“Nuk lejoj që e bukura të më shkatërrojë jetën dhe familjen”
“Në art duhet të punosh që të mbetesh yll, dhe jo thjesht meteor”
Artisti i humorit Agron Llakaj, prej kohësh është bërë një figurë e dashur dhe popullore për të gjithë shqiptarët, sidomos përmes Spektaklit “Portokalli” ku ai mban edhe peshën më të madhe në të. Ndoshta jo vetëm për shkak se humori është “ushqimi” për të cilin kemi nevojë të gjithë për të mbajtur gjallë optimizmin tonë, por edhe sepse ai ka ditur gjithnjë se çfarë të servirë në menynë e artit të tij, duke e bërë gjithnjë domethënës moralin e përcjellë përmes fabulave të pafund. Batutat e tij janë bërë kaq familjare për të gjithë, sa shpesh na duket sikur e kemi të pashmangshëm përdorimin e tyre edhe në jetën e përditshme. “Portokallia”, spektakli i famshëm, ku ai me modesti tregon se është vetëm pjesë e një grupi të tërë që punojnë për të, aktualisht është në proces riorganizimi, e megjithatë puna për Llakajn vazhdon me po të njëjtin intensitet, për t’u rishfaqur sërish me po të njëjtën forcë artistike në sezonin e Marsit. Ndërkohë, fokusi i intervistës me të mbetet brenda kuadratit të rubrikës sonë, prirjes për të eksploruar më në brendësi të personazhit dhe botës së tij. Të tillë filozofi, tejet të veçantë mund ta lexoni në gamën e pasur të përgjigjeve të artistit.
Ka disa të diela që po mungon “Portokallia”, me çfarë po merresh ndërkohë?
-Portokallia është si puna e një kampionati, ka nevojë për pak ditë pushim, në mënyrë që të fillojë sërish lojën e radhës. Në këtë moment jemi në fazën përgatitore e cila do finalizohet në Mars. Natyrisht brenda një procesi në të cilin zhvillohet “Portokallia”, si çdo spektakël, ka personazhe që kërkojnë të transformohen si figura, qoftë për një këndvështrim më të suksesshëm, qoftë për shkaqe të ndryshme. Pra, jemi në një proces...
Mos ndoshta ky pushim vjen edhe si një nevojë për t’u ruajtur nga konsumimi?
-Natyrisht unë nuk mund të pretendoj se “Portokallia” është gjëja më e përsosur, por gjithsesi di se, që nga fillimi rezultatet e saj kanë qenë gjithnjë në rritje, gjithnjë të pëlqyeshme dhe të vlerësuara nga spektatori. Në filozofinë e asaj që kam në moralin tim është që humori që unë përfaqësoj të jetë pjesë e tavolinës shqiptare. Njerëzit ashtu siç kanë nevojë për ujë, për bukë e për diell, po aq kanë nevojë që të mos u mungojë e qeshura. Duke pasur parasysh këtë lloj filozofie nuk i trembesh më konsumimit. Sa kohë që njeriu gjithnjë përpiqet të sjellë risi, dhe të mos bjerë në përsëritje e shmang këtë risk.
Gjithnjë je shquar për mënyra të mira organizative?
-Jo, s’mund të them gjithmonë...sepse s’kam lindur brigadier (qesh)...
Po komandant klase fjala bie nuk ke qenë ndonjëherë?
-Pooo....mund të kem qenë komandant klase, kompanie apo pozicione “lideri” siç ka pasur atëherë (qesh)....madje edhe komandant toge në shkollën “Skanderbeg” dikur...por në “Portokalli” nuk kemi të bëjmë thjesht me aftësi komanduese .... Në përgjithësi karriera ime ka nisur si individ, kam qenë i vetëm, më pas u bëra dyshe me Koç o Devolen, pastaj u bëmë një brigadë më e madhe me Pali Kuken e Stefan Gajon ku kemi prodhuar kaq e kaq vlera humoristike në “Telebingo” dhe prej aty më pas, brigada më e madhe natyrisht që është “Portokallia”, e cila kërkon jo vetëm një bashkëpunim të frytshëm por edhe ide dhe një frymë të mirë sepse në fund të fundit suksesi dhe mosuskesi është pjesë dhe përgjegjësi e të gjithëve ne bashkë. Madje unë kam një moto timen: askujt nuk ia imponon dashurinë por respekti është detyrim.
Nga larg shquhet një frymë pozitive bashkëpunimi në “Portokalli”, është kështu vërtetë?
-Absolutisht që ka një atmosferë shumë pozitive, por edhe ne, nëse do ta konsideronim veten si një familje, kemi herë mbas here problemet tona të cilat i zgjidhim po brenda “familjes” së “Portokallisë” dhe nuk priremi t’i nxjerrim në rrugë.
Kjo është meritë e drejtuesit?
-Nuk mund të them se është meritë e imja sepse unë nuk jam i vetmi drejtues, jam sëbashku me regjisorin Altin Basha, dhe me të gjithë bashkëpunëtorët, të cilëve s’mund t’u mohohet rëndësia dhe vlera që ata sjellin qoftë dhe me një batutë. Ky është një art kolektiv dhe unë asnjëherë nuk jam prirur ta shoh ndryshe.
Shquaj shenja modestie tek ti?
