|
Berni
|
 |
« më: 23-01-2008, 13:33:35 » |
|
Inflacioni si "natyrshmëri" dhe mungesa e teknologjisë për administrimin e tij
Edhe pse në raport me zhurmën që e shoqëroi disa muaj më parë niveli i inflacionit duket se nuk përbën më ndonjë shqetësim dhe aq serioz në Shqipëri, e vërteta është se rreziku i kërcënimit të tij është një fenomen sa i përhershëm, aq edhe i "nënçmuar" profesionalisht. Nëse ky fenomen, pra nënçmimi i tij, ka arritur të jetë evident në logjikën e analizës së fenomeneve ekonomike dhe financiare të pjesës së specializuar ose jo të opinionit publik shqiptar (përfshi këtu edhe shtypin si avangardë e tij), duket se më shumë se sa te moskuptimi i rreziqeve që mbart, burimi i kësaj indiference duhet kërkuar te mënyra se si shfaqet inflacioni te ne dhe te këndvështrimi i nevojës së evidentimit sa më transparent të tij. Për të qenë të sinqertë, vetë fenomeni në fjalë ,duket se më tepër se sa një argument i mirëfilltë financiar, i lidhur ngushtë para së gjithash me tregun dhe fuqinë blerëse që operon në të, në mënyrë të veçantë në fokusin e qytetarit të thjeshtë me cilësinë e konsumatorit, është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet si një argument i pastër politik. Madje, më keq akoma, i veshur me kostumin e propagandës së dyanshme, në vartësi të niveleve të tij, optimiste ose pesimiste qofshin ato, për t'u shtyrë edhe më tej në kuadrin e analizave administrative, që kanë të bëjnë para së gjithash me prezantimin e punës së një institucioni të caktuar. Sidomos kur një nga detyrat bazë të institucionit në fjalë është pikërisht kontrolli i inflacionit dhe fuqisë blerëse që buron prej tij, ose siç jemi mësuar ta quajmë edhe zyrtarisht si në rastin e Bankës së Shqipërisë, të stabilitetit të çmimeve.
Nuk është e rastit këtu që të merremi me shpjegime, qofshin këto të specializuara ose të thjeshtëzuara, për karakterin e inflacionit dhe thelbin teorik të ekzistencës së tij. Edhe pse në masën më të madhe nuk mund të thuhet se kuptimi që ky term ka marrë në pjesën dërrmuese të popullsisë, si tregues i tendencës së rritjes së çmimeve në treg, mund të pohohet se lidhja e treguar në rastin konkret midis realitetit ekonomik shqiptar dhe ndikimeve negative të inflacionit në të, i shërben jo pak "popularizimit" të shpjegimeve politike dhe profesionale që i bëhen inflacionit dhe nevojës së luftimit të tij. Megjithatë, ai që është lënë vazhdimisht mënjanë është vetë thelbi i rrezikut, jo kur ky rrezik shfaqet, por kur ai bëhet me të vërtetë kërcënues. Në këtë kontekst, pa besuar se jam duke e tepruar sadopak, personalisht i përkas grupit të atyre njerëzve, koncepti makroekonomik i të cilëve është i prirur drejt idesë se vetë inflacioni nuk është gjë tjetër, veçse një fenomen normal në një ekonomi të liberalizuar tregu. Madje, nëse do t'i besonim shkollës "liberaliste" amerikane për këtë qëllim, pothuajse aq i pashmangshëm sa vetë fenomenet natyrore, duke filluar që nga shiu, furtuna, tajfunet apo tërmetet, prezenca e të cilave nuk është në dorën e njerëzve, sado i lartë qoftë stadi teknologjik i zhvillimit të vendit dhe shoqërisë ku ata jetojnë. Në këtë këndvështrim, nëse do t'i besonim Samuelsonit: "...merita e teknologjisë makroekonomike të një vendi (dhe në këtë koncept, sipas tij hyjnë mekanizmat politikë dhe makrofinanciarë të administrimit të ekonomisë) nuk qëndron në faktin se sa e aftë është ajo për të shmangur praninë dhe mbërritjen e inflacionit si fenomen. Ashtu sikurse një shoqëri nuk mund ta shmangë mbërritjen e një tërmeti, por të kontrollojë dhe minimizojë pasojat e tij me format që njihen tashmë, ashtu edhe një ekonomi e shkathët, e aftë që të përshtatet me fatkeqësi të këtij lloji, siç është edhe inflacioni në qenësinë e tij, mund të kontrollojë, madje edhe maksimalisht pasojat e inflacionit dhe t'i zbusë ato deri në atë pikë, sa t'i bëjë plotësisht inekzistente". Duket se ky është pozicioni i konceptimit të inflacionit si fenomen financiar nisur nga këndvështrimi i ekonomisë liberale, të nënshtruar plotësisht rregullave të një tregu të lirë, me çmime të liberalizuara dhe me politikën e shpallur të nxitjes së investimeve si prelud i kalimit në një shoqëri të mirëfilltë konsumi, ku vetë termi në fjalë disuadon deri në ekstrem deri edhe vetë praninë e inflacionit, qoftë ky edhe nën këndvështrimin e fenomenit natyror.
