|
erlehta
|
 |
« më: 23-01-2007, 22:33:14 » |
|
sms 1
Kam 15 vjet e martuar dhe kam dy fëmijë. Me burrin jemi moshatarë pasi jemi njohur në bankat e shkollës. Këto kohët e fundit jam e shqetësuar pasi e shoh që vazhdimisht shkruan sms në celular, dhe nuk kam pasur mundësi asnjëherë ta mësoj se kujt i shkruan pasi ai gjithnjë e mban celularin me vete. Ndjehem gjithnjë e kërcënuar; ai është ende i ri dhe ndoshta unë nuk i pëlqej më sepse në punë është i rrethuar me vajza të reja e të bukura. Kohet e fundit mardhenia jonë është ftohur pak. Nuk di si të sillem, ne mënyrë qe të mos e perkeqesoj situaten. Ta pyes kujt i shkruan apo të hesht?
përgjigje
Ditëve të sotme telefonat celularë janë bërë pothuaj të pazëvendësueshëm në ofrimin e një sërë mundësive, por ata mund të kthehen fare lehtë në objekte shqetësuese dhe ndërhyrës të papëlqyer në qetësinë dhe jetën private të një marrëdhënieje në çift.
Telefoni celular mund të kthehet në një objekt që sjell ankth në një çift që dyshon besnikërinë reciproke. Jo vetëm partneri që dyshon, por dhe ai që dyshohet për mungesë besnikërie mund ta përdorë celularin si mjetin e parë për të konfirmuar dyshimet. Shfrytëzohen të gjitha rastet që nga gjumi, larja në dush, apo dalja për të blerë diçka për të zotëruar në mënyrë të fshehtë informacionin që mund të zbulohet nga telefoni apo faturat financiare të tij.
Prania e telefonit, thirrjet e papritura, sinjalet e ndryshme e sigurisht sms, edhe pse mund të mos fshehin asgjë pas tyre, kthehen në burime ankthi, frikë dhe shqetësimi për partnerin që dyshon. Si rrjedhim, marrëdhënia nuk merr më vëmendjen e duhur dhe partnerët mund të mos kuptojnë se çfarë po ndodh realisht: qëllimi i vetëm është zbulimi i 'të vërtetës' nëpërmjet monitorimit të telefonit.
Duket se edhe ju jeni tentuar të zbuloni këtë 'të vërtetë' dhe vëmendja juaj tashmë është zhvendosur. Megjithatë duhet të kuptojmë se telefoni është një mjet personal dhe është mëse e kuptueshme që jo vetëm partneri mund ta konsiderojë 'rrëmimin' në telefonin e tij si ndërhyrje shumë personale, por edhe personi që e bën një gjë të tillë mund të mos ndihet mirë nga veprimi i tij. Prandaj duhet patur kujdes në veprimet që ndërmerren.
Pavarësisht se çifti duhet të jetë i sinqertë dhe e ka të nevojshme të dijë çfarë ndodh në jetën e partnerit, duhet të kemi parasysh se çdo njeri ka nevojë për hapësirën e tij personale edhe pse është në çift. Nëse kjo hapësirë dhunohet partnerët perceptojnë se nuk ka besim mes tyre dhe kjo e konsumon dhe 'e lodh' marrëdhënien. Sigurisht kjo hapësirë personale nuk nënkupton që partneri duhet të bëjë çfarë të dojë, por brenda saj t'i përmbahet parimeve, normave, mendimeve apo qëndrimeve që beson apo që ka rënë dakord me partnerin. Nëse këto 'marrëveshje' thyhen dhe sjellja dëmton partnerin, atëherë kjo nuk mund të konsiderohet më hapësirë personale.
Duket se sjellja e tij ju ka dëmtuar, prandaj duhet të rivendosen rregulla të reja për mirë-funksionimin tuaj në çift. Përpiquni të flisni me të sinqerisht. Nuk është e nevojshme që ta pyesni se kush është apo kush i dërgon sms. Ka shumë pak gjasa që kjo pyetje t'ju sjellë përgjigjen që ju kërkoni, përkundrazi mund të interpretohet si dhunim i hapësirës personale apo mund t'ju jepet një përgjigje që do ju bëjë të dyshoni edhe më shumë. Por gjithashtu as nuk mund të heshtni. Bisedoni me të në një moment që ai është i lirë dhe i pavarur nga telefoni. Pra mos e filloni diskutimin kur ai merret me telefonin, por në një moment të qetë që ai e ka vëmendjen te ju. Ashtu sikurse shkruat këtë letër, shpjegojini që sjellja e tij ka pasoja shumë negative në rradhë të parë te ju dhe më pas në marrëdhënien tuaj. Pyeteni se si do të ndihej apo sillej ai në të njëjtën situatë. Çfarë do të bënte ndryshe nga ju? Pyeteni se si duhet ju ta interpretoni sjelljen e tij dhe pse jo thuajini qe ju deri tani e keni interpretuar si sjellje jo korrekte që lë hapësirë për keqinterpretim.
Sigurojeni se nuk dëshironi të ndërhyni në punët apo hapësirën e tij personale, por edhe ju keni të drejtën që të dini se çfarë po ndodh aq më tepër kur të tilla sms ndodhin në ambientin e shtëpisë, në orare që ai presuposohet se duhet të jetë i përkushtuar ndaj jush apo 'orë e pa orë'. Bëjeni të kuptojë interesin tuaj për të. Shpesh diskutime të tilla nëse menaxhohen në mënyrën e duhur e ringrohin marrëdhënien dhe i bëjnë partnerët të kuptojnë që interesi dhe dashuria reciproke është ende aty. Duhet thjesht evidentuar.
Për ta bërë sa më mirë këtë mbi të gjitha ju duhet të ruani besimin në veten tuaj. Nëse humbisni besimin te vetja, atëherë ka shumë pak gjasa që ju ta menaxhoni këtë situatë siç duhet. Prandaj mundohuni të jeni e qetë dhe të mos e paragjykoni bisedën. Përpiquni të jeni e gatshme ta besoni, sigurisht jo me 'sy mbyllur', por në bazë të shpjegimeve apo argumenteve që partneri do ju shtrojë.
Mbi të gjitha ajo që do ju vijë më shumë në ndihmë është përqendrimi i vëmendjes ndaj nevojave, dëshirave, mendimeve, qëndrimeve apo sjelljeve të partnerit tuaj. Kjo sigurisht nuk është e lehtë, sidomos kur nuk është reciproke, por gjithsesi do ju mundësojë të mos vini në fokus të vëmendjes suaj telefonin, por marrëdhënien. Shumë shpejt do kuptoni se kjo vëmendje do ju japë më shumë infomacion, sesa mesazhet e paqarta që mund të vinë në celularin e partnerit.
shkrimmi është mare nga gazeta panorama (psikologu përgjigjet)
|