Faqe: [1]   Shko poshtë
  Përgjigju  |  Keshilloje  |  Printoje  
Autori Temë: Fadil Hasa  (E lexuar 552 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
M A X
Gjinia: Mashkull
Shiko profilin WWW
« më: 21-03-2009, 01:59:05 »
Citoje

Sukses i jashtëzakonshëm. Në festivalet ndërkombëtare të filmit organizuar në Çeki, Bullgari dhe Rusi, në mes pesë aktorëve më të mirë pjesëmarrës, vlerësohet artisti ynë, Fadil Hasa

Fadil Hasa/Më i kripur në batutat e jetës se ato të skenës...

Nga Agron Sejamini

Ka qenë fëmijë shumë i urtë dhe i sjellshëm. Vetëm nga pantallonat mund ta dalloje që ishte djalë... Në fillore u dallua si nxënës i rregullt dhe i shkëlqyer në mësime. Në klasën e tretë, shoqe bange pati motrën, Shpresën, e cila kishte hyrë në shkollë dy vite më parë. Tashmë, motrës i mjaftonte vetëm të kopjonte nga i vëllai, për të mos ngelur më në klasë... Nuk u menduan dy herë prindërit për vazhdimin e shkollës së mesme. E rregjistruan në gjimnazin "29 Nëntori" në Shkodër... Një vit i hapi librat se pastaj... djaloshi krutan kishte filluar të dallohej vetëm për bejtet dhe humorin e tij të hollë. Krijonte vargje, duke satirizuar shokët dhe shoqet e klasës. Ndërsa, dy vitet e fundit, nuk kishte frikë e mëshirë as për mësuesit... E quan me fat ardhjen në këtë qytet që njihet si djepi i humorit. Ndaj ja di për nder Shkodrës, që e futi në udhën e humorit...

Gjatë orës së matematikës, mësuesi i drejton klasës një pyetje... Kalojnë minuta dhe të gjithë heshtin... Çuditërisht me dorën lart dhe duke u lutur që të përgjigjej, ishte vetëm Fadili. Nervozohet mësuesi, duke ironizuar edhe nxënësit e dhjetës, kur shikonte këmbënguljen e atij djali, që nuk hynte as te nxënësit mesatar. Mirë, atëherë dëgjoni përgjigjen dhe turp të kini të gjithë!

- Presor! Të mbyll pak dritaren se u plevitosëm... -"përgjigjet" Fadili, duke shkaktuar tërbim te ai dhe të qeshura në klasë. Nuk pret urdhër, por çohet vetë dhe del nga klasa. Pragun e derës e kaloi, duke u ndihmuar edhe nga shkelmat e mësuesit...

Duke u zbehur dëshira për të mësuar dhe për t'iu shmangur notave negative, filloi të shtonte mungesat. Deri sa kishte mbushur kupën dhe Këshilli Pedagogjik vendos përjashtimin e tij, nga shkolla. Por, shansi dhe shkathësia për ta shfrytëzuar atë, vazhdimisht i kanë shkuar paralel në jetë. Kështu, të nesërmen e gjithë shkolla, rreshtohet për të dëgjuar thirrjen e një ekipi të ardhur nga Tirana, për të vjelë të ardhura në emër të shtetit. Bëhet fjalë për vitet '50, ku ekonomia ishte gati e paralizuar dhe kërkohej ndihma e shtetasve. Pasi mbaron së lexuari komunikata, të deleguarit dhe stafi pedagogjik bëhen sy e veshë, në pritje të ndonjë shkëndije nga nxënësit. Pas një pauze të gjatë, shkëputet nga rreshti dhe del para shkollës, nxënësi Fadil Hasa.

- Duke ju përgjigjur shtetit dhe Partisë, jam gati të kontribuoj me 5000 lekë.

