JeteshkrimiEmri: Aida
Mbiemri: Shtino
Ditëlindja: 30 dhjetor 1970
Vendlindja:
Gjirokastër
Vendbanimi: Tiranë
Edukimi: Gjuhë - Letërsi në Universitetin e Tiranës
Karriera në media:
Gazeta e Athinës, gazetare në kanalin “ALTER”, drejtuese emisioni në “Telenorba”, “Vizion Plus”
intervista/"50 pyetje nga Tirana Observer"Nuk kishte si të ishte ndryshe. Kjo vajzë dukej që se ç'kishte diçka nga Gjirokastra. Racionale, ambicioze, me kulturë dhe rrezaton atë gjë, se po i vuri vetes një qëllim e realizon dhe pikë. Mbi të gjitha, me një emision të vetëm televiziv, duke vënë në punë vetëm telefonin dhe vullnetin e saj, ka mundur të gjejë nja 150 shqiptarë që për familjet e tyre nuk kishin nam e nishan. Kjo është Aida Shtino, që nëse nuk ia di emrin dhe mbiemrin, do t'i shkonte për bukuri togfjalëshi "vajza e emisionit "Njerëz të Humbur" në "Vizion Plus"". Në rrugë kur e shohin thonë, "u kjo që gjen njerëz". Në punë ia dinë zotësinë dhe nuk janë të paktë ata që i japin një cilësim alla "e fortë je ti". Dhe humanizmi e bashkë me të edhe ambicia, qëndrojnë shumë mirë tek ajo. Nuk kishte si të ishte ndryshe themi përsëri, kur e lindur në Gjirokastër, fëmija e vogël me emrin Aida jetonte pranë kalasë dhe kur zgjohej në mëngjes, të parin veprim që bënte ishte vështrimi nga dritarja. Kishte frikë se mos nuk ishte kalaja. Tani pas kaq vjetësh, meraku është shndërruar në një lloj tjetër: Të gjejë sa më shumë të humbur. Nuk është pak kjo lidhje e fëmijërisë me maturinë.
1. Cili është kujtimi juaj më i hershëm?
Fëmijëria është mosha më e bukur, në të cilën secili, pa diskutim, që ka kujtimet e veta rreth saj. Dua të them se të gjitha nisin me qytetin tim të lindjes, Gjirokastrën. Kam shumë nostalgji për qytetin ku unë kam kaluar fëmijërinë time. Unë e kam pasur shtëpinë afër kalasë dhe mbaj mend se sa herë që çohesha në mëngjes, nga dritarja shikoja shtëpitë e gurta, të cilat ishin vendosur mbi njëra-tjetrën dhe përballë tyre qëndronte madhështore kalaja e Argjirosë. Atëherë mund të kem qenë pesë vjeç dhe mbaj mend se kisha një ndjesi se kur të zgjohesha në mëngjes, kalaja nuk do të ishte më aty. Kjo ka qenë arsyeja që sa çohesha në mëngjes, gjënë e parë që bëja ishte të shikoja nga dritarja kalanë. Të gjithë pjesëtarët e familjes qeshnin e ndërsa gjyshja ime me thoshte: "Aty është, nuk ka ku të veje...".
2. Çfarë ke mësuar për herë të parë dhe kush ta mësoi?
Për herë të parë kam mësuar një libër në vargje të Vedat Kokonës, "Lulja dhe Shega", të cilin e mbaj mend akoma edhe tani. Ma ka mësuar mamaja ime. Unë kam qenë në kopsht dhe ajo ma lexonte pothuajse çdo ditë. Më ka pëlqyer shumë atëherë ky libër, aq sa pas disa ditësh e kisha mësuar përmendësh.
3. Kush ka ndikuar më shumë kur ishe fëmijë?
Kur je fëmijë nuk e kupton, se të gjitha vendet ku ti shkon, të gjithë njerëzit që do të rrethojnë, të gjitha ato që do të ndodhin përreth teje, do të lënë mbresë në jetën tënde. Ndikimet janë të shumta, duke filluar nga prindërit e mi, të cilët janë përpjekur gjithmonë që unë të krijoja një botë të pasur brenda meje. P.sh, vëllai im, i cili ishte më i madh se unë, por që kishte një fantazi te jashtëzakonshme në tregimin e gjërave dhe në atë kohë ai ishte idhulli im. Ne ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Gjyshja ime ishte një grua shumë e zgjuar dhe e fortë, më tregonte histori pa fund dhe nuk lodhej asnjëherë. Qyteti i Pogradecit ka ndikuar gjithashtu shumë në fëmijërinë time. Pushimet verore unë i kaloja gjithmonë aty. Sa herë që vjen vera, më kujtohet liqeni i bukur i Pogradecit dhe të gjithë ato momente të paharrueshme që unë kam kaluar aty.
