Verifikohet dhe nje here qe ne Shqiptaret jemi nje komb qe nuk biem dakort per asnje gje, duke marre te qenur si fakt qe te gjithe qe shkruajne ketu jane Shqiptare.
Kishte nje artikull Shekulli sot shume interesant.
-------------------------------------------------------------------------------------------------
Evropa â⬓ një ide e bukur
M. Sc. Edlira Mulla
Nuk kalon asnjë ditë pa dëgjuar këtë në programet televizive e radio, apo pa e lexuar në faqet e gazetave. "... Asociimi i Shqipërisë për në BE ..." "integrimi evropian ...", "raundi i parë, raundi i dytë" ... etj., etj. Madje, edhe prej atyre që këto fjalë nuk i përdorin dot se u duken "të mëdha", nxiten plot biseda në rrethe shoqërore e familjare, ashtu thjesht: "Ah, të ishim në Evropë, pa ...". Të krijohet përshtypja sikur gjërat do të ndryshonin si me magji, po të "ishim në Evropë". Kush ka qenë "në Evropë", qoftë edhe për pak kohë, mund ta tregojë ndryshimin mes ëndrrës e aspiratës sonë dhe realitetit ku jemi. Madje, plot emigrantë janë bërë "evropianë" në sjellje e mentalitet dhe janë integruar aq mirë me jetën atje, sa kur vijnë këtu ndihen si të huaj, edhe pse janë shqiptarë. Patjetër që ka mjaft individë të kombit tonë, të cilët janë gati për të hyrë denjësisht në Evropë, e kjo na bën pak optimistë. Madje, pa kaluar në vetëmburrje, duhet ta pranojmë që në përgjithësi ne jemi komb i zgjuar. Për shembull, ne i kapim shumë shpejt gjuhët e huaja, pavarësisht nga niveli arsimor që kemi [shihni emigrantët tanë sa shpejt i mësojnë gjuhët e cilitdo vend ku shkojnë], kemi ndjenja familjare dhe madje me të ardhurat që nxjerrim "në Evropë", i mbajmë familjet tona që i lemë në "mëmëdhe". Ne merremi si shembull për tolerancën fetare dhe përveç atyre që u përmendën më lart, thuhet se ne shqiptarët kemi fatin të jetojmë në një vend me natyrë të bukur. Por, pavarësisht nga këto vlerësime pozitive, Evropa prapëseprapë po mbetet një ëndërr që e shohim çdo ditë me sy hapur.
Për qeverinë, politikanët, institucionet e luftën ndaj korrupsionit kanë folur mjaft të tjerë deri më sot. Ky artikull thjesht drejton vëmendjen te niveli individual, te secili prej nesh dhe është fokusuar për të "ngacmuar miqësisht", disa prej mentaliteteve që i hasim këtu dhe që, dashje pa dashje, po ndikojnë në vonesën e realizimit të ëndrrës sonë kombëtare.
Nganjëherë ne, populli i thjeshtë, dukemi tamam si ato vajzat që rrinë përpara pasqyrës, ëndërrojnë për "princin e tyre të kaltër" dhe nuk bëjnë gjë konkretisht për t'u bërë vetë një "nuse e denjë për një princ". Madje, edhe takimet në rangje të larta të diplomatëve u përngjajnë shumë takimeve të mblesëve për fejesat që ndodhnin mes çifteve të brezave të mëparshëm.
- çfarë arsimi ka kryer djali? ... Po vajza? ...
- Ku punon djali? ... Po vajza? ...
- Si janë nga ekonomia ata të familjes së djalit? ... Po ata nga vajza? ...
- Se mos ka ndonjë ves djali? ... Po vajza?
Prej mblesëve të kujdesshëm tej mase ka edhe mjaft pyetje të tjera që shtrohen për diskutim për të parë në ia vlen të bëhet fejesa. Por kur djali e vajza takohen personalisht, atëherë vihet në provë "ideja" e fejesës së mundshme mes tyre. A ndihen ata vetë të përshtatshëm për njëri-tjetrin? A janë që të dy në lartësinë e duhur me njëri-tjetrin për të punuar, jetuar dhe për t'u gëzuar së bashku në një familje? Sikur brenda natës situata të ndryshonte dhe në mënyrë të mrekullueshme të ndodhte që Evropa të binte dakord të "fejohej" me Shqipërinë, si do të ndiheshim? Normal që fejesat festohen, por festa te ne nuk është aq e thjeshtë për t'u organizuar. A do ta festonim ne futjen në BE me një miting të madh e të përbashkët si komb, apo do të bënim mitingje të ndryshme në vende e orë të ndryshme, me flamuj me ngjyra të ndryshme, a thua se nuk jemi një komb i vetëm? Apo, mos ndoshta, në vend të mitingjeve festive do të ziheshim për javë të tëra, duke diskutuar se e kujt ishte merita që Evropa na pranoi dhe se i kujt ishte faji që pranimi ndodhi me kaq vonesë? Larg qoftë, por mund edhe të ndodhte që të kalonim vite të tëra për të gjetur e ndëshkuar fajtorët që na lanë "larg Evropës" për kaq kohë.
Sikur atë mëngjes që Shqipëria të futej në BE, qeveria jonë të gdhihej "e mirë dhe kompetente", sikur partitë politike të gdhiheshin "opozitare por simotra", pyes veten: "Vallë si do të gdhihej qytetari e fshatari i thjeshtë?" A jemi ne, populli, gati për të "hyrë në Evropë"? Sa përafrohen mentaliteti ynë aktual dhe kapacitetet tona individuale me ato të një njeriu të thjeshtë, të "rangut tonë" në Evropë?