Çfarë po ndodh te ne?
Para së gjithash duhet thënë se vetë koncepti i inflacionit dhe paraqitjes së tij është në kundërshtim të plotë me logjikën e një ekonomie të lirë, të orientuar tërësisht drejt nocioneve "të tregut". Në një farë masë duhet thënë se spekulimet e kohëpaskohshme politike me ekzistencën e inflacionit i kanë dhënë fenomenit në fjalë pamjen e një "kali të lodhur beteje", thirrja e të cilit nën armë e ka egërsuar vetë "kafshën" në fjalë duke e bërë të shkumëzojë, madje edhe të kafshojë, dhe jo pak madje, herë pas here. Për të qenë më konkretë, larg figurave, disi të papajtueshme, ca më tepër me një shkrim të mirëfilltë ekonomik, konstatohet se politika shqiptare në përgjithësi, por për fat të keq, edhe një pjesë jo e vogël e terrenit të specializuar financiar në vend, merren më shumë me debatin, nëse është normale që inflacioni ka arritur në nivelet e shpallura në një moment të caktuar apo jo. Për fat të keq, në të njëjtën brazdë ecin, debatojnë, mburren ose kritikojnë dy krahët e politikës; nga njëra anë kemi një mazhorancë qeverisëse, e cila për të treguar se është në rrugë të mbarë në raport me synimet për të ruajtur nivelet, madje edhe për t'i ngritur ato, të fuqisë blerëse të qytetarëve (në rastin konkret ata quhen me emrin konsumatorë), i referohet ruajtjes së parametrave të inflacionit brenda normave të paracaktuara; kurse nga ana tjetër, kemi një opozitë, e cila për të treguar pikërisht të kundërtën (pra, që mazhoranca nuk është e aftë të qeverisë etj. etj.) i referohet kufirit të inflacionit, sigurisht kur ai ngrihet me disa pikë përqindjeje dhe kapërcen parametrat e shpallur si kufij.
Sidoqoftë, nëse politikës, sidomos asaj shqiptare, nuk mund t'i zemërohemi edhe aq për logjikën e trajtimit të gjërave, duke pasur parasysh se në fund të fundit (e ritheksojmë, sidomos në kushtet e Shqipërisë) qëllimi final i saj është marrja e pushtetit, e njëjta tolerancë nuk do të ishte e këshillueshme për organizma të tjerë, të cilët, edhe pse janë produkt i politikës dhe vendimeve dhe raporteve të saj, në fund të fundit përfaqësojnë pjesën më të specializuar të saj, gjithmonë në raport me ekonominë. Kështu për shembull, nuk më duket normal pozicioni i fiksuar kohë pas kohe i Bankës së Shqipërisë, e cila, duke u fshehur pas përkufizimit bazë të misionit të saj (ruajtja e stabilitetit të çmimeve), duket se si rrugë të vetme për realizimin e tij quan vetëm matjen e nivelit të inflacionit dhe ruajtjen e parametrave të tij, sipas detyrave të përcaktuara nga organizmat mbikëqyrës ndërkombëtarë. Nuk mund të mohohet rëndësia që ka përcaktimi i kufijve dhe i niveleve të parashikuara, sidomos me asistencën e specializuar të organizmave të sipërpërmendur. Por kthimi i tyre në qëllim në vetvete, referimi i tyre deri me simptomat e një dogmatizmi religjioz, e kthen vetë misionin në dështim, kurse luftën kundër inflacionit (që në thelb, nuk është gjë tjetër veçse rënie e fuqisë blerëse të konsumatorit të thjeshtë në treg) në një formalitet të pavlerë, të denjë vetëm për statistika politike dhe administrative.