Plasën duartrokitjet e shokëve dhe buzëqeshjet falenderuese të njerëzve të ardhur nga lart dhe mësuesve. Nuk kishte arsye, për të vënë në dyshim atë akt të jashtëzakonshëm që nderoi një shkollë të tërë. Por, nuk priste as koha që të rrishikohej masa ndëshkuese, për këtë nxënës. Atë pasdite, mblidhet Këshilli Pedagogjik dhe anullon vendimin, për ta përjashtuar Fadilin nga shkolla. Edhe sot nuk e ndal të qeshurën, kur i kujtohet ai çast. Në katër vjet shkollë, familja i dha për të prishur vetëm 500 lekë, ngaqë ishin shumë të varfër. Ky i shton kësaj shifre edhe një zero dhe bën të lumtur shtetin e vet që është më i varfër se ai. Në fund të javës, mësuesi kujdestar, e tërheq mënjanë dhe duke e ledhatuar, i thotë se të hënën, duhet të dorëzojë shumën e premtuar. Duke ditur se më shumë se aq, shakaja nuk mund të shkojë, i bën të ditur se "nuk kam mundësi të mbajë fjalën e dhënë". Shkëputet mësuesi nga nxënësi i tij problematik dhe frymën e mban në Drejtorinë e shkollës.

- Hallall e pastë shkollën se e ka marrë me zotësinë e vet... - kishte pëshpëritur drejtori. Kështu e fitoi shkollën e mesme...

Ndërkohë, familja për arsye ekonomike nga qyteti i Krujës, kishte zbritur në Durrës. Fadili, fillon punë në Portin e Durrësit, si numërues malli, duke zbutur sado pak varfërinë me të ardhurat që fitonte. Kur nuk kishte mbushur një vit punë, i vjen thirrja për shërbimin ushtarak. Atë ditë që u paraqit në Degën Ushtarake, pasi i qethën kokën, dikush i tha të ngjitet lart te zyra e shefit. As në ëndërr nuk i kishte shkuar ndërmend, ajo që ju komunikua.

- Partia ka vendosur të çojë në Leningrad, për të vazhduar studimet pesëvjeçare, në specialitetin e nëndetëseve.

Më shumë se merita e tij, ishte e fisit që në gjirin e vet kishte gati tre organizata partie me anëtarë. Madje, dy-tre kushërinjtë e vet, me të njëjtin mbiemër, mbanin poste të larta shtetërore.

Largohet nga Shqipëria, për të vazhduar studimet e larta ushtarake, me këtë bursë të akorduar nga Traktati i Varshavës. Muajt e parë mësoi gjuhën. Bashkë me të, shtoi edhe miqësinë me një student rus. Kanë kaluar 52 vjet dhe ende ja mban mënd emrin. Misha quhej. Ka të drejtë që nuk ja harron emrin se edhe nderi që i bëri ai, nuk ishte i vogël. Para se të fillonte sezoni mësimor, të gjithë i kalonin në kontroll mjekësor, për të saktësuar gjendjen shëndetësore. Tetë studentë, i fusnin në një kazan të madh dhe fillonin u lëshonin atmosfera presioni. Një ishte e barabartë me dhjetë metra thellësi. Gjatë testimit ata u lëshonin disa atmosfera... Ishte shumë e vështirë të përballoje atë presion. Ndaj dega e nëndetëseve ishte nga më të vështirat. Por kishte menduar Misha, për Fadilin.

- Sa të lëshojnë atmosferën e parë, t'i fillo e bërtit dhe thuaj se po më pëlcasin veshët...

I paduruar për të bërë marifetin e radhës, sapo u mbyll kapaku dhe kur ende nuk ishte lëshuar atmosfera, Fadili bërtet me të madhe. E kuptoi hilen oficeri rus dhe menjëherë hap kapakun dhe e nxjerr jashtë Fadilin. Nuk i besoi atij, por më shumë u trëmb se mos e bënin të njëjtën gjë edhe shokët e tij... Kështu, nga nëndetëset për arsye "shëndetësore", Fadili kalon për kapiten anijesh. Po dhe këtu kishte të tjera vështirësi që ai i përballoi me indiferentizëm, mos impenjim dhe humor. Çdo pasdite, bulevardit të Leningradit, këndonte me zë të lartë në shqip:

