|
Berni
|
 |
« Përgjigjja #1 më: 26-04-2007, 04:58:53 » |
|
Eshtë 50 % më i madh se rruzulli ku jetojmë. Besohet se ka ujë
15 vjet kanë kaluar qëkurse u krye zbulimi i planetit të parë jashtë sistemit tonë diellor. Por tashmë astronomët me ç‘duket kanë arritur para kohe objektivin që i kishin vënë vetes, pra gjetjen e një planeti ekstrasolar: zbulimi i një botë të re të ngjashme me Tokën, që me shumë gjasa mund të stimulonte edhe jetën.
Shkencëtarët që punojnë nën drejtimin e Stephane Udry dhe Michel Mayor të Observatorit të Gjenevës, të cilët qysh në vitin 1992 kishin zbuluar të parët eksoplanetë (planetë që ndodhen jashtë sistemit tonë diellor), e gjetën planetin në rrugën e yjësisë 581. Para dy vjetësh, i njëjti ekip kishte zbuluar një tjetër planet të përmasave të Neptunit në orbitë, që ndodhej rreth yllit të vogël në ngjyrë të kuqe. Ka madje edhe dëshmi se yjësia 581- me një distancë prej 20,5 vitesh dritë, njëri ndër 100 yjet e tjera të Tokës -është një sistem që përbëhet nga e pakta tre planetë.
Që astronomët kanë zbuluar tashmë një planet të ngjashëm me Tokën, kjo është plotësisht mbresëlënëse e sensacionale. Pasi ai nga pesha, madhësia e përmasat i përngjason më shumë Tokës, në krahasim me mbi 200 eksoplanetët e zbuluar dhe njohur deri më tani. "Unë kisha llogaritur se në këtë zbulim ne do të vinim pas tri ose pesë vjetësh", thotë eksperti amerikan i planetëve e hapësirës, Sean Raymond i Universitetit të Kolorados. Ai flet pa mëdyshje për një "zbulim sensacional".
Temperatura nga 0 në 40 gradë celsius
Planeti i ri i zbuluar së fundmi është 50 për qind më i madh se Toka dhe thuajse pesë herë më i rëndë se planeti ynë. "Sipas vlerësimeve tona, temperatura mesatare në sipërfaqen e tij shkon në kufijtë mes 0 e 40 gradë celsius", thotë ndërkohë Udry, njëri nga shkencëtarët e grupit, që bëri të mundur edhe zbulimin. "Përveç kësaj, modelet parashikojnë se planeti në sipërfaqen e tij ose mund të jetë i mbushur me shkëmbinj, ose me oqeane".
Të tilla të dhëna duket se i kanë elektrizuar shkencëtarët. Ekzistenca e ujit të pijshëm në temperatura të moderuara vlerësohet si njëra ndër kushtet bazë për lindjen e stimulimin e jetës. "Natyrisht që duhet të dëshmohet se ekzistojnë edhe elementë të tjerë si karboni e nitrogjeni, që me shumë gjasa edhe mund të jenë prezentë atje", deklaron ndërkohë Forveille. "Më pas do të nevojitet edhe një "mekanizëm i shkrepjes", në mënyrë që të lindë jeta, për të cilin askush nuk di të thotë se si duhej të ishte".
Xavier Delfosse, njëri ndër kërkuesit e përfshirë në këtë zbulim shkencor, shkon madje shumë larg kur thotë se ëndërron për një mision kërkimor të instaluar në atë planet, pasi ai dëshmon disa kushte e rrethana minimale për jetësë dhe është relativisht më i afërti si natyrë me Tokën. "Në një hartë imagjinare thesaresh të universit, ky planet do të shënohej me shenjën X". Vetëm dy javë më parë, shkencëtarët kishin dëshmuar gjetjen e ujit në atmosferën e një eksoplaneti (një planeti pra që gjendet jashtë sistemit tonë diellor). Në maj të vitit 2006, shkencëtarët gjetën një planet me madhësinë e Neptunit, që rrethon yllin e tij në të ashtuquajturën "zona e gjelbër" dhe për këtë arsye mund edhe të zotëronte ujë të rrjedhshëm (të pijshëm).
