|
Berni
|
 |
« më: 16-08-2007, 06:54:05 » |
|
Për një mbrëmje, di xhei amerikan Deni Tenalja, paguhet 47 mijë euro në dorë, ndërkohë që për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit e të akomodimit për vete si dhe për stafin, kërkon edhe 25 mijë euro të tjera
Për të gjithë ne, profesioni i di xhei-t hyn tek ata të lehtit e të këndshmit, në fund të fundit bëhet fjalë thjesht për ndërrimin e disqeve në pub-e, diskoteka apo koncerte, apo më thjesht akoma, me mbërritjen e programeve të sofistikuar muzikorë për kompjuterë, falë të cilëve rendi i këngëve mund të përcaktohet me një klikim të thjeshtë. E megjithatë, nuk duket i tillë kur mësojmë se për një mbrëmje, di xhei amerikan Deni Tenalja, paguhet 47 mijë euro në dorë, ndërkohë që për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit e të akomodimit për vete si dhe për stafin kërkon edhe 25 mijë euro të tjera (një euro më shumë, një euro më pak). E thënë më thjesht, një lokal që dëshiron të ketë shërbimin e tij për një natë të vetme, duhet të paguajë jo më pak se 80 mijë euro.
Deni, "përbindëshi" i muzikës "house" ka lindur në Bruklin të Nju- Jorkut, ku që në moshë të vogël vihet në kontakt me muzikën, duke mësuar të luajë në saksofon dhe kitarë. Por në fillimet e karrierës së tij nuk ndodh asgjë e veçantë dhe duhet të vijë çasti i zbulimit të profesionit të di xhei-t që Deni të marroset e të vendosë që në pjesën tjetër të jetës nuk do të bëjë tjetër, veç të ndërrojë disqe.
Edhe pse që nga adoleshenca kishte provuar pa pushim të gjitha mënyrat për të çarë në botën e muzikës, duhej të vinte viti 1985 që "djali me kapele bejsbolli" (është diçka nga e cila Deni nuk ndahet kurrë, janë të paktë ata që kanë pasur rastin ta shohin pa kapele bejsbolli në kokë), të vendoste të shkonte në Majami. Dhe pikërisht aty, në Florida, shpejt ai kthehet në yllin e yjeve të muzikës "house". Produkte diskografike si "Waiting for a call" apo remiksi i një prej pjesëve të Seventh Avenue, e titulluar "The love I lost", e bëjnë të njohur në mbarë botën. Në vitin 1995 nxjerr edhe albumin e parë "Hard & Soul".
Remiks për Madonën
Fama botërore iu shtua veçanërisht kur yjet e mëdhenj të rruzullit u dashuruan me të dhe nisën të viheshin në radhë për të remiksuar këngët tek ai. Lista është mjaft e gjatë: Pet Shop Boys, Grace Jones, Jamiroquai, Madonna, Depeche Mode, Janet Jackson, Michael Jackson, New Order, Lisa Stansfield, janë vetëm disa nga emrat me të cilët ai ka bashkëpunuar. Me gjithë këto impenjime vazhdon të prodhojë disqe për llogari të tijën, ndërkohë që kompilimet e tij pushtojnë gjithë globin.
Mbërritja në Evropë
Dihej prej kohësh që di xhei magjik kërkonte shifra stratosferike për mbrëmjet në koncerte e diskoteka, por saktësisht u mësuan këto ditë, falë kontakteve që agjentët e tij patën me një diskotekë luksoze në Riçone të Italisë, kërkesa me të vërtetë super të shtrenjta dhe ekstravagante. Përballë pultit që përdor në diskoteka Deni Tenalia vendos një xham, mbi të cilin projektohen vazhdimisht imazhe (në fakt qëllimi i vërtetë i xhamit është të mos lejojë publikun t‘i bëjë foto). Xhami vjen posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe kushton plot 5 mijë euro. E gjitha kjo për të mos lejuar ta fotografojnë.
Flamujt të detyrueshëm
Në cilindo lokal ku pranon të luajë, Deni kërkon që të vendosen të paktën 5 mijë flamuj amerikanë, mbi të cilët është shkruar emri i tij. Po kështu, kërkon që edhe 5 mijë bluza me logon e tij t‘i shpërndahen publikut. Mbi vendin ku qëndron, instalon një seri fenerësh kamioni, të drejtuara mbi publikun, të cilat Deni i ndez dhe i fik vazhdimisht. Duhet pasur parasysh që montimi i këtyre dritave u kushton organizatorëve disa mijëra euro. Më tej vazhdohet po me kërkesa ekstravagante, por kësaj here në dhomën e artistit: nuk duhet të mungojnë 10 pako me çamçakëzë të markës "Vivident" (nuk prodhohen në Amerikë, por janë të parapëlqyerit e tij).
Vodka e çamçakëzë
Më pas hidhet te pijet: dhjetë shishe vodke të markës "Absolut" dhe dhjetë të tjera të markës "Stoli", kremra hidratues, pije të lehta të të gjitha llojeve, dhjetëra peshqirë dhe për t‘u relaksuar kërkon një masazhator në dispozicion. Mes manive është edhe ajo e frikës se mund të sëmuret gjatë shfaqjeve. Në Fakt Deni Tenalia nuk pranon as ta prekë kompletin e pajisjeve me të cilat punon, në rast se jashtë lokalit nuk gjenden një ambulancë dhe një helikopter i ndihmës së shpejtë, gati për çdo rast nëse atij vetë apo dikujt prej të pranishmëve u ndodh ndonjë e papritur.
Për sa i përket pultit, pronarët e lokaleve duhet ta ndërtojnë posaçërisht për mbërritjen e di xheit të famshëm, duke respektuar në mënyrë të detajuar dizajnët që Deni i dërgon paraprakisht (në rastin në fjalë i ka dërguar përpara tri javësh). Për t‘u ndjerë mirë, ai ka nevojë për tre metra hapësirë nga dy krahët dhe prapa, pasi në një çast të caktuar të mbrëmjes nis të kërcejë edhe vetë. Pas vendit ku vendoset pulti, kërkon edhe një divan ku të mund të rrinë të paktën katër persona (të ftuar të tij, apo të përzgjedhur nga ai vetë në radhët e publikut).
Sot Tokio, nesër Honolulu
I bërë i famshëm, sidomos falë këtyre çudirave, kërkon të justifikohet: "Nuk jam aspak ekstravagant - ka thënë Tenalia në disa intervista - fakti është që tani më lejojnë të bëj tre, maksimumi katër, ekzibicione në muaj. Kërkesat më vijnë nga lokale nga e gjithë bota. Udhëtoj pa pushim. Për mua normalitet do të thotë të luaj sot në Riçone, e nesër në Singapor, për të vazhduar në Honolulu e ndoshta në Tokio. Kjo është ajo që bëj vazhdimisht. Është e qartë që kërkoj vetëm të shfaqem sa më mirë të jetë e mundur çdo natë, në mënyrë që të kënaq njerëzit që më paguajnë e që kërkojnë t‘u dhuroj një spektakël të paharrueshëm, të ndryshëm nga ajo me të cilën janë mësuar në lokalet e tyre. Mua më intereson vetëm që shfaqja të jetë sa më e bukur, nuk bëhet fjalë për kapriçio. Për të dhënë maksimumin nevojitet maksimumi".
|