M A X
Admin
Karma: 36
offline
Gjinia: 
Postime: 11172
|
 |
« më: 24-05-2009, 09:03:40 » |
|
Artistja jonë e madhe, trondit skenat e Athinës, Sofies, Tiranës, Beogradit dhe Bukureshtit me dashuri nëne...
Margarita Xhepa/Jo vetëm nëna e Konstandinit, por dhe e Ballkanit...
Nga Agron Sejamini
E ftuan në Athinë që të luante nënën e Konstandinit... I dëshiruar, më shumë se sa i sigurtë, regjisori grek, në përgjigjen pozitive. Para disa muajsh, ajo ishte mbuluar me lavdi në kryeqytetin grek, tek luante Hekubën. Jo më kot, ia besoi atë rol te "Trojanët", regjisori tjetër grek, Vangjelis Theodhoropulos. Mediat greke e çuan aktoren shqiptare në lartësitë e të famshmes, Katia Paksinu. Vetëm ajo kishte ngjallur të tilla emocione në sallën e teatrit, siç po ndjente tani spektatori grek me margaritarin tonë...
-Të lutem mos më thuaj jo dhe cilat janë kushtet e tua?- ishin fjalët e para që kishin dalë nga goja e regjisorit, Sotiris Hatzakis.
Nuk i trembej përgjigjes për pjesën e dytë se sa asaj të parës greku. Dhe po si nënë shqiptare iu përgjigj Margarita. Aq sa regjisori nuk po u besonte veshëve të tij.
-Faleminderit shumë që më vlerësoni dhe më besoni. Më prisni se do të vi me shumë kënaqësi. Sa për kushtet... di vetëm që do të bie në Greqi, nënën shqiptare. Të tjerat për mua, nuk kanë aq shumë rëndësi...
Pas dy ditësh, Margarita Xhepa u nis për në Athinë. E emocionuar dhe e obliguar, sikur të ngjitej në skenë për herë të parë. Sepse nuk bëhej fjalë thjesht për të lojtur një rol, por për të përfaqësuar nënën shqiptare. Ia lehtësonte peshën mosha, por ia shtonte merakun ankthi i simbolikës kombëtare. Për më tepër, kur në krah do të kishte edhe nënën greke të Maria Katsiadakit dhe nënën rumune, përfaqësuar nga Maia Morgenstern, të dyja këto aktore të njohura për mjeshtërinë e tyre. Madje, Rumunia kishte hyrë e dalë edhe në portat e Hollivudit... Për nga mosha ishin vajzat e nënës shqiptare, përkatësisht 53 dhe 47 vjeç. Aq sa Margarita ka Çimin. Por jo më shumë nga numrat se sa nga shpirti, Margarita në ato ditë e javë, u bë edhe nëna e tyre, në përvojë, komunikim, ëmbëlsi dhe dashuri. Veç loja dhe ajo veshje e zezë i barazonte në skenë, se pjesën tjetër të kohës, më e ledhatuara, më e dëshiruara ishte... nëna shqiptare. Shikonin përkushtimin e saj dhe skuqeshin. Ndjenin disiplinën e saj dhe mendoheshin. Por më shumë se kaq, magjepseshin nga shpirtmadhësia dhe dhembshuria që nuk ishin të skenës, por të personalitetit të saj. Kishe se ç'farë të mësoje prej saj....
Nuk ishte e lehtë as për regjisorin dhe as për aktoret, të përballoje vështirësitë e komunikimit. Orë pa gjumë kalonte Margarita, duke përsëritur shqiptimet e fjalëve të ndryshme greke dhe rumune. Të fjalëve që shënonin fillimin apo mbarimin e interpretimit të tyre dhe fillimin e rolit të saj. Derisa shqiptimi i tyre u bë aq i thjeshtë sa shqipja e saj. Por nuk lodhej së punuari me to. Kishte qejf të rrinte sa më gjatë. Ishin femra xhentile, të dashura, të respektuara, shumë qytetare sa nuk ndjeheshin orët e punës dhe të lodhjes, shprehet artistja jonë. Pa harruar bashkëpunimin e përsosur me regjisorin grek. Nuk ndryshoi zëri i tij i ëmbël asnjëherë. Me atë butësi dhe kulturë, si në bisedën e parë telefonike, vijoi edhe bashkëpunimin....
