Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.

User

Mirësevini, Vizitor. Ju lutemi të identifikoheni ose regjistrohuni.


Sponsor









Etiketa



Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Investimi ne Shqipëri  (E lexuar 387 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« më: 21-03-2008, 10:29:43 »
Citojeni

Investimi në pasuri të patundshme nuk është më aq i leverdishëm sa 4 vjet më parë. Por, edhe sot ka hapësira të mjaftueshme për të investuar, por duhet të njohësh mirë tregun dhe të zgjedhësh se ku të derdhësh kapitalin. Ndiqni këshillat e agjentëve imobiliarë.

Nertila Dervishi është një nënpunëse e shtetit, e cila pas jetësës prej disa vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi që me paratë e mbledhur të bënte një investim në vendin e saj. Duke shfrytëzuar informacionet nga realiteti amerikan ajo bleu një apartament në një godinë të re pranë stadiumit “Dinamo” rreth 4 vite më parë, kohë kur çmimi luhatej në 500 euro/m2 në atë zonë. Sot, Nertila tregon se është mjaft e kënaqur që kreu këtë investim disa vite më parë, pasi shtëpinë prej 110 m2 ka mundur ta shesë në fund të vitit 2007 me çmim rreth dyfishin e vitit 2004, 900 euro/m2, duke fituar në këtë mënyrë 44 mijë euro, apo 80% të vlerës fillestare të investimit për 4 vjet. Një investim ky që i solli shumë më tepër të ardhura se të linte kursimet e saj në bankë, ku do të fitonte maksimumi 5-7% në vit. 

Sigurisht që si nënpunësja, ish-emigrante në SHBA, ka të shumtë në Shqipëri, të cilët derdhën kapitalet e tyre në pasuri të patundshme, me synimin për t’i rishitur apo dhënë me qira. Por nëse disa vite më parë investimi në pasuri të patundshme renditej ndër më të sigurtët dhe fitimprurësit dhe rekompandohej nga të gjithë ekspertët, realiteti i sotëm flet ndryshe. Tregu i ndërtimeve ka rënë dhe kërkesa më e ulët se oferta ka bërë që rritja e çmimeve të ndalë gjatë vitit 2007. Tani për çdo individ që ka para, duket se është bërë më e lehtë që të zgjedhë një rrugë me më pak stres dhe mund t’i derdhë në bankë duke përfituar deri në 7-8% në vit për kursimet në lekë dhe deri në 4.5% në vit për kursimet në euro. Megjithëse blerja e pasurive të patundshme, si apartamentet, trojet, lokale e zyra konsiderohet si një investim afatgjatë dhe i sigurtë, shanset nuk janë për fitime të larta.
Gjithsesi, ekspertët thonë se për individët e thjeshtë, sigurisht ata që kanë një kapital të caktuar, pasuritë e paluajtshme mbeten një investim i mirë, sepse mbi të gjitha ka një siguri 100%, por tani duhet të jesh shumë i zgjuar se 3-4 vite më parë.

“Edhe sot ka hapësira të mjaftueshme për të investuar, por duhet të njohësh mirë tregun dhe të zgjedhësh se ku të derdhësh kapitalin”, -thonë agjentët imobiliarë.

Ne kemi intervistuar disa agjentë imobiliarë në vend, të cilët kanë dhënë orientimet e tyre se ku dhe në cilat pasuri të patundshme duhet investuar në ditët e sotme.
 
Qendra, gjithnjë potenciale

Nëse arrin të gjesh një shtëpi apo lokal me çmim të arsyeshëm në zonën e ish-bllokut apo pranë qendrës së kryeqytetit, mos hezito ta blesh atë. Sipas drejtorit të agjencisë imobiliare “INF ‘93”, Lefter Sila, investimet duhet të bëhen sipas zonave, sepse jo në të gjitha ia vlen të derdhësh kapitalin.

“Nëse ble një pasuri me një çmim të leverdishëm pranë qendrës, është një investim shumë i mirë. Leverdia më e madhe është te rishitja, sepse mund të fitosh deri në 5% më shumë”, -thotë Sila. Sipas tij, blerja e apartamenteve dhe lokaleve mbeten ende një investim i mirë nëse zgjidhet zona e përshtatshme, ndërkohë që tregu i zyrave është në rënie, pasi shumë kompani i kanë blerë ato në qendra të mëdha. 