-Nuk është çështje modestie, edhe unë natyrisht që kam pasur pakënaqësitë e mia, por nuk jam me moralin që ata duhet të më jenë mua mirënjohës. Është në moralin e gjithsecilit nëse di të jetë, ose jo, mirënjohës. Unë kam punuar që “Portokallia” të jetë e suksesshme duke guxuar ndoshta të bëj edhe kompromise gjatë rrugës. Unë s’mund të them që të gjithë ne jemi të përsosur dhe idealë, që të gjithë kanë problematikën e tyre, për hir të asaj që quhet punë dhe sukses.
Kjo do të thotë se nëse mirënjohja nuk të kthehet nuk ka shumë rëndësi për ty?
-Natyrisht si çdo njeri edhe unë kërkoj që tjetri të më jetë mirënjohës në një moment që unë kam investuar për të, por e kuptoj se gjëra të tilla ndodhin, nuk jam as i pari as i fundit që më duhet të zhgënjehem nga mosmirënjohja. Unë mundohem të ofroj gjithë çfarë kam më të mirën time, por nëse nuk marr po të njëjtën gjë nga tjetri, nuk mund të pretendoj që ta ndryshoj, as veten as atë. Me këtë s’dua të them se unë jam më i miri: unë jam në raport mes të mirës dhe të keqes dhe përgjithësisht jam partizan i shprehjes “nëse nuk jam në gjendje të të bëj mirë, së paku nuk të bëj keq” .
Thua se nuk pretendon të ndryshosh as tjetrin as veten në një raport të caktuar, kjo do të thotë se ti nuk mendon se ke diçka për të ndryshuar, apo përmirësuar në natyrën apo qëndrimin tënd, në përgjithësi?
-Problemin tim unë e shoh në një tjetër prizëm: të jesh artist nuk mund të bëhesh dot komandant. Është e vështirë të vësh disiplinë në një pozicion të tillë... Më duket se në këtë pikë edhe ç aloj pak.
Pse e sheh të vështirë? Në çfarë pozite të vë?
-Natyrisht, janë elemente që kaliten ose edukohen gjatë kohës që formohesh si figurë, si personalitet...por ndër gjërat që s’bëj dot kompromis është disiplina në puna...
Për ty është e rëndësishme disiplina në punë?
-Absolutisht që është shumë e rëndësishme, është kriteri i parë për të pasur sukses në punë. Sepse duke zbatuar disiplinën e punës, në radhë të parë respekton veten tënde, pa dashur të pretendoj se krijimtaria është vetëm brenda një procesi pune, e megjithatë është mirë të respektohet një kuadrat standard i vlefshëm për të gjithë.
Me sa kuptoj je një natyrë që përpiqesh ta mbash nën kontroll çdo gjë rreth teje dhe që lidhet me ty. Është kështu?
-Sigurisht. Nëse nuk do kisha një raport të mirë me regjisorin natyrisht që nuk mund të ishim këtu ku jemi. Prandaj, çdo kush duhet të kontribuojë për të ndërtuar raporte të mira dhe sjellë një frymë pozitive në stafin tonë: Fjala bie-Ti mund të kesh ardhur nga rruga, ke atë dhunti që ke, je mirëpritur, përkrahur, pasi kemi bërë përpjekjen maksimale që ti të ndjehesh dikush, dhe një ditë të bukur i dehur nga euforia dhe fjalët e përkëdhelura të publikut mund të mendosh “e çfarë janë Agroni dhe Altini para meje?”
Ka ndodhur ndonjëherë kështu?
-Pikërisht se ka ndodhur e përmenda...fenomene shqiptare këto, dihen tashmë (qesh)...
Si i përjeton kur ndodhin fenomene të tilla? Zhgënjehesh?
-Me keqardhje...Në përgjithësi unë kam një shprehje që e përdor shpesh për të gjithë talentet: “E rëndësishme në art është të punosh që të mbetesh yll, dhe jo thjesht meteor” .
Shquaj shumë racionalitet tek ti, në mënyrën se si je prirur për t’i fituar dhe për t’i menaxhuar situatat dhe sukseset. Është dhunti e jotja, apo diçka e fituar nga përvojat?
-Mendoj se kjo ka ardhur me kalimin e kohës. Unë kam punuar me emra të mëdhenj të artit dhe humorit shqiptar dhe padyshim që edhe kjo ka ndikuar shumë.
Po humori është diçka e lindur apo e fituar tek ti?
-Humori është karakteristikë e familjes sime në tërësi, unë nuk jam i vetmi që bëj humor, të gjithë shquhemi për këtë në familje, por sidomos vëllai im i vogël është shumë i talentuar, pavarësisht se nuk arriti dot të dalë në skenë.
Arsyeja?
-Arsyeja sepse nuk arriti dot ta kalojë cakun e emocioneve që i jep skena dhe kamerat. Janë disa njerëz që bëjnë humor të shkëlqyer në tavolina por kur gjenden në publik transformohen.
Duke qenë kështu, të ndodh ndonjëherë të marrësh ndonjë kritikë profesionale nga vëllai?
-Vëllain (Adin) e kam një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Edhe pse larg njëri-tjetrit gjeografikisht ai sërish mbetet një këshilltar i pazëvendësueshëm për mua, është oponenti im i parë, po ashtu edhe realist në çdo mendim që më jep.
Me sa di, ti vjen nga një familje e madhe?
-Po, ne jemi shtatë fëmijë (katër djem dhe tri vajza).
Ti je më i madhi?
-Jo. Unë jam i treti i vërteti (qesh).
Çfarë mendojnë vëllezërit dhe motrat e tua për gjithë çfarë ke arritur në jetë?
-Ata janë gjithnjë pjesë e sukseseve të mia. Pavarësisht se jemi shpërndarë, ne jemi kaq