Sondazh
Pyetje: Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
Arberi - 12 (36.4%)
Besarta - 5 (15.2%)
Julinda - 2 (6.1%)
Olsi - 5 (15.2%)
Shkelqimi - 3 (9.1%)
Najada - 4 (12.1%)
Romina - 1 (3%)
Poli - 1 (3%)
Numri total i votave: 32

Faqe: 1 ... 11 12 13 14 15 [16]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: "Big Brother Albania"  (E lexuar 27165 herë)
0 anëtarë dhe 2 Vizitore po shikojnë këtë temë.
Dora
Anetar


Karma: 14
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 2031



Shiko profilin
« Përgjigju #225 më: 23-07-2008, 14:46:40 »

100 ditet e Arbrit!

Hyri në shtëpinë e Big Brother me flamurin kombëtar në dorë dhe doli pas 100 ditësh prej aty, sërish me flamurin mbi shpatulla, por edhe me kurorën e fitimtarit. Arbër Çepani, një model i shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë në një intervistë për revistën “Shqip”, tregon se vazhdon t’i përmbahet ëndrrës së tij që të bëhet pjesë e ndryshimit të shoqërisë sonë. Historia dhe jeta e një djali sa ëndërrimtar aq edhe racional, mes vendlindjes, vendeve ku ka jetuar, studimeve dhe Madalenës, dashurisë së tij italiane.Zakonisht në këtë garë fitojnë gjithmonë, personazhe që nuk shfaqen që në fillim si protagonistë agresivë. Nuk fitojnë asnjëherë ata të zhurmshmit, apo që luftojnë egër për dominancë.

 

Zakonisht fitojnë ata personazhe që dinë ta menaxhojnë mjaft mirë veten e tyre, ditë pas dite dhe javë pas jave. Personazhe që plotësohen përditë e më tepër në sytë e konkurrentëve të tjerë dhe sytë e publikut që i sheh dhe voton nga jashtë.Nuk përbën më diçka të paditur. Arbër Çepani, djali 20 vjeçar, që la përkohësisht jetën e studentit në Itali, për t’u bërë pjesë e programit “Big Brother”, është fituesi i merituar dhe i pakontestuar i garës së fortë të mbijetesës dhe sfidës për t’u dashur nga të gjithë shqiptarët. Inteligjent, i edukuar, me një bagazh të pasur intelektual, i formuar si personalitet, simpatik në paraqitje dhe look interesant, në mënyrë krejt të natyrshme, ai u bë sfidanti i 18 konkurrentëve që hynë në garë. Një djalë nga i cili bashkëmoshatarët e tij, por jo vetëm, kanë çfarë të mësojnë. Në intervistën që kemi zhvilluar me Arbrin, pak ditë pas fitores së tij, për lexuesit e revistës “Shqip”, spikat edhe një herë personaliteti i bukur i këtij djali si dhe dëshira e tij e fortë që t’i shërbejë me sa mundet shoqërisë së cilës i përket.

     

Arbër, ishte më e vështirë të menaxhoje situatën brenda shtëpisë, apo suksesin jashtë saj?
Si situata brenda, ashtu edhe situata jashtë janë shumë të ndryshme. Brenda ishte një situatë e veçantë sepse duhet të mbaje komunikim etik dhe të merrje diçka nga konkurrentët që kishe përballë. Ishin fillimisht 14 konkurrentë që më pas u bënë 18, me 18 karaktere të ndryshme dhe me këto karaktere të ndryshme, ndoshta në jetën normale nuk do të kisha dalë. Izolimi të bënte që të gjeje pikat e përbashkëta me ta. Kjo ishte e veçanta e menaxhimit brenda. Pas 100 ditësh fitorja më e madhe që morëm secili prej nesh, ishte që përfituam mjaft nga njëri tjetri. Sa për menaxhimin e suksesit jashtë shtëpisë, është gjithçka një kënaqësi. Thjesht fakti që takon njerëz në rrugë, njerëz të cilët më përpara nuk i njihje, që i përqafon, njerëz që të urojnë, afria me ata, është kënaqësia më e madhe për mua. Më shumë se menaxhim është të jetosh këtë lloj kënaqësie.

Si ju duket fakti që jeni në gojën e mijëra shqiptarëve që prej 100 ditësh e më tej?