Edhe drejtuesi i agjencisë “Dev Information”, Dritan Caka, thotë se qendra e kryeqytetit është një vend potencial për investime. “Qendra mbetet qendër. Tani duhet patur kujdes që të zgjedhësh banesa apo ambiente me cilësi dhe standard të lartë. Nëse ke këto, çmimi i rishitjes do të jetë i lartë”, -sqaron Caka. Sipas tij, alternimi i cilësisë me pozicionin do të sillte një çmim deri në 10% më të lartë se ai fillestari.

Një mendim krejt të ndryshëm ka zvicerani Marin Le Corre, i cili drejton agjencinë imobiliare “Balkimo”. Sipas tij, për çdokënd që ka kaq shumë para për të investuar, është më mirë t’i drejtohet bankës se të blejë një pasuri të patundshme në treg. Çmimet “e kripura” të qendrës së kryeqytetit nuk mund të garantojnë fitime të mira, për aq kohë që në këtë zonë ka ende shumë apartamente që janë në shitje apo jepen me qira. “Nëse e rishet mund të rrezikosh ta rishesësh me një çmim edhe më të ulët, sepse më lart çmimi nuk mund të shkojë. Ndërkohë edhe nëse e jep me qira, ajo do të jetë e ulët, sepse ka shumë apartamente bosh, por pak kërkesë”, -thotë Le Corre.   

Ndërsa periferia e Tiranës, e cila ka shumë ndërtime shpesh kaotike, në një kohë që kërkesa është mjaft e ulët, nuk shihet si zonë me leverdi për investim.

Bregdeti, nxitoni për në Jug

Një nga zonat më potenciale ku çdokush mund të ketë investime të mirë, ndonëse në terma afatmesëm dhe afatgjatë, është padyshim bregdeti. Agjentët imobiliarë thonë se asnjë nuk duhet të hezitojë që të blejë një truall apo apartament në bregdet nëse për to ka një dokumentacion të rregullt.

Durrësi është ende një bregdet shumë kaotik, ku ndërtimet pa leje janë të shumta në numër dhe prandaj agjentët imobiliarë i këshillojnë klientët e tyre që të sigurohen për titullin e pronësisë sa herë që kërkojnë të blejnë një pasuri të patundshme atje. Skepticizmi për këtë bregdet të betonizuar është i lartë dhe ekspertët të orientojnë drejt Jugut.

“Vlora dhe Saranda janë padyshim perspektiva e së ardhmes në tregun imobiliar. Çmimet e apartamenteve në këto zona variojnë nga 400-900 euro/m2, por parashikimet janë për një rritje të mëtejshme”, -thotë Marin Le Corre. Agjencia “Balkimo” ka në fakt dy agjentë imobiliarë që punojnë në këto zona, të cilët kanë konfirmuar se interesi është në rritje. Nuk janë të paktë edhe të huajt, kryesisht nga Europa Përëndimore, që kanë blerë një apartament në Vlorë apo Sarandë.

“Apartamentet në këto zona mund të shfrytëzohen shumë mirë për t’u dhënë me qira, kryesisht në 3-muajt e sezonit veror”, -shpjegon Le Corre. Interesi në rritje i të huajve për këto zona mund të jetë edhe një arsye më e mirë për të investuar në këto zona, sepse kërkesa për qira do të vazhdojë të jetë e lartë.

Ndërkohë, Lefter Sila, duket disi më skeptik përsa i përket investimeve në bregdet, së paku përsa kohë të normalizohet situata me titujt e pronësisë.
”Në bregdet akoma nuk ka plane rregullues dhe ende nuk është me vend që të investosh në këto zona”, -thotë ai.     

Vilat, tokat në fshatrat rreth Tiranës

Seyhan Pencapligil, drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare pohon se i vjen keq që nuk investoi për blerjen e tokave në fillim të viteve 2000, kur erdhi në Shqipëri.

