Forumi KulturorKinematografia Shqiptare - Albanian Culture ForumArtistët Shqiptar (Moderatore: sorelina, BabyDance)XHim Belushi, një libër në shqip për jetën e tij !
Faqe: [1]   Shko poshtë
  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: XHim Belushi, një libër në shqip për jetën e tij !  (E lexuar 1052 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Stafi


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 24143



Shiko profilin WWW
« më: 25-02-2007, 17:23:08 »

Jim Belushi, aktori i madh hollivudian vjen së shpejti në vendin e origjinës së tij, Shqipëri, si autor i librit "Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal". Lajmin e konfirmon Vasilika Tafa, drejtorja e shtëpisë së librit "Ombra GVG" e cila do mundësojë publikimin e tij. Tafa me këtë botim, realizon edhe një amanet që i ati ia ka lënë asaj, për kushëririn Jim Belushi. Për librin dhe për këtë lidhje shpirtërore, ajo do flasë më shumë në shkrimin e mëposhtëm.

Vasilika TAFA*

Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal",është një libër i shkruar nga ylli i kinemasë hollivudiane, Jim Belushi. Shumë prej jush do të thoni, mos ka ndonjë ngatërresë? Jo, vetë aktori ka provuar të jetë në rolin e shkrimtarit. Ndoshta talenti i tij ka shkëlqyer në kinematografi, por nuk e ka ndier veten të realizuar pa thënë ato që vetëm ai i di për jetën nëpër të cilën ka shkelur.
Libri ka nota të thella autobiografike dhe pritet të publikohet së shpejti nga shtëpia e librit "Ombra GVG".
Shpresojmë që lexuesi shqiptar të ndjekë sukseset dhe dështimet, realizimet e tij shpirtërore, që aktori me origjinë shqiptare ka kaluar në jetën private. Ka sjellë në libër shumë personazhe, të afërmit e zemrës, bashkëpunëtorët që e kanë ndihmuar të bëhet një aktor i madh dhe që e kanë penguar të jetë një burrë ideal për gratë e tij. Mirënjohja dhe pendimi që përshkon librin e Jim Belushit, e bëjnë të jetë një model i vërtetë edhe për shoqërinë shqiptare.
E kam pritur me emocion të veçantë realizimin e këtij libri për dy arsye:
Së pari, doja të sillja para lexuesve vlera të vërteta njerëzore të një shqiptari të madh, pasi çdo ditë forcoj bindjen time që shoqëria shqiptare ka nevojë për modele, të cilat i japin shtytje e besim në civilizimin shoqëror e emancipimin e shoqërisë.
Por, kam edhe një shkak personal. Impulsin dhe ngarkesën emocionale që më shkakton botimi i këtij libri në shqip, dua ta ndaj në një pozicion të ri.
Por çfarë përbën për mua personalisht fenomeni Jim Belushi?!
Me koshiencën e botuesit kam realizuar një qëllim të shtëpisë botuese, me koshiencën e vajzës doja të tregoja diçka që kam kohë që e ruaj brenda vetes.
* * *
Rrëfimin tim për ty i dashur babi, ndoshta nuk do ta kisha treguar kurrë kaq publikisht, po të mos kisha një shkak të fortë. Si çdo vajzë që ka humbur babanë e saj, qaj shpesh me vete, pa dashur të bëj pjesëtar të dhimbjes sime askënd. Më mungon, edhe se prej kohësh, nuk jemi parë shpesh. Largësia, puna, fëmijët, familja që aq shumë ti e vlerësoje tek preokupimet e mia.