(qesh) Kur mendon se je në gojën e mijëra e mijëra shqiptarëve!….Ndonjëherë mendoj, vërtet jam unë?! Më mirë të mos e mendosh dhe të shijosh vetëm përqafimet jashtë….. Gjithsesi është situatë interesante, sepse ne ishim të izoluar totalisht dhe hymë në një program që bëhej për herë të parë në Shqipëri, nuk e kishim fare idenë se si përceptohej jashtë. Ne vetëm kur dolëm në natën finale dhe pamë ata qindra mijëra vetë që bënin tifo, kuptuam impaktin që programi dhe ne kishim pasur te njerëzit.

Vini nga një eksperiencë e jetës në Itali ku jeni familjarizuar me një spektakël të tillë si “Grande Fratello”. Si ju dukën konkurrentët shqiptarë, krahasuar me to?

Këndvështrimi është gjithmonë relativ, kur flitet për konkurrentët. Në Shqipëri ishin 18 karaktere të ndryshme. Normalisht ka një ndryshim mes Italisë dhe Shqipërisë, sikurse ka një dallim mes Italisë dhe Francës apo Anglisë. Konkurrentët që hyjnë në secilin prej këtyre vendeve përfaqësojnë atë që përfaqëson shoqëria. Kam përshtypjen që kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, ku janë përzgjedhur karaktere që përfaqësojnë shoqërinë shqiptare në linja të përgjithshme. Kështu që ka ndryshime mes karaktereve, sepse është ndryshimi i shoqërisë.

Ju jeni shquar si djalë i debateve konstruktive, por që jo gjithmonë gjenit debatues të të njëjtit nivel. Cili është komenti juaj?

Gjithsecili dinte diçka në fushën e tij dhe në atë çfarë bënte në jetë. Unë jam munduar gjithmonë, megjithëse këtë ma kanë cilësuar si strategji, që të paktën të kisha një komunikim rreth fushës së tyre dhe të bashkëbisedonim rreth saj. Edhe në qoftë se nuk kisha një përgjigje nga debatet që bëja, përpiqesha të merrja nga gjërat që më jepnin personat që kisha përballë.

Çfarë mendoni se bëri që ju të fitoni, intelekti, formimi, edukata, apo karakteri?

Besoj se është një ndërthurje e pak nga të gjithave. Më e rëndësishmja është se unë aty brenda nuk i kam rënë në qafë asnjërit. Kisha pikat e mia të forta dhe u fokusova aty, nuk kisha pse fokusohesha te defektet apo mangësitë e të tjerëve. Nuk doja t’i luftoja të tjerët në mënyrë të pabesë dhe të dilja vetë i pari. Pika e fortë e Arbrit ishte që të fokusohesha te pikat e forta të Arbrit, të nxirrja se kush është Arbri. Që është një person me të mirat dhe të këqiat e veta, që nuk dëshiron t’i bjerë në qafë të tjerëve. Beson tek ajo që mund të japë dhe fokusohet tek ajo që mund të japë. Koha ecën shumë përpara dhe besoj se asnjëri prej nesh nuk ka kohë që të merret me të tjerët. Po të merremi me të tjerët do i hiqnim kohë vetes dhe fatkeqësisht, karakteri dhe personaliteti ynë do të shkojë në regres dhe jo në progres.

Ky këndvështrim, mos është tipar i fituar nga jetesa jashtë?

Normalisht që kur jeton jashtë merr eksperienca të ndryshme dhe të zgjerohet edhe horizonti. Por kam përshtypjen se jam 110 për qind puro shqiptar dhe jam shumë krenar që i përkas dhe mbroj këtë kulturë. Ajo çfarë kam marrë jashtë është thjesht një plus që e performon akoma më shumë kulturën time. Sa i takon diskutimeve brenda në shtëpi, nuk ka të bëjë me faktin që kam jetuar jashtë dhe diskutimi im ishte etik.

Cilat kanë qenë stacionet ku ka qëndruar Arbri, gjatë jetës së tij?

Kam lindur në Tiranë dhe menjëherë u nisëm për në Havanë, në Kubë. Aty kalova fëmijërinë time e më pas u ktheva në Shqipëri dhe nisa shkollën fillore. Në moshën 11 vjeçare u nisa për në Itali ku vazhdoj akoma sot të jetoj. Dhe si perfundim, në moshën 20 vjeçare u nisa për në shtetin më të ri në Shqipëri…Republika “Big Brother” (Qesh). Të gjitha këto udhëtime dhe spostime janë bërë për shkak të profesionit të babait tim si diplomat karriere.

Ishte e vështirë apo e thjeshtë për ju të fitonit, domethënë të nxirrnit në pah vlerat tuaja?