“Nuk e nuhata biznesin, besoj se do kishte qenë një mundësi e mirë investimi. Nëse sot një miku im do më kërkonte një mendim për të investuar në Shqipëri, do t’i këshilloja zhvillimin e komplekseve të vilave në periferitë e Tiranës,” thotë z.Pencapligil. 

Edhe agjentët imobiliarë mendojnë se shumë individë mund të shfrytëzojnë blerjen e tokave me një çmim 50-150 euro/m2 dhe të ndërtojnë vila në të. “Këtu mund të fitohet shumë mirë, sepse një vilë e tillë mund të shitet rreth 150,000 euro”, -thonë ata. Nga ana tjetër dhe çmimet e tokës do të jenë gjithnjë në rritje.

Por megjithatë kërkesat për blerje apo marrje me qira të vilave janë tepër të ulëta. Të dhënat nga tregu imobiliar konfirmojnë se edhe ato komplekse vilash që janë ndërtuar në kryeqytet, e kanë patur shumë të vështirë shitjen e tyre dhe numri i tyre mbetet ende shumë i kufizuar. Situata bëhet edhe më pak optimiste kur mendon qiradhënien, pasi të huajt sot kanë shumë me tepër mundësi zgjedhjeje dhe arrijnë të gjejnë çmime të lira në treg.
 
Qiratë, treg i vakët 

Në fakt, të gjithë agjentët imobiliarë konfirmojnë se investimi në apartamente për t’i dhënë më pas me qira është i gabuar, pasi fitimet janë minimale. Sipas drejtorit të Balkimo, qiradhënia e ka humbur vlerën e saj si biznes, pasi tani vendasit kryesisht blejnë shtëpi duke përdorur bankat, ndërkohë që të huajve u mbeten shumë mundësi zgjedhjeje. “Në qendër si dhe në ish-bllok ka shumë apartamente që jepen me qira, por nëse 2 vjet më parë çmimi minimal i tyre ishte 1000 euro/muaj, ato sot mund t’i gjesh edhe me 500-600 euro/muaj”, -pohon Le Corre.   

Edhe Dritan Caka i “Dev Information” thotë se qiradhënia siguron shumë më pak fitim se në ’98-2004. “Nëse në periudhën e mëparshme investitori fitonte 1%/muaj të vlerës së investimit, sot nuk i kalon 0.5%/muaj”.
 
Gjiri i Lalzit, burim i ri investimesh

Gjiri i Lalzit, hapësira e virgjër bregdetare në veri të Durrësit, është kthyer sot në një zonë me shumë interes për investitorët. Sipas të dhënave nga agjencitë, interesi për trojet në këtë zonë është rritur, ndërkohë që çmimet luhaten 50-150 euro/m2. Gjiri i Lalzit u është këshilluar edhe klientëve të huaj nga agjencitë e ndryshme të huaja. Sipas agjencisë britanike Fresh Property, kjo zonë është në zhvillim dhe me shumë interes. Ajo është pranë aeroportit të Rinasit, rruga është duke u shtruar, ndërkohë që rëra dhe deti janë shumë të pastër. Në fakt, qëllimi për shumë investitorë të mëdhenj që kanë nisur ta vizitojnë Shqipërinë dy vitet e fundit, është që të blejnë sa më shumë tokë në bregdet, të bashkohen dhe të ndërtojnë zona rezidenciale. Kjo do t’i lejonte britanikëve dhe të huajve në përgjithësi që të shijonin vendin pa vënë re realitetet e tjera negative.

“Shumë britanikë janë duke kërkuar në veri të Durrësit, te Gjiri i Lalzit”, -thonë agjentët imobiliarë. Një fakt është i sigurtë, sapo rruga që lidh këtë bregdet me Tiranën dhe Durrësin të përfundojë, interesi për të do të jetë shumë i lartë dhe çmimet do të rriten. 

Zona e Lalzit ka edhe privilegjin se është ndër të paktat që ka një studim urbanistik të zonës turistike. Në të janë caktuar zonat më të përshtatshme për vendosjen e strukturave turistike dhe kushtet kryesore për ndërtimin e tyre, rregullat dhe normat urbanistike dhe arkitektonike.