Në të vërtetë shumë njerëzve nuk dua t'i tregoj këtë për babanë tim. Në kujtesën jo vetëm time, ti mbetesh një burrë i shkathët, i gjallë në biseda, me një ton të lartë, që me protagonizmin tënd mundoheshe të na tregoje me një pasionin, që nuk të shteri deri ditën e fundit për nipërit e tu, Jon e Jim Belushi. "Janë shumë të famshëm, janë yje kinemaje", thoshe dhe, shikimi yt shumë herë ka dashur vëmendjen time. Më fal, kurrë nuk të kam thënë që unë ndihesha krenare që janë edhe kushërinjtë e mi. Në adoleshencën time të hershme jam përlotur së bashku me ty për vdekjen e Jonit. Atëherë nuk mund të thoshim se sa të mëdhenj kanë qenë, veçse të shkruanim letra ngushëllimi atje larg në Amerikë dhe, prisnim përgjigje që nuk mbritën kurrë. Vitet kaluan dhe një ditë janari të 1993-shit, zbrite shkallët e avionit me foton në dorë. "Kam takuar nipin tim, Jim Belushin", na the sapo u përshëndetëm. Dhe ashtu e heshtur dhe e përmalluar për ty, nga qëndrimi i gjatë në Amerikë, unë shihja gjithë hutim foton. Një ngjashmëri e habitshme. Doja ta përmbaja gëzimin. Shkëlqenin sytë e tu tek na shihje me bashkëshortin tim Gëzim Tafa, të interesuar për më shumë detaje nga takimet e tua.
Vitet rrodhën shpejt dhe Jimi me babanë e tij mbërritën në Tiranë. E ndjeja në çdo detaj që kishit një intimitet bashkë. E ndjeja që takimi me Jimin të bënte të lumtur. E ndjeja që nga unë dhe Gëzimi ke pritur më shumë. Ke dashur shpesh që unë ta përmend këtë fakt.
Por e di si kam menduar... Më fal që s'ta kam thënë kurrë… Të jesh kushërira e dikujt nuk është vlerë, veçse kënaqësi dhe rastësi e bukur në jetë. Ajo çka ti bën vetë është e gjitha. Ajo se si ti i përcjell vlerat e tua dhe ç'vend ke në shoqëri është gjithçkaja.
E ti, i dashur babi, nuk e ke kuptuar, që duke jetuar përditë me Gëzimin, bashkëshortin tim piktor, që krijonte në studion e tij, piktura me vlerë, unë nuk mund të mburresha për kushërinjtë e mi. Nga ky njeri, që gjatë gjithë kohës udhëhoqi dëshirat e mia për të bërë diçka të bukur në jetë, unë mësova, që të krijosh vetë vlera është pasuria më e madhe për personalitetin e secilit. Ti besoj më ke kuptuar në përpjekjen tonë për të ngritur cilësisht shtëpinë e librit "OMBRA GVG".
Por, gjithmonë ke pritur që në ndonjë nga intervistat e mia, ku flitej për shtëpinë botuese "Ombra GVG", të thosha dy fjalë. Këtë mendim e kam lexuar në sytë e tu dhe vërtet më vinte keq. Betohesha çdo herë që diku do ta thosha. Ti e doje shumë Jim Belushin dhe gjithë familjen e tij. Ata vërtet janë të afërmit tanë. Më vjen keq që pate rastin t'i takoje pak, e nuk u çmalle me ta.
Dhe, si detyrim ndaj teje që nuk të kam më pranë, si detyrim ndaj vetes dhe për kënaqësinë e të gjithë shqiptarëve që e duan aq shumë artistin e kinemasë me origjinë shqiptare, Jim Belushi, unë së bashku më Gëzimin, së shpejti do të publikojmë një libër që ai vetë e ka shkruar.
Na beso, ne të gjithë e duam fort një artist të madh si Jim Belushi.
Si një fëmijë besoj tani fjalët e vajzës sime që shpesh kur më sheh përlotur më thotë, "babi Vani tani na sheh, është lart në qiell".
Më beso, dua të jetë kështu vërtet dhe, unë them se të kam sjellë një lajm që e ke pritur gjatë, kam sjellë më pranë shqiptarëve të madhin Jim Belushi.
Faleminderit babi që më bëre të ndihem krenare për origjinën time.
Do të dua përgjithmonë!
Vasilika
*Drejtore e shtëpisë së librit "Ombra GVG"

