne te vërtetë vetëm sa fshehin lakuriqesine e pashpjegueshme te ekzistencës.

Në lidhje me "qeniet-për-vetvete", ai kupton qe këto mund ta zgjedhin esencen e tyre, ashtu siç mund te zgjedhin çfarë ngjyrë një objekt është. Ne këtë mënyrë Sartre ka besuar qe ne jemi te lirë për te bërë çfarëdo qe duam.

Po të keni lexuar dhe I huaji nga Camus, besoj qe do të shikoni karakteristika te ngjashme ne filozofine e tyre. Për shembull, konsideroni mënyrën sesi Sartre dhe Camus e përdorin Diellin ne këto dy vepra. Me duket pothuaj identike por do të kisha dëshirë qe dikush te na sqaroje me tepër në lidhje me këtë.

Gjithashtu, meqense te një teme tjetër ne këtë forum është përmendur Heidegger ne kontekstin e një ekzistencialisti, nuk besoj se mund te mohojme qe, se paku, ka një ngjashmëri ndermjet Heidegger dhe Sartre përsa i përket mënyrës se si këta te dy e shohin Kohen, te Tashmen.

Kaq nga unë për tani.

Ju përshëndes … dhe, oiseau, pergezime për punën qe keni bërë et bonne vacance. buzeqeshje

p.s.: Citimet nga Neveria i kam marrë nga versioni i romanit qe është botuar me 1994 nga Shtepia Botuese Tirana.
E identifikuar
Elegance
Witty, Kind & Sophisticated.
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #10 më: 03-05-2007, 18:35:58 »
Citojeni

Shumë gjëra ineresante qenkan shkruajtur këtu, s'i lexova të gjitha, megjithatë lexova plot. Urime. Edhe mua si amatore te cmendur e te vdekur pas Filozofise, më ka pëlqyer shumë Sartre. Sa te mencur qe ishin filozofet njëherë e një kohe, ehh?!
E identifikuar

"Live like an artist, think like a philosopher, and act like a scientist."
Elated
Gjinia: Femër


Shiko profilin
« Përgjigjja #11 më: 08-08-2007, 21:13:30 »
Citojeni

'oiseau en vol' Flm për materialin perkthyer ne shqip!  buzeqeshje
E identifikuar

Muri i ulet kalohet.
Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Forumi:  
Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin Wallpapers | Filmime Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Direktoria | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Yasnw | MuzikaWeb LinksMoz | Balkan | Shqiperia | Albania | Shtypi Shqiptar PDF | Blogu Shqiptar | MSN Avatars |