NATO, garancia për “lulëzimin”- e të huajve

Marin Le Corre është një zviceran që prej vitesh bën biznes në Shqipëri, por që nga 2005 është përfshirë në tregun imobiliar në vend. Ndryshe nga operatorët e tjerë në vend, ai e sheh situatën në këndvështrimin e një qytetari europian, ku rregullat e tregut janë shumë më ndryshe se në Shqipëri. Ai e quan një paradoks se si individët vazhdojë të blejnë shtëpi pa titull pronësie apo kontratë noteriale dhe ku tregu i ndërtimeve mbetet ende shumë kaotik. Këto veçori do t’i bënin përshtypje çdo europiani tjetër. 

“Për Shqipërinë ka ende një imazh të keq në Europë dhe shumë të huaj duhet të vijnë këtu që të ndryshojnë mendimet”. Në fakt, të huajt që kanë mundur ta njohin nga afër Shqipërinë dhe e kanë parë me sy zhvillimin e shpejtë të ndërtimeve, janë të bindur se në bregdetin shqiptar mund të blesh pa u “rrënuar” në bankë. Rritja e çmimeve ka qenë thuajse “eksplozive” deri para 3-4 viteve dhe tendenca është për një rritje të lehtë. Në bregdet mund të gjesh vila që shiten me një sipërfaqe prej rreth 1000 metra katrorë dhe me një çmim 75,000 euro dhe çmimet e trojeve luhaten edhe në 45 euro/m2. Por megjithatë, këto çmime të favorshme nuk kanë mjaftuar që ta bëjnë Shqipërinë tërheqëse aq sa Bullgaria, Rumania apo Mali i Zi, ku vërshimi i të huajve ka qenë mbresëlënës.

Marrja e ftesës së Shqipërisë për në NATO pritet të sjellë jo vetëm një reformim ushtarak, por edhe një zhvillim të madh në tregun e pasurive të patundshme. Agjentët imobiliarë thonë se nëse arrihet diçka e tillë, në vend do të ketë një “lulëzim” në tregun e pasurive të patundshme, në afatin e mesëm dhe të gjatë.

“Duke qenë një anëtar i NATO-s, vendi do të shihet si me më pak rrezik. Përsa i përket kompanive të huaja, NATO do të garantojë stabilitet ekonomik dhe potencial, çka do t’i bëjë investimet më të sigurta. Kjo do të rrisë interesin në investime dhe kërkesa e shtuar do të rrisë çmimet,” thotë Le Corre. Sipas tij, do të vijnë gjithnjë e më shumë investitorë dhe turistë dhe të ardhurat, si dhe interesi në pasuri të patundshme do të rritet ndjeshëm. Të dhënat nga vendet e tjera ballkanike, që janë tashmë anëtare të NATO-s, e përforcojnë këtë opinion. Duke gjykuar nga përvoja e hyrjes së anëtarëve të tjerë në NATO, duke përfshirë fqinjin Bullgari, i cili me Slloveninë dhe 5 shtete të tjerë iu bashkuan në vitin 2004, ndikimet mund të renditen nga një situatë pozitive për sigurinë e vendit në kërkesa specifike për investime të reja, veçanërisht në ndërtim dhe industritë e lidhura me to. Të dhënat e tregut nga Bullgaria në vitin që hyri në NATO, tregojnë se çmimet në tregjet kryesore si Sofie dhe Varna patën një dyfishim.

NATO është cilësuar edhe nga ekspertët maqedonas si një pikënisje për një zhvillim të madh në tregun e pasurive të patundshme. Për momentin, ka një qetësi në tregun e pasurive të paluajtshme në Maqedoni. Blerësit dhe shitësit e mundshëm presin nëse SHBA-të dhe partnerët e saj të NATO-s do të zgjedhin të zgjerojnë partneritetin me shtetin e vogël ballkanik brenda tre muajve. Në prill, kur krerët e NATO-s do të mblidhen në Samitin e 2008-tës në Bukuresht të Rumanisë, Maqedonia mund të marrë ftesën për t’iu bashkuar aleancës, së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë. Pronarët e apartamenteve dhe godinave të biznesit në Shkup dhe në mbarë vendin po tërheqin pasuritë e tyre nga tregu, duke parashikuar një lulëzim të ri çmimesh, në rast se NATO do të zgjerohet në shtetin e ish-Jugosllavisë. Ekspertët e tregut shohin një lidhje direkte midis integrimit në aleancën ushtarake dhe potencialit për më shumë rritje. “Aktualisht, ne kemi një kërkesë në rritje jo vetëm nga të huajt, por gjithashtu nga klientët vendas,” thotë Milena Miloseska, pronare e Pin-projekt, një agjenci pasurish të patundshme në Shkup.