Pasaporta

Emri: Xhejms
Mbiemri: Belushi
Ditëlindja: 15 qershor 1954
Vendlindja: Çikago
Vendi i origjinës: Shqipëri
Fëmija i tretë i katër fëmijëve, ai u rrit në Wheaton, Illinois. Ishte një mësues ai që vërejti tek Xhimi aftësitë improvizuese dhe më pas u bë pjesë e klubit të dramës në shkollë. Në 1979-ën Garry Marshall pa Xhimin duke interpretuar për "Second City" dhe bëri të mundur që Belushi të shkojë në Hollivud dhe të interpretojë në filmin "Who's watching the kids" (1978) për "Paramount", dhe më pas disa role televizive. Në 1983-shin, ai iu bashkua kastit të aktorëve të "Saturday Night Live" (1975) për 2 vjet. 1979: "Perversitet seksual në Çikago", në teatrin "Apollo" të Çikagos; 1981 "Piratët e Penzance"; 1984: "Perëndimi i vërtetë", 1986: Bashkautor dhe aktor në komedinë e tij të parë televizive "Xhim Belushi-ditëlindja e djalit". 1986 "Perversitet seksual në Çikago" baza e filmit të ardhshëm "Nata e fundit", "Parimi". 1993 kthehet në Broaduej me dramën "Bashkëbisedim me babain tim"; "Palmat e egra", 1997: "Siguri totale" etj. Aktualisht ai jeton në Los Anxhelos me gruan e tij, Xhenifer dhe vajzën e saj, Jamison dhe me të birin Robert, që e ka nga martesa e tij e parë.

Kur Belushët ikën nga Qyteza e Korçës

I lindur në Nju Jork nga prindër korçarë, Jim Belushi është përfaqësues i fëmijëve të brezit të vjetër, shumica e të cilëve e kanë Shqipërinë më shumë një amanet familjar se sa një shqetësim real. Babai i tij, Ademi, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen në vitin 1934, në moshën 15-vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnes Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte Xhon Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollivudit, i cili u nda nga jeta në vitin 1982. Sipas prezantimeve të tij në skenën e shoqërisë amerikane, dhe në përgjithësi me intervistat e tij, ai mburret me prejardhjen e tij shqiptare. Në një intervistë të dhënë ZDF (Radio Televizioni Shtetëror Gjerman), ai flet me kënaqësi për vizitën e fundit të tij me të atin në vendlindje. Ai thotë se "kur isha në vendlindjen e babait, nga të gjitha anët shikoja si në pasqyrë figurën time, të gjithë më dukeshin të njëjtë si unë".

Vizita e Jim Belushit në Shqipëri

Aktori i njohur hollivudian, Jim Belushi zbriti në Rinas në vitin 1995. Ai mbërriti në Shqipëri me të atin, Ademin, i cili ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1934 dhe me djalin e tij 14 vjeçar, Robertin. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri aktori i njohur së bashku me djalin dhe të atin vizitoi edhe fshatin e origjinës në Korçë. Ata takuan njerëzit e afërm me të cilët kishin lidhje gjaku si dhe personalitete të ndryshme të vendit. Po ashtu u organizuan edhe disa takime të aktorit të famshëm në Kinostudio me punonjësit e kineastët. Timo Flloko, aktori i njohur shqiptar, që nga takimi me Jimin gjatë vizitës në Shqipëri e në takimet e mëvonshme kur ai vetë jetonte në Amerikë, ka shkruar këto mbresa për Belushin: "Jimi është njeri shumë i dashur dhe i sinqertë, por po aq i ndjeshëm dhe me temperament shpërthyes si rrallë shqiptar" (Shkrimi "John Belushi, komiku i madh me fat tragjik"). Pas një qëndrimi disaditor, familja Belushi u kthye në Amerikë. Vetëm pak kohë pas vizitës në Shqipëri i ati i aktorit të njohur, Adem Belushi, vdiq në Amerikë.
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Stafi


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 24143



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #1 më: 15-04-2008, 16:57:18 »

Kam një besim të madh te lidershipi i Kryeministrit Berisha dhe te planet e tij për të sjellë në Shqipëri prosperitet dhe një jetë më të mirë.



E përmendim shpesh me krenari se “është shqiptar”, shkrihemi së qeshuri me batutat dhe mimikën e tij në një telekomedi shumë të suksesshme që ka bërë xhiron e botës dhe që po shfaqet edhe në ekranin shqiptar, dimë se ka pasion të madh për këngën, që ka shkruar një libër autobiografik, por që për herë të parë kemi mundësi ta njohim më nga afër përmes vetë fjalëve të tij: Xhim Belushin, aktorin shqiptaro –amerikan që me kënaqësi ka pranuar të japë një intervistë për lexuesit e revistës “Shqip”.

