|
Berni
|
 |
« më: 28-04-2008, 12:09:40 » |
|
Në sallën e teatrit "Skampa" në Elbasan, muzikë për nostalgjikët e viteve ‘70
Brezi i "muzikës së ndaluar" mbrëmë ka pasur nderin dhe kënaqësinë të ndjekë një ndër "fansat" e viteve ‘70. Këngëtari i njohur, Sherif Merdani, ka ngritur në këmbë sallën qendrore të teatrit "Skampa" të qytetit të Elbasanit. Kanë qenë kërkesat e shumta të admiruesve të këtij të fundit për të sjellë në këtë sallë "ikonën" e 35 vjetëve më parë, ku këngëtari i ri, Merdani, do të thyente tabutë e kohës më të egër, të propaganduar ndryshe si "liberale". Merdani në Elbasan nuk ishte i vetëm. Ai shoqërohej nga zërat më të njohur të muzikës operistike, por dhe asaj alternative, Vikena Kamenica, si dhe nga këngëtarja e re e dalë nga "Ethet" e para Rosela Gjylbegu. Spektatori elbasanas ka mbyllur "relaksin" e javës me nostalgjinë e këngëve të Sherif Merdanit, ku shumë prej tyre kanë provokuar nostalgjinë e rinisë së tij dhe të tyren, pikërisht atëherë, kur u bënë sakrilegjet e para në fushën e artit për të dalë nga skematizimi dhe ideologjia muzikore e kohës. Ironia vrasëse e viteve të "shkëlqimit" të diktaturës komuniste rreth viteve 1970-‘75 , është sjellë mbrëmë në "Skampa" sikur të kishte ndodhur dje, por në zërin dhe interpretimin e Merdanit, sikur dilte për herë të parë në skenë. Vetë titulli apostrofik i Merdanit, "Ku mbete rinia ime?!" mbetet një apel në retrospektivë për brezin të cilit ai i përket, që e di mirë se sa e vështirë ishte të ngjitej nëpër tarraca për të parë vizualisht Përëndimin, edhe pse e dinin mirë se më pas, të urdhëruara, brigadat e "rinisë" do të ngjitnin në "turrën e druve" inkuizitorët idealistë të më tepër se tri dekadave më parë. Mes tyre ishte dhe mbeti Merdani, edhe pse në shijet e kohës është përpjekur të sjellë si "risi" muzikalitetin e rinisë së tij. Për Merdanin, mbrëmë qenë mbledhur jo vetëm moshatarët e "thekur" për muzikën e kohës, por fatmirësisht, edhe brezi i sotëm që nuk njeh kufi për të dëgjuar muzikën e shekullit që jetojmë. "Skampa" mbrëmë, për më tepër se dy orë, me muzikë të interpretuar në shqip dhe në gjuhë të huaj, mbeti si epilog dhe prolog i javës që u mbyll me një emër, "Ku mbete ti rini" që kishte për protagonist Merdanin e madh.
Gazeta Shqip
|