Po ta nisja me brezin e ri, ata që kanë studiuar jashtë e ndiejnë menjëherë ndryshimin në mentalitet mes studentëve tanë e atyre "të Evropës". Le ta lemë mënjanë infrastrukturën e arsimit tonë e të diskutojmë pak për mentalitetin, i cili do kohë të ndryshojë dhe gjithashtu kërkon edhe vullnet të mirë. Vihet re se pjesa më e madhe e nxënësve të shkollave të mesme ka mjaft vite që nuk po dalin me nota të mira. Po ashtu, shumë pak prej të rinjve tanë e përfundojnë arsimin e lartë me nota të mira. Shifrat e larta të ngelësve për vjeshtë e në stazh konfirmojnë se përgatitja intelektuale e një pjese të mirë të të rinjve lë për të dëshiruar. Në Evropë, të gjithë studentët dallohen nga të rinjtë e tjerë jostudentë jo vetëm prej çantave nga ana e jashtme, por dhe prej orëve të gjata të punës së pavarur nëpër biblioteka. Këtu te ne, bibliotekat e universiteteve duket sikur do kishin më shumë frekuentim po të ndërtoheshin pranë diskove e lokaleve, sepse ka të ngjarë që kur të lodhen prej argëtimit të stërzgjatur gjatë ditës, studentët të çlodhen pak, duke studiuar në bibliotekë në orët e vona të natës.
Edhe një aspekt tjetër "prekës" i jetës studentore: "në Evropë" kopja në provim dënohet rëndë dhe të rrallë janë ata që guxojnë të përgatisin kopje për provimet, kurse te ne mes mjaft studentëve ekziston thënia se "po nuk kopjove, nuk quhesh student". E hidhur kjo kur e ndesh si dukuri, por e vërtetë dhe ka pasoja të mëdha, pasi brezi i ri po mësohet të bashkëjetojë me dembelizmin dhe më e keqja është se po rritet pa vizion profesional për të ardhmen. Ky brez ndoshta do të jetë ai që do të ketë fatin ta shohë realisht Shqipërinë anëtare të BE-së, por a do të jetë vallë i përafruar intelektualisht me bashkëmoshatarët e vet evropianë? "Në Evropë" njerëzit kualifikohen profesionalisht, marrin edukatën si "ta gjejnë", një punë që u përshtatet aftësive të tyre dhe punojnë fort që "ta mbajnë" atë vend pune e të bëjnë përpara në karrierë. Te ne, për mjaft njerëz ekziston ende mentaliteti fosil "të na japin punë", "të na venë në punë", e pse jo, edhe frika "se mos na heqin nga puna". Madje, edhe studimet universitare nga mjaft veta kohët e fundit po bëhen jo për të marrë profesionin përkatës, por "për ta patur një diplomë në xhep, se ku i dihet si vjen koha". E pra, koha mund të vijë që të hyjmë në BE një ditë. Por del pyetja: Sa do ta gjenim dot e si do ta mbanim një vend pune, sikur kjo të ndodhte me vërtet që nesër? Evropa u bë kjo që shohim ne sot, sepse i hapi rrugën dijes dhe punës. Në Evropë do t'i bënim vend vetes vetëm po të ishim të shkolluar e punëtorë të zellshëm. Kaq e thjeshtë është! Ne duhet të përgatitemi për në BE, personalisht, secili!
Sot, pas afro 15 vjetësh të ndryshimit të sistemit qeverisës, gishti tregues po i drejtohet nga shumica jonë vetëm qeverisë për vonesën në pranimin e vendit tonë në Evropë. Qeveria patjetër që ka përgjegjësinë e saj në procesin e Asociimit të Shqipërisë në BE, por e vërteta është që po aq përgjegjësi ka secili shqiptar për t'u përafruar individualisht në kapacitet e mentalitet me Evropën. Në Evropë qytetarët thonë se "Populli e meriton atë qeveri që ka mbi krye". Qytetarët evropianë i kërkojnë llogari deri në një qeverisë që kanë zgjedhur dhe edhe ne duhet të stërvitemi që të bëhemi llogarikërkues të mirë ndaj qeverisë e qeveritarëve tanë. Përshtatshmërinë me mentalitetin dhe etikat evropiane të qeverisjes, punës, shkollimit e biznesit i kemi vetë në dorë, secili sipas pozitës që ka në shoqëri.
Gjithsesi, për ta mbyllur, mendoj se nuk ka pse ta shohim gotën si "gjysmë bosh". Ne i kemi mundësitë që ta përdorim zgjuarsinë tonë kombëtare e të punojmë me vullnet që të bëhemi evropianë "nga brenda" vetes. Përndryshe, realiteti thotë se ashtu si ato fejesat e stërzgjatura që prishen për shkak të mospërputhjes së çiftit në karakter e kapacitet, edhe ideja jonë e bukur për të hyrë në Evropë mund të mbetet për shumë kohë vetëm një vegim në eter. Shtetet e tjera që u futën në BE para nesh, e kaluan me sukses provimin e tyre. Tani është radha jonë që ta marrim seriozisht situatën. Le ta shohim, pra, gotën si "gjysmë plot" e le të hedhim të gjithë nga një pikë për ta mbushur!
*Foreign Commonwealth Office / Open Society Institute Scholar [1999-2000]
Fulbright Scholar [2003-2004]
22/04/2005
-------------------------------------------------------------------------------------------------
PS: Une jam

Mireserdhe i her