Te ky regjisor artistja jonë ndjeu befasinë artistike që ende e kujton me ndjesi. Sapo filloi procesi në tavolinë, ku ai shpjegonte se si do të ecte loja, u prek siguria e suksesit të padiskutueshëm. Besim që buronte nga mënyra se si e shpalosi performancën. Mjeshtër jo vetëm për konceptimin e tij regjisorial, por edhe për mizanskenat e tij domethënëse. Lexoje në to mendimin, emocionin, mesazhin... Kishte punuar shumë për njohjen e të veçantave, për pesë kombet që do të përfaqësoheshin në skenë. Dinte si mallkohej, si këndohej apo kërcehej në këto vende. Ndaj e arriti atë që synonte. Në emër të paqes, u dha mesazhi që arti di ta përcjellë më bukur se çdo gjë tjetër, duke bashkuar popujt, njerëzit, shpirtërat. Ishte parashikuar që kjo shfaqje të jepej vetëm në Athinë. 15 herë rresht u shfaq në një sallë 400 vendëshe. Edhe dy herë në ditë u dha. Suksesi i jashtëzakonshëm... Por as ky fakt dhe as mesazhi që përcjell kjo vepër, nuk mjaftonin që kjo trupë të udhëtonte edhe në kryeqytetet e tjera. Jo pak lekë ishin dashur, për të arritur deri këtu. Disa herë më shumë nevojiteshin për të nisur një turne që as stafit drejtues nuk i kishte shkuar ndërmend. Qoftë edhe si ide. Ishte vetë pronari i një agjencie famoze në Athinë, i cili nuk u shpëtoi dot emocioneve që të falte ajo lojë mjeshtërore. Ishte institucioni bamirës "Aleksandros Onasis" që sponsorizoi mundësinë e dhënies së shfaqjes edhe në Tiranë, Bullgari, Beograd dhe Bukuresht. Ishte loja e jashtëzakonshme e Margarita Xhepës, ajo që krijoi shansin e madh të mbështetjes financiare edhe në këtë rast... Tashmë, ajo nuk ishte vetëm nëna e Konstandinit, por edhe e Ballkanit...
U mirëprit dhe u duartrokit edhe në këto skena. Por kuptohet, më ngrohtë, më me dashuri e priti spektatori i Tiranës. Mbi 20 duartrokitje e ndërprenë lojën e tyre brilante. Shpërblehej me respekt dhe mirënjohje nëna shqiptare, por edhe ajo greke dhe rumune. U shastis regjisori grek, nga ky publik i zjarrtë dhe i ndjeshëm. Harroi suksesin e vet dhe u dëshirua për të tillë publik... Për këta njerëz që ishin i të njëjtit gjak me nënën e Konstandinit. Me këtë nënë që e kishte bërë krenar në të gjithë skenat e Ballkanit, ku kishte dhënë shfaqjen e tij. Ndaj bëri atë që nuk e bën shpesh, përulet para aktores sonë të madhe dhe i puth duart...
Kanë kaluar gati 20 ditë që ka dhënë shfaqjen e fundit dhe ende ajo, përjeton emocionet sikur do të dali po sot në skenë. Ndjehet e rinuar dhe e përtërirë nga suksesi i madh që realizoi me nënën e Konstandinit. Jo thjesht si Margaritë, por si aktore shqiptare. I është mirënjohës edhe Zotit, që i dha shansin e madh për të ndjerë të tilla emocione edhe në këtë moshë. Ëndërr e ka patur që këto vlera artistët shqiptare, t'i shpalosnin edhe nëpër skenat e botës. Sepse, nuk bëhej fjalë për shfaqje teatrale, por për mesazhe miqësie, qytetarie dhe kulture. Sa herë që ikte me pushime apo turne në Sarandë, nata e fuste në meditime dhe mendime.... Shikonte aq afër dritat e Korfuzit dhe i vinte keq që ditën i largoheshin aq shumë... Peng për gjithë jetën e kishte që nuk iku një herë në vendin ku lindën kryeveprat e teatrit. Kaloi rinia, edhe shumë vite më pas. Sa shumë e ka dashur lirinë... Artistët kanë qenë demokratë që në kohën e socializmit. Nuk e duronin dot kufizimin ndaj kërkonin hapësirë, lirshmëri....Erdhi kjo kohë e artë, kur vitet kishin bërë të tyren. Por jo më kot thonë, se fati vonon, por nuk harron... E tillë ndjehet edhe aktorja jonë e madhe. Mbase Zoti e shpërbleu për gjithë ato vite lodhje dhe mundi. Kishte nevojë për një ndjesi të tillë, sepse teatrit i fali rininë, pasionin, dashurinë...
