M A X
Admin
Karma: 36
offline
Gjinia: 
Postime: 11172
|
 |
« më: 01-06-2009, 14:09:38 » |
|
Madamme Ardant, një film për "Eskilin..." e Kadaresë
Rrëfehet aktorja e njohur franceze: U dashurova me librin
"Vetëm pak muaj më parë, gjatë xhirimeve të filmit ‘Cendres et sang‘ (‘Hi dhe gjak‘) një mendje më thoshte të lija gjithçka. Dhe bërtisja: më mirë të përfundoj në një manastir, se sa të qëndroja në një thertore të këtillë. Më ndodhi kjo sepse kuptova se isha dashuruar me librin ‘Eskili ky humbës i madh‘, një roman që të zgjon kureshtjen, shkruar nga Ismail Kadare, një shkrimtar i madh shqiptar, kandidat për çmimin ‘Nobel‘. Por e gjithë kjo dashuri më kishte bërë që ta shihja të gjithë historinë, skenarin e madje edhe protagonisten me sytë e një interpretueseje, të një aktoreje dhe jo me syrin ironik dhe të shkëputur të regjisorit...". Fanny Ardant, aktorja e mirënjohur, një nga damat e mëdha të kinematografisë franceze, e shprehu në këtë mënyrë përvojën e saj të parë si regjisore, por edhe skenariste në edicionin e 62 të Festivalit të Kanës, ku për herë të parë, filmi i saj u shfaq para publikut jashtë konkursit në këtë eveniment të rëndësishëm të kinematografisë botërore. Por e kishte të nevojshme ta çonte deri në fund këtë sfidë të parë pas kamerave. Filmin e frymëzuar përmes Eskilit të Kadaresë, nga përshkrimet e këtij shqiptari të madh, që ka përcjellë përmes këtij krijimi dimensionet e jetës së ballkanasve në luftëra dhe në festa, në dasma, në rite funebre dhe në vdekje, ajo ishte e vendosur ta përfundonte. "Në një moment, kuptova se përballë apo pas kamerës, ajo që më shumë kishte rëndësi ishte të gjeja në vete atë emocionin naiv që provon një fëmijë kur përballë një peme papritmas shfaqet një re. Kuptova se nuk duhet të mendoja për pemën, pra për batuta, për partnerin apo për subjektin e filmit, zgjodha të ndiqja renë. Vetëm kështu gjithçka do të shkonte më së miri. Dhe zbulova se kisha pasur të drejtë", thotë ajo, ndërsa komenton e pozon mbi tapetin e kuq të yjeve në Kanë. Kadare na rrëfen se si mbrojtja e skajshme e së drejtës mund të provokojë padrejtësi të mëdha, e duket se kjo i ka bërë përshtypje aktores dhe regjisores Ardant. Filmi i saj "Hi dhe gjak" i ngjan tragjedisë greke të përshkruar nga Kadare. Ai përcjell kufomat dhe hakmarrjet, dhimbjen dhe vuajtjen. "Gjithçka nisi nga dëshira ime e madhe për të rrëfyer pikërisht çka kisha kuptuar e lexuar në këtë roman, por e kam të vështirë të imagjinoj edhe një herë veten si regjisore, vetëm nëse nuk do të ngacmohen sërish, si në këtë rast nga një urgjencë e madhe për të rrëfyer. Unë nuk i lexoj gazetat, nuk shikoj televizion. Bëj që gjithçka ndodh nëpër botë të vijnë tek unë nëpërmjet tregimit që herë pas here më vijnë nëpërmjet të tjerëve. Këtë jam munduar të realizoj, ashtu siç ka ndodhur në sajë të traditës antike të të rrëfyerit oral që transmeton në breza vlerat e mëdha të njerëzimit", ka komentuar aktorja 60-vjeçare. "Hi dhe gjak" është realizuar në Rumani, edhe pse fillimisht regjisorja kishte menduar t‘i ambientonte ngjarjet në Shqipëri apo edhe Greqi. Rumania ishte thjesht një zgjedhje teknike, i ofronte më shumë mundësi për të realizuar filmin për të cilin është kujdesur deri në detaj (sipas kritikës shpesh edhe deri në tepri). Në filmimin e këtij filmi që shpërfaq një dramë familjare, që gjendet mes traditës dhe kohëve moderne, regjisorja ka bërë kujdes në gjithçka. "Cendres et sang", është një film jo i zakonshëm, në njëfarë mënyre edhe i jashtëzakonshëm mbi të gjitha për sa i përket personazheve.