“...Marrim fushën time të mjeshtërisë: Shqipërinë. Sa herë futem në një lokal, hyj tërë siguri se asnjëri në atë dhomë nuk di më shumë se unë për Shqipërinë (Kemi parasysh gjithmonë që të mos jetë lokal në Shqipëri). Gjëja më e mirë e të qenit ekspert për Shqipërinë është se në rastin më të keq, kur nuk di diçka, mund ta shpikësh”... Ky nuk është i vetmi pasazh që tregon se Xhim Belushi ka përfshirë vendin e tij të origjinës në libër. Ndikimi i vendit ku ka rrënjët, herë pas here nënkuptohet, sidomos kur Xhimi sillet si “shqiptar tipik” apo gjykon si ballkanas i thekur. “Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal” është tentativa e tij e parë për të shkruar. Ky libër, së bashku me telekomedinë “Jeta sipas Xhimit” e cila transmetohet në Tv Klan, është mënyra që ai ka zgjedhur për të qenë i pranishëm në vendin e origjinës...

Është botuar në shqip “Burrat nuk thonë kurrë më fal”, libri me nota të theksuara autobiografike që shënon dhe përpjekjen tuaj të parë si shkrimtar. Si ju shkrepi në kokë kjo ide?   
Idenë për librin e pati agjenti im. Siç e dini, marr pjesë në një telekomedi të suksesshme në SHBA, të titulluar “Sipas Xhimit” (transmetohet në Tv Klan), e cila synon të nxjerrë në pah ndryshimet klasike midis burrave e grave dhe fokusohet ngushtësisht te familja. Agjenti im mendoi se do të kishte qenë një ide e shkëlqyer t`i zgjeroje këto ide në një libër, kështu që punova me këtë projekt për rreth dy vjet, sigurisht, me ca ndihmë nga skenaristët e telekomedisë ku jam protagonist.

Libri i përfunduar, i ngjan ndopak konceptit që kishit për të fillimisht?

Para së gjithash, mendohet që libri të jetë humoristik, pavarësisht nga depërtimet e vërteta në lidhjet mashkull-femër. Brenda dhe jashtë librit kam ndërthurur përvoja personale për t`ia rritur vlerat atij. Ishte një proces i gjatë dhe i dhimbshëm sepse duhet të eksploroja emocionet e mia më të thella, disa prej të cilave kishin të bënin me vëllanë tim, Xhon Belushin, por edhe emocionet që kisha përjetuar duke kaluar dy divorce. Por, kjo është vetëm një pjesë e vogël e librit. Pjesa tjetër është një lojë e marrë plot humor, e pasqyruar përmes takimesh, përmes “të qenit burrë” dhe “fillimit të lidhjes me një femër”.

Titulli duket paksa maskilist, por gjatë librit ju nuk reshtni së thëni se “femrat janë të mrekullueshme”. Pse e titulluat pikërisht kështu një libër që përcjell mesazhe krejt të ndryshme nga ç’nënkuptohen në kopertinën e tij?

Titulli “Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal” është në të vërtetë një titull satirik. Ky libër është goxha pro grave dhe respekton fuqinë dhe inteligjencën e tyre; përforcon idenë se sa e vështirë është për burrat të qëndrojnë në të njëjtën fushë loje me femrat, por edhe të kujton se ka shumë mënyra për “t’u burrëruar”, në mënyrë që të jesh mjaftueshëm i fuqishëm për të qenë pranë këtyre krijesave inteligjente dhe mrekullisht të forta.

Pse ishte e nevojshme të merreshit edhe me letërsinë. Nuk ju ngop aktrimi?