Vlerësim i regjisorit grek, Sotiris Hatzakis për "Artisten e Popullit" Margarita Xhepa
"Një nga aktoret e tragjedisë më të madhe që unë kam njohur në jetën time"
Natyrisht, që ka meritën kryesore regjisori grek Sotiris Hatzakis, që ideoi udhëtimin e Kostandinit dhe Dhoqinës nëpër Ballkan. I frymëzuar nga një histori e përbashkët për gjithë popujt e gadishullit tonë, diti të hedhë në skenë 300 variantet e legjendës së besës. Jo më kot ai lëshon kujtesën: "Legjenda e Kostandinit nuk është e imja dhe e jotja, por është e jona, ndërballkanike". Një skenë që kthehet edhe në një tribunë politike dhe shoqërore. Jepet mesazhi se, popujt në Ballkan mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe të gjejnë elementë, pika dhe mite të përbashkëta, që të jetojnë në paqe. Një histori që bashkon pesë kombe në një skenë. Të gjithë elementët e tragjedisë shpërthyese i janë bashkangjitur në formën e akteve popullorë me ritmin e pandërprerë të daulles dhe çangës. Mallkime, ofshama, thirrje të vdekurish, kërcime vajtore, porosi drejtuar shpirtërave dhe thirrje të tjera yshtëse, të gjitha këto të shqiptuara në të pesta gjuhët ballkanike, bashkojnë tragjiken me populloren. Gërshetohen një numër variantesh të poemës, vaje, anatema, këngë erotike dhe pagane, këngë dasme dhe kurbeti si ajo "Përtej urës së Qabesë" apo "Moj e bukura More...". Janë vëllai dhe motra që besa e dhënë i çon te nëna tragjike. Shpalosin vlerat e tyre në një skenë, Dhoqina dhe Kostandini në shqip, Aretia dhe Konstandis në greqisht, Jelica dhe Jovan në serbisht, Pektana dhe Lazarinë bullgarisht, Vojka dhe Konstandin në rumanisht. Autori i këtij kompozimi të shartuar muzikor, letrar, koreografik e popullor është pikërisht Hatzakis. Dhe në këtë shfaqje simbolike ndërballkanike shkëlqen, e madhja Margarita Xhepa.
"Për mua ajo është një nga aktoret e tragjedisë më të madhe që unë kam njohur në jetën time. Unë kisha nevojë për aktorë, të cilët e bashkojnë apo e lidhin këtë vepër teatrore me dramën e lashtë greke. Kështu me të njëjtën mënyrë që Margarita luan dhe që ka një eksperiencë të madhe në role të tjera, kështu ka dhe eksperiencë nga roli i nënës". Nëpërmjet Margarita Xhepës unë kam mësuar shumë gjëra mbi Tetarin Kombëtar shqiptar. Di që janë shumë aktorë të mirë, të cilët përpiqen dhe di që është një vend që zhvillohet. Unë e ndjej se këtu do të lindin fuqi të reja..." - thotë regjisori grek, Sotiris Hatzakis.
Aktorja rumune me famë botërore, Maia Morgenstern:
"Ndihem e privilegjuar që luaj me aktoren e madhe shqiptare, Margarita Xhepa"
Është simboli i teatrit dhe kinemasë rumune, e njohur në botë nga roli i Marisë së Virgjër tek "Mundimet e Krishtit" të Mel Gibsonit. Ishte shans dhe fat i madh për aktoren tonë që të kishte në krah këtë artiste të madhe. Me të tilla konsiderata dhe emocione punoi aktorja jonë gjatë gjithë atyre javëve që i bashkoi roli i nënave. Por, fjalët e dala nga artistja rumune të bëjnë të ndjesh se e këtyre lartësive është edhe Margarita jonë.
