Amy
Anetar
Karma: 4
offline
Gjinia: 
Postime: 818
|
 |
« më: 02-06-2007, 04:36:05 » |
|
Mban 81 vite mbi supe. Nga këto, shumica në skenë. Të gjitha kanë "strukur" diç ka në kujtesën e aktores së njohur Violeta Manushi. Me ndjenjën e hollë të humorit, duke e lënë për pak mënjanë dhimbjen, e rindërton nga pak jetën e saj.
Keni qenë e martuar? Përgjatë 60 vjetëve kam pasur tre "burra". Burri i parë ka qenë Viktor Gjoka tek "Karnavalet e Korçës", burrë i përhershëm ka qenë Sul Pitarka. Diheshin çiftet burrë-grua në Teatrin Popullor. Kur bëhej fjalë për një çift me theks gegë, dilnin në skenë Behije Çela dhe Mihal Popi, ndërsa unë dhe Sula ishim çifti toskë. Por nuk mund të mohoj që "burri im" ka qenë edhe Kadri Roshi. Ke qenë e dashuruar? Përjetësisht. Një dashuri që ka jetuar gjatë. Edhe sot që më pyesni dhe jam në këto kushte. Kam qenë e dashuruar pas punës. E kam dashur më shumë se çdo gjë tjetër në këtë jetë. I kushtoja kujdesin e duhur, nuk mungoja kurrë dhe çdo ditë të 66 vjetëve punë në jetën time kam treguar se e dashuroja, se ishte pjesë e rëndësishme e jetës sime. Ajo që di dhe ma mësoi jeta është: vetëm me punë bëhet një vepër, vetëm me punë bëhet emri. Kur ke ndjerë keqardhje? Kur qëllova postierin me fshesë tek "Zonja nga Qyteti". Kishim 8 orë për të realizuar atë skenë, kështu që kishte ngrënë dru sa ishte shqepur prej meje. E godita fort për ta sjellë në vete dhe për t'i dhënë fund kësaj sekuence filmike. Të jesh nën efektin e dritave për 8 orë nuk është pak. I rashë fort sa më mbajti krahu. "Më vrave moj Ollgë", - më tha. I dhembi të gjorit, por më në fund u realizua përsosmërisht kjo skenë e bukur. Mu dhimbs Malo i gjorë, s'kishte faj. Hasan Fico ishte tip që të shkaktonte humor që në pamje. Edhe në rrugë më thërriste sa kishte në kokë: "Ku je moj Ollgë që më piku malli. Do të luajmë edhe një rol tjetër bashkë?". Vdiq i gjori. Shkova e përcolla në banesën e fundit. E kujtoj me mirënjohje atë njeri të mirë, për të cilin kam shprehur keqardhjen që e kam bërë paçe me fshesë. Ke qëlluar ndonjë koleg në skenë? Marika Kallamatën dhe nuk jam penduar edhe sot. Ishim duke dhënë shfaqje në Llakatund të Vlorës. Marika e ka zakon që po pa ndonjë që qesh ia plas të qeshurit dhe nuk ka të pushuar. Ishte skena që duhej të më thoshte: - Muarët ndonjë haber? (Bëhej fjalë për dhëndrin që prisnim). Kur unë përgjigjem: "Po, po shohim që Vangjit i kishin dalë parukat", Marika ia plas të qeshurit. Atëherë u harbova realisht dhe i thashë të dilte jashtë. E mbarova skenën me fjalët e tyre duke e bërë monolog. Skena ishte në një makinë ku hip e zbrit. Mu bënë prapanicat pleh. Ty të kanë rrahur? Pse pak të duket kamxhiku i Seit Boshnjakut, qehajait në rolin e parë kur ia plasa të qarit vërtetë për gruan e beut? Edhe sot më djeg kurrizi. Kur je ndjerë keq në skenë? Ah, në Sarandë. Kishim shkuar për shfaqjen "Zonja nga Qyteti". Mua më ishte ngjirur zëri. Si duket isha ftohur. Po pija një çaj shumë të nxehtë, kur se si lëviza, uji i valuar mu derdh në bark. U dogja keq, aq sa më ishte ngjitur lëkura në rroba. Një dhimbje e tmerrshme që nuk e qetësonte asgjë. Kur e morën vesh kolegët u shqetësuan që do të anulohej shfaqja, pasi ishin shitur edhe biletat. Por unë dola në skenë, interpretova mrekullisht dhe askush nuk e kuptoi se çfarë më kishte ndodhur. Shenjat i kam edhe sot. Ke provuar ndjesinë e nënës? Jam afruar thuajse në të gjitha rolet, por realisht këtë ndjesi të bukur e kam përjetuar tek "Zonja nga qyteti". Tek Melka, në rolin e së cilës është aktorja Rajmonda Bulkun, kam ndjerë se jam nëna e vërtetë e saj. Ishte një kompleks ndjenjash që