"Se ç'po bëjmë koqen e pallës, / Me Traktatin e Varshavës...". Nuk ishte e thënë që t'i shijonte të pesë vjetët nën këtë refren, por vetëm 37 muaj. Prishja me sovjetikët, i ktheu të gjithë studentët shqiptarë, në Atdhe. Vërtetë nuk u diplomua, por nuk ishte pak për kohën, të kishe qenë për studime në Leningrad. Fillon punë në Marinën Tregtare dhe pikërisht në vaporin "Partizani" që i binte botës cep më cep. Gëzonte respektin e shokëve, por pas dy vjet pune në këtë ekuipazh, humbi besimin e Partisë. Gjatë një ndalese në Varna të Bullgarisë, Fadili kishte ikur në një interklub dhe kishte vallëzuar me një vajzë bullgare. E bukur dhe tërheqëse për marinarin shqiptar ajo bjondinë, por gjithsesi revizioniste. Me t'u kthyer në Durrës dënohet dhe mbahet qëndrim për atë shfaqje të huaj. Nga vapori "Partizani" e caktojnë te barka "Kurveleshi". Tashmë itinerari do të ishte Durrës-Sarandë dhe kthim. E caktuan kapiten, por më e mira do të ishte që të ishte marinar. Duke qenë drejtues kishte edhe përgjegjësi, por mbi të gjitha duheshin edhe njohuri... Më e lëhtë për të do të ishte, që ta bënte atë rrugë më këmbë nga toka, se sa me barkë nëpër det... Shpesh herë i ngatëroheshin kordinatat dhe llogaritë, duke zgjatur së tepërmi udhëtimin. Një herë, dolën në të njëjtën ditë nga porti me vaporin "Partizani". Pas disa javësh, vapori u kthye nga Spanja, barka e Fadilit nuk kishte ardhur nga Saranda... Por, pritja e barkës së Fadil Hasës ishte ngjarje për kolektivin e portës. E para, se gëzoheshin që u kthye. E dyta, sepse ai shquhej për batutat e tij. Rreshtonte ekuipazhin e vet, duke qëndruar në krye të tyre si të ishte kapiteni i Flotës Ushtarake. I ishte lutur të motrës, Bules dhe ajo me shumë qejf, i kishte përgatitur një kostum që ishte imitim i veshjeve të gjeneralëve rus. Pantallona të shkurtra dhe xhaketë e bardhë. Ndër supe i rëndonin spaletat e gradave... Pas nëntë muajsh, për mos realizim të planit me "Kurveleshin" e pushojnë nga detyra. Nuk rri shumë pa punë, pasi një njeri i mirë si Feruz Mataj, drejtor i Portit e cakton drejtues motoskafi. Çdo ditë çonte në radë një grup specialistësh që kontrollonin anijet e huaja para se të futeshin në port. Dy orë ishte parashikuar që të kryhej ky kontroll, por "ustallarët" kalonin dyfish kohë nëpër ato ambjente magjike. Kur dilnin, mezi mbanin çantat nga pesha... Një herë, dy dhe më shumë se sa vonesa e tyre, Fadilin e tërboi fakti që ata nuk po i jepnin gjë. Të paktën një qese... Fillimisht ndërpreu humorin me ta. Ditët e tjera pakësoi muhabetin. Më pas, shtoi seriozitetin... Por ata më shumë se sa fytyrën e Fadilit, shikonin çfarë kishin futur nëpër çanta. Nuk duroi dhe një mëngjes ua plasi.

-Nëse nuk më bini edhe mua çantën time plot, unë po kaloi afati i caktuar nuk ju pres. Do iki.