Kjo ishte pikërisht sfida, sepse kur je në një shtëpi me persona si ty, normalisht që arrin edhe të diskutosh, edhe të nxjerrësh më të mirën tënde. Por këtu ishte sfida më e bukur, të arrije të komunikoje dhe të nxirrje vetveten edhe me persona që ndoshta as nuk donin të të dëgjonin fare. Unë arrita të jap e marr me këta persona dhe këtë e vlerësoj. Sepse çdo njeri ka aspektin e tij pozitiv dhe negativ. E rëndësishme është që ne të marrim anën pozitive, anën negative ta njohim, por të mos e përdorim te të tjerët. Kjo është më e rëndësishmja.

Eksperienca televizive e Arbrit qëlloi e suksesshme. Mendoni të provoni eksperienca të tjera televizive, qoftë edhe të natyrave të tjera?

Personazh televiziv do e shihja veten, vetëm në një program social. Do më pëlqente shumë që të kisha një program social që të lëvizte anëkënd Shqipërisë dhe të kapte problemet e shqiptarëve në përgjithësi. Do të ishte një program që do e vlerësoja dhe ku do të merrja pjesë me kënaqësi.

Çfarë ka ndryshuar te ju që nga momenti kur hytë në shtëpi deri tani?

Arbri është gjithmonë ai që ka qenë më përpara. Thjesht tani është shumë më afër me njerëzit. Kjo është fitorja më e madhe që kam marrë nga Big Brother. Në aspektin e eksperiencës ka qenë e jashtëzakonshme. Sfida u kalua me sukses dhe sigurisht që është rritur besimi në vetvete që mund të fitoj në këtë lloj sfidash. Nga ana tjetër ishte edhe sfidë në komunikim, unë do e quaja një master në komunikim me njerëzit. Është pikërisht kjo që të rrit nga ana e karakterit. Në qoftë se kam ndryshuar, kjo sepse kam fituar më shumë besim në vetvete. 

Kë shihnit si rival dhe pse?

Sidomos në finale ishim të gjithë rival. Duke qenë të izoluar totalisht ne nuk e kishim idenë se si perceptoheshim, se si komentoheshim dhe a pëlqeheshim nga pjesa jashtë. Në një farë mënyrë e shikoja si rival dhe doja që të shkonte sa më larg Astriti, për atë që ai përfaqësonte. Përfaqësonte diçka shumë të madhe në Shqipëri dhe doja që ai të vlerësohej sa më shumë. Gjithashtu do të doja që të vlerësohej sa më shumë në atë lojë edhe Besa, gjithmonë për atë që përfaqësonte. Doja që t’i shihja të dy sa më larg.

Gjithsesi ishte kënaqësi shumë e madhe që isha në finale me Olsin. Ai është një person me të cilin kam patur komunikim mjaft etik që nga fillimi i Big Brother. Kishim një komunkim xhentelmenësh në një farë mënyre, kështu që ishte kënaqësi që isha me Olsin deri në fund.

Studioni për shkencat politike në Itali. Mendoni të hyni realisht në politikë, apo keni hyrë?

Varet si e shikojmë konceptin e politikës. Në qoftë se do ta shikoja politikën si një person që do të kalonte nga parlamenti në komisionin parlamentar dhe nga komisioni parlamentar në konferencë shtypi, atëherë nuk do të doja kurrë të isha pjesë e politikës. Nëse e shohim politikën si pjesë e një mjeti për të sjellë ndryshim, atëherë sigurisht që do të doja të bëhesha pjesë e politikës për të ndryshuar diçka bashkë me të tjerët. Më shumë se politikan do të doja të bëhesha një qytetar, të cilit i ka fjala më shumë vlerë se një deputeti. Kjo është ajo që dua të jem.

Çfarë do të donit të ndryshonit?

E rëndësishme është që të jepet një mesazh se mund të ndryshohet. Pa u fokusuar në gjëra të veçanta, në Shqipëri themi shpesh herë se ky vend nuk bëhet, se s’ka për t’u bërë kurrë, as për 50 apo 100 vjet. Por mendoj se e rëndësishme është që të jepet mesazhi që po të duam ne, me punë mund të bëhet ndryshimi. Ndryshimi nuk vjen nga perëndia por nga puna e secilit prej nesh. Në qoftë se nuk ndryshojmë të gjithë dhe e fusim në mentalitet ndryshimin, nuk do të arrijmë ndryshimin.