Megjithatë, tendenca reale e çmimeve të pasurisë së paluajtshme vë në dukje se sa kyç është bërë roli i NATO-s në këtë vend dhe në fqinjët e tjerë të Ballkanit. Ndikimi i tij shtrihet përtej çështjeve ushtarake dhe politike, indirekt në çështjet e pronësisë së shtëpisë, vendndodhjes së biznesit dhe aspekte të tjera të ekonomisë, ku kërkesa është e ndjeshme ndaj perceptimit të gjerë të qëndrueshmërisë, që faktori i sigurisë mund të ketë qenë i rëndësishëm.
 
Shqipëria, stacioni i ri në Ballkan

Çdokund që shikon për momentin, ka investime në pasuri të patundshme. Çdo agjent imobiliar me të cilin flet të shpjegon se ku dhe në ç’drejtim është investimi më i mirë. Ato që përcaktojnë kriteret që duhet të përmbushë një vend i mirë për investim janë stabiliteti qeveritar, rritja ekonomike, tregu i shtëpive, çmimet e ulëta të pasurive si dhe Investimet e Huaja Direkte. Sipas agjencisë imobiliare britanike Fresh Property, Shqipëria, Brazili dhe Argjentina janë tre destinacionet e reja drejt të cilave duhet të orientohen investimet e të huajve. 

Europianët patën eksperienca shumë të mira në blerjen e pasurive në Letoni, Lituani, Berlin, Rumani, Bullgari dhe Mal i Zi dhe realisht këto tregje patën një rritje fantastike duke krijuar investime të shëndetshme në pasuri të patundshme.

Pot tani investitorët po kërkojnë “gjënë  tjetër të madhe” dhe një shans për ta kapur atë. Kërkimet e disa agjencive imobiliare në Londër i kanë drejtuar këta ekspertë drejt disa tregjeve surprizë, që do të ecin shumë mirë gjatë 5 viteve të ardhshme, edhe nëse ndodh ndonjë tjetër krizë amerikane.

Në fakt, vetëm pak vite më parë njerëzit shokoheshin kur dikush i kujtonte se mund të investonin në Bullgari, por tani është çudi kur dikush nuk e ka marrë seriozisht investimin në këtë vend.

Shqipëria vuan sot nga e njëjta stigmë, por nëse bën një vëzhgim më të përafërt, panorama duket krejt ndryshe. Sigurisht që vendi ka ende problemet e tij, nga niveli i varfërisë dhe deri te korrupsioni. “Por nëse e viziton një herë nuk mundesh kurrësesi të mos shohësh potencialin në Shqipëri dhe se si çdo gjë po ndryshon”, -thotë agjencia angleze Fresh Property.

Qeveria ka nënshkruar tashmë Marrëveshjen e Stabilizim Shoqërimit me BE-në dhe pret të bëhet pjesë e saj në 2014. Përfaqësi të automjeteve dhe telekomunikacioni janë duke u hapur dhe duke nxitur investimet e huaja. Pronësia ka ende një vlerë të ulët, nga rreth 30,000 euro e lart. I vetmi problem që mund të rrisë çmimet, është konkurrenca nga blerjet e vetë vendasve dhe të mjaft shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Shqipëria, është një vend i bukur, njerëzit janë të dashur, plazhet janë të pastra dhe ushqimet mjaft të shijshme. Gjithashtu, në verë hotelet janë të zënë sa duhet të prenotosh më parë. Bazuar në kriteret për të investuar jashtë vendit, Shqipëria është një rekomandim shumë i mirë ”, -cilëson agjencia britanike.

