Forumi KulturorRevista KulturoreZeri KulturorShqiptarët që fshihen pas "Trojanëve"
Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Shqiptarët që fshihen pas "Trojanëve"  (E lexuar 1000 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Stafi


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 24147



Shiko profilin WWW
« më: 18-07-2008, 15:51:10 »

"Iku koha kur për shqiptarët thoshim: I shkreti emigrant"

Shqiptarët sjellin "Trojanët" në shqip. Me këtë surprizë të parë ngrihet sipari i edicionit të 9 të festivalit ndërkombëtar të teatrove, "Butrinti 2000". Tragjedia antike e Euripidit, e njohur deri tani përmes gjuhëve të huaja dhe përmes lojës së të huajve, në Butrint flet shqip, falë përkthimit të bërë nga shkrimtari i ri sarandjot, Romeo Çollaku, që bën jetën e emigrantit në Pankrati të Athinës. Regjisori grek i karrierës, Vangjelis Theodhoropulos, thotë se me të mbërritur në adresë të tij kërkesa e Teatrit Kombëtar Shqiptar për të vënë në skenë "Euripidin", iu drejtua Romeos, me të cilin banojnë në të njëjtën lagje të Athinës dhe ka qenë edhe bashkëpunimi me të që e ka bërë t‘i shohë ndryshe shqiptarët. Më tej ai ka mbetur i mrekulluar nga puna me artistët shqiptarë që ka gjetur në Tiranë. Regjisori grek, që edhe në Neo Kozmos të Athinës drejton një grup artistësh shqiptarë dhe që spektatorë të teatrove të tij ka kryesisht emigrantët, thotë shumë sinqerisht se "është fat i madh të punosh me Margarita Xhepën, Rajmonda Bulkun, Luiza Xhuvanin dhe Ema Andrean". Të gjitha konsideratat e tij ai i shpreh mes të tjerash në një intervistë ekskluzive për "Shqip", një natë para shfaqjes në Butrint.

Si u bë e mundur që ju të merrnit përsipër vënien e tragjedisë "Trojanët" me aktorë shqiptarë dhe përkthyer nga një shqiptar?

Janë bërë dhe gjëra të tjera me Romeon. Kur më bënë kërkesë nga Teatri Shqiptar, që të bëja regjinë për "Trojanët" që shkojnë në Butrint, ku Rajmonda Bulku është aktorja e rolit kryesor në këtë teatër, përpjekja e parë që bëra ishte të siguroja një përkthim të mirë. Doja që përkthyesi të ishte edhe poet e shkrimtar, pasi kjo është një kërkesë e dramës antike greke. Pyeta shokë të mi përkthyes në Greqi. Më thanë të tërë për Romeo Çollakun. Më thanë se ishte më i miri. E njoha atë, pasi doli që banojmë në të njëjtën lagje, në Pankrati të Athinës. Është një intelektual i kompletuar dhe shumë punëtor dhe ia doli për bukuri që të bëhej ky përkthim. E falënderoj shumë, se ishte një bashkëpunim shumë i mirë.

Sa e vështirë është të punosh si regjisor me një trupë të huaj shqiptare?

E vështirë nuk është, se po bindem që ka artistë shumë të mirë Shqipëria. Është fat i madh të punosh me Margarita Xhepën, Rajmonda Bulkun, Luiza Xhuvanin dhe Ema Andrean. Është një grup shumë i mirë aktoresh gra, sikurse e kërkon edhe tragjedia e Euripidit. Them se nuk më solli vështirësi, pasi ishte njëlloj si të punoje në Greqi apo në ndonjë vend tjetër të Evropës. Vështirësia është vetëm te gjuha dhe humbet pak kohë deri sa vërejtja e mundshme të përkthehet në shqip.

Çfarë mendoni se do sjellë ky teatër në festivalin "Butrinti 2000"?

Janë 70 vjet teatër kombëtar dhe është hera e parë më 18 korrik 2008 që ai do të ngjitet në shkallët e Butrintit. Do të ngjitet për herë të parë me një tragjedi antike greke. Kjo më bën shumë përshtypje. Dhe mendoj se gjatë sundimit të Enver Hoxhës, ju nuk flisnit dot për lirinë, ndërsa tragjeditë greke, që nga antikiteti, flasin për lirinë.