Përkundrazi, pas kësaj sprove si shkrimtar, ndiej se do t’i ngjitem më shumë pas aktrimit. (Qesh) E dashuroj aktrimin, e dashuroj këngën! Sa për të shkruarit, është orvatje e vështirë. S`ma merr mendja të planifikoj të shkruaj një libër tjetër. Kur po shkruaja kapitullin e librit që flet për vëllanë tim, Xhonin dhe eksperiencën time pas vdekjes së tij, gjithçka rrodhi vetvetishëm, nuk m`u desh të mendohesha si shkrimtar. E dini, mund të shkruaja një libër të tërë vetëm për këtë temë. Kam shumë për të thënë rreth viteve të përshtatjes, shpërthimit që ndodh në një familje pas vdekjes së një të afërmi. Teksa shkruaja, botuesi dhe agjenti im thanë në një gojë: “Oh, Xhim! Ky supozohet të jetë një libër komik. Ruaje këtë për librin e radhës”. Pra, e ceka disi familjen, por “Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal” s`është në asnjë mënyrë një libër për vëllanë tim Xhonin dhe raportin që kishim bashkë. Një i tillë, mund të dalë në dritë ndonjë ditë. 

Seriali “Sipas Xhimit”, ka hyrë në sezonin e tij të shtatë dhe është transmetuar në të gjithë botën...

Si aktor, e ndjeva suksesin e vërtetë në vitin 1986, pas filmit të titulluar “Rreth natës së kaluar”. Atëherë komuniteti i Hollivudit më mori seriozisht dhe shumë role protagoniste vijuan njëri-tjetrin, duke përfshirë këtu “Nxehtësia e kuqe” me Arnold Shvarcenegerin apo “K-9”. Kam qenë me të vërtetë me fat, sepse kam filluar të aktroj profesionalisht në 1976-ën, për të bërë pas kësaj një jetë të vërtetë prej aktori. Përpara kësaj, shërbeja në tryeza, lyeja shtëpi, shtroja tjegulla mbi çati, gatuaja dhe në rastin më të mirë, po bëhesha gati të hapja restorantin tim. Shih ku jam tani, në sezonin e shtatë të “Sipas Xhimit” dhe ai është shitur kudo nëpër botë. Nuk di nëse e shihni edhe në Shqipëri, por di me siguri se telekomedia transmetohet në një televizion italian.

Të “Sipas Xhimit”, ti këndon në garazh me miqtë e tu, pa u shfaqur në publik... Nuk ndodh kështu në realitet, apo jo?

Kam një grup të quajtur “Zemrat e shenjta” me të cilin këndojmë në të gjithë SHBA-në. Gjithashtu, u bashkova me Den Ajkroid për të sjellë këtu në Las Vegas dhe në shumë kazino të vendit një version të ri të “Blues Brothers”. Po ashtu, kam planifikuar të prodhoj filmin tim të parë, të titulluar “Kapja”; ai flet për një 48-vjeçar që kthehet në gjimnaz dhe bashkohet me ekipin e futbollit. Skuadra është e mbushur me 22 e 23 vjeçarë dhe është shumë argëtuese për të të përfshihet në një ekip kaq të gjallë. Gjithashtu, vazhdoj të bëj zëra në filma vizatimorë, në produksione të Walt Disney, si “I egri”, “Huduinked” apo gjatë kësaj vere, në filmin familjar aksion, “Underdog”.

Çfarë raporti ke pasur me vëllanë tënd, Xhon Belushin, një nga aktorët më të mirë të të gjitha kohërave në Hollivud?

Unë dhe Xhoni, teksa rriteshim, ishim shumë të zënë me punë: Merreshim me sporte, shkonim në shkollë dhe angazhoheshim në teatër. Im vëlla ishte pesë vjet e gjysmë më i madh se unë dhe deri në moshën 20-vjeçare, kur fillova të bëhesha një aktor profesionist, s`kishim kohë të thellonim marrëdhënien tonë. Ziheshim... me grushta, më saktë. (Qesh) Por, ato ishin zënka të një natyre të mirë, ndaj do t`i kujtoj gjithmonë. Gjëja që më trishton më shumë nga vdekja e Xhonit, ishte se humbëm mundësinë për të krijuar një raport më të gjatë dhe më të thellë në të ardhmen. Megjithatë, nuk ka vend për trishtim, sepse tani kam tre fëmijë dhe kjo e kënaq nevojën time për familje.

Mund të flasim pak për Shqipërinë tani?