 “Nëse mund të imagjinoni Greqinë e viteve 1950-1960, kjo është Shqipëria”, -ka deklaruar kreu i kompanisë të real-estate Colliers për Europën Juglindore, Philip Bay. Sipas tij, Shqipëria do të jetë një hibrid i Bullgarisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, për arsyen e thjeshtë: është një tip i kufirit të fundit në Europë. Vetëm pasi Shqipëria të jetë ezauruar si investim, europianët do të drejtohen në vende të tjera, si Marok, Tunizi dhe ndoshta Libi.

Legjenda e çmimeve

-50-150 euro/m2 është çmimi i trojeve në bregdet;

-400-550 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në periferi të Tiranës;

-800-1500 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në zonën e ish-bllokut, rrugën e Elbasanit dhe pranë qendrës së kryeqytetit;

-30-100 euro/m2 është çmimi i trojeve në fshatrat e preferuar rreth Tiranës;

-300-600 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në bregdetin e Durrësit;

-400-800 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në bregdetin e Vlorës;

-400-900 euro/m2 është çmimi i apartamenteve në bregdetin e Sarandës;

-500-1000 euro/muaj është çmimi i qirave të apartamenteve në zonën e qendrës dhe ish-bllokut në Tiranë;

-0.5%/muaj i vlerës së kapitalit është fitimi që mund të merret nga qiradhënia e një apartamenti në kryeqytet.

Burimi: Agjencitë imobiliare

Këshilla permbledhese mbi tregun:

Qendër


Blerja e apartamenteve dhe lokaleve mbetet ende një investim i mirë në kryeqytet, sepse kërkesa do të jetë gjithnjë e lartë. Përpiquni të zgjidhni banesa apo ambiente me cilësi dhe standard të lartë. Çmimi i rishitjes do të jetë 5-10% më i lartë

Periferi

Ka shumë ndërtime shpesh kaotike, në një kohë që kërkesa është mjaft e ulët. Nuk shihet si zonë me leverdi për investim
 
Tokat, vilat në fshatrat rreth Tiranës

Biznesi i tokave vazhdon të mbetet interesant, sidomos në fshatrat rreth Tiranës. Edhe ndërtimi i vilave shihet me interes pasi ka një shtresë të interesuar për to
 
Të blesh për ta dhënë me qira

Absolutisht Jo. Ekspertët nuk e këshillojnë këtë lloj investimi. Tregu i qirave nuk konsiderohet i favorshëm. Paratë i nxjerr për 15 apo 20 vjet, (fitimi në muaj është vetëm 0.5% e vlerës së kapitalit, nga 1% që ishte më parë). Më shumë ta leverdish të fusësh kursimet në bankë dhe të fitosh deri në 8% interes në vit për lekun.
 
Zyra e dyqane

Nuk shihet me shum leverdi. Kërkesa për zyra ka rënë, pasi shumë kompani i kanë blerë ato në qendra të mëdha. Rishitja e tyre me çmim më të lartë do të jetë e vështirë. Tregu është i ngopur dhe me dyqane.

Durrës

Ndërtimet shumë kaotike në bregdetin e Durrësit, betonizimi i bregdetit, ndërtimet pa leje të shumta në numër i bëjnë ekspertët pak optimistë për një rritje të tregut në një të ardhme të afërt.

Jug (Sarandë, Vlorë)

Agjentët imobiliarë thonë se asnjë nuk duhet të hezitojë që të blejë një truall apo apartament në bregdetin e jugut, nëse për to ka një dokumentacion të rregullt. Në afatin e mesëm dhe të gjatë çmimet priten të rriten (sot luhaten nga 400-900 euro/m2). Me interes është dhe tregu i qirave në muajt e verës. Hyrja në NATO pritet të sjellë më shumë të huaj që duan të blejnë pasuri të patundshme

Gjiri i Lalzit

Investimi në këtë zonë bregdetare ende të virgjër shihet me mjaft interes. Interesi për trojet në këtë zonë është rritur, ndërkohë që çmimet luhaten 50-150 euro/m2. Ka shumë të huaj që duan të hyjnë në këtë zone dhe plane turistike. Interesi do të shtohet me përfundim të rrugës në vitin 2009 (22 km larg autostradës Tiranë Durrës-në kryqëzimin e Maminasit).

Nga Laura Çela Revista Shqip
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin | Qindra Mijera Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Faqe Interesante | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Euro 2008 Photo | MuzikaWeb |