Besa: Rrëfej emocionet e natës finale të "Top Fest 5"
Intervistë me fituesen e çmimit të madh në eventin më gjigand të muzikës moderne shqiptare 
Fituesja e çmimit të madh në "Top Fest", mbrëmjen e së dielës, Besa, thotë se prindërit biznesmenë nuk kanë asnjë impakt financiar në suksesin e saj me këngën, apo më saktë, në pjesën menaxhuese të aktivitetit artistik. Sipas rrëfimeve të Besës në intervistën e mëposhtme, ajo shfaqet me një individualitet artistik të pakushtëzuar nga prindërit, ku fillesat muzikore i ka të ngjizura që në vegjëli. Më poshtëë, ajo shprehet:
Mbrëmje e madhe ajo e së dielës, apo jo?Shumë emocionuese.
Edhe nëse nuk do të ishit ju fituese?Do të mbetej një mbrëmje emocionuese.
Besa, si mund ta klasifikoni veten me një fjalë (nga pikëpamja shpirtërore), pas shpalljes fituese e edicionit të "Top Fest 5"?Shumë e lumtur. E shpresoja, por thellë nuk e besoja deri në çastin që preka skenën. Isha shumë e emocionuar!
Ju keni marrë dy çmime njëherësh. Por në fakt, ju vetë çfarë kishit ndërtuar në imagjinatë? Pra, deri ku shkonte bindja juaj në lidhje me ndonjë çmim?Shpresa ishte për çmimin e madh. Ndërsa bindja ishte për një çmim.
Hiti juaj, pothuajse e kishte marrë "OK" e publikut, si me dëgjueshmërinë më të madhe në muajt e daljes së këngëve në "Top Fest". Në një farë mënyrë, pati të njëjtin ecuri si në hitet e Alban Skënderajt. Ju vetë, a e keni ndjerë këtë? E kishit testuar suksesin?Po, këtë herë e ndjeja se impakti që kjo këngë kishte pasur e tejkaloi parashikimin dhe suksesin e të gjithë repertorit tim.
Ju Besa jeni njëherësh edhe organizatore në disa edicione e një festivali alternativ të muzikës moderne shqiptare, siç është "Mikrofoni i artë". Por, si do ta gjykonit "Top Fest" (pa tifozllëk), nga pikëpamja profesionale?Për të qenë e saktë, kam qenë organizatore vetëm dy herë, në vitin 2004 dhe 2007. Për sa i përket "Top Fest" sivjet, çfarë ka qenë në dorë të organizatorëve është bërë shumë mirë.
Çfarë i sjellin këto festivale muzikës shqiptare?Ato janë luks i madh për artistët. Festivale të këtij lloji nuk ekzistojnë më në vendet evropiane. Në Evropë ekzistojnë ceremoni për shpërndarje vlerësimesh që ka bërë tregu në konkurrencë të drejtë. Ndërsa formate të tilla promovuese të këngëve kanë qenë traditë e vendeve afër tonit, dhe janë në një farë mënyrë zëvendësues të "tregut" muzikor në Shqipëri, i cili as nuk mund të themi që ekziston po ta gjykojmë sipas parametrave të vendeve evropiane.
Nëse të gjithë pjesëmarrësit e një festivali, konkretisht "Top Fest 5", do t‘i publikonin këngët e tyre individualisht, sa prej tyre do të fitonin para? (gjithnjë, duke deduktuar sasinë e parave që do t‘u duhej për ta promovuar më parë)?Shumë pak besoj, ndoshta aspak.
Prandaj mendoj se është luks që artisti të promovohet dhe ndërkohë të paguhet që promovon veten. (Qesh)
Ndërsa, sa i përket muzikës shqiptare, shteti duhet t‘u jetë mirënjohës këtyre sipërmarrësve që investojnë pa kurrfarë përkrahjeje.
Prindërit tuaj janë figura të njohura të biznesit e jetës publike në përgjithësi. Si e pritën triumfin e vajzës së tyre në "Top Fest"?Shumë krenarë dhe të prekur për suksesin tim.
A u kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se Besa do të bëhej një këngëtare e suksesshme?Them se nuk u pëlqente shumë ideja në fillim. (Qesh)
Pas fitimit të çmimit të madh në "Top Fest", cila është udha që do të ndiqni këtej e tutje në muzikë?Nuk besoj se do të marr pjesë nëpër festivale për ca kohë të mira. Po përgatitem për koncertin tim recital "live", e ndërkohë jam duke punuar për albumin tim të dytë.
Ju punoni me zërin. Kush është profesori juaj i vokalit?Unë kam punuar dhe punoj me zërin në mënyrë autodidakt, pra individualisht.
Si i jeni futur rrugës së muzikës, me bindjen që kishit talent dhe doemos duhet të bënit "boom" në fushën e muzikës, apo e nisët si një hobi, si një çlodhje, e në këtë rrugë zbuluat një vetvete që nuk e njihnit?Nuk isha unë e bindur se kisha talent. Mua më evidentoi që në 8-vjeçare mësuesja e muzikës, e më pas ishte Gëzim Osma, një violonçelist që këmbënguli shumë që t‘i futesha muzikës profesionalisht, madje duke u munduar të bindë dhe prindërit. Ja arrita qëllimit që të regjistroja diçka me Edmond Zhulalin, i cili më konfirmoi bindjen e njerëzve të mësipërm.
Më pas, në Angli, profesori im i pianos, sa më dëgjoi të këndoja, më futi në konkursin e talenteve ndërkombëtare mes shkollave, një ditë para evenimentit, dhe e fitova atë. Ndërkohë, sigurisht që ishte pasioni im më i madh, gjithnjë thellë-thellë e dija që këtë gjë do të bëja.
Nga ideja që prindërit tuaj janë biznesmenë, shumë njerëz nuk e kanë quajtur të rëndësishëm faktin se ju do të merrnit 10 mijë euro. Po në të vërtetë, sa e rëndësishme është për ju kjo sasi parash, e më troç, çfarë do të bëni me to?Me to do të realizoj këngë të reja. Pavarësisht bindjes së përgjithshme, unë, që prej këngës "Unik", i mbuloj vetë shpenzimet e muzikës sime dhe kjo me dëshirë, prandaj kanë dhe shumë rëndësi.
G.Shqip