E ndjeni si një mangësi që provat tuaja janë zhvilluar në Tiranë, ndërsa skena e Butrintit është tjetër gjë?

Jo, nuk është aspak e vështirë ta kapërcej këtë diferencë mes kushteve të provave dhe atyre të shfaqjes, pasi kam eksperiencën e Greqisë. Kam vënë disa shfaqje në teatrin "Epidhavros" dhe i njoh vështirësitë e ndjehem i ambientuar. Megjithatë, kisha bërë kërkesë të bënin 10 ditë prova në Butrint, por mundësitë ekonomike nuk na lejuan. Suporti financiar e ka katandisur festivalin nga 8 në 4 ditë. Pra, do të jemi vetëm për 4 ditë këtu.

Cila është karriera juaj në fushë të teatrit?

Nuk më pëlqen të flas për veten, por meqë jam në Shqipëri, po tregoj. Jam nga Athina. Mbarova studimet për aktor, pastaj vazhdova për regjisor. Kam drejtuar disa trupa teatrore, përfshi dhe Teatrin Nacional të Greqisë. Tani drejtoj një grup teatror të Neo Kozmos. Kam vënë në skenë shumë shfaqje me këtë grup. Tani teatri ynë është një teatër që ndiqet me interes nga shumë emigrantë. Mes të tjerash përmend pjesën "Emigrantët" të Morzhek, ku kanë luajtur Laert Vasili, Nikolla Llambro dhe të tjerë artistë shqiptarë të emigruar në Greqi.

A ka ndryshim mes asaj që dinit për Shqipërinë e Sarandën dhe si e gjetët?

Më pëlqen shumë kuzhina shqiptare. Njoha shumë njerëz. Shqiptarët ikën nga atdheu për të punuar dhe mëkëmbur familjet e tyre. Ka dhe një mendim tjetër për Shqipërinë e varfërisë, por ka edhe njerëz të pasur, si në lekë e sidomos në ambicie kulturore. Nuk mund ta mendoja nga Athina që të shikoja jetë kaq të pasur kulturore në Tiranë. Po aq jam gëzuar që i kam parë njerëzit në shëtitje në Tiranë dhe në shëtitoren e Sarandës. Por, i them vetes edhe një herë: duhet t‘i njohësh njerëzit dhe të mos thuash vetëm "ah, i shkreti emigrant", siç jemi mësuar. Jo, shqiptarët nuk janë njerëz për të cilët, pa përjashtim, duhet të mendosh si për njerëz gjynahqarë, por të dish të mirat dhe dobësitë e tyre. Them se jam nga njerëzit që kam depërtuar përmes artit në të vërtetën e shqiptarëve dhe jam shumë i gëzuar që kam punuar e jam njohur me ta.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Stafi


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 24147



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #1 më: 21-07-2008, 14:24:15 »

"Trojanët", shkëlqimi befasues i Margarita Xhepës

Aktorja e madhe shqiptare, ishte "zonja e skenës" mbrëmjen e së premtes në premierën që hapi festivalin teatror "Butrint 2000"


Euripidi i 25 shekujve më parë vjen universal dhe internacional sot. Me "Trojanët" që sollën shqiptarët natën e parë të festivalit "Butrinti 2000", në skenën antike u panë retë e luftërave shkretuese që ka përjetuar Ballkani, një pjesë e historisë së tij, që ka prodhuar viktima dhe shembuj barbarie pa fund. Sipari ngrihet dhe spektatorit i shfaqet një skenografi që paraqet stola të kryqëzuar e të kthyer përmbys, ndriçim që është fare pranë errësirës, kostume gjithashtu të errëta të protagonistëve dhe figurantëve. Në të dy rastet ato janë gra e vajza, që përjetojnë shkatërrimin e Trojës dhe bëhen vetë përmasë e shkatërrimit. Vajza dhe gra që pas rënies së Trojës, me mjetin e njohur të kalit, barku i të cilit qe mbushur me ushtarë dhe heshta, presin skllavërimin e tyre dhe përfundimin në shtretër mashkullorë të athineasve, apo detyrohen të bëjnë punë të rëndomta e raskapitëse.