vepronin dhe harmonizonin njëra-tjetrën në skenë dhe jashtë saj. Kam mbresa të jashtëzakonshme, pasi kjo ka vazhduar gjatë gjithë kohës. E kam fejuar, e kam martuar, ka lindur çupa. Dhe tani që jam e sëmurë, ajo më rri pranë. E ndjej që provon dhimbjen e çupës për nënën, sikurse unë përjetoj kënaqësinë e nënës që i gjendet çupa. Cili ka qenë hobi juaj? Puna e dorës. Për mua në fëmijëri ka shërbyer për mbijetesë gjatë jetës. Ishte domosdoshmëri dhe hobi. Cilat janë veset që urren Violeta Manushi? Gënjeshtrën dhe mosmirënjohjen. I konsideroj vërtetë fatkeq ata njerëz. Kujtimet më të bukura? Një jetë kaq e gjatë në skenë ka kujtime të shumta që të emocionojnë. Gjithçka është fiksuar në fotografi, në një autograf. Jam edhe një pullë me rolin e Ollgës. E kujtoj shumë mirë atë çast të bukur. Cila është dobësia juaj? Fëmijët. Zërat e tyre më ngjajnë me cicërimat e zogjve. Buzëqeshja e tyre më risjellë në jetë. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur marr letrat dhe urimet e tyre. Po meraku? Për gruan. Prej shekujsh bën luftë që të zërë vendin që i takon, por ende mungon. Numërohen me kokrra gratë në institucionet e rëndësishme të qeverisjes apo vendimmarrjes. "Demokracia e një shoqërie dhe prestigji i një shteti, varen edhe nga vlerësimi që i bëjnë gruas." Kujtoni ndonjë ngjarje të pakëndshme? Po. E kam fiksuar edhe në fotografi. Kur e kujtoj, më pushton paniku. Sapo kisha filluar punë në teatër dhe si adoleshente që isha, më lindi ideja të shkoj në punë me biçikletën e burrit të motrës. Nuk kisha hipur kurrë ndonjëherë mbi të dhe sapo dola në rrugë, shoh që më tollovitej trupi sa majtas djathtas. Pa pritur më del një fëmijë përpara dhe për të shpëtuar atë, rashë vet në kanalin anës rrugës. Kur ngrita kokën, pashë fëmijën që më kishte shtrirë dorën për të më ngritur. Kjo ishte dhimbja më e madhe. Që nga ajo ditë vendosa të mos hipi më. Ka ndonjë peng në jetë,Violeta Manushi? Po, një peng që nuk e kam thënë kurrë, por që nuk dua ta fsheh. Është një dhimbje që nuk më ikën nga zemra dhe do të vdes bashkë me të.Ikja herët e vëllait, 35 vjeç ishte një plagë për motrën, por jo vetëm kjo. Im vëlla, vdiq duke lënë një djalë 2 vjeç dhe foshnja tjetër lindi 40 ditë pas vdekjes së tij. Nëna dhe ne motrat menduam ti vendosim emrin e të atit, pasi ishte një ngushëllim për ne. Por, kjo foshnjë, që tashmë është bërë burrë, madje baba, kurrë nuk u thirr me emrin Llambi. Nëna e tij e rriti me një tjetër emër Berti. Kështu ndodhi edhe me djalin e madh, Dhimitrin, të cilit ia kish vënë emrin i ati dhe që ringjallte gjyshin nga babai. Megjithëse, deri në moshën dy vjec ishte thirrur me këtë emër, pas vdekjes së vëllait, u thirr Xhimi. Me këtë emër thirret edhe sot. Ndoshta ndërrimi i emrave, u bë që ti largonte nga gjyshja dhe hallat. Ky ishte peng për nënën, që e ndanë nga nipërit, fëmijët e të birit që i kish krijuar një plagë të madhe, peng për hallat dhe veçanërisht për mua, që isha aq shumë e lidhur me tim vëlla dhe nënën. Ke qenë mblesë në lidhjen e një çifti? Asnjëherë. Unë nuk u martova për vete, jo të martoja të tjerët. Dihet, njëherë që desha të martoja time bijë, Melkën, dështova. Kur pashë që më doli një dhëndër si Koçi, thashë: Në dreq të vejë kjo punë. Të rinjtë e gjejnë vet njëri-tjetrin. Çfarë do t'i thoshit aktorëve të rinj? Mos e shkelni talentin tuaj me këmbë. Mos u lakmoni pas parasë apo çdo gjëje tjetër materiale. Dashuroni punën, dashuroni rolin. Mos iu ndani disiplinës. Sot, fatkeqësisht mungon. Ajo është çelësi i suksesit. Skena nuk është thjesht dëshirë e pasion. Aktori ka përgjegjësinë e madhe përpara popullit të vet.
|