Keni premtuar një fushatë sensibilizuese dhe bamirësie. Ka filluar ajo?

Ka filluar, jemi në përfundim të planit se ku do shkojmë, jemi duke përfunduar edhe website-n dhe me promovimin e tij do të iniciojmë zyrtarisht iniciativën. Kemi dhe një grup të hapur vullnetarësh dhe është surprizë e madhe që çdo ditë vijnë me dhjetëra e-maile të vullnetarëve që duan të angazhohen. Kjo ishte e papritur nga ana ime. Ata vijnë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. Është pikërisht mbështetja e këtyre personave dhe e shumë të tjerëve, që na forcon besimin se duhet vazhduar dhe luftuar.

Sa kohë do zgjasë?

Do shkojë gjatë gjithë muajve të verës dhe në fillim të stinës së vjeshtës. Për të gjitha shpenzimet do të ketë transparencë totale. Kemi disa gjëra në plan, nga do të veçoja projektin për mbrojtjen e natyrës. I tillë është projekti për ndalimin e prerjes masive të pyjeve në Lurë. Aty ku janë bërë masakra ne do të mbjellim fidanë. Tjetër projekt ka të bëjë me mbështetjen e njerëzve në nevojë, si për shembull jetimët, talasemikët, mosha e tretë, njerëzit me aftësi të kufizuara, etj. Kemi shumë ide për të bërë diçka në favor të tyre. Ndërkohë që nisja e fushatës do të jetë nga Gërdeci, ku do të japim mesazhin që pavarësisht fatkeqësisë së madhe, jeta duhet jetuar. Do të shkojmë në shkollat fillore ku do të ndërtojmë fusha sportive për fëmijët, kënde lojrash, etj.

Vjeshta do ju gjejë në Tiranë, apo do vazhdoni studimet në Bari të Italisë?

Kam përshtypjen se sapo të mbaroj fushatën do i rikthehem studimeve, t’i mbaroj sa më shpejt ato. Askujt nuk do i duhej një Arbër pa shkollë. Kur t’i kem të gjitha të përfunduara do të kthehem përfundimisht në Shqipëri.

Ky është premtim?

Këtë ide e kam pasur gjithmonë. Kam jetuar jashtë, kam përjetuar eksperienca të ndryshme, por gjithmonë me idenë fikse që një ditë do të kthehem në Shqipëri dhe këto eksperienca do t’i vë në shërbim të vendit tim.

Cila është një ditë e zakonshme e Arbrit në Itali?

Paradite jam në universitet për të ndjekur leksione të ndryshme, para dreke e kam rutinë një ecje të shpejtë buzë detit për rreth 2 orë pasi kam fatin e mirë të jetoj në një qytet bregdetar, pasditen mundohem t’ia dedikoj miqve dhe nata deri në orët e vona i përket studimeve të ndryshme. Po më duket pak si ato paketat turistike kjo dita ime e zakonshme (qesh)

Si e pritën miqtë në Itali fitoren tuaj?

Isha përpara dy ditësh në Itali, ku ndenja vetëm dy ditë. Ata më bënë një festë surprizë, të cilën e vlerësova pa masë. Janë persona që më kanë mbështetur shumë në çdo inisiativë në Itali. Pjesa më e madhe janë italianë, por mes tyre ka edhe shqiptarë. Me shokët italianë, në një farë mënyre, jam rritur sepse kam shkuar në Itali që adoleshent. Aty kam kaluar një pjesë të bukur të jetës. Një pjesë e tyre më kishin ndjekur gjatë spektaklit përmes satelitit. Zakonisht ata mblidheshin të shtunave te njëri prej tyre dhe e shihnin spektaklin së bashku.

Po me Madalenën si vazhdon historia?

Vazhdojmë historinë bashkë. Normalisht duhet kuptuar se zonjushat janë më sentimentale se ne çunat dhe një mungesë prej muajsh nuk është pak, ndihet nga të dyja palët. Ajo ndihej në një fare mënyre e mënjanuar nga 3 muaj izolimi që unë kalova në Big Brother. Kjo ishte e gjitha dhe nuk ishte historia aq sa ç’u zmadhua. Shpresoj që gjithçka tani të shkojë edhe më mirë. Jemi takuar dhe shpresoj që gjithçka të kthehet si më parë. Jemi në rrugën e duhur. Është një person me të cilin kam kaluar shumë aventura të bukura në jetë, kështu që nuk dëshiroj ta humbas. Duheshin thjesht të sqaroheshin disa gjëra të vogla.