Shfaqja ngrihet mbi këtë gjëmë që ka ndodhur, ku tragjedia nuk sillet, por ndodh para syve të spektatorit. Oratoria dhe argumenti ndeshen me dredhinë dhe intrigën, pritja e fatit ka përballë mbijetesën dhe qëndresën.

Energjia tronditëse e Margarita Xhepës

Emocion krijoi loja si në ansambël e trupës shqiptare, me të cilin ishin në unitet skenografia me imazhin e përmbysjes, mizanskenat me gjëmë e vaje tipike të folklorit shqiptar dhe kostumografia e zgjidhjet e gjetura regjisoriale të Vangjelis Thoedhoropulos, i njohur edhe si drejtues i teatrit të emigrantëve shqiptarë "Neo Kozmos" (Bota e Re) të Athinës.

I entuziazmuar nga suksesi, ai tha me vlerësim maksimal se "Dua t‘i puth dorën Margarita Xhepës - për energjinë tronditëse me të cilën përballoi rolin dhe situatën dramatike". Ajo u vizatua si një aktore potente, që i dha frymë dhe ritëm shfaqjes së shqiptarëve dhe përcolli dramacitet në rritje. Jo më pak janë çmuar edhe loja e Ema Andreas, Luiza Xhuvanit apo Rajmonda Bulkut, bukurisë që i solli Trojës shkatërrimin dramatik.

"E ëndërroj rolin e Hekubës në vite", tregon aktorja e sprovuar në qindra role, Margarita Xhepa. "M‘u vra gjumi në kuptimin e bukur, dita nuk më mjaftonte, pasi më ishte plotësuar një ëndërr të luaja Hekubën, që m‘u ruajt kur u puq dëshira me moshën time 70-vjeçare", shprehet ajo. Aktorja e madhe thotë se ka një rezonim ky rol e kjo tragjedi në fatin e nënës dhe gruas shqiptare. "E në këtë kuptim isha e mbushur me histori, që ma bënë të lehtë rolin tim, të gdhendur nga Euripidi, që është një filozof i skenës", shton ajo.

Artisti Maks Velo e ka quajtur pjesën "Trojanët", si një ndër prurjet më të mira të Teatrit Kombëtar dhe ka nënvizuar momentin se është hera e parë që kjo trupë shkon jashtë me një realizim të arrirë. Ai është pritur me duartrokitje në konferencën për shtyp, kur ka vlerësuar se "Margarita Xhepa mbajti gjithë tragjedinë e Trojës", ndërkohë që të gjithë punën e ka quajtur të jashtëzakonshme.

I njëjti vlerësim vjen nga kritiku dhe studiuesi i teatrit, Josif Papagjoni. Ai ka vlerësuar se sado e shkuar në moshë, Margarita Xhepa dëshmoi të kundërtën, jo vetëm me energjinë e saj, por edhe se ajo e mbarti Hekubën dhe stili i lartë i komunikimit u ndërthur me të zakonshmen e të përditshmen. Po kaq dramatike në natyrën e tyre u shfaqën Luiza Xhuvani e Ema Andrea.

Buka e artit dhe buka e politikës

Koordinatori artistik i festivalit, Stefan Çapaliku, tha se është pjesë e absurdit shqiptar që CV-së së Teatrit tonë Kombëtar i ka munguar antikiteti. Për Artisten e Popullit, Margarita Xhepa, kjo nuk vinte ngaqë artistët shqiptarë nuk e donin antikitetin e si argument për këtë ajo ka sjellë në kujtesë përpjekjen e dështuar të regjisorit Mihal Luarasi.

Kritiku dhe studiuesi i artit, Josif Papagjoni, e vlerëson shfaqjen si realizim cilësor të regjisorit dhe trupës, me konceptin e antikitetit grek të madhështisë dhe të pranimit të vuajtjeve. Papagjoni tha se është punuar shumë dhe mirë më të gjithë elementët e korit dhe të aktrimit.

Ndërsa aktori i mirënjohur, Mirush Kabashi, tha se drejtori i festivalit, Bualoti, për herë të parë ka folur si orakull kur na përgatiti të gjithëve për një mbrëmje magjike. "Vërtet ishte e tillë në të gjithë komponentët e saj, deri te publiku i shkëlqyer", tha Kabashi.