Ata specialistë të zgjedhur dhe autoritarë, ia quajtën shakanë e ditës. Të qeshur, me duar plot dhe po me vonesë u kthyen edhe atë ditë ku mbi të gjitha mungonte çanta e Fadilit. Të nesërmen, kur akrepi i minutave tregoi se kaluan dy orët, ndezi motoskafin dhe u kthye në port. Lëshuan edhe sirenat e vaporëve të huaj, për të lajmëruar Fadilin, por inati i tij u shua pasdite vonë, kur ata pranuan të plotësonin kushtin e tij. Nga ajo ditë, Fadili çonte në shtëpi sende nga më të ndryshmet, duke filluar nga paketat "Malboro", pije të ndryshme alkoolike, ushqime etj. Mirëkuptimi dhe harmonia me specialistët ishte e përditshme. Ajo prishej vetëm kur Fadili ngacmohej dhe futej në sedër nga i jati: - Dëgjo mor bir, këto pulat sot si shumë të vogla t'i kanë dhënë...

Deri këtu, kohë që i përket viteve para 1970-ës, ende Fadil Hasa, nuk është provuar apo afruar në një trupë artistike. Ja pse thamë se ai, ka qenë më i kripur në batutat e jetës, se ato të skenës!

Më pas, drejtori i klubit të kulturës së Portit Detar i thotë se, do të lozësh në trupën amatore. Ra menjëherë në sy. Nuk arriti ta mbaj dot Porti, sepse e rrëmbeu si profesionist Pallati i Kulturës "Rinia". Më 1974, profesionist me estradën profesioniste të Durrësit... Tani, Artist i Merituar, qytetar Nderi i Durrësit ku jetoi, dhe i Krujës ku u lind.

Po të kishte mundësi, do e mbante në xhaketë, distiktivin me portretin e kryetarit Mao. Vitin e kaluar filmi artistik "Mao Ce Duni" ka konkuruar në tre festivale Ndërkombëtare. Fillimisht në Çeki, mes 130 filmave, më pas në Sofie, mes 120 filmave dhe pas gjashtë muajve në Moskë mes 184 filmave. Në të tre konkurimet suksesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Në pesë aktorët më të mirë të gjithë filmave pjesëmarrës, ka qenë Fadil Hasa. U lodh, regjisori Piro Milkani, së sqaruari shikuesit dhe jurinë, se Hekurani është aktor. Specialistët e huaj, e justifikojnë mjeshtërinë e lartë të interpretimit, vetëm me faktin e padiskutueshëm, se ai duhet të jetë rom, personazh real...

Demokrat që në moshën gjashtë vjeçare...

Shumë kush që nuk e njeh nga afër Fadil Hasën, e përcakton si demokrat pas vitit 1998. Në një nga mitingjet e atij viti, artisti deklaroi se, "Nuk dal në skenë deri sa në pushtet të jetë Partia Demokratike dhe kryeministër Sali Berisha". Në fakt, Fadil Hasa e ka ndjerë veten demokrat qysh në moshën gjashtë vjeçare. Ishte në klasën e parë, kur para syve të tyre prangosën mësuesin, Zenel Sopoti. U bënë një me bangat nga tmerri, duke fshirë lotët, me mëngët e trikove. Ishin të vegjël, nuk kuptonin se çdo të thoshte armik i klasës. Ndjenin që nga gjoksi, u ishte këputur një pjesë e shpirtit... Syve dhe ëndërrave të tyre u ishte larguar njeriu i dashur, që u kishte mësuar ABC-në. Pas asaj dite, në shkollë hynin me mallin e mësuesit të humbur, por dhe me frikën e humbjes së atyre që kishin ngelur.

Në klasën e gjashtë, atë që pa te mësuesi e përjetoi akoma edhe më keq, te babai i vet. Akuza e sajuar. Nuk e lanë atë vogëlush të përqafonte të atin, edhe atë ditë kur ai doli nga salla e gjyqit, me pranga në duar. Bashkë me nënën e tij, shkonin çdo fund jave në burg. Hapeshin pesë porta, deri sa shikonte fytyrën e babait të dashur. Nga lotët dhe dhimbja, ajo fytyrë i ngatërrohej me hekurat, duke mos shuar dot atë mall që i digjte shpirtin. Pas disa muajsh, të atit i dhanë pafajësinë dhe të drejtën për t'iu rikthyer familjes. Por...qetësia e vogëlushit Fadil Hasa, nuk u rikthye asnjëherë. Edhe tani që është bërë gjysh, kërkon të dijë se ku gjendet mësuesi i klasës së parë. Në çdo emision televiziv, del nga tema dhe lutet: "Nëse di dikush për fatin e Zenel Sopotit, të më takojë. Do ja di për shumë nder!" Pra, një ankth që e ka ndjekur gjithë jetën! Nuk e mban veten për të persekutuar. Jo! Por, për të gjitha ato që i kanë parë sytë dhe dëgjuar veshët, gëzoi dhe e dëshiroi më shumë se kush, lirinë dhe demokracinë!