Si jeni njohur me Madalenën dhe si nisi historia juaj?

Kishim kohë që njiheshim, pasi kishim dhe shoqëri të përbashkët…dhe Madalena ishte zonjusha tipike që i vërtiteshin shumë “peshkaqenë” që nuk ia dilnin me sukses…Më tërhoqi shumë tipi i saj, dhe në ndryshim nga “peshkaqenët” e tjerë gjeta disa mënyra më elegante dhe fine për ta zënë në rrjetë (qesh). Kam më shumë famën e një peshkatari të mirë sesa të një peshkaqeni të egër (qesh).

E përcaktoni veten si idealist apo racional?

Idealizmin e kam për vete, jam tip ëndërrimtari, por ëndrrën dhe idealin i kam për vete. I shikoj si një horizont i largët dhe e kam si forcë dhe shpresë për vetveten. Kur është puna për kontaktet me njerëzit dhe për punë konkrete, jam shumë racional dhe me këmbë në tokë.

Çfarë pëlqeni te vetja?

Të qenurit i hapur ndaj çdo lloj gjëje. Ndaj eksperiencave pozitive dhe negative. Të qënurit i hapur ndaj çdo lloj kulture.

Çfarë nuk pëlqeni nga vetja?

Kur nuk marr mësime nga një gabim.
Cili është pasioni më i madh i Arbrit?

Pasioni më i madh i Arbrit është që të ketë sa më shumë pasione.
E identifikuar

Good girls like bad boys!

dora@zeriyt.com
Dora
Anetar


Karma: 14
offline offline

Gjinia: Femër
Postime: 2031



Shiko profilin
« Përgjigju #226 më: 23-07-2008, 14:47:58 »

Najada - aventura nga provokimi te bashkejetesa

Nëse do e kishin pyetur katër muaj më parë, edhe për vetë Najada Konomin, do të ishte e pabesueshme ideja, që pikërisht me njërin nga njerëzit me të cilin ajo kishte qenë e detyruar të jetonte për 100 ditë në shtëpinë e Big Brother, gati një muaj pas përfundimit të lojës, do të vendosnin të ndanin bashkëjetesën. Kësaj radhe pa praninë e kamerave, tensioneve të konkurrimit, rivalëve brenda shtëpisë, apo kurtheve që të ngre përpjekja për të fituar një thes me para.

 

Historia e nisur me Olsi Mingomataj, djalin 34 vjeç nga Tirana, që për shumë kënd, ndërsa krijohej aty brenda shtëpisë së përbashkët, nuk dukej e vërtetë por paksa e përllogaritur për të fituar simpatinë e publikut, dhe që nuk kaloi dot pa u paragjykuar, në fakt, për të dy protagonistët është më e bukur dhe reale se asnjëherë tjetër.

Prej disa ditësh të dy janë vënë në lëvizje që të marrin me qera një apartament të vogël, të cilin duan ta paguajnë bashkërisht dhe po aty të vazhdojnë historinë e bashkëjetesës që në fakt nisi si lojë…..

“Lidhja jonë vazhdon dhe mendoj se është akoma më e bukur përjashta seç ka qenë aty brenda”, tregon Najada. “Jashtë ka më shumë gjëra të bukura për të bërë. Aty brenda rrinim në oborr dhe takoheshim nëpër korridore….Ndërsa tani që kemi dalë përjashta kemi mundësi të argëtohemi më shumë dhe të njihemi më mirë. Mendoj se do ta vazhdojmë si lidhje. Aq më tepër që plani ynë më i afërt është që të marrim një shtëpi me qera dhe atje të ndajmë ditët e dashurisë sonë. Kemi filluar nga kërkimet, besoj se do e gjejmë përpara se të nisemi për pushime me Olsin në Turqi dhe, me t’u kthyer prej atje: lamtumirë jetë e mëparshme”……

Surpriza e dashurisë

“Para se të hyja në këtë lojë televizive, nuk e kisha menduar asnjëherë se aty brenda mund të njihesha me dikë që do të më tërhiqte dhe me të cilin të krijoja një lidhje”, vazhdon të rrëfejë Najada. “Madje edhe kur më kanë pyetur në audicion për një mundësi të tillë, u kam thënë se edhe mund të ndodhë të pëlqej dikë, por kurrsesi nuk kam hyrë me mendimin se do shkoja aty e do të lidhesha me dikë. Lidhja me Olsin erdhi natyrshëm, ditë pas dite. …Ne që mbanim kokat përpjetë, kalonim korridoreve, “kush je ti e kush jam unë” deri sa u lidhëm bashkë dhe ja ku jemi sot”, komenton ajo duke qeshur.