Vëzhgimet direkte do ta vërtetojnë zbulimin
Udry dhe kolegët e tij kanë përdorur një instrument të konstruktuar pikërisht për të gjuajtur planetët jashtë sistemit tonë diellor, një teleskop të tipit "Harps" 3,6 metra të gjatë, të vendosur në pikëvëzhgimin planetar evropian ("Eso") në lokalitetin kilian të La Silla-s. Shkencëtarët e kërkuesit pritet që shumë shpejt ta botojnë të plotë studimin e zbulimin e tyre (të pretenduar) në faqet e revistës së specializuar "Astronomy & Astrophysics". "Eso" gjithsesi, mësohet se e ka hedhur paraprakisht e para njoftimin dhe studimin e tyre thuajse të plotë në faqen e saj zyrtare në internet.
Nëse ata me të vërtetë kanë zbuluar një planet që mund të stimulonte jetën, kjo nuk është akoma 100% e sigurt. Vetëm spektri i dritës së një planeti mund ta dëshmonte përbërjen kimike të atmosferës së tij dhe të jepte më pas shpjegim nëse jeta do të ishte apo jo e mundur. Por për këtë më parë duhej vëzhguar nga pranë një planet, gjë e cila me teknikën e sotme thuajse është plotësisht e pamundur. Vetëm gjatë gjeneratës së dytë të instrumenteve të vëzhgimit hapësinor- sikurse është për shembull teleskopi amerikan "James-Webb", apo dhe sateliti evropian i hedhur kohët e fundit në hapësirë me emrin "Corot" -do të ishin ndoshta në gjendje ta kryenin këtë në një fazë të mëvonshme.
Të dhënat e deritanishme mbi planetët e rinj mund të shijohen me të njëjtën vëmendje. "Vlerësimet tona mbi përmasat dhe peshën e tij kanë marrë parasysh këtu edhe vlerësimet që vijnë nga grupime të tjera shkencëtarësh e vëzhguesish", tha Udry, bashkautor me Thierry Forveille në prononcimet e tij të para për mediat.
Lisa Kaltenegger e "Harvard-Smithsonian Center for Astrophysics" në Kembrixh (shteti amerikan i Massachusetts), beson se kolegët e saj nga Gjeneva kanë bërë një zbulim sensacional. "Ne kemi stimuluar atmosferën e planetëve të kësaj madhësie", thotë ndërkohë shkencëtarja gjermane. Rezultati: planeti në fjalë mund të ishte i banueshëm. Gjithsesi, stimulimet në atmosferë duhej të përputheshin më saktësisht edhe me zonën e kuqe të yjeve të vegjël, siç është yjësia 851.
Kritikat dhe dyshimet
"Pesë herë sa pesha e tokës dhe një gjysmë here më i madh se ajo nga përmasat, kjo tingëllon shumë e këndshme", deklaroi ndërkohë edhe Ralph Neuhaeuser nga qendra gjermane për eksoplanetët në Jena. Por nuk duhet të harrojmë se metoda Wobble e përdorur në këtë rast nga shkencëtarët e studiuesit nga Gjeneva, jep vetëm një masë minimale besimi. Në rastet e tjera që janë përdorur për rreth 200 planetët e tjerë të zbuluar deri më tani jashtë sistemit tonë diellor, vetëm 17 prej tyre janë verifikuar me metoda alternative. Nga ana tjetër, Forveille thotë se "ne nuk e dimë me saktësi nëse ekziston apo jo ujë i pijshëm në këtë planet, e kështu që nuk duam të spekulojmë në këtë drejtim. H2O është sigurisht një molekulë që në hapësirë haset shpesh. Porse sigurinë absolute për këtë mund ta japë vetëm vëzhgimi direkt".
G.Shqip
|