|
Berni
|
 |
« më: 24-04-2008, 08:29:58 » |
|
Rexhep Shahu
Rritja e çmimeve të drithrave dhe të ushqimeve në tërësi, në gjithë botën, e për pasojë edhe në Shqipëri, ka filluar të përjetohet si një problem serioz edhe tek ne, ka filluar të shtrojë kërkesën për vëmendje të shtuar ndaj bujqësisë, për t'i kthyer sytë realisht drejt saj, për të mos e lënë pas shpine atë. Ka filluar t'u kujtojë gjithë njerëzve buzështrembëruar se pa bujqësi e zonë rurale të zhvilluar nuk kemi dot shtet të zhvilluar dhe nuk bëhemi dot qytetarë, edhe pse mund të hyjmë në Evropë, me ose pa viza, por mbetemi fshatarë dhe mediokër në mendësi. Ka filluar t'u kujtojë mediave se nuk ndyhet ekrani i askujt me bujqësi dhe se barku i askujt nuk ngopet me parfume.
Duhet, së pari, ta nisim me tokën, gjendjen e saj. Toka është e privatizuar në Shqipëri, por nuk di se sa është e regjistruar apo e hipotekuar nga pronarët. Kur flitet për tokën, duhet bërë një sqarim që është shmangur deri sot për një arsye ose tjetër: Sipërfaqja totale e tokës bujqësore në vend është zvogëluar ndjeshëm, krahasuar me fillimin e viteve '90. Kemi sot rreth 110 mijë ha tokë që e kanë refuzuar fermerët si tokë inproduktive, e papërshtatshme për drithra, por në realitetet e reja është e përshtatshme për frutikulturë, etj. Kjo tokë është e copëzuar nëpër Shqipëri. Janë rreth 30 mijë ha në blloqe mbi 10 hektarëshe, pjesa tjetër është në copëza më të vogla. Janë 19500 ha tokë bujqësore shtetërore në dispozicion të shtetit. Janë 8000 ha troje e sipërfaqe godinash të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Por toka është pakësuar në vend nga ndërtimet ilegale barbare. Fotografia e ndërtimeve të banesave në vend pas viteve '90 tregon se sa të pamëshirë jemi treguar me tokën e bukës, duke mos ia ditur aspak vlerën dhe duke vepruar kundër traditës që nuk ka lejuar ndërtimin e shtëpive në tokat bujqësore. Toka është pakësuar edhe nga erozioni i pandalshëm. Me tokën fermeri sillet si me një mall pa vlerë. Edhe vritet për të, për një gardh apo vijë uji, por edhe e lë djerrë, edhe e lë t'ia marrë uji dhe e shëmton.
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka urdhëruar të nxirret sipërfaqja reale e tokës bujqësore, duke zbritur nga totali gjithë sipërfaqet e zëna me ndërtime banesash, gjithë sipërfaqet e zëna nga ndërtimet e rrugëve, nga ndërtimi i Aeroportit të Rinasit, të Kukësit apo gjithë llojet e ndërtimeve. Shqipëria ka tokë për fryme më pak se çdo vend tjetër i rajonit dhe Evropës. Të përdorshme mund të thuhet se ka më pak se 400 mijë ha, e cila dominohet më shumë me foragjere, pastaj rreth 100 mijë ha drithra (sivjet janë shtuar 20 mijë ha mbjellë me drithra), frutikulturë, perime, etj.
Toka është private dhe fermeri, deri sot, ka bërë ç'ka dashur me të. Fermeri, edhe pse e ka private, shpesh ka menduar, vepruar e mosvepruar si të ishte e kooperativës. Shpesh banalizohet problemi dhe fermerë të ndryshëm kërkojnë me fjalë e vepra që të shkojë t'ua punojë dikush tjetër tokën. Se ka dalë një lajm se nuk paska leverdi ta mbjellësh tokën. Ose ka sot leverdi ta mbjellësh tokën, ose nuk ka patur kurrë. Por normale që është e vogël leverdia për t'u marrë me drithra buke, sado që të ngrihet çmimi i tyre. Gjithçka sot shitet shtrenjtë dhe ka leverdi nga toka bujqësore. Ligji 7501 e ka kryer misionin, por ky ligj kurrë nuk mund të rrëzohet, të anullohet apo ndryshohet. Thjesht, tani atë që është vendosur me ketë ligj, shteti do ta verifikojë dhe në rastet e veprimit të drejtë të tij, do ta konsolidojë. Pra, do të verifikohen e konsolidohen titujt e pronësisë mbi tokën e dhënë me ligjin 7501. Dhe do të krijohet më pas mundësia e rritjes së fermave në vend. Do të konsolidohet tregu i tokës bujqësore, me tituj pronësie të konsoliduar, do ta zmadhojë fermën shqiptare. Ose do të krijohen mundësira për të interesuarit. Ka vazhduar ky proces edhe deri më sot. Ka ferma të mëdha relativisht, por do të ketë më shumë në të ardhmen. Kur shteti të mos lejojë më toka shkretëtira, toka djerra, kur pronarët do të përgjigjen ose do të taksohen për këtë pasuri kombëtare nëse e lënë djerrë. Këtu shteti duhet të qartësojë, të bindë, të shpjegojë dhe pastaj të jetë i ashpër me ata që lënë tokat djerrë. Nuk e ka Shqipëria luksin që të lejë tokat djerrë, kemi shumë pak tokë.