Në fakt është pikërisht e njëjta vajzë që jemi mësuar ta shohim përmes ekranit: me batutat në majë të gjuhës, gjithmonë me humor të mirë, spontane, me dialektin e këndshëm fierak në të folurën e saj, dhe sigurisht një vajzë mjaft simpatike dhe e veshur bukur.   

“Momentet tona i kujtojmë shpesh me Olsin. Them se kanë qenë të lezetshme. Ato na kanë nxitur që të afrohemi edhe më shumë. Ngacmimet që unë rrija me të, pastaj me të tjerë…. E njëjta gjë edhe me Olsin, i cili sa rrinte me mua, shkonte pastaj të rrinte me vajzat e tjera… Kjo ishte loja jonë. Loja e dy njerëzve që po bien në dashuri dhe sillen në këtë mënyrë. Që kërkojnë të kenë vëmendjen e njëri -tjetrit, por që në dukje duken indiferentë dhe përpiqen të këmbëngulin në këtë ide…

Por gjatë gjithë kohës ne ruanim me shikime njëri -tjetrin, pavarësisht se me fjalë shpreheshim sikur nuk na interesonte”.

Ritual që vazhdon

Pak a shumë Najada thotë se tani bën të njëjtën jetë që ka bërë më përpara. Të paktën derisa të hyjnë në shtëpinë e re me Olsin, i cili Najadës në përgjithësi i duket i njëjti që ka njohur 4 muaj më parë, me të vetmin ndryshim se ka filluar të tregojë nga pak xhelozi. “I vetmi ndryshim që kam vënë re tek Olsi, që kur kemi dalë, është se po shfaq shenja xhelozie. Kur ishim bashkë në shtëpi, nuk dukej, mbase nga loja, ose fakti që ishim gjithë kohës bashkë në të njëjtin ambient…. Ndërsa tani vë re që kur nuk jemi bashkë, ai i bie vazhdimisht telefonit. “Ku je, me kë je, çfarë po bën”?

Najada këtë e tregon duke qeshur. Duket se vajzës i pëlqen fakti që ai tregohet i tillë, pasi në këtë mënyrë bindet edhe më shumë në ndjenjat që Olsi ushqen ndaj saj. Aq më tepër që nuk është një xhelozi bezdisëse. Ndryshe ajo nuk do të mund ta pranonte. Është thjesht e bukur.

Normalisht Najada thotë se vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që bënte edhe më përpara. “Më përpara zgjohesha dhe shkoja në shkollë, në kafe me miqtë, palestër, pastaj në shtëpi ku mësoja dhe merresha me pikturë. Kjo ishte dita ime. Prapë ndjek pak a shumë të njëjtin ritëm. Jeta ime nuk ka ndryshuar dhe nuk e besoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Thjesht është një eksperiencë më shumë. Ndryshimi im më i madh është Olsi”.

Jeta përtej detit

Nëse ka diçka që njerëzit i kuriozon shumë janë vitet e qëndrimit në Itali. Është larguar nga Shqipëria në moshën 15 vjeçare dhe ka ardhur prej atje 20. Janë pesë vite, të cilat sipas Najadës kanë ndikuar tek ajo në të gjitha kuptimet. “Unë u largova për në Itali 15 vjeç, që të bëja shkollën atje. Ia dola të përfundoj studimet në një shkollë të mesme arti, “Santa Marie Croce”, ekuivalente me Liceun artistik në Tiranë. Jetoja në Torino dhe përveç të mirave që mora nga shkolla, nga jetesa në Itali, e vetme, pa familjen afër, ku duhet t’i mbijetoja gjithçkaje, ia dola që sot të jem kjo që jam: një vajzë e vendosur, pa komplekse, pa paragjykime. Në një farë mënyre u bëra e zonjë e vetes. Kur isha këtu, nuk kam ditur të bëj një vezë të skuqur, atje mësova të përgatitesha për veten në të gjitha kuptimet.

Nëse do të qëndroja edhe unë këtu, do të kisha ngelur vendnumëro, sepse nuk do të kisha këtë mendje që kam sot. Kushedi, do të isha bërë fanatike, ose një femër shtrigë….Italia ka bërë të veten, sepse unë jam brumosur atje”.

