Berni
Forca Elbasani
Stafi
Karma: 4
offline
Gjinia: 
Postime: 24144
|
 |
« më: 14-08-2008, 11:05:57 » |
|
Festivalet folklorike ndërkombëtare njihen tashmë si ura lidhëse midis popujve. Këtij qëllimi i vlejti edhe zhvillimi i Festivalit Folklorik Mesdhetar që u organizua në Vlorë, nga 29 korrik - 2 gusht 2008.
I ftuar nga drejtori i Qëndrës Kulturore të Vlorës, njëherësh drejtori i Festivalit, Istref Dobi, ndoqa për tri ditët e para zhvillimin e asaj veprimtarie. Ky festival shënonte tashmë edicionin e katërt që zhvillohej tradicionalisht në Vlorën turistike. Atë e ndoqën me kërshëri jo vetëm qytetarët vlonjatë por edhe shumë turistë të huaj që kishin ardhur të sodisnin ujrat e detit Jon.
Festivali, që u zhvillua pa garim, pati karakter masiv gjë që u karakterizua nga organizimi i tij njëherësh në tre qendra të qytetit: Sheshi i Flamurit, Podi i Plazhit të ri dhe sheshi para pallatit të sportit.
Të tetë ansamblet, përfaqësonin shtete që lagen nga ujrat e Mesdheut por dhe më gjerë. Kësisoj, Kosova, Turqia, Maqedonia, Shqipëria dhe Egjipti u bashkuan si asnjëherë në një veprimtari folklorike ndërkombëtare.
Në çdo mbrëmje, luanin tre ansamble përmes një programi të zgjedhur prej 30 minutash. Repertorët e tyre dallonin për valle të lashta me fabula nga legjendat dhe baladat populore, por edhe të tilla me fizionomi bashkëkohore.
Ashtu si përgjithësisht në veprimtari ndërkombëtare, folklori u prezantua përmes një organizimi, drejtimi, por edhe nga njëfarë krijimtarie.
*
Ky konceptim për folklorin e një festivali përmban tashmë ngjyrime botërore.
Në këtë shkrim, do të ndalemi posaçërisht për zhvillimin e koncertit të mbrëmjes së parë të festivalit, ku secili nga të tetë ansamblet pjesëmarrës shpalosi për 10-15 minuta njësitë e tij më të zgjedhura. Ai u zhvillua përbri Sheshit të Flamurit, pranë Monumentit të Pavarësisë (foto 1).
Po analizojmë shkurtazi vlerat e çdo ansambli sipas radhës kronologjike, të përfaqësuara përmes njësive koreografike.
1. Ansambli "Çamëria" i Vlorës (foto 2), u paraqit me tri njësi: dy valle burrash, e "Xhamadait" dhe vallen legjendare të Osman Takes, kurse vajzat me vallen grarishte të titulluar "Tumankuqja" ose "Barabaro Vasiliko". Te vallet e djemve shpërtheu optimizmi dhe vrulli heroik, përmes lëvizjeve të gjalla dinamike, të cilat u luajtën të harmonizuara. U monumentalizua ulja "urë" e njërit nga valltarët, ndërkohë që të tjerët kalojnë mbi gjoksin e tij. Kjo figurë sigurisht që i bën jehonë fabulës së njohur tashmë të valles me në krye kërcimtarin në rolin e Osman Takes, të interpretuar me mjeshtëri nga Nazif Gjyzeli, duke na kujtuar valltarin e para disa viteve, të papërsëritëshmin Taip Meidani nga Konispoli i Çamërisë. Origjinaliteti i formacionit të vallatrëve në gjysmërreth me zhvendosje rrethore anash nga e djathta shpalosi më së miri traditën folklorike të valles çame të burrave.
Vallja e vajzave, e përcjellë njëherësh me saze dhe këngë, shquajti për lirizmin brilant, lëvizjet e kursyera, por të harmonizuara estetikisht nga valltaret interpretuese. Këtu binte në sy për të mirë valltarja e parë Majlinda Haliti e cila, sipas traditës vendase, rastiste të shkëputej nga grupi dhe të luante me kërcime vetjake, duke qënë e mbajtur nga cepat e një shamie me valltaren e dytë të grupit.
Loja e përkryer e ansamblit "Çamëria" të Vlorës, mbase e justifikoi në njëmasë të konsiderueshme mospërfaqësimin e Vlorës me ansamblin vendas të kristalizuar, "Labëria".