Ai e ka vlerësuar shfaqjen "Trojanët" edhe si një vlerë dhe argument se arti e sidomos ai skenik shërben për të afruar popujt dhe është mirë kur çdo gjë shihet në bashkëjetesë. Kabashi nuk ka anashkaluar faktin e përgjysmimit të financimit të festivalit, por e paraqiti në kontekstin e grindjeve që mban gjallë politika e që janë "buka" e saj. "Politikanët kanë nevojë të shohin këtë teatër dhe në përballje me vlerat do të shohin vogëlsinë dhe cinizmin e tyre", shprehet Kabashi.

Romeo Çollakut nuk i jepet vizë për të qenë prezent në premierë

Përkthyesi i "Trojanëve", në një absurd modern

I vetmi që nuk mundi të ishte i pranishëm, qoftë edhe i ulur në shkallët e gurta të Butrintit, ishte përkthyesi në shqip i tragjedisë "Trojanët", Romeo Çollaku. Edhe pse ai ishte i zgjedhuri i vetë regjisorit Theodhoropulos për të bërë përkthimin e Euripidit në shqip, enkas për këtë vënie në skenë, emigrantit krijues nuk iu mundësua dhënia e një vize, për të përjetuar premierën në Butrint. "Kërkova të gjeja një përkthyes që të mos ishte thjesht njohës i gjuhës, por edhe poet e shkrimtar dhe të gjithë ata që pyeta më rekomanduan Romeon, me të cilin u njoha dhe mësova se banojmë në të njëjtën lagje, në "Pankrati" të Athinës", tha ditë më parë në një intervistë për "Shqip", regjisori Vangjelis Theodhoropulos. I themi se na habit se si një regjisor i njohur në Athinë, të mos mundet të bëhet garant për vizën e një përkthyesi jo rastësor, por cilësor dhe që ka marrë edhe çmimin kombëtar "Fan Noli" pak kohë më parë në Shqipëri e të tjera vlerësime të admirueshme në Athinë, për përkthime nga greqishtja e frëngjishtja. "Biseduam, konsulli i mëparshëm nuk ra dakord ta pajiste me vizë përkthyesin tonë të mrekullueshëm. Këtë trishtim kishin edhe prindërit e Romeos në Sarandë, Petroja e Frosina, teksa prisnin urime natën e shfaqjes që nga vetë regjisori e deri nga ambasadori grek në Tiranë, zoti Nikolaos Paizos. "E di, e di se si janë ato punë", u shprehu keqardhjen atyre ambasadori Paizos.

Ai do të bashkohet me trupën pas premierës së dhënë në Butrint, pasi pikërisht dje "Trojanët" e shqiptarëve udhëtoi drejt skenave të Athinës, ku pritet i njëjti sukses.

Qirjaqi, i pafat për teatrin me fat për jetën

Për "viktimën" e papandehur dhe të pamenduar të Butrintit, aktorin Agim Qirjaqi, jepet garancia se është mirë me shëndet, pas aksidentit që pësoi në afërsi të Tepelenës, duke udhëtuar drejt festivalit teatror në jug të vendit. Nga Spitali Ushtarak ku ndodhet i shtruar për kurim, është thënë se aktori i njohur është dëmtuar në shtyllën kurrizore, por pas ndërhyrjes që i është bërë, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Agim Qirjaqi është një nga aktorët dhe regjisorët më në zë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Por vitet e fundit, ai ka pasur një shkëputje nga jeta aktive artistike, për shkak të një shëndeti jo të mirë.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Nuk ka postime per momentin. Deshiron te jesh ti i pari?

Anketa
  • Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
  • Dot Arberi
  • 12 (36%)
  • -
  • Dot Besarta
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Julinda
  • 2 (6%)
  • -
  • Dot Olsi
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Shkelqimi
  • 3 (9%)
  • -
  • Dot Najada
  • 4 (12%)
  • -
  • Dot Romina
  • 1 (3%)
  • -
  • Dot Poli
  • 1 (3%)
  • -
  • Numri total i votave: 32
  • Shiko temen

* Sponsor