E dua Shqipërinë, është vend shumë i bukur. Solla tim atë në 1997-ën, një vit përpara se të ndërronte jetë. S`ishte kthyer aty për më se 63 vjet, ndaj ishte një eksperiencë e bukur të zbulonte nga e para vendlindjen e tij, kurse për mua ishte fantastike të zbuloja rrënjët. Jam lidhur me disa burra në Montreal, të cilët po përpiqen të hapin biznes në Shqipëri. Jemi në fazat e para e deri tani kam pasur sukses, më tepër falë bashkëpunimit të shkëlqyer me qeverinë shqiptare. Këtë javë për shembull, jemi marrë me formalitetet. Në këtë periudhë, ka liderë të shkëlqyer në Shqipëri. Kam një besim të madh te lidershipi i Kryeministrit Berisha dhe te planet e tij për të sjellë në Shqipëri prosperitet dhe një jetë më të mirë. Edhe unë dua të jem pjesë e këtyre planeve, sepse një gjë e tillë më duket e drejtë. Flas pak shqip, aq sa më duhet për këtë punë. (Buzëqesh)

Ashtu?!

Po, di të them për shembull: “A ke para? Më duhen para. Nuk kam para. Faleminderit! Ku është këmisha ime? Kush m`i ka marrë çorapet?” dhe sigurisht: “Raki”. (Qesh) Nuk kam shumë miq shqiptarë në Los Anxhelos, ndoshta sepse s`është vend ku mblidhen emigrantët. Komunitete të forta shqiptarësh ka në Boston, Çikago, Nju Jork, Toronto apo Siatëll, por edhe kur vizitoj ndonjë prej këtyre qyteteve, ndesh fare pak shqiptarë. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar kur jam në shoqërinë e tyre.

Kur mund të të shohim sërish në Shqipëri?

Kisha planifikuar të vija në gushtin që lamë pas, por për shkak të telefilmit “Sipas Xhimit” dhe projekteve të tjera, s`munda. Ndoshta vij brenda vitit të ardhshëm për të vizituar të afërmit e mi, Kryeministrin Berisha dhe për të vëzhguar e mbështetur bizneset e vogla që kanë çelur.

Takohesh shpesh me shqiptarët e tjerë të famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Nga artistët, kam miqësi të ngushtë me Sten Dragotin, prodhuesi i njohur i filmave, shqiptaro-amerikani me të cilin kam punuar në filmin “Njeriu me një këpucë të kuqe”, ku mori pjesë dhe aktori Tom Henks. Takohem herë pas here me Stenin dhe ia kalojmë shumë mirë. Është një producent e njeri shumë i talentuar dhe i suksesshëm. Një tjetër artist me të cilin jam shumë i lidhur dhe e njoh mirë është aktori i madh shqiptar Timo Flloko, i cili bashkëpunoi me mua në dy filma në SHBA. Gjithashtu, gruaja e tij, Vera Grabocka, është një nga producentet e para në Shqipëri. I cilësoj të hatashëm si profesionistë dhe një frymëzim për të gjithë artistët shqiptarë.

Mendon se libri yt do të pëlqehet në Shqipëri?

Shpresoj që njerëzit të kenë mundësi ta lexojnë, por duhet të dinë fillimisht se ky është një libër për të rritur, jo për fëmijë. (Qesh) Për ta mbyllur, jam shumë krenar që jam një shqiptaro-amerikan dhe sa më shumë plakem, besnikëria ndaj kulturës sonë rritet edhe më shumë. Jam shqiptar!

Xhim Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois). Ai është aktor i kinematografisë, teatrit dhe televizionit në SHBA me prejardhje shqiptare.

Xhim Belushi është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adem dhe Agnesë Belushit. Babai i tij emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen, fshatin Qytezë në vitin 1934 në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnes Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte Gjon Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollivudit dhe shoqërisë në SHBA. Xhimi studioi në universitetin e Ilinoit të quajtur “Southern Illinois University Carbondale” dhe u specializua në degët e Artit: Të shprehurit dhe Teatri.

“Nuk kam shumë miq shqiptarë në Los Anxhelos, ndoshta sepse s`është vend ku mblidhen emigrantët. Komunitete të forta shqiptarësh ka në Boston, Çikago, Nju Jork, Toronto apo Siatëll, por edhe kur vizitoj ndonjë prej këtyre qyteteve, ndesh fare pak shqiptarë. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar kur jam në shoqërinë e tyre.”

