Më shumë se 40 bukuroshe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë paraqitur dje, në ditën e parë të seleksionimit të vajzave që do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të “Miss Shqipëria 2009”. Ka shënuar kështu starti i këtij konkursi bukurie të organizuar nga producenti Petri Bozo. Në ambjentet e “Kristal Center”, në kinemanë e re të inaguruar pak muaj më parë, Bozo dhe stafi i tij kanë pritur vajzat e para. Faza e seleksionimit ka filluar në orën 11 të paradites dhe ka zgjatur deri në orën 20.00 të mbrëmjes dhe përgjatë gjithë ditës janë regjistruar bukuroshe të ardhura nga shumë qytete, që nga Shkodra deri në Sarandë. Përzgjedhja e vajzave këtë vit është konceptuar si një testim, gjatë të cilit vajzat i përgjigjen dy pyetësorëve të ndryshëm. I pari i përket fazës fillestare të prezantimit, ndërsa i dyti gjatë parakalimit të tyre me bikini. Pretendentet për konkurente gjatë kësaj kohe janë intervistuar nga Bozo dhe asistentët e tij në prani të kameras. Kjo me qëllim që secila prej tyre të parapërgatitet për fazën pasardhëse. Thënë ndryshe të zhvishen nga emocionet e përballjes me kamerat dhe aparatet fotografikë, apo me përballjen me publikun. Sakaq ajo që është vënë re këtë vit është numri i madh i regjistrimeve të atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë konkurs në faqen zyrtare të “Deliart Assocation” në interenet. Përzgjedhja e më të bukurave që do të bëjnë pjesë në garën e këtij viti do të vazhdojë në të njëjtin orar, edhe për dy ditë të tjera, sot dhe nesër.
Ende nuk janë bërë publike emrat e kandidateve, të cilat do të shpallen në një moment të dytë por mund të themi se mbi 240 vajza kanë kërkuar të drejtën për të marrë pjesë në konkursin e përvitshëm të bukurisë. Si fenomen tjetër në lidhje me interesimin e vajzave për këtë spektakël bukurie është rritja e kërkesave nga vajzat e Veriut të Shqipërisë, (Shkodra, Rrësheni, Lezha etj) ndërkohë që më parë, pjesa dërrmuese i përkiste Jugut. Tashmë spektakli pritet që të ndjekë zhvillimin tradicional të tij, duke shtegtuar nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, vende historike dhe zona turistike të vendit. Veç promovimit të bukurisë shqiptare, ky spektakël ka si qëllim edhe njohjen e monumenteve të kulturës, qyteteve antike e të trashëgimisë kulturore në vend përmes syrit të vajzave dhe videoklipet që do të filmohen bashkë me to. Siç dihet, fituesja e këtij konkursi do të ketë të drejtën ekskluzive për të përfaqësuar bukurinë shqiptare në garën tjetër ndërkombëtare të bukurisë “Miss Globe International”. Por pa gjë nuk do të mbeten as misset e tjera apo shoqërueset e miss-it. Siç ka ndodhur deri tani, mundësi të tjera konkurimi do të jenë për to nëpër spektakle të ndryshme ndërkombëtare të kësaj natyre, në Shqipëri e gjetkë, me të cilat Bozo ka lidhur marrëveshje. Disa nga çmimet që do të jepen për bukuroshet, të cilat garojnë janë “Miss Buzëqeshja”, “Miss Turizmi”, “Miss Fotozhenia”, “Miss Eleganca”, “Miss Kinemaja”, “Miss Inteligjenca”, “Miss Press”, “Miss Internet”, “Miss Televota”, si dhe “Shoqëruesja e parë” dhe “Shoqëruesja e dytë”. E pra, po vjen fundi i ditëve të “mbretërimit” për Almeda Abazin, e cila ndonëse mban edhe tituj të tjerë më prestigjozë si “Miss Globe International 2008”, do të duhet që t’ia dorëzojë kurorën e bukurisë të fituar në “Miss Shqipëria 2008”, bukuroshes që do të dalë e para në garën e bukurisë për këtë vit dhe që do të shpallet “Miss Shqipëria 2009”. Gjithashtu, nuk do të mungojë kalendari i përvitshëm me miss-et që ‘Deliart Assocation’ tashmë e ka shndërruar në një traditë të përvitshme.
GSHP.s Sa te gjej foto do i sjell.