4. Cila ka qenë këshilla më e mirë e nënës apo babait tuaj?
Të jesh gjithmonë vetvetja.
5. Kush ju ka nxitur më shumë në jetë?
Prindërit e mi dhe bashkëshorti im.
6. Çfarë nuk ke mësuar në shkollë?
Ato që kam mësuar në jetë.
7. Çfarë të është dashur të mësoje vetë?
Të jem e durueshme.
8. Ku ke punuar për herë të parë dhe cila është puna më e keqe që ke bërë?
Në radio kur kam qenë studente. Nuk mund të them se kam bërë punë të keqe, të vështirë po.
9. Kur vendose t'i hyje karrierës dhe çdo të bëje në mungesë të saj?
Karriera ime ka ardhur fare natyrshëm. Në mungesë të saj, ndoshta do të isha duke kërkuar sfida të reja.
10. Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë?
Nuk e mbaj mend.
11. Çfarë makine ke pasur për herë të parë, e bleve vetë?
Tani kam marrë patentën.
12. Çfarë bën kur je nervoze?
Zakonisht kur nervozohem për diçka, dua të rri vetëm.
13. Çfarë të bën të mos rezistosh?
Zakonisht jam tip që rezistoj shumë, por çdo njeri ka pikët e tij të dobëta. Mendoj se dhimbja e njerëzve është ajo që unë nuk i rezistoj dot. Nuk jam tip menefrego, por nëse shoh dikë që është duke vuajtur për arsye të ndryshme, dua që ta ndihmoj me aq sa kam mundësi, shpesh herë madje edhe e ekzagjeroj.
14. A je tip inatçi?
Varet nga situata. Mendoj se njeriu nuk duhet të mbajë inate, duhet të tolerojë dhe të mos gjykojë të tjerët pa gjykuar fillimisht veten e tij. Ka pasur raste që kam mbajtur inat, por kjo nuk ka zgjatur më shumë se një gjysmë dite, pastaj më ka kaluar.
15. Çfarë gatuan vetë?
Unë kam mësuar të gatuaj vërtetë mirë, të paktën kështu më thonë bashkëshorti dhe djali im. I gatuaj të gjitha, por tavën me karkaleca e bëj shumë të mirë.
16. Çfarë ha zakonisht dhe cili është ushqimi më i preferuar? Çfarë pije të pëlqen mbi të tjerat?
Përgjithësisht nuk u bëj naze ushqimeve, të preferuar kam peshkun dhe verën.
17. Kë ke mik më të ngushtë?
Bashkëshortin tim, mendoj se është miku im më i ngushtë.
18. Cili është huqi juaj më i keq?
Çdo njeri ka huqet e veta edhe unë të miat. Kur më ngulet në mendje diçka, nuk më shqitet kollaj.
19. Çfarë zakonesh të mira ke?
Ato të vendit tim.
20. Çfarë të bën për të qarë?
Malli për njerëzit e mi.
21. Çfarë të zemëron?
Djallëzia e njerëzve.
22. Çfarë të bën të buzëqeshësh?
Ka shumë gjera që më bëjnë të buzëqesh, pastaj mendoj se njeriu duhet t'i shikojë gjërat pozitivisht. Një vepër e mirë do të më bënte vërtetë të buzëqeshja.
23. A do të doje të kishe një emër tjetër?
Jo, më pëlqen shumë emri që kam, sepse ka një histori prejardhja e tij.
24. Sa shpesh lexon?
Gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj, por aktualisht koha ime është shumë e kufizuar, megjithatë përpiqem të gjej kohën për të lexuar.
25. Si ndjehesh kur udhëton me makinë?
Ndihem shumë mirë, pasi nuk më zë makina. Unë udhëtoj shumë shpesh, është një mundësi, jo vetëm për të parë vende të reja, por edhe për të relaksuar veten time në këto udhëtime.
26. Sa orë gjumë bën natën? Çfarë bën kur të del gjumi dhe e ke të pamundur të flesh përsëri?
Zakonisht dita ime është shumë e ngarkuar dhe e lodhshme, pasi punoj deri vonë. Kështu që kur bie për të fjetur, nuk e kam "luksin" që të çohem natën. Mesatarisht bëj 6-7 orë gjumë.