2. Ansambli "Osman Gazi" i Bursës, Turqi (foto 3) u paraqit me një kolazh vallesh të ekzekutuar përsosmërisht nga një grup valltarësh vajzash dhe djemsh. Kërcimet e këtij ansambli rrezatonin dimensione herë horizontale e herë vertikale, duke u bërë jehonë valleve të detit Egje. Në Bursa, ndodhen prej kohësh edhe mjaft shqiptar. Madje, një ansambël me emrin "Zafir" përbëhet nga shqiptarë. Në këtë kontekst edhe në kolazhin koreografik të "Osman Gazi" ndjehen paksa edhe ngjyrimet e folklorit shqiptar. Kjo dukuri argumentohet edhe me faktin se koreografi i atij ansambli, Vedat Llana, është me origjinë kosovare.
Bursa, qytet i njohur për organizimin e festivaleve folklorike ndërkombëtare, u përfaqësua me një grup valltarësh popullorë në moshë të re por me shije të spikatur artistike. Mendoj që mund të minimizohej ndonjë pasazh kërcimi me karakter ritmik.
3. Ansambli shqiptar "Karshiaka" i Shkupit (foto 4), u përfaqësua në mbrëmjen e parë përuruese me dy njësi: "Potpuri vallesh" dhe "Loja e bareshës".
Këtë ansambël kam patur rastin ta shoh edhe herë të tjera, por shpreh bindje se kësaj radhe ai u paraqit me më dinjitet folkloriko-artistik. Dalloi epika kërcyese e djemve, kryesisht edhe përmes lëvizjeve të "krahëve të shqipes" dhe lirika brilante me atë elegancë dhe finesë te vajzat. Ra në sy për shumë të mirë, trajtimi i një fabule-lojë midis valltarësh. Fabula e thjeshtë për fshehjen, mosgjetjen apo gjetjen e shamijave të vajzave te plisat (qeleshet) e djemve, ngjalli kërshëri. Këto imazhe u përcollën përmes njëfarë gërshetimi kërcimesh me dimensione artistike. Interes paraqitën edhe të quajturat "bulo-lojë", që përfytyronin zenkat mes kafshëve nga valltarët - barinj.
Me rezervë do të pranoheshin në këto kërcime disa elemente ritmike, sikundër rrotullimet rrethore të shamisë në dorën e valltarëve, kryesisht nga i pari.
4. Ansambli "Lidhja Shqiptare e Prizrenit", Kosovë (foto 5), përfaqëson njërin nga bashkësitë më të rinj të formuar fill me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Në kërcimet e këtij ansambli, ndjehet një aromë historike, e shprehur simbolikisht përmes dy kuvendeve të mëdha: Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 1912. Nga ana tjetër, në finesën e kërcimeve të vajzave përfytyrohen lumi Lumëbardhë, që përshkon qytetin e Prizrenit me atë të bashkimit të dy detrave Adriatik dhe Jon.
Kërcimet e këtij ansambli u bëjnë jehonë valleve kosovare në përgjithësi dhe atyre të rrethinave të Prizrenit në veçanti, duke u shpalosur lirika dhe epika interpretuese e kërcimeve me grintë e dëshirë.
Bukuria e vajzave dhe krenaria e djemve ravijëzohen më së miri përmes lëvizjeve dhe figurave, si mjete shprehëse korografike të konsoliduara.
Për kërcimet e djemve do të kishim rezerva lidhur me dridhjet e ngjeshura e të shpejta të supeve, të cilat nuk përbëjnë shprehi autentike të koreografisë popullore shqiptare.
5. Ansambli "Kitka" i maqedonasve të Shkupit (foto 6) , u paraqit me një makrovalle të gjallë dhe dinamike, ku veçonte loja e vajzave me shirita-shalle të gjata, të bardha, dhe loja e djemve me shamija në majat e shkopinjve. Disa pasazhe kërcimesh nga vajzat, të përcjella vetëm me instrumentin e gajdes si dhe përgjithësisht shoqërimi muzikor me instrumente popullorë e portretizoj këtë ansambël me ngjyrime mesazhesh estetike dhe tradicionale. Nga ana tjetër, lëvizjet e kërcimeve u karakterizuan nga shpejtësia, si shprehje e ritmikës së psikologjisë sllave.
Ansambli "Kitka", që do të thotë lule e bukur, është i njohur tashmë ndërmjet bashkësive të shumta folkloriko-artistike të Maqedonisë. Ai ka krijuar traditë për lëvrimin e valleve popullore brenda dhe jashtë Maqedonisë.
6. Ansambli "Tirana" i Shoqërisë Kulturore, Tiranë (foto 7). Ky institucion, ka krijuar tashmë një performancë të përkryer me koncertet e realizuara brenda dhe jashtë vendit. Për këtë dukuri është shkruar disa herë prandaj nuk po ndalemi sërish. Do të theksoja se trupa e valleve, e re në moshë dhe e pa përvojë, luajti me bukuri dhe origjinalitet.
Për këtë ansambël do të kisha edhe ndonjë vërejtje. Fillimisht është fjala për "Vallet e zileve", perceptuar, organizuar dhe krijuar nga autori i këtij shkrimi. Madje, kjo makrovalle, mbështetur në një traditë të kristalizuar, është ligjëruar qysh me zhvillimin e FFK, Gjirokastër 2004. Si premierë, kjo njësi koreografike ndikoi ndjeshëm që ansambli i qarkut të Tiranës të merrte Çmimin e Parë.
I theksova këto vlerësime, për faktin se janë të paligjshme disa ndryshime thelbësore që ka pësuar kjo makrovalle.
Si mund të shpjegohet që atij krijimi i janë "prerë krahët" dhe konkretisht: Janë mënjanuar elemente të folklorit dramatik dhe humoristik, kryesisht te vallet "Pallaveshja" dhe "Gumsharaveli". Për më tepër, janë shmangur maskat të cilat u bënin jehonë traditave të folklorit dramatik vendas. Ky fakt, është kundërshtuar nga autori qysh para dy-tre vitesh gjatë zhvillimit të një festivali lokal. Për këtë, i indinjuar, i tërhoqa vëmendjen drejtuesit artistik dhe koreograf njëherësh të ansamblit, kolegut Xhelo Çuni, por ai u justifikua se kështu e vendosi komisioni i festivalit lokal (!). Si mund të justifikohet një gjë e tillë, kur ajo makrovalle është konceptuar, konsoliduar dhe miratuar para katër vitesh nga një instancë e lartë shtetërore. Më tej, me pa të drejtë u publikua në Vlorë, me titullin "Valle me motive vendase", kur ajo, të paktën pas Festivalit të Gjirokastrës 2004 njihet me emërtimin tradicional "Vallet e zileve" në të cilën bëjnë pjesë vallet: "Malenakja", "Piçirukja", "Laje, laje kryet si rosa", "Mu ke arra ke tagjia", "Pallaveshja", Mer krohnin e krif zylyfet", "Shane-shane" dhe "Guparapçja". Emërtimet e këtyre njësive tregojnë se ato janë materializuar si vallë të kënduara, por që për habi u ekzekutuan në Vlorë vetëm me përcjellje instrumentore, domethënë pa këngë (!). Gjykohet se përmbajta e teksteve të këngëve përcjellëse, sinkronizohet denjësisht me mjetet kërcyese.
Sipas kahershmërisë qytetare tiranase, valltarët mbajnë në duar çapare-zile, për të përcjellë ritmikën kërcyese njëherësh për t’i dhënë larmi muzikore valles në përgjithësi. Ky element i rëndësishëm, i realizuar materialisht me vështirësi të madhe për herë të parë më 2004, është hequr me pa të drejtë (!). Sakatime u vërejtën edhe me fillimin e kësaj makrovalleje, që sipas origjinës shënon një prelud të domosdoshëm. Të gjitha këto janë kryer me mungesë serioziteti.
Për organizimin e kësaj makrovalleje autori ka kryer një punë kërkimore - shkencore - artistike prej gati 30 vjetësh. Kjo është dhe arsyeja që ajo bart rol parësor në repertorin e ansamblit të Tiranës, gjë që u përligj (por në mënyrë të sakatuar) edhe dy herë të tjera: në Festivalin Folklorik Mesdhetar "Vlorë 2007" dhe "Vlorë 2008".
Të gjitha këto deformime dalin më në pah, nëqoftëse krahasohen me makrovallen origjinale që autori e ka në vidiokasetë.
7. Ansambli "18 marsi" i Çanakalasë, Turqi (foto 8), shquajti për "Vallen e zejbegut" apo "Vallja e zejbegut të Egjiptit", e njohur ndryshe edhe me emrin "Vallja e kapadinjve". Me këtë rast paraqet interes fakti se një njësi e tillë, "Valle zebekshe" njihet dhe praktikohet në rrethinat e Matit, duke vlerësuar lojën e saj me gjallëri dhe dinamikë. Vallë kemi të bëjmë me ndikime reciproke?
Sipas bisedave në Vlorë me drejtues të ansamblit të Çanakalasë, "Vallja e zejbegut" e ka origjinën nga zona malore dhe shpreh fabulën e të varfërve që nuk e durojnë përbuzjen e të pasurve. Kërcimi karakterizohet kështu nga njëfarë qëndrese, që manifetsohet me lëvizje të gjalla dhe të gjera. Ato shpalosin edhe veprime dramaturgjiko-pantomimike, si shprehje të qëndresës së malësorëve. Kjo përmbajtje mishërohet edhe nga kostumi luftarak me shpatë, gjë që zbardh një njësi koreografike të kahershme.
"Vallja e zejbegut", sikundër edhe ndonjë tjetër shquajtën edhe për veprime imitative, për dragoin që nxjerr flakë nga goja, duke i bërë jehonë botës magjike të përrallave të lashta vendase. Pra, në këtë ansambël shfaqen edhe elemente dramatike, gërshetuar me të tilla humoristike, përmes përfytyrimeve për kafshë të ndryshme.
Përgjithësisht kërcimet karaketrizohen nga një plastikë e zhdërvjelltë, por që nuk mungojnë edhe ato me karakter ritmik. Si konkluzion për këtë ansambël do të vlerësoja atë pasuri mjetesh shprehëse koreografike, duke i bërë jehonë një repertori të zgjedhur folkoriko-artistik.
8. Ansambli Profesionist Kombëtar i Kairos së Egjiptit (foto 9). Me plotë të drejtë mund të themi se ky institucion ishte ndër më interesantët e festivalit. Çdo gjë u transmetua me kulturë koreografike, muzikore dhe kostumologjike. Ndaj edhe ai ansambël shpërtheu me një zjarr të pashuar. Binte në sy një repertor i lashtë vallëzues me përcjellje instrumentesh popullorë. Në ansambël ndjehet edhe njëfarë ndikimi oriental, si rrjedhojë e faktit historik, që Egjipti për një kohë të gjatë ka qënë nën sundimin turk.
Shquanin në repertorin vallëzues njësi të tilla si vallja "Nuva-Sufi", që u karakterizua për shpejtësinë dhe përpikmërinë e lëvizjeve nga valltarët interpretues. E veçantë ishte edhe një valle vajzash me shandanë në kokë, e cila materializohej përmes një plastike mahnitëse dhe veshjeje përrallore. Nuk munguan edhe elemente nga folklori dramatik, i cili mëshirohej kryesisht përmes imitacioneve për kafshët, si edhe të tillë me karakter magjiko-religjoz. Këto dukuri rrisnin vlerat artistike të atij ansambli të mrekullueshëm. Ishte kuptimplote përcaktimi i bërë në një shkrim për këtë ansambël teksa vajzat përfytyrohen si zana kurse djemtë si azganë.
*
Këto do të ishin disa nga impresionet e mbrëmjes së parë të festivalit ku, siç u tha, çdo ansambël u prezantua me një repertor vallesh të zgjedhura.
Vlerësime për festivalin, përmes intervistave mediative, bashkëbisediemeve të autorit dhe më gjerë, pati edhe nga disa personalitete, si: Semeh El Sariety, drejtor i ansamblit të Egjiptit, njëherësh përfaqësues i ministrisë së kulturës; Stojko Mistovski, drejtor i ansamblit "Kitka" të Shkupit; Deniz Ymver, drejtor i ansamblit "Çanakala"; Dr. Kamil Ozer, kryetar i Bashkisë Lopsaki të Turqisë; Bedri Saliu, kryetar i ansamblit shqiptar "Karshiaka" të Shkupit, Maqedoni; Jeton Qafleshi, drejtues dhe koreograf i ansamblit "Lidhja Shqiptare e Prizrenit", Kosovë; Muzafer Gjinolli, i ftuar, zëdhënës i Zyrës së Shtypit pranë Presidencës së Kosovës; Istref Dobi, drejtor i Festivali; Ermir Dizdari, udhëheqës artistik i Festivalit, Milto Kutali regjisor i Festivalit; Halim Abazi; Aledin Dervishaj, Lirim Deda. Shquajtën edhe Sejmen Gjaholli, Harilla Koçi, Çlirim Hoxha, Albert Abazi, Aledin Xhaferraj dhe Dhimitër Lati, të cilët ishin edhe pjesë e stafit të gazetës "Festivali".
*
Për zhvillimin e këtij festivali nuk mund të lëmë pa përmendur sifilatën e kostumeve, e cila përuroi gjatë festivalit vlera kulturore të qëmotshme.
Çdo ansambël u paraqit me flamurin kombëtar ose shtetëror (përshembull ai i Kosovës) si edhe flamurin karakteristik të ansamblit të vet, duke u gjallëruar rrugët e bukura nga Sheshi i Flamurit deri te Skela e qytetit. Kështu u rritën së tepërmi dimensionet artistike të Festivalit Folklorik Mesdhetar "Vlorë 2008".
Rilindjademokratike
|