|
M A X
|
 |
« më: 18-08-2011, 01:19:32 » |
|
Eglantina Bardhi
Prindër që vrapojnë drejt karrierës, punojnë në administrata apo kanë biznese kërkojnë kujdestare fëmijësh. Këto të fundit duhet të jenë të ëmbla, të dinë të komunikojnë dhe të edukojnë fëmijët. Këto janë ndër kushtet kryesore që kërkojnë prindërit për kujdestare fëmijësh apo babysitter siç kanë filluar të thirren kohët e fundit. Deri më sot këta prindër u janë drejtuar rekomandimeve të komshinjve apo të afërmeve për njeriun që do të kujdesej për fëmijët e tyre por në fakt tashmë ata mund tu drejtohen edhe një agjensive për kujdestare fëmijësh. “Dado ime” është për momentin e vetmja agjensi që operon në vendin tonë për këtë qëllim dhe menaxherja e saj Mireda Thana shpjegon tendencat e prindërve dhe të kujdestarëve të fëmijëve në vendin tonë.
Është apo nuk është e vështirë të fusësh ne shtëpi njeriun që do kujdeset për fëmijën tuaj…? Kjo frikë ekziston për të gjithë. Prandaj është mirë që prindërit të drejtohen drejt një agjensie që ëshët profesionalisht e pregatitur për të zgjedhur kujdestarët. Mireda pohon se diçka po lëviz tashmë dhe tendencat për kujdestari fëmijësh po marrin rrjedhën e duhur. “Duhet të dini se duke qenë e parë agjensi e këtij lloji në vendin tonë kemi pasur shumë probleme sepse gjërat e reja në vendin tonë si fillim janë vështirë të rroken. Në fakt në vendin tonë mungon kultura e të orientuarit në një agjensi, në rast se kërkon një person për ta futur në shtëpi. Kështu që ekziston skepticizmi në nivele shumë të larta çka bën një sfidë për ne si agjensi. Fatmirësisht, prindërit që kanë operuar me agjensinë tonë kanë një nivel të lartë kulturor, kanë lëvizur edhe jashtë vendit dhe e kanë parë se si funksionon një agjensi e tillë”,- pohon Mireda Thana.
Agjensia sipas saj ka përgjegjësinë e vet për punësimet që realizon. Në momentin që dikush punësohet, çdo prind apo familje bashkë me kujdestaren merr edhe një dosje të të punësuarit në të cilën është e shënuar çdo gjë për të. Është dokumentacion zyrtar i cili ofron më shumë siguri se sa thjesht fjalët. Në dosje gjendet çdo e dhënë deri tek dëshmia e penalitetit sepse nga ato që kërkojnë të punojnë si dado mund të ketë edhe persona në konflikt me ligjin apo shoqërisht të rrezikshëm. Ndaj, një dëshmi e tillë shmang këto probleme. Kandidati për kujdestar duhet të sjellë edhe librezën shëndetësore bashkë me analizat sepse ata mund të jenë mbartës të ndonjë sëmundjeje ngjitëse dhe të rrezikojë fëmijën. “Dosja me këto të dhëna në radhe të parë ofron siguri për fëmijën, prindërit por edhe për ne si agjensi”, pohon Mireda Thana. Sa i takon kritereve që duhet të plotësojnë kujdestaret, sipas saj kanë një specifikë të veçantë. Në momentin sa nis komunikimi me prindërit plotësohet një listë me të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tyre për kujdestarin. “Preferencat dhe karakteristikat për moshën, prejardhjen, eksperiencat, shkollimin, gjuhët e huaja, hobin, etj., janë disa nga të dhënat në listën që plotësojnë prindërit. Pra, këto kritere dhe karakteristika plotësohen nga vetë prindërit”, pohon Thana. Më pas agjensia gjen personin e përshtatshëm sipas kërkesave të paraqitura dhe prindit i propozohen maksimumi dy alternativa të përshtatshme. “Pas kësaj lëmë një takim me kandidaten për kujdestare dhe fëmijën. Ky është takimi më i rëndësishëm, që vendos nëse kujdestarja do të fillojë punë ose jo”- shpjegon Mireda Thana.