Kush duhet të na trembë, parametrat apo pasojat?
Duke u nisur nga të tillë parametra logjikë, pyetja që vjen natyrshëm në të gjithë këtë përpjekje për të analizuar inflacionin si fenomen është se ku qëndron e keqja e tij: tek kapërcimi i parametrave të paracaktuar si kufij, apo tek mosmarrja e masave të duhura për përballimin e pasojave që sjell grafiku i tij, në çdo abshisë apo ordinatë të prezantuar nga parametrat në fjalë?
Për të arritur tek përgjigja, e cila në fund të fundit nuk mund të prezantojë kurrësesi vetë zgjidhjen, duke pretenduar ca më pak (siç ndodh jo rrallë dhe rëndom në shumë shkrime të ngjashme, të firmosura madje edhe nga emra të nderuar të asaj pak gazetarie ekonomike që ka mbetur në tregun mediatik shqiptar) edhe monopolizimin e saj, ia vlen mendoj të bëhet një krahasim i niveleve të shfaqura të inflacionit në disa vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian, ku edhe niveli i jetësës, kuptohet nuk ka të krahasuar me atë që ekziston tashmë në vendin tonë. Kështu për shembull, në Francën aktuale, niveli i inflacionit e ka kaluar prej kohësh kufirin e 3 përqindëshit dhe në fillim të këtij viti llogaritej në rreth 3,25 për qind. Ndërkohë që sipas specialistëve të aktivizuar për këtë qëllim në ambientin që rrethon Kryeministrin aktual, Fransua Fijon, i konsideruar në të njëjtën kohë edhe si një nga emrat më të aftë në listën e makroekonomistëve aktualë francezë, pritet që shifra në fjalë të njohë kuota edhe më të larta gjatë vitit në vazhdim. Sigurisht, që asnjë nga ata që janë rreshtuar dukshëm në krah të politikave ekonomike të projektuara nga ekipi aktual qeverisës i Francës (arkitekti i vërtetë i të cilave është pikërisht Kryeministri Fijon) nuk i ka lejuar vetes që të bjerë në pozitat e atyre që mbrojnë teorinë tashmë të tejkaluar të politikave inflacioniste, si "medikamente stimuluese" të tregjeve të brendshme të një vendi. Për më tepër, në epokën e globalizmit, kjo teori është pothuajse e varrosur përgjithmonë. Sidoqoftë, në raport me perspektivën që paraqet tendenca në rritje e ekonomisë franceze, vetë niveli i rritur i inflacionit duket se nuk përbën ndonjë shqetësim serioz. Madje, joshqetësuese duket edhe vetë tendenca për rritjen e mëtejshme të tij, sa kohë që kjo rritje parashikohet të jetë brenda disa parametrave të përballueshëm dhe tërësisht të ratifikueshëm nga teknologjia që disponon aktualisht sistemi ekonomik dhe sidomos ai makroekonomik francez. Pra, më pak fjalë, ajo që përbën me të vërtetë shqetësim për ekonominë franceze, më pak fjalë nuk është vetë niveli i inflacionit, por teknologjia konkrete për ta përballuar atë.
Por le t'i kthehemi më mirë problemit që ekziston te ne. Ndoshta mund të jetë i tepruar si pohim, por kam përshtypjen, ashtu sikurse shumë ekonomistë të tjerë shqiptarë, të cilët për shumë arsye të ndryshme nuk kanë mundur ose nuk kanë guxuar ta thonë fjalën e tyre, se është pikërisht kjo ide fikse për të mos lejuar me çdo kusht kapërcimin e disa parametrave të paracaktuar tashmë, ajo që po na dëmton. Realisht, Banka e Shqipërisë duket se po harxhon më shumë energji për ta frenuar inflacionin teorikisht, pra në treguesit statistikorë të tij, se sa të krijojë mekanizmat e duhur konkretë për ta miradministruar atë dhe, pse jo, në një farë masë ta kthejë edhe në një lloj indikatori për vetë zhvillimin e ekonomisë. Duket sikur vetë statusi, i përcaktuar shumë prerë dhe qartë i Bankës në fjalë, e nxit një dukuri të tillë. Në fund të fundit, ruajtja e parametrave të inflacionit në kufijtë e paracaktuar nga FMN-ja dhe mbikëqyrësit e tjerë ndërkombëtarë, është një element tepër sinjifikativ në biografinë administrative të ekipit që drejton aktualisht Bankën e Shqipërisë (nesër të gjithë ata do të kenë mundësinë të krenohen që nuk lejuan kalimin e normave të përcaktuara nga ndërkombëtarët), por nuk mund të jetë i tillë në "biografinë ekonomike" të tregut shqiptar dhe,në analizë të fundit në vetë fuqinë blerëse të konsumatorit vendas.
