Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Burrat që zgjonin qytetet  (E lexuar 662 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Stafi


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 24143



Shiko profilin WWW
« më: 26-05-2008, 16:06:11 »

Xhani Canale, muzikolog i njohur italian, përfytyroi menjëherë një grup burrash me vegla muzikore në dorë që ecnin nën një ritëm në rrugicat e ngushta të qytetit, kur shkeli për herë të parë në Shkodër. Ishte viti 1878 dhe qyteti ku dallohej përthyerja mes lindjes dhe perëndimit, sigurisht që do të kishte burra që do ta donin muzikën. Ai i gjeti ata vetëm disa muaj më vonë dhe në një nga kafet e vogla me një portret në mur u shpjegoi gjithë karakteristikat e një bande.

Për herë të parë, populli i qytetit të Shkodrës do të shihte në rrugët e tij në vitin 1878 një grup burrash, të veshur njësoj, që ecnin nën ritmin e një muzike. Veglat që ata kishin në gojë nuk ishin buri të zakonshme, që deri atëherë përdoreshin rëndom nga banorët, por disa sende të çuditshme, nga të cilat përhapej muzikë, një muzikë që i bënte gratë të linin gatimin dhe të rendnin drejt portës në oborr…

Tre vjet më vonë kjo orkestër filloi të drejtohej nga i shquari Palok Kurti. Për më shumë se gjysmë shekulli, trashëgimtarë të familjes Kurti drejtojnë orkestra frymore në qytetin e Shkodrës.

Të gjithë i njihnin burrat që ecnin rrugëve të qytetin nën drejtimin e Kurtëve. Muzika e tyre ishte e vetmja gjë ndryshe që i jepte qytetit një tjetër ndjesi. Disa vite më vonë, më 1898-ën, Frano Ndoja krijon të dytën orkestër frymore në këtë qytet. Dhe gati dhjetë vjet më vonë, filluan të krijohen formacione të tilla dhe në qytete të tjera të vendit. Më 1907-ën krijohet orkestra frymore "Afërdita" në Elbasan. Instrumentet blihen nga vetë qytetarët në Austri. Krijimi i bandave të tilla muzikore vazhdon. Më 1908-ën themelohet Banda e Lirisë. Më 1918-ën themelohet shoqëria kulturore "Rozafat" e një vit më vonë ajo Vllaznia në Shkodër, ku pranë tyre funksiononin orkestra frymore.

Një përfaqësues i bandës së njohur shqiptare në Amerikë "Vatra", Thoma Nasi, i bashkëngjitet Bandës së Korçës më 1920-ën.

Në vitin 1924 kemi vetë Kryeministrin Fan Noli që adhuron bandat. Ai i bie flautit në Bandën e Tiranës, e cila më vonë shndërrohet në Bandë Mbretërore e përbërë kryesisht nga muzikantë të ardhur nga banda "Vatra" nga Amerika, e të tjerë që kishin studiuar në Itali. Në vitin 1932, Dom Mikel Koliqi pranë Scula Cantorium (shkollë françeskane), krijon orkestrën frymore të shkollës e po në Shkodër krijohen të tjera orkestra frymore si ajo e Artizanëve, Bashkisë, Ushtrisë e lagjes Paruce etj.

Në Kosovë krijohen shoqëritë atdhetaro-kulturore: "Vllaznia" në Gjakovë, "Bashkimi" në Shkup etj. Pranë tyre funksionojnë dhe orkestrat frymore. Më 1944-ën krijohet Orkestra Frymore e Ushtrisë (Banda e Ushtrisë) e gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX krijohen e funksionojnë pothuajse në çdo qytet orkestra frymore (banda muzikore).

Kohët e tyre më të arta këto banda muzikore i patën gjatë kohës së komunizmit. Dhe pse nën censurë, kujdesi ndaj tyre ishte në nivele më të larta se ai që ekziston sot. Dalja e tyre në rrugë në raste festash kombëtare, apo qoftë edhe për evenimente të lehta, siç ishin festat popullore, ishte një ngjarje për qytetarët. Këto formacione do të futeshin në krizë pas viteve ‘90. Për vite me radhë ekzistenca e tyre u vendos në pikëpyetje, ndërsa shumë ish-bandistë e lanë Shqipërinë për të jetuar jashtë.