Çfarë kërkojnë prindërit
Kujdestarja e fëmijëve për prindërit duhet të ketë këto karakteristika kryesore. Të jenë të qeta dhe shumë të dashura, të ëmbla dhe të komunikueshme. Të dinë të edukojnë fëmijët dhe të kenë durim që të merren me kërkesat e tyre pse jo edhe me ndonjë tekë të fëmijës por pa e tepruar me to.
Kategoritë e prindërve që duan kujdestar
Kryesisht janë zonja që kanë punë me intensitet të lartë, që punojë në banka, administratë shtetërore, firma të mëdha, apo edhe ën botën e artit. Pra njerëz që kanë një standart disi të lartë jetese dhe janë në karrierë dhe që bëjnë punë të tilla që njihen për oraret e tejzgjatura të punës dhe e kanë të vështirë që të presin dhe të rrinë me fëmijët e tyre gjithë kohës.
Kategoritë e njerëzve që janë kujdestarë fëmijësh
Janë në përgjithësi femra që kanë mbaruar për edukatore por edhe femra që janë të dhëna shumë pas fëmijëve. Nuk kanë ndonjë nivel të lartë ekonomik dhe shumica e tyre nuk e kanë arsimin e lartë. Në përgjithësi janë shtëpiake të cilat nuk kanë pasur mundësi të punojnë në ndonjë profesion apo zanat.
Problemi
Problemi është se në vendin tonë aktualisht mungon një edukim dhe çertifikim i kujdestarëve të fëmijëve çka sjell vështirësi për fëmijët, prindërit, vetë kujdestaret e fëmijëve por edhe për agjensinë që merret me këtë punë. Në botë ekzistojnë këto kurse madje shumë të specializuara. Kujdestarët marrin informacion se si duhet të japin ndihëm e shpejtë, si duhet të përballojnë ndonjë krizë të fëmijës dhe se si dueht ti edukojnë ata.
34 vjeçare është mosha mesatare e kujdestarëve të fëmijëve që punësohen nga agjensia
100% e personave në Shqipëri që shprehin kërkesën për kujdestar fëmijësh janë femra
Dado Valentina: Ja përse kujdestari është i rëndësishëm
“Ndryshimi pozitiv i një fëmije që rritet me kujdestare është shumë i madh në të gjitha drejtimet”, thotë Valentina Alla, një ish-mësuese e ciklit të ulët, tashmë 58-vjeçare në pension. Ish-metodiste për tridhjetë vjet me klasat e para, që prej dy vjetësh Valentina përkujdeset për një fëmijë i cili banon në një pallat me të. E ka marrë në kujdestari Dardi Zelën 9-vjeçar, që kur ai hyri në klasë të parë. E merr nga shkolla, më pas bëjnë detyrat, e vë në gjumë. ‘Me kuriozitet, edhe me pak frikë, sepse është përgjegjësi e madhe kur prindërit të besojnë fëmijët e tyre, por përvoja e deritanishme ma ka rritur sigurinë”, shton Valentina.
Ndryshimin e shpjegon me faktin se fëmija mësohet nga mëngjesi në darkë me regjim dhe orar të rregullt, të shëndetshëm, këshillohet deri në veprimet e vogla të tij të higjenës, edukatës, që janë faktorë kryesorë për mirërritjen e fëmijëve dhe që merren që në vogëli e që në mungesë të prindërve në punë mund të jenë të pakontrolluara. Përveç mësimeve, Dardi me një kujdestare ka mundësi të dalë shëtitje, të shkojë në kënde lojërash aty afër dhe gjatë gjithë kohës shoqërohet me dashuri dhe përkujdesje. “Më është bërë si ta kem nipin tim. Aq e dua dhe më do. Ndiej kënaqësi që kam të bëj edhe me prindër me nivel arsimor, të cilët janë të komunikueshëm dhe kemi marrëdhënie shumë të ngrohta”, shton mësuesja me Valentina. Por edhe prindërit janë të fituar. Gëzim dhe Eglantina Zela shprehen se për djalin e tyre kanë gjetur mbi të gjitha një njeri të mrekullushëm dhe kur nisen për në punë janë të qetë sikur ta kenë lënë me gjyshërit e tyre. E kanë të mbledhur mendjen jo vetëm për kujdesin fëminor, por edhe për mësimet e Dardit. I vetmi shqetësim që përmend mësuese Valentina është mbingarkesa e madhe që kanë fëmijët në shkolla, tekstet tepër të gjata, pesha e çantave tepër të rënda për fëmijët në një moshë kaq të vogël.
|