Tre vite në Tiranë

Kaq janë vitet që vajza 22 vjeçare nga Fieri ka jetuar në Tiranë. Nga Italia është kthyer në vitin 2005 dhe sipas Najadës, po të mos ishte këmbëngulja e së ëmës, ajo nuk do të kishte marrë vendimin për t’u kthyer, të paktën edhe për disa vite. “Ajo donte që unë të bëja shkollën e lartë dhe meqë atje nuk po u hyja seriozisht studimeve të larta, mamaja këmbënguli që unë t’i vazhdoja këto studime në Tiranë. Po atë vit që u ktheva, fitova konkursin, pikërisht pas një muaji. Kam fituar që herën e parë, pavarësisht se kishte shumë konkurrentë. Mbase mua nuk m’u duk edhe aq e vështirë sepse sa isha kthyer dhe nuk e kisha idenë se si funksiononin gjërat këtu. Më mungonte krejtësisht informacioni. Ndaj nuk e vuajta shumë sikletin nëse do të fitoja apo jo”. Por pavarësisht të gjitha këtyre që tregon Najada, kur flitet për shkollën, e kap një farë trishtimi i lehtë. Studentja e vitit të tretë për pikturë kavaleti, në Akademinë e Arteve, duhet të përsërisë këtë vit edhe një herë nga e para, për shkak të mungesave të shumta, gjatë kohës që qëndronte në shtëpinë e Big Brother. “Nuk mund të bëj asgjë për ta ndryshuar këtë, thotë ajo. Humba një vit shkollor, kur nuk ma merrte mendja se do ishte e pamundur të zëvendësoja orët e mangëta. Nga ana tjetër sa i takon lojës, edhe pse arrita në pesëshen më të mirë, nuk isha unë fituesja….Por nuk dua ta konsideroj si humbje! Kam fituar Olsin dhe pikturën nuk ma heq njeri. Nëse pres nga dita në ditë të nisim me Olsin jetën e përbashkët, dua të merrem seriozisht kësaj vere edhe me pikturë, sepse kam dëshirë të hap një ekspozitë personale”. Dua të rikuperoj kohën e humbur. Mendoj se edhe në të ardhmen do të merrem me pikturë. Sepse nuk e mendoj se është një shkollë thjesht sa për të marrë diplomën”.

Lumturia absolute

“Cila është lumturia absolute për Najadën? Familja, një familje e mirë të bën të kesh një jetë të lumtur. Dua të krijoj familjen time”.

Realisht çuditesh pak kur kjo përgjigje vjen nga goja e vajzës e cila nga publiku konsiderohej si një vajzë tejet liberale. “Më kanë quajtur të paqëndrueshme, sqaron ajo. Thjesht kam shijuar momentet e mia, vitet e mia. Por nesër, pasnesër, edhe unë dua të krijoj një familje të mirë, pavarësisht se jap përshtypjen se jam moskokëçarëse. Dhe këtë dua ta bëj kur të jem diku nga mosha 30 vjeç. Mendoj se është mosha më e mirë për ta bërë një hap të tillë. Sa i takon Olsit, është fillimi i lidhjes sonë dhe nuk e kam parë asnjëherë me këndvështrimin që të vazhdoj me të edhe të përfundoj në fejesë, apo martesë. Por mendoj se e gjitha kjo vjen natyrshëm. Unë nuk kam pse stresoj veten që tani duke thënë: me këtë do të fejohem dhe martohem. Është herët ta mendosh. As unë dhe as Olsi nuk jemi tipa që bëjmë plane”.

Paragjykime

“Kur isha brenda në shtëpi nuk kisha krijuar shumë iluzione se do të fitoja vetëm nga fakti se shoqëria shqiptare nuk është shumë e emancipuar dhe nuk do të mirëpriste lirshmërinë time. Pasi janë të rralla vajzat siç jam unë. Prandaj kur kam marrë lajmin që isha e katërta në klasifikim, nuk u mërzita. Më vonë, kur kam dalë përjashta, të them të drejtën i prisja paragjykimet e njerëzve. Por ishte e habitshme për mua, pasi njerëzit që kam takuar më kanë folur shumë mirë. Kështu që nuk i kam ndjerë fare paragjykimet mbi vete. Madje më takojnë edhe gra të moshuara dhe një gjë e tillë po më bën përshtypje. Prandaj them se nuk më kanë paragjykuar. Gjithsesi për ta sqaruar më mirë, mendoj se fillimisht më kanë paragjykuar, por me tipin që kam, i kam bërë për vete, i kam bërë të qesh….. Sa për veten time, unë jam e lirshme, nuk paragjykoj askënd. Gjithmonë mendoj se nëse një njeri ndihet mirë me veten, edhe pse bën diçka që mua nuk më pëlqen, nuk kam pse paragjykoj”.