Shtrohet kohë e pa kohë, vend e pa vend si prioritar prodhimi për eksport. E drejtë. Por pa shuar urinë për vete, pse u dashka të hidhen sytë drejt eksportit? Eksporti më i madh për prodhuesit shqiptarë të bujqësisë do të ishte ngopja e tregut vendas. Kjo do të ishte më e lehtë, më e favorshme për eksportuesit dhe më fitimprurëse për prodhuesit e eksportuesit. Tregu vendas ka uri të madhe. Shifrat import-eksport sot janë 7 me 1, duke shënuar ulje me vitin 2005, që ishin 12 me 1. Rreth 500 milion dollarë ushqime importohen aktualisht, nga 800 milion që importoheshin në vitin 2004. Po sikur këto ushqime të prodhoheshin në vend? Gjithë kjo valutë do të mbetej në vend. Do të punësoheshin njerëzit dhe konsumatori do të ishte më i mbrojtur nga prodhimet e dyshimta. Prodhimet vendase janë më të sigurta edhe për shëndetin e konsumatorit.
Por edhe eksporte ka. Shqipëria ka kushtet që të eksportojë për tryezat elitare të Evropës, se ne nuk mund të prodhojmë e të plotësojmë nevojat e popullsive qinda milionshe. Shqipëria ka disa produkte si ulliri e vaji i tij, bimët medicinale, mishi i të imtave, etj., etj., që mund të çajnë në tregje të huaja. Vihet re edhe interesimi i shumë të huajve për prodhime vendase e kontrata për sasi më të mëdha. Duhen bindur fermerët për një shoqërizim, bashkëpunim, për rritje sipërfaqesh e shitje sasirash më të mëdha. Kështu shtohet e konsolidohet prodhimi. Po të ketë prodhim boll, tregu i sistemon gjërat e tjera vetë. Nëse shtohet prodhimi vendas, nëse specializohet prodhimi që fermeri të prodhojë atë që i jep fitim, nëse rajonizohet prodhimi që gruri të mbillet ku rritet gruri e molla të mbillet ku rritet molla, nëse shteti do të ketë mundësi, pasi të zgjidhen problemet emergjente me rrugët e munguara, energjinë e munguar, shkollat e spitalet, të financojë në bujqësi, nëse shteti, si shumë shtete të tjera, do ta shpallte sektor strategjik bujqësinë, nëse subvencioni direkt për fermerët, që është sivjet 8 milion euro, të shkojë së paku sa në Maqedoni që e ka sivjet 45 milion euro, atëherë ky vend mund të prodhojë për vete e për eksport.
Flitet si shpesh për politika bujqësore, për politika për bujqësinë, për orientime e riorientime të sektorit. Së pari, për bujqësinë duhet folur pasi të krijosh njohje me situatën dhe me gjendjen. Nuk mund të shesësh deklarata pa e njohur problemin, pa e studiuar gjendjen, pa i njohur zhvillimet e politikat. Shinat për bujqësinë i ka vënë tregu, fermeri shqiptar dhe nuk i vendos apo ndryshon dot asnjë. Nuk besoj se mungon qartësia e politikës së vendit për bujqësinë. S'mungojnë politikat e qarta. Qeveria ka miratuar plolitikat në përputhje me trendet intuitive që ka marrë fermeri, i cili ka hyrë në treg. Duhet më shumë mbështetje financiare dhe të bindet fermeri që të dalë në treg. Specializimi e rajonizimi i prodhimit do të krijojë shanse të tjera, por sot ndodh një dilemë e madhe: fermeri thotë nuk prodhoj dot se nuk kam ku ta çoj prodhimin, ndërsa biznesmeni thotë unë nuk investoj dot në agroindustri, se nuk kam ku marr prodhim e lëndë të parë. Kjo dilemë, ky çast pezull, po e mban peng iniciativën. Asnjëri nuk guxon, por duhet guxim. Tregu, këto tre vite, ka provuar se nuk i ka mbetur asnjë fermeri prodhim pa shitur. Është provuar se në kohën e vjeljes së prodhimëve nuk ka import. Nuk importon askush mish për konsum të freskët, por vetëm për përpunim. Nuk importon kush prodhime të freskëta se i mbulon vendi. Por jo gjithë kohën e vitit. Shteti tani po ndërton tregjet e shumicës me të gjitha asetet. Mungojnë frigoriferët që ruajnë prodhimet, që të shiten në të gjitha stinët e jo vetëm në kohën e vjeljeve. Mungojnë fondet. Shteti fton privatin të bëhet bashkëpunues në këto biznese si në frigoriferë, tregje dhe thertore, për të mbyllur zinxhirin. Përveç 10 milion dollarëve falas për fermeret, ka një rritje të lehtë të buxhetit për bujqësinë, është miratuar TVSH e rimbursueshme për fermeret, po vazhdohet stimulimi i prodhimit në serra, duke ia paguar pronarit pajisjen që serra të ngrohet me mazut dhe mazuti po jepet pa akcizë.