Fuqia blerëse si statistikë dhe si qëllim
Le të marrim për këtë një element tepër të thjeshtë, gjithsesi të harruar, ose të lënë qëllimisht mënjanë. Në tërësinë e asaj që rëndom jemi mësuar ta quajmë "fuqi blerëse", natyrisht që një vend të rëndësishëm zë tërësia e çmimeve të mallrave të konsumit në treg. Madje, duke qenë në të njëjtën kohë edhe elementi më i prekshëm i tërësisë së sipërpërmendur, duket shpesh se është i vetmi. Vetë qëndrimet politike, shpeshherë edhe me doza të theksuara dogmatike, si edhe referenca e vetme që i bëhet këtij fenomeni si metri pothuajse i vetëm për matjen e nivelit të inflacionit, duket se justifikojnë deri në një masë shumë të madhe statusin që ai ka marrë në raport me fuqinë blerëse. Por, kushdo që e njeh sadopak teorinë ekonomike të tregjeve, ose që ka thjesht nuhatjen minimale për t'u orientuar në të, qoftë edhe në rolin e blerësit të thjeshtë, e kupton fare mirë se tërësia e çmimeve, stabiliteti ose vibrueshmëria e tyre, jo vetëm që nuk janë elementi i vetëm që merren në evidencë në procesin e vlerësimit të fuqisë blerëse, por, përkundrazi, në momente të caktuara ato (çmimet) janë ndoshta edhe pjesa më e parëndësishme e problemit në fjalë. Nën një shembull të thjeshtë, është fare e lehtë të kuptohet se në një familje, kryefamiljari i së cilës, duke qenë ta zëmë krahu i vetëm i punës, humbet punën, ose okupohet në tregun e saj në mënyrë të çrregullt, edhe pse në të njëjtën kohë çmimet në treg nuk kanë lëvizur, fuqia blerëse do të bjerë dukshëm. Pra, në një farë mënyre, inflacioni do të shënojë rritje, edhe pse kurba në fjalë nuk analizohet nga asnjë institucion statistikor në vendin tonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa u përket dërgesave të emigrantëve, të cilat siç është bërë e ditur edhe nga vetë statistikat zyrtare, për shkaqe që dihen tashmë vijnë nga viti në vit në rënie, duke dobësuar kësisoj edhe një burim tepër të rëndësishëm të ardhurash në vendin tonë. Kuptohet se ku arrin fuqia blerëse e atij grupi jo të vogël shoqëror shqiptar, që ka jetuar historikisht në dy dekadat e fundit mbi bazën e këtyre dërgesave.
Të gjitha këto, sikurse dhe shumë elemente të tjera, lista e të cilave për shumë arsye nuk ia vlen të rreshtohet dhe të analizohet këtu, edhe pse teorikisht qëndrojnë jashtë kuadratit teorik klasik të inflacionit, në fund të fundit janë vetë ai, përderisa ndikojnë po aq sa ai në rënien e fuqisë blerëse të konsumatorit të thjeshtë. Nga ana tjetër, mosvënia e tyre në evidencë, duke spekuluar dukshëm në kurriz të tyre vetëm mbi bazën e përllogaritjeve të cunguara, deri diku edhe demagogjike të disa niveleve të standardizuara, të lexueshme vetëm në evidencat zyrtare, shpeshherë të pakuptueshme për masën e gjerë të konsumatorëve, nuk të jep asnjë shpresë që inflacioni real në Shqipëri ka nisur të luftohet. Ndërkohë që vetë shpresa për krijimin e teknologjisë (siç e quante i madhi Samuelson) për përpunimin financiar të inflacionit si fenomen "natyror" po shkon drejt shuarjes, për të mos thënë se është shuar plotësisht.
G.Metropol
|