SHËN GJERGJI - BURIM POLITEIZMI DHE INJORANCE
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Të nderuar xhematlinj!
“Shën Gjergji - burim politeizmi dhe injorancë” është ligjërata, të cilën do ta prezantojmë para jush, dhe e cila, edhe pse sot kur po e mbajmë është pas shënimit të kësaj date të mbrapsht, megjithatë arsyeja e ligjërimit të saj është shumë aktuale. Duke ligjëruar në një ceremoni mortore, ndër tjera më rastisi ta përmendja edhe hadithin e Muhammedit, alejhi’s selam:
“إني كنت نهيتكم عن زيارة القبور فزوروها تذكركم الآخرة
Unë ua pata ndaluar vizitën e varrezave. Tani vizitoni ato ngase ua përkujtojnë Ahiretin”. ([1])
Ky hadith më zgjoi kureshtjen edhe më të flas për këtë temë dhe të përmbledh edhe atë që në punimet tjera për të nuk e kam thënë. Pjesa e parë e tij “Unë ua pata ndaluar vizitën e varrezave”, në vete fsheh një urtësi shumë të madhe. Kur Islami u shfaq në këtë botë si version përfundimtar i feve qiellore, me çka u anuluan të gjitha fetë e mëparshme, ai hasi në vështirësi të shumta. Injoranca në çdo aspekt ishte kundërshtari më i madh i tij. Nga frika se tek varrezat, ithtarët e tij të rinj, do të mund të manifestonin ndonjë rit që bie ndesh me besimin që përcakton vetëm adhurimin e Allahut, ai ua ndaloi ato.
Koha kur është thënë kjo fjalë, apo më mirë të them, ka hyrë në fuqi kjo normë, ka tejkaluar periudhën një mileniumeshe, dhe nëse brenda pak vitesh sa ishte gjallë Muhammedi, alejhi’s selam qe anuluar si dispozitë, për arsye të vetëdijesimit të paparë të ithtarëve të tij, megjithatë sot, pas kaq shumë kohe, kjo normë sikur na troket veshët me çekan: “Hej, a shihni se si shkelem! Përse o muslimanë nuk ndërmerrni asgjë që Allahut të mos i bëhet shok?”.
Sot, në kohën e përparimit teknologjik dhe dekadencës kulturore, përshkrimi më real i botës bashkëkohore, njerëzimi, e në veçanti muslimanët, i janë kthyer injorancës së hershme, dhe në vend se ta adhurojnë Allahun, ata adhurojnë varrezat, në vend se ta lusin Allahun për shërim e fëmijë, ata lusin të vdekurit, në vend se ta braktisin besëtytninë, ata zhyten edhe më thellë në të.
O muslimanë! O ju që në ditën e Shën Gjergjit vizitoni teqe e varreza të njohura e panjohura për kërkim shërimi, fati, fëmijësh, etj, dijeni se Allahu jo që nuk do tua plotësoj kërkesat tuaja, assesi, përkundrazi, Ai do t’iu mallkojë. Me këtë gjest ju keni mohuar identitetin tuaj islam dhe keni rënë në kallëpin e krijesave, që për shkak të veprimeve të tilla, u mallkuan nga Allahu. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“لعن الله اليهود والنصارى اتخذوا قبورهم مساجد
Allahu i mallkoi çifutët dhe të krishterët për shkak se varrezat i shndërruan në faltore”.
Në po të njëjtin burim, pra në Sahihun e Buhariut dhe atë të Muslimit, transmetohet dhe urrejtja e Pejgamberit, alejhi’s selam për një dukuri të tillë, e cila shprehet siç vijon:
“قاتل الله اليهود والنصارى اتخذوا قبور أنبيائهم مساجد
Allahu i vraftë çifutët dhe të krishterët! Varrezat e profetëve të tyre i shndërruan në faltore”.
Vëllezër të nderuar!
Vizita e varrezave është lejuar vetëm për përkujtim të vdekjes dhe ahiretit, momente që njeriun do ta ndajnë nga puna dhe do ta transferojnë në vendin e llogaridhënies para Allahut të Madhëruar. Tek varrezat mund të shkosh me këtë qëllim, ndryshe, çdo devijim a lajthitje jashtë kësaj, mohon qëllimin e vizitës dhe të hedh në greminën e mëkateve. Mund ta lusësh Allahun që të vdekurit tënd t’ia fali mëkatet, ta shpërblej me të mirat e Tij, ta bashkoj me të sinqertit por jo edhe ta lusësh vet të vdekurin për asgjë, madje as për ndërmjetësim tek Allahu, ngase një gjë e tillë është cilësuar e dështuar. Allahu ka thënë:
“وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُواْ لِي وَلْيُؤْمِنُواْ بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ
E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua”. ([2])
Ndërmjetësimin e dikujt e ka cilësuar të gabuar dhe, parimisht, formë shirku që të nxjerr prej feje. Thotë Allahu:
“أَلَا لِلَّهِ الدِّينُ الْخَالِصُ وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مِن دُونِهِ أَوْلِيَاء مَا نَعْبُدُهُمْ إِلَّا لِيُقَرِّبُونَا إِلَى اللَّهِ زُلْفَى إِنَّ اللَّهَ يَحْكُمُ بَيْنَهُمْ فِي مَا هُمْ فِيهِ يَخْتَلِفُونَ إِنَّ اللَّهَ لَا يَهْدِي مَنْ هُوَ كَاذِبٌ كَفَّارٌ
Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s'ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar”. ([3])
Besimtarë të nderuar!
Ejani së bashku ta adhurojmë Allahun ashtu siç na ka mësuar, ashtu siç na ka urdhëruar dhe ashtu siç i dërguari i Tij fenë na e ka kumtuar! Allahu kështu na do dhe në një gjendje të këtillë na ndihmon. Ndryshe, mos harroni vetëm një gjë, një porosi me të cilën do e përmbylli këtë hutbe të sotit:
“إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاءُ وَمَن يُشْرِكْ بِاللّهِ فَقَدِ افْتَرَى إِثْماً عَظِيماً
S'ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë) , e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan All-llahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh”. ([4])
Sedat Gani ISLAMI 08/05/2008
Sekretar i K.B.I.-së në Vushtrri Vushtrri