Mes familjarëve

Ditët e para të tensionit se si do pritej lidhja e tyre në jetën e vërtetë, kanë marrë fund. Gjithçka duket se po ecën mirë derisa të dyja familjet tashmë i njohin nga afër respektivisht, Olsin dhe Najadën. Këtë Najada e deklaron me një lloj lehtësimi.

“Kur dola përjashta bëra një bisedë me mamin. Pak a shumë ajo kishte menduar se po bëja lojë aty brenda. Por unë i sqarova gjithçka dhe e di se më ka kuptuar. Janë miqësuar mjaft me Olsin dhe ka krijuar bindjen se është diçka serioze, që po funksionon. Tani është mirë. Po shkojnë mirë bashkë. Nga ana tjetër edhe familja e Olsit më ka pritur mirë, jo vetëm mamaja e tij, por e gjithë familja. Por të them të vërtetën nuk është se jam njohur shumë me ta, sepse nuk kemi qëndruar shumë kohë të gjatë bashkë. Vazhdimisht kemi qenë në udhëtime dhe tani përsëri po bëhemi gati të nisemi në një tjetër. Pushimet në Antalia na presin”.

Vajza e tatuazheve

Mahni, pasion, ekstravagancë?! Emrin mund t’ia vini si të doni, por ne kemi parapëlqyer ta quajmë “vajza e tatuazheve”. Të gjithë i kanë vënë re se si ato i shpërndahen nëpër trup, duke bërë që Najada të bie menjëherë në sy dhe të komentohet për këtë pjesë. “Këtë me dy krerët e shqiponjës që e kam në gjoks, e kam bërë në Itali dhe është simboli i flamurit shqiptar. Modelin e kam pikturuar vetë, duke e stilizuar pak shqiponjën dhe pastaj ma kanë bërë në trup. Të tjerë tatuazhe janë: një tribal në formë zjarri, tjetri është një gojë me dhëmbë të hapur dhe me një lule të egër. Pastaj një shqiponjë që fluturon dhe në fund dy krahë shqiponje”.

Përgjegjësitë e një jete të re

Ndryshe nga mjaft femra që vendosin të provojnë bashkëjetesën, Najada thotë se nuk i trembet aspak përgjegjësive që lindin nga ky vendim. “Pak a shumë kështu jam edhe tani, kam marrë të gjitha përgjegjësitë e mia, sepse jetoj vetëm, gatuaj dhe bëj punët për veten time. Tani që do jetoj me Olsin them se do të jetë e njëjta gjë.…megjithatë nuk dua të ngutem për të folur. Dua ta njoh një herë si eksperiencë, pastaj jua them. Unë nuk jam amvisë e mirë, por gjatë gatimit bashkoj shumë gjëra bashkë. Kështu gatuaj gjithmonë. Po kështu do të gatuaj edhe për Olsin. Mirë dhe çuditshëm”.
NAJADA KONOMI 22  vjeç

Aktualisht studente në Pikturë pranë Akademisë së Arteve
OLSI MINGOMATAJ 34 vjeç

“Tiparet e mia kryesore janë thjeshtësia, lirshmëria dhe besimi tek vetja. Ndërsa defekti im më i madh është që prish shumë lekë dhe që kur acarohem nuk i lë të tjerët të flas”.

“Kur bëj gabime vetë, i quaj mësime, se ndryshe nuk do të mësoja. Për të gjitha gabimet që kam bërë në jetë them më mirë që ndodhën sepse kam mësuar prej tyre. Sa gabime kam bërë? Nuk e di. Janë shumë….”
E identifikuar

Good girls like bad boys!

dora@zeriyt.com
Faqe: 1 ... 11 12 13 14 15 [16]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  



Anketa
  • Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
  • Dot Arberi
  • 12 (36%)
  • -
  • Dot Besarta
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Julinda
  • 2 (6%)
  • -
  • Dot Olsi
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Shkelqimi
  • 3 (9%)
  • -
  • Dot Najada
  • 4 (12%)
  • -
  • Dot Romina
  • 1 (3%)
  • -
  • Dot Poli
  • 1 (3%)
  • -
  • Numri total i votave: 32
  • Shiko temen

* Sponsor