Madje, ai e ka dëshiruar dhe lutur akoma edhe më herët. Atë ditë që dëgjoi se kishte mbaruar Enveri, shkon në shtëpi dhe i thotë Hurmës, bashkëshortes së tij të ndjerë, që të bënte hallvë. Por kishin dhe frikë. Mbyllën dyert mirë, por u vënë batanije edhe dritareve, për të izoluar aromën e ëmbëlsirës. Tmerrohen, por edhe qetësohen, kur befas u hyn në shtëpi një komshi.

- Era e hallvës ka zaptuar lagjen, ju po u zihet fryma. Pse vetëm ju keni festë?!

Por jo pak ka rrezikuar edhe kur Partia e kishte bërë artist profesionist. Shpesh herë, lëshonte batuta që kishin brenda arrestin dhe shumë vite burg për atë, por edhe për ata që e dëgjonin. E nëse i ka shpëtuar asaj "fature", nuk i ka shpëtuar dot faturës së lokalit... Shpesh herë ka paguar tavolinën, ngaqë shokët janë larguar në panik, nga frika e pasojës që mund të kishin prej shakave pa kripë, të Fadil Hasës...

Ruzhdi Keçi, "dekorohet" me Urdhërin "Naim Frashëri" klasi III

Atë vitë që vajza e madhe e Fadilit, Oerda, deshte të vazhdonte shkollën e lartë, Durrësi ishte "komunë" e Kavajës. Meqë epiqendra e pakënaqësive ndaj rregjimit komunist ishte bërë Kavaja, çdo gjë e mirë, shkonte drejt këtij qyteti të vogël, që kishte hapur probleme të mëdha. Kështu, bursa më e mirë në Durrës për këtë kohë, ishte veterinaria pranë Institutit Bujqësor të Kamzës. Askush nuk e deshte këtë degë nga familja Hasa, por e pranuan nga e keqja. Një ditë kur Oerda ishte në vitin e dytë, Fadili shkon në Institut, për t'u interesuar për të bijën. Ndërsa i ishte afruar dekanatit, rrugën ja zë një burrë mesatar:

- Të lutem t'ju jap një kafe, se nuk e kam patur ndonjëherë këtë fat që të kem kaq afër, Fadil Hasën...

Në atë çast, nuk i hynte në sy asnjë kompliment ndaj me shumë përtesë u bind. Ju bezdis më tepër ajo bisedë, kur po ndjente që fansi i tij nuk kishte të pushuar...

Ndaj i kërkon leje, pasi kishte shumë punë për të kryer dhe duhej të kthehej shpejt në Durrës. Guxoi bashkëbiseduesi dhe e pyet pse ishte munduar... Në ecje e sipër, Fadili i thotë se kam vajzën këtu, studente. Ndërkohë, ai i thotë se unë quhem Ruzhdi Keçi dhe jam zëvendësdekan, ndaj rri i qetë se do të ndihmoj për gjithçka. Pas këtij prezantimi, Fadilit filloi t'i lindë dashuria dhe respekti për bashkëfolësin. Mbaron shkollën Oerda, pa patur nevojë për kujdesin e të atit. Në shenjë respekti pas diplomimit, familja Hasa fton në Durrës për një drekë mirënjohjeje, familjen Keçi. Nga fundi i festës, Fadili i bën shenjë vajzës së tij që ta hapi pakon. Ruzhdiu sa dëgjon, shpërthen dhe i revoltuar në mënyrë kategorike refuzon çdo lloj dhurate. Por, Fadili këmbëngul që të paktën të ketë mirësinë ta shikojë... Nga ajo pako e madhe, vajza nxjerr një kuti të kuqe në të cilën është vendosur dekorata dhe çertifikata me motivacionin e dekorimit. Pasi kishte retushuar origjinalin, Fadili kishte shkruar:

Ruzhdi Keçit, zëvendësdekanit të Institutit të Lartë Bujqësor, Kamëz, Tiranë.

