|
M A X
|
 |
« më: 09-07-2008, 09:41:19 » |
|
Pango: Për 6-mujorin, 23% turistë më shumë se një vit më parë
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve konfirmon rritje të fluksit turistik për periudhën janar-qershor 2008"
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se, "numri i turistëve për periudhën janar-qershor, është rritur 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar". Sipas tij, numri i përgjithshëm i vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri, për muajt janar-qershor 2008 është 789972 persona. Prej tyre, vizitorë me nënshtetësi shqiptare janë 315 000, ndërsa pjesa tjetër janë vizitorë të huaj. Pango tha se, numri i vizitorëve sipas qëllimit të udhëtimit, ka qenë, 81% për pushime, 10% për biznes dhe arsye profesionale, 5% janë vizitorë ditorë dhe 4% të tjerë. Këto shifra janë të publikuara nga misioni CITAP, i cili merret edhe me të dhënat statistikore për lëvizjen brenda dhe jashtë vendit.
Duke iu referuar statistikave zyrtare të 6-mujorit të parë të këtij viti dhe të njëjtës periudhë të 2007, rezulton 43% rritje e numrit të turistëve kosovare dhe 42% e turistëve maqedonas që kanë hyrë në vendin tonë. Më konkretisht për 6-mujorin e parë 2008 kanë hyrë në vendin tonë 114 773 maqedonas dhe 107 832 kosovare kundrejt 80485 shtetasve maqedonas dhe 75063 kosovarë që kanë hyrë në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Ministri u shpreh optimist, duke theksuar se do të ketë akoma rritje, pasi muajt korrik-gusht janë muajt që tërheqin më tepër turistë si dhe janë marrë masa për të përballuar këtë fluks në rritje të tyre.
Vetëm 2 muaj pas hapjes së sezonit turistik, ministri Pango vlerëson se 23% turistë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritje e konsiderueshme, duke marrë parasysh faktin se jemi ende para pikut të sezonit turistik. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rezultojnë se nga këta vizitorë, 81% janë turistë pushues, 10% vizitorë të bizneseve profesionalë, 4% vizitorë ditorë dhe 4% të tjerë. Ndërkohë sipas të dhënave nga Misioni ICITAP (agjenci amerikane, organ i varur nga Ministria e Brendshme, e cila rregjistron të dhënat dhe numrin e të gjithë personave që hyjnë në Shqipëri nëpërmjet të gjitha pikave kufitare të territorit shqiptar), të cilat mund të verifikohen në site-n zyrtar http/192.168.10.1/tims-al.htm, për periudhën janar-qershor 2008 numri i përgjithshëm i vizitorëve është 789 972 persona. Po sipas këtyre statistikave zyrtare, gjatë kësaj periudhe kanë hyrë në vendin tonë 315000 persona, vizitorë me nënshtetësi shqiptare rezidentë në vende të ndryshme. Kjo shihër sipas ministrit Pango tregon rritje prej 23% krahasuar me vitin 2007; 53% me vitin 2006 dhe 95% me vitin 2005. Ndërkohë bëhet e ditur se, me rrugë tokësore kanë hyrë në vendin tonë 70% e vizitorëve dhe se përqindje më të lartë (90)%) e përbëjnë evropianët.
Dyndja për këtë 6-mujor të parë sipas ministrit është e madhe dhe sfidë mbetet rritja e kapaciteteve dhe ofrimi i shërbimeve më të mira.
Edhe turizmi kulturor ka pasur zhvillim, pasi në këtë periudhë ka pasur vizitueshmëri të lartë Butrinti, Gjirokastra, Apolonia, Berati etj., duke bërë që Shqipëria të njihet dhe të vlerësohet në botë.
Ministri nënvizoi faktin se, Qeveria po bën punë të jashtëzakonshme si dhe investime të dukshme për të përmirësuar në radhë të parë rrugët dhe gjithçka lidhet me infrastrukturën e pushimeve në zonat bregdetare. Për këtë vit, projektet më të rëndësushme në sektorin e zhvillimit të turizmit janë Projekti i madh për ngritjen e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit, me sipërmarrës nga Dubai dhe Katari, i cili kap shifrën 1 miliard dollarë, projekti për zhvillimin e zonës së jugut të vendit, Shëngjinit, Velipojës etj.
Janar-qershor 2008:
- Numri i përgjithshëm i vizitorëve 789 972 persona
- Vizitorë me nënshtetësi shqiptare rezidentë në vende të ndryshme 31 5000 persona
- Kjo tregon rritje prej 23% krahasuar me vitin 2007; 53% me vitin 2006 dhe 95% me vitin 2005.
- Hyrja në Shqipëri me rrugë tokësore 70%
- Numrin më të madh e përbëjnë evropianët 90%.
Halil RAMA RD
|