|
Berni
|
 |
« më: 05-03-2008, 10:10:39 » |
|
BE u shpall luftë parajsave fiskale
Bashkimi Evropian i deklaroi dje luftë Lihtenshtejnit, Monakos, Andorrës dhe Zvicrës. Të vetëdijshëm se humbasin miliarda euro në taksa, ministrat e Financave dhe ekonomistët e bllokut me 27 anëtarë, u mblodhën në Bruksel për të rënë dakord mbi një strategji që synon të vendosë nën kontroll parajsat fiskale të kontinentit. Ata do të tentojnë të fuqizojnë akoma më shumë versionin e direktivës së mbledhjes së taksave në BE, të hedhur në qarkullim në 2005-ën, që ka rezultuar të jetë në mënyrë patetike e butë për "armatën" e llogaritarëve, avokatëve dhe specialistëve të taksave në manovrat e tyre evazioniste. E mbështetur mbi të gjitha nga Peer Steinbruk, ministri gjerman i Financave, direktiva e re do të përpiqet të mbyllë hapësirat për manovra të tilla. Steinbruk thotë se evazioni fiskal i kushton Gjermanisë rreth 30 miliardë euro në vit, humbje fatale kjo për arkat e shtetit. Britania e Madhe gjithashtu humbet një shumë të përafërt, ndërsa i gjithë blloku evropian mendohet se humbet rreth 100 miliardë euro në total. Pra në lojë ka shumë për të humbur. Por, ekspertët e taksave mbeten skeptikë në lidhje me perspektivën e kësaj ofensive të re. Ka nga ata që thonë se evazioni fiskal është profesioni i dytë, më i vjetër në botë dhe është e vështirë të mbahet nën kontroll. Parajsat e taksave, sipas tyre, do të mbijetojnë. "Ka shumë para që qarkullojnë atje. Nëse mbyllen shtigjet në Evropë atëherë paratë do të shkojnë drejt Dubait apo Singaporit", thonë ata. Një disfatizëm i tillë, gjithsesi, nuk i ka infektuar qeveritë evropiane dhe ato thonë se po zgjerojnë kontrollet e tyre. Në mënyrë të veçantë Berlini është bërë agresiv. Shërbimi Sekret Gjerman i ka paguar rreth 6 milionë euro një punonjësi të bankës më të madhe të Lihtenshtejnit, për një listë me emrat e rreth 900 shtetasve gjermanë që evitojnë taksat në vendin e tyre. Edhe Britania ka bërë të njëjtën gjë dhe ka aktualisht në dorë një listë me emrat e rreth 100 personave. Gjatë fundjavës u mësua se ministri i Financave, Alistar Darling, kishte në shënjestër veçanërisht Monakon. Vende të tjera, që nga Irlanda e deri tek Republika Çeke, po intensifikojnë përpjekjet e tyre për të minimizuar humbjen si pasojë e evazionit fiskal. Ndërkohë, paratë shkojnë atje ku taksat janë të ulëta apo joekzistente dhe fshehtësia është e garantuar. Në ishujt Kajman, një territor i mbikëqyrur nga Britania e Madhe, me një popullatë të vogël, kryesisht i lidhur me turizmin dhe peshkimin, janë depozituar 1.4 biliardë dollarë para nga përtej detit. Nauru, një mikro-shtet në Paqësor, ka parë rreth 70 miliardë dollarë, që vijnë kryesisht nga Rusia. Ndërkohë, treshja e ishujve, Xhersi, Guernsej dhe Ishulli i Man-it, tërheqin rreth 1 biliardë dollarë. Në total, përllogariten se rreth 7 deri në 12 biliardë dollarë depozitohen në këto parajsa pa taksa. E kjo shihër vetëm për sa u takon individëve. Nëse do të flitej për korporata apo biznese, ajo do të shumëzohej me 10 apo edhe me 100. Sidoqoftë, një shihër kaq gjigante padyshim do t‘i jepte fund urisë në botë. Përveç parave që depozitohen me një qëllim të vetëm, atë të evitimit të taksave, në këto parajsa fiskale shkojnë edhe paratë e krimit. Pjesa më e madhe e parave vijnë nga trafiqet ilegale, droga dhe terrori. Parajsat fiskale lajnë para, duke bezdisur qeveritë e tjera dhe u ofrojnë edhe terroristëve një "strehë" të sigurt për paratë e tyre. Pikërisht krimi ka shtyrë shumë qeveri kundër parajsave fiskale. Në vitin 2000, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, publikoi listën e saj të zezë me 35 vende jobashkëpunuese në sektorin e taksave dhe pas kësaj u ndërmorën një seri veprimesh. Tani, lista e zezë është reduktuar në tre: Monako, Lihtenshtejni dhe Andorra.
Gazeta Shqip
|