E megjithatë, çmimet e produkteve po rriten e ka gjasa që të rriten së paku deri në vjeljen e prodhimeve të sivjetshme. Po të ishte fenomen vetëm shqiptar, do të qe e lehtë, pasi do të shtojë prodhimin pas një apo dy vitesh dhe kaq, por është fenomen global. Ne marrim pasojat. Politika botërore po e sheh vetë gjendjen dhe kanë filluar lëvizjet e mëdha. Evropa hoqi kuotat për sipërfaqet dhe është mbjellë më shumë sipërfaqe këtë vit. Shumë vende të Evropës hoqën dorë nga bimët për karburant. Prodhuesit e mëdhenj i kanë shtuar sipërfaqet. Nuk do të vonojë rregullimi i ekuilibrave, sepse bëhet fjalë për ushqimet e përditshme dhe jo për një çështje astronomike. Në shumë vende është shtuar si risi konsumi i drithit, si rritje mirëqenie, si në Kinë, etj.
Ti shton prodhimin gradualisht, se nuk bëhet me "urdhër peshku" për një muaj apo për një vit, për një sasi produktesh, por nuk prodhon dot oriz në vend dhe do ta blesh, nuk e prodhon dot kurrë bukën në vend dhe do ta blesh, nuk prodhon dot vajin në vend dhe do ta blesh. Por ne mund të mos blejmë shumë produkte të tjera, të freskëtat, mund të prodhojmë për eksport produkte të tjera. Mund të prodhojmë mish të imtash e gjedhi. Por nuk duhet therur viçi 4 ose 6 muajsh, se shkaktohet humbje e madhe nëse nuk theret mbi 15 muajsh. Tendencat janë që do të shtohet prodhimi i frutikulturës, i perimeve në ambiente të mbyllura e të hapura, pasi tregu i vendit dhe rajonal po i kërkon.
Derisa prodhimi u shit mbi kosto nga fermerët, ne mendojmë se ishte në rregull. Por ngritjet e çmimeve abuzivisht e shumëfish janë të papranueshme.
Shteti ka reaguar e po reagon. Nga 1 janari 2008 ka hyrë në fuqi pagesa e TVSH-së së rimbursueshme për fermerët që shesin prodhime në subjekte të regjistruara. Kjo është TVSH-ja që ia rimburson shteti fermerit, pasi fermeri i blen imputet dhe mjetet me TVSH. Kjo mundësi lehtësimi do të vërehet në stinën e verës ose më saktë kur të fillojë shitja masive e prodhimeve bujqësore.
Shteti ka dhënë mbi 1 milion dollarë nga buxheti për matrikullimin e gjedhit këtë vit dhe vitin tjetër ka matrikullimin e të imtave. Kjo është ndihmë shumëfishe se e fut prodhimin në treg më lehtë. Por bujqësia është sektor i uritur. Gjithashtu, duhet shumë më tepër mbështetje financiare, mbështetje direkte dhe në ndërtime tregjesh, frigoriferësh, thertoresh e infrastrukturë rrugore. Mbështetja më e madhe financiare do të përshpejtojë plotësimin e objektivave. Duhet të mos ngatërrohen njerëzit nga ekspertiza të ndryshme dhe duhen bindur të gjithë se Shqipëria nuk e prodhon bukën në vend. Por Shqipëria mund ta mbajë tregun rajonal në dimër me perime të freskëta. Tregu bujqësor në Shqipëri, së shpejti, nuk do të funksionojë si treg lokal, por rajonal. Fermerët dhe tregtarët po e kuptojnë këtë. Rruga e re Durrës-Prishtinë do të bëjë një bujqësi tjetër. Durim edhe dy vjet dhe do të përballemi me realitete të reja e mjaft të ndryshme me të sotmin.
Mbase situata e krijuar tashmë në botë do të detyrojë buxhetin të japë më shumë për bujqësinë, por jemi realistë se aq sa i jep, aq të jep bujqësia. Jemi realistë se Shqipëria vuan mungesa më të rënda si rrugët, energjinë, shkollat, spitalet, plotësimin e detyrave për integrim, etj.
Zhvillimet që po ndodhin me rritjen e çmimeve, mund ta detyrojnë politikën ta financojë më shumë bujqësinë. Mund të gjendet konsensusi, të jetë pjekur ky konsensus. Bujqësia e më pas turizmi, agro-turizmi janë rend ditë.
Do të kuptohet shpejt se pa bujqësi e zonë rurale të zhvilluar nuk ka shtet të zhvilluar.
RilindjaDemokratike
|