“Jam shumë krenar që jam një shqiptaro-amerikan dhe sa më shumë plakem, besnikëria ndaj kulturës sonë rritet edhe më shumë. Jam shqiptar!”

“E dua Shqipërinë, është vend shumë i bukur. Solla tim atë në 1997-ën, një vit përpara se të ndërronte jetë. S`ishte kthyer aty për më se 63 vjet, ndaj ishte një eksperiencë e bukur të zbulonte nga e para vendlindjen e tij, kurse për mua ishte fantastike të zbuloja rrënjët.”

“Siç e dini, marr pjesë në një telekomedi të suksesshme në SHBA, të titulluar “Sipas Xhimit”, e cila synon të nxjerrë në pah ndryshimet klasike midis burrave e grave dhe fokusohet ngushtësisht te familja. Agjenti im mendoi se do të kishte qenë një ide e shkëlqyer t`i zgjeroje këto ide në një libër, kështu që punova me këtë projekt për rreth dy vjet.”

Nga Gentian Minga Revista Shqip
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Stafi


Karma: 4
offline offline

Gjinia: Mashkull
Postime: 24143



Shiko profilin WWW
« Përgjigju #2 më: 14-11-2008, 09:51:52 »

Jim Belushi rrëfen për ALsat emocionet e qëndrimit në Shqipëri

Jim Belushi aktori, regjisori dhe kengetari i njohur me origjine shqiptare ka zgjedhur Tv Alsat per te rrefyer eksperiencen e qendrimit te tij ne Shqiperi. Impakti i tij me Tiranen e tjetersuar ne krahasim me 13 vjet me pare kur erdhi per here te pare, por edhe mbresat qe i kane lene shume shqiptare, ai i tregon vetem pak minuta para se te merrte avionin per t’u kthyer ne Los Angeles ku jeton.

“Ka qene nje udhetim i mrekullueshem per mua dhe vellain tim Bill. Kam qene edhe 13 vjet me pare dhe eshte kaq bukur se si Tirana ka ndryshuar dhe perparuar. Duket si cdo qytet tjeter europian” tha Jim Belushi.

Duke iu referuar udhetimit per ne fshatin e babait te tij Adhamit ne Qytez, nje fshat disa km larg Korçes ai thote jo pa nota humori. “ Ishte kaq e dhimshme te qendroja atje vetme nje ore e gjysem. Te gjithe ishin kaq te mrekullueshem. Dhe kishin pergatitur nje dreke te shijshme dhe byreku ishte byreku me i mire qe kam ngrene ndonjehere. Shpresoj qe gjyshja ime ne qiell te me fale per kete qe po them” u shpreh Jim .

Gjate karrieres se tij te sukseshme ka luajtur teater, kenduar shume kenge, intepretuar ne dhjetera filma, por pervojen me teatrin e shpjegon keshtu: “Nuk ka gje me emocionuese se sa te qendrosh ne skene dhe te degjosh te tjeret tek qeshin. Ne mendjen tende kalon fillimi dhe fundi i qeshjes, eshte kaq personale dhe magjike. Behet si nje droge qe t’i do ta marresh perseri dhe perseri. Kjo eshte ajo qe te mban aty” .

Raporti me femijet e tij me Robertin qe po ndermerr rrugen e aktorit, por edhe shume gjera te tjera, perfshi edhe faktin qe Belushi e konsideron kete shekull, shekullin e shqiptareve do te mund t’i ndiqni ne emisionin “Almanak”.

Mira Tuci Alsat.tv
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Nuk ka postime per momentin. Deshiron te jesh ti i pari?

Anketa
  • Kush eshte banori juaj i preferuar ne "Shpija e Kosoves"?
  • Dot Saranda Hoda
  • 4 (44%)
  • -
  • Dot Suzana Tahiri
  • 0 (0%)
  • -
  • Dot Albulena Gjinaj
  • 4 (44%)
  • -
  • Dot Arjeta Morina
  • 1 (11%)
  • -
  • Dot Zigrid Katroshi
  • 0 (0%)
  • -
  • Dot Erlinda Shatvica
  • 0 (0%)
  • -
  • Numri total i votave: 9
  • Shiko temen

* Sponsor