Ajo ka zgjedhur të rrëfejë historinë e një gruaje të quajtur Judith, që vjen nën interpretimin e aktores izraelite, Ronit Elkabetz, dhe fëmijëve të saj. Dhjetë vite pas vrasjes së të shoqit, ajo shkon të jetojë në Marsejë, së bashku me tre fëmijët e saj. Pasi refuzon për vite me radhë të shikojë familjen, në fund bindet nga fëmijët dhe pranon të kthehet në vendin e saj me rastin e martesës së një kushëriri. Por ndodh që kthimi i gruas të rindezë urrejtjen e vjetër mes klaneve rivale. Kështu, Ardant përballet me një histori gjakmarrjeje dhe nderi dhe e gjithë pjesa, deri në mbërritjen e familjes së Judith në vendlindje fsheh një mister që të ngjall kureshtje. Djali më i madh i Judith është Ismaili, 22 vjeç, i cili i gëzohet jetës dhe dëshiron ta jetojë atë. Vëllai i tij, Pashko, 20 vjeç, është disi më i qetë, ndërsa Mira, 15 vjeçe është gëzimi i familjes, edhe pse ajo nuk dëgjon... Gjuha regjisoriale e Ardant shfaqet edhe në zgjedhjet teknike, siç janë ngjyrat e zjarrta dhe një lloj drite që thekson tepër shprehitë e fytyrave të personazheve të saj, që vijnë si maska teatrore, të cilat qëndrojnë të tilla thuajse deri në fund të filmit. Filmi është plot me simbolikë; shqiponja në fillim të filmit dhe gjaku i kuq në një imazh në bardhezi duket se janë shenja vizive të forta që, megjithatë, sipas kritikës, rrezikojnë të kontrollojnë elementin melodramatik që është edhe pjesa thelbësore e filmit. Në film, përveç protagonistes, aktores izraelite Ronit Elkabetz, interpretojnë edhe aktorët Abraham Belaga, Marc Ruchmann, Claire Bouanich, Madalina Constantin, Olga Tudorache, Oana Pellea e Razvan Vasilescu. Drejtor fotografie është Gérard de Battista. Filmi, i cili për të thënë të vërtetë, nuk e ka emocionuar shumë kritikën, u shfaq në Festivalin e Kanës jashtë konkursit. Karriera artistike e Fanny Ardant nis menjëherë me pjesëmarrjen në disa produksione teatrore dhe në disa seriale franceze. Më pas, në vitin 1979, Fanny shfaqet në ekranin e madh me filmin "Njeriu i qenve" me regji të Alain Jessua. Në fillim të viteve ‘80, Ardant takohet me maestron e "Nouvelle Vague", François Truffaut, me të cilin martohet në vitin 1981. Falë kësaj lidhjeje ajo përfiton edhe rolet më të spikatura e më domethënëse të karrierës së saj. Në 1981, regjisori i beson asaj rolin e Mathilde në "Zonja e portës përbri" dhe dy vjet më vonë e zgjedh për "Më në fund e diel", filmi i fundit i drejtuar nga Truffaut para vdekjes së tij të parakohshme. Por ai e ka ndihmuar ngaherë, edhe pse nuk është më në jetë, ashtu siç ndodhi edhe në realizimin e "Hi dhe gjak", skenarin e të cilit vetë aktorja e shkroi duke u bazuar mbi librin e Ismail Kadaresë, "Eskili ky humbës i madh." "Ndodhi kështu sepse unë me Truffaut vazhdoj të flas vazhdimisht. Sikur vdekja dhe jeta, të mos krijonin asnjë hendek. Kujtimi i entuziazmit të tij "ngjitës" për çdo ngjarje sado të vogël dhe në dukje të parëndësishme të jetës vazhdon të jetë pjesë e ditëve të mia", ka thënë ajo. Pas vdekjes së tij, Fanny shfaqet në të tjerë filma që nxjerrin në pah aftësitë e saj interpretuese, por që e mbajnë larg publikut të gjerë. Në vitin 1994, Fanny Ardant më në fund nominohet për çmimin "César" falë filmit "Koloneli Chabert", në të cilin interpreton në krah të mikut të saj, Gérard Depardieu. Ky interpretim i fal asaj një famë krejt të papritur, duke arritur deri në Hollywood, ku interpreton në krah të Harrison Ford. Pas pjesëmarrjes së saj në filmin "Përtej reve" me regji të Michelangelo Antonioni, Ardant fiton çmimin "César" me "Ditën dhe natën". Në vitin 2001, ajo ka interpretuar në rolin e sopranos së madhe Maria Callas në filmin "Callas Forever" (2001). Fanny është nënë e tre fëmijëve Lumir, Josephine, dhe Baladine. Fanny Ardant ka interpretuar në vitin 2002 në filmin "8 gra dhe një mister", ku të gjitha protagonistet ishin femrat në krah të Catherine Deneuve, Isabelle Huppert dhe Emmanuelle Béart. Për herë të parë ajo provon veten në rolin e regjisores me filmin "Hi dhe gjak".
G.Shqip
|