27. Çfarë ëndrrash sheh?
Ngaqë jam shumë e lidhur me punën dhe jam një tip, që i përjetoj shumë fatkeqësitë e të tjerëve, ndonjëherë më ndodh që të shikoj edhe të humburit që kërkoj.... Kjo është e veçanta ime si Aida.
28. Si përgjigjesh në telefon?
Nuk besoj se jam e veçantë në këtë drejtim, përgjigjem si gjithë të tjerët. "Alo!", "Përshëndetje!".
29. Çfarë thotë mesazhi i sekretarisë juaj telefonike?
Nuk kam lënë mesazh në sekretarinë time telefonike.
30. Cili është veprimi që bëni pothuaj përditë?
Sa çohem në mëngjes pi një kafe, përgatis djalin tim për në shkollë dhe e përcjell deri tek dera, këtë e bëj pothuaj çdo ditë. Veprime të tjera janë në varësi të rrethanave që sjell dita.
31. Cila është dita më e mirë e pushimit?
E shtuna, pasi vjen menjëherë mbas të premtes, ditës së emisionit. Është dita ku unë relaksohem mbas një pune të lodhshme dhe është shumë shpejt për të filluar emocionet e të premtes që do të vijë. Madje, mund t`ju them se e shtuna më ka pëlqyer edhe kur kam qenë e vogël.
32. A e ke ndjerë ndonjëherë se ta kanë hedhur?
Po dhe mund t`iu them, se nuk ka ndjesi më të keqe. Është zhgënjimi që të vjen nga njerëz që ti u beson.
33. A i mban me kujdes paratë?
Zakonisht miqtë e mi më ngacmojnë, pasi unë jam nga Gjirokastra. Por mund t`ju them me sinqeritet se e kam shumë të vështirë të kujdesem për paranë. Nuk jam dhënë mbas lekut.
34. E do punën që bën?
Dy janë dashuritë e mia, familja dhe puna ime.
35. Çfarë dhuntish mendon se ke?
Mendoj se gjej njerëzit e humbur. (Qesh)
36. Si e vë në provë veten?
Duke u përballur me sfida të reja përditë.
37. A je në provë tani?
Gjithë jeta është një provë.
38. Kur has në pengesa si kundërvepron?
Puna që unë bëj ka shume pengesa, duke filluar që nga menefregizmi i instancave shtetërore deri tek kërcënimet e direkte dhe indirekte. Megjithatë si tip jam kokëfortë dhe vazhdoj rrugën që kam nisur. Ata familjarë duan një përgjigje, ndaj për mua nuk ka kthim mbrapa.
39. Ku do të arrish pas një viti?
Njeriu synon gjithmonë më të mirën. Se ku do jem?
Më mirë flasim pas një viti.
40. Kur mendon të tërhiqesh?
Atëherë, kur nuk do të kem gjë për të ofruar.
41. Kë ke dëmtuar gjatë rrugës tënde?
Nuk besoj se kam dëmtuar njeri, përkundrazi jam munduar të ndihmoj të tjerët duke sakrifikuar edhe veten time.
42. Kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi?
Kjo përgjigje futet tek ato gjëra që quhen personale.
43. Me kë je dashuruar për herë të parë? Sa zgjati kjo dashuri?
Jam dashuruar me atë që jetoj tani dhe vazhdoj të jem e dashuruar.
44. Kë personazh të njohur shqiptar apo të huaj do të ftoje në një mbrëmje?
Ismail Kadarenë.
45. Të pëlqejnë Krishtlindjet?
Më pëlqejnë shumë. Krishtlindjet simbolizojnë lindjen e shpresës dhe të gjithë ne kemi nevojë për të. Ato ditë ndjehem vërtet tjetër njeri.
46. Cila është shprehja steriotipe që të pëlqen më shumë?
Sa të rrosh, do mësosh.
47. Cila është kënga, libri, filmi, këngëtari, artisti yt më i preferuar?
Celine Dion - "New day has come".
Franc Kafka - "Metamorfoza"
Michael Douglas
48. Cila është ajo gjë që nuk mund ta bëje kurrë?
Të shkel personalitetin tim për hatër të karrierës.
49. Ku do të jetoje po të ishte plotësisht i lirë për të zgjedhur?
Në një vend ku natyra me njeriun të ishin në harmoni të plotë.
50. Cili është personazhi yt më i dashur në filmat vizatimorë?
Aladini me llambën magjike.
Roland Qafoku