I akordohet Urdhëri "Naim Frashëri" Klasi III

"Për kontributin e çmuar dhënë për kalimin me hatër të fëmijëve të artistëve"

Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë: Haxhi Lleshi / Sekretari i Presidiumit: Bilbil Klosi.

Këtë "dekoratë", miku i vet Ruzhdi Keçi, tani Prefekt i Tiranës dhe Kavajës, e ka vënë në kornizë dhe e mban në mur, si një relikë të shtrenjtë.

Goca e dytë, Blerona, ka mbaruar me rezultate të larta studimet për juriste. Kjo i ka ndjerë ndryshe "hatëret" e babait. Duke qenë se nuk kishin vëlla në familje, vendos që të mbajë edhe pas martese, mbiemrin Hasa. Gjatë emërimit, komisioni i ngacmuar nga mbiemri, mëson se është bija e Fadil Hasës. Shumica e tyre socialistë, shfrytëzon rastin dhe i kthejnë borxhin e asaj deklarate, duke ia caktuar vajzën në Korçë. Kanë kaluar tetë vjet që Blerona punon aty. Vjen pranë familjes një herë në javë për të takuar bashkëshortin dhe djalin, Martinin.

Nuk ka djem Fadil Hasa, por është më i lumturi në botë, nga vajzat. Këtë ndjesi e ka patur që kur i solli ato në jetë dhe jo tani që ato e mbajnë babain e tyre në pëllëmbë të dorës.

Kur lindi Blerona, shokët e punës filluan ta ngacmojnë Fadilin, duke i kujtuar pazotësinë për të bërë djem. Por, nuk u zu mat artisti, duke i çuditur me përgjigjen e tij:

- Ta di se edhe e treta më del vajzë, që sot e filloj!

Por nuk ngeli pa gëzuar dhe djem. Po i shijon më shumë, si mjaltin e mjaltit...

Ka dy nipër, Xhoin në klasën e katërt dhe Martinin në klasën e parë. Tani që janë rritur, i do pak më shumë, sepse diskutojnë më shumë gjëra bashkarisht, por edhe sepse i harxhojnë më pak lek gjyshit.

- Kur ishin të vegjël kanë patur dorë të rëndë - thotë Fadili. Nuk pyesnin për çmimin, por për lodrën më të mirë dhe më të shtrenjtë. Ndonjëherë makinat dhe aeroplanët e tyre, kanë kushtuar deri 300 euro...

Tani, që edhe aktiviteti i gjyshit ka ardhur duke u reduktuar, kanë ndryshuar edhe preferencat e nipërve. Më të shumtën e herëve kërkojnë libra që vlejnë më shumë, por dhe kushtojnë më pak...
RD
E identifikuar

Blog: 0lti.com

eMail: kontakt@0lti.com

MSN: olti@msn.com
Faqe: [1]   Shko lart
  Përgjigju  |  Keshilloje  |  Printoje  
 
Shko te:  


* Postimet e fundit ne ZY
Nuk ka postime per momentin. Deshiron te jesh ti i pari?

Anketa
  • Kush do ta fitoj "Big Brother Albania"
  • Dot Arberi
  • 14 (36%)
  • -
  • Dot Besarta
  • 6 (15%)
  • -
  • Dot Julinda
  • 2 (5%)
  • -
  • Dot Olsi
  • 5 (13%)
  • -
  • Dot Shkelqimi
  • 3 (7%)
  • -
  • Dot Najada
  • 4 (10%)
  • -
  • Dot Romina
  • 1 (2%)
  • -
  • Dot Poli
  • 3 (7%)
  • -
  • Numri total i votave: 37
  • Shiko temen

* Sponsor