"Nuk jam aktore që më pëlqen të rri për duartrokitje... Por pas çdo fundi të kësaj shfaqjeje, kam ndjerë emocione të forta, tek jam zgjatur, duke u përshëndetur me publikun në sallë. Ishte shpërblimi për aktorët dhe kolegët ku do të veçoja aktoren e madhe shqiptare, Margaritë. Për dy muaj e gjysëm bashkë jemi ndjerë shumë të afërta dhe regjisori ka meritën e madhe se arriti që ta bënte kompakt këtë grup multi-ballkanik dhe të ndjeheshim shumë mirë me njëri-tjetrin. Jam shumë e lumtur që jam pjesëmarrëse në këtë shfaqje teatrale, është e pabesueshme që edhe pse kemi gjuhë krejt të ndryshme, kemi kaq gjëra të përbashkëta. Është një nga bashkëpunimet më të bukura. Artisti ka nevojë të flasë, sidomos kur bëhet fjalë për vepra të tilla, që janë ushqim shpirtëror i çdonjërit prej nesh.
Jam shumë e lumtur që luaj në këtë vepër dhe bashkëpunoj me kaq aktorë nga këto vende. Para se të mësoja se kjo legjendë ekzistonte dhe në vende të tjera të Ballkanit, kisha shumë paragjykime, frikë, nuk e di pse. Kur prezantohesha në vende të tjera të botës dhe thosha se jam nga Rumania, ata nuk e dinin përafërsisht nga binte dhe kur theksoja në Ballkan, shihja një nënvlerësim në sytë e tyre. Është për të ardhur keq, duke ditur se ç'pasuri kemi si vende. Kanë ndikuar shumë gjëra në histori që na kanë larguar, duke transmetuar një përshtypje të keqe për këto vende. Për Shqipërinë kam një dashuri të veçantë, nuk mund ta shpjegoj arsyen, mbase ka ndikuar edhe filmi i regjisorit Agjelopulos, me metrazh të shkurtër "Në shikimin e Odisesë", ku flet shumë qartë për shqiptarët. Ndihem e privilegjuar që luaj me një aktore siç është Margarita Xhepa. Besoj se kjo pjesë, ashtu siç largoi disa paragjykime tek unë, ashtu do të prekë dhe do të sensibilizojë shumë spektatorë dhe ky është mesazhi që duam të transmetojmë. Jemi ballkanas dhe duhet të ndihemi krenarë për vlerat tona, historinë dhe artin popullor e tradicional.
32 role në kinema
I dashur armik (2004)
Mirupafshim (1997)
E diela e fundit (1993)
Misioni përtej detit (1988)
Rrethi i kujtesës (1987)
Fillim i vështirë (1986)
Gabimi (1986)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Militanti (1984)
Apasionata (1983)
Dora e ngrohtë (1983)
Shokët (1982)
Dita e parë e emërimit (1981)
Me hapin e shokëve (1979)
Dollia e dasmës sime (1978)
Gjeneral gramafoni (1978)
Koncert në vitin 1936 (1978)
Dimri i fundit (1976)
Pylli i lirisë (1976)
Tokë e përgjakur (1976)
Vitet e para (1965)
Filmi "Mirupafshim" (regjisor J. Koras, K. Vupuras) u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepës iu akordua Çmimi i Nderit.
150 role në teatër
Midis tyre përmendim:
MAJLINDËN te "Majlinda" (Xh. Broja), DAFINA te "Lumi i vdekur" (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të J. Xoxes), FILJA te "Cuca e maleve" (L. Papa), ZONJA MEME te "Kush e solli Doruntinën" (dramatizim nga E. Budina e P. Mani i romanit me të njëjtin titull të I. Kadaresë), NËNA "Përballë vetes" (R. Pulaha) etj. Ka qenë e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si OFELIA tek "Hamleti", VAJZA E DYTË te "Mbreti Lir", DADO te "Romeo e Xhulieta", MBRETËRESHA MARGARET tek "Rikardi i III", të Shekspirit. Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin KLEA te "Dhelpra dhe rrushtë" (Figereido), LENA tek "Xhaxha Vanja" (Çehov), LEDI MILFORD te "Luiza Miler" (Shiler), ZONJA BERLING te "Vizita e inspektorit" (Pristli), ZONJA LOMEN te "Vdekja e një komisioneri" (A. Miller), ANA ANDREJEVNA te "Revizori" (Gogol), MARSELA te "Qeni i kopshtarit" (De Vega), MASHENKA te "Mashenka" (Afigenov), SHEJLA te "Morali i zonjës Dulska" (Zapolska), DADO te "Elektra" e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.
RD
|