|
Berni
|
 |
« më: 05-03-2007, 11:25:28 » |
|
Kreu i Dhomës së Tregtisë, Kazazi: Presim 350 mijë vizitorë
ELBASAN – Dita e Verës në Elbasan këtë vit nuk do të jetë thjesht simboli i largimit të stinës së ftohtë, por dhe provë për biznesin. Dhoma e Tregtisë së qarkut do të organizojë për 3 ditë me radhë panairin e përvitshëm, ku kanë konfirmuar pjesëmarrjen firma të fuqishme vendase e të huaja. “Birra Korça”, vera “Egnatia”, “Coca cola”, “Olim”, etj. Sipas kreut të kësaj Dhome, Veli Kazazi do të marrin pjesë në panair, duke synuar njëkohësisht dhe rritjen e numrit të vizitorëve të tij.
Zoti Kazazi, cilat janë përgatitjet që jeni duke bërë për panairin e 14 marsit? Dhoma e Tregtisë së Elbasanit, prej më shumë se dy javësh ka bërë njoftimet nëpërmjet medias për zhvillimin e këtij panairi, i cili organizohet çdo vit nga ana jonë. Panairi do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani”, aty ku është zhvilluar çdo vit. Në këtë ambient do të jenë rreth 50 pavijone, ku firmat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të reklamojnë produktet e tyre. Ne aktualisht jemi duke pritur konfirmimet nga firma prestigjioze në Shqipëri për të marrë pjesë në panair. Dhoma e Tregtisë së Qarkut të Elbasanit ka marrë të gjitha masat që panairi “Dita e Verës 2007”, të jetë ndër më të suksesshmit në vitet e fundit. Përveç njoftimeve në media kemi dërguar dhe shumë ftesa, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan për firma me emër që të jenë pjesë e një prej panaireve më të mëdhenj të vitit në vendit tonë.
A mund të përmendni disa nga firmat që e kanë konfirmuar aktualisht pjesëmarrjen në panair? Deri tani janë shumë firma që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë panair që organizohet me rastin e Ditës së Verës. Ndër firmat më prestigjioze që pritet të jenë pjesëmarrës në këtë panair janë “Birra Korça”, vera “Egnatia”, “Coca cola”, “Kurum Internacional”, vaji “Olim”, “Delta”, “ECF”, por dhe disa firma të tjera që ende nuk kanë zyrtarizuar pjesëmarrjen në panairin që do të zgjasë 3 ditë, nga 14 deri më 17 mars. Ne aktualisht jemi duke bërë ndarjen e pavijoneve në ambientet e pallatit të sportit sipas projektit, por dhe sipas kërkesave të vetë firmave për sipërfaqen që ato kanë kërkuar dhe them se deri më datën 12 mars gjithçka do të jetë gati për këtë panair gjigand që simbolizon ardhjen e pranverës. Nga eksperiencat e mëparshme si kryetar i Dhomës së Tregtisë në Qarkun e Elbasanit mund të them se gjithmonë panairet që kemi zhvilluar me rastin e kësaj dite të shënuar kanë rezultuar mjaft të suksesshëm. Ndaj dhe ne jemi të gjithë në gatishmëri që dhe në këtë panair gjithçka të jetë e përkryer për të treguar se biznesi në Shqipëri dhe kryesisht në zonën e Shqipërisë së Mesme është ndër më të fuqishmit.
Cilat janë synimet në këtë panair që ka Dhoma e Tregtisë së Elbasanit? Synimi kryesor i panairit është padyshim dhe mbetet rritja e numrit të vizitorëve. Në vitin 2005 numri i tyre ka qenë rreth 200 mijë vizitorë, vjet 300 mijë, ndërsa këtë vit synojmë që të tejkalohet shifra e 350 mijë vizitorëve. Nëse do të arrihet ky synim, atëherë do të shënohet një sukses jo vetëm për Dhomën e Tregtisë, por dhe për të 50 firmat pjesëmarrëse të panairit.
G.Panorama
|