Dirigjenti Edmond Doko, i cili tre vjet më parë u bë iniciatori i një festivali kushtuar bandave frymore në qytetin e Sarandës, thotë se "pas një kohe krize që këto formacione jetuan, tashmë kemi të bëjmë me një ringritje të tyre".

Sot funksionojnë orkestra muzikore pranë bashkive Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, përgjithësisht në gjendje të vështirë, të mbështetura pa mjaftueshmërisht nga pushteti lokal dhe donatorë.

Në tetor 2004 rikrijohet Orkestra Frymore e Bashkisë së Tiranës me iniciativën e dirigjentit Edmond Doko, të instrumentistëve Fatos Jaho, Xhemali Murraj, Bashkim Barbullushi, Gazmor Halilaj etj., dhe po këtë vit krijohet KOF (Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore), i cili u ngrit për të rizgjuar e zhvilluar traditën e orkestrave frymore.

Në qershor të vitit 2006, në qytetin e Sarandës u organizua Festivali i Parë i Orkestrave Frymore. 16 vjet pas lënies në harresë të këtyre formacioneve muzikore, që dikur ishin të rëndësishme, ky festival ishte më shumë një iniciativë për t‘i sjellë në formën e tyre të mëparshme. Tre vjet më vonë tashmë festivali ka marrë një formë më kreative dhe bandat kanë një nivel më të kënaqshëm. Këtë vit, festivali do të mbahet nga datat 8-13 korrik. Historia e bandave frymore në Shqipëri sigurisht që nuk mund të thuhet vetëm në një shkrim. Janë qindra instrumentistë që përbënin këto formacione, jeta dhe karriera e të cilëve do të përbënte një shkrim më vete. Ndoshta do të ishte mirë të kishim një libër mbi to, rrëfime protagonistësh dhe kritikësh, se çfarë përfaqësonin me të vërtetë këto banda.

Box

Edmond Doko


Orkestrat frymore janë pjesë e rëndësishme e traditës kulturore qytetare. Gjatë shek. XX, këto formacione u ngritën pothuajse në çdo qytet dhe u bënë pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të qyteteve tona. Orkestrat frymore janë jo vetëm themeli i muzikës së kultivuar kombëtare, por dhe me ndikim në formimin e fytyrës evropiane të qyteteve tona. KOF (Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore) në aktivitetin e tij pothuajse 3-vjeçar, ka arritur që nëpërmjet aktivitetesh të ndryshme të rizgjojë e gjallërojë traditën e bukur të orkestrave frymore në vendin tonë. Festivali i Orkestrave Frymore, që organizohet prej KOF, zhvillohet gjatë sezoneve turistike në qytetin e Sarandës e në korrik 2008 shënon edicionin e tij të tretë. Festivali i Orkestrave Frymore është i vetmi aktivitet i këtij lloji në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë është dhe manifestim i gjallë artistik dhe festë popullore. Realizimi i tij imponohet nga zhvillimet cilësore në fushën e turizmit, që zona e Sarandës përjeton. Festivali i Orkestrave Frymore, ndërkohë është përfshirë në kalendarin vjetor të aktiviteteve artistike e kulturore që mbështeten nga MTKRS-ja, si dhe përbën një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore që zhvillohen në qytetin e Sarandës, me mbështetjen e bashkisë së këtij qyteti.

Gazeta Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  



Anketa
  • Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
  • Dot Arberi
  • 12 (36%)
  • -
  • Dot Besarta
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Julinda
  • 2 (6%)
  • -
  • Dot Olsi
  • 5 (15%)
  • -
  • Dot Shkelqimi
  • 3 (9%)
  • -
  • Dot Najada
  • 4 (12%)
  • -
  • Dot Romina
  • 1 (3%)
  • -
  • Dot Poli
  • 1 (3%)
  • -
  • Numri total i votave: 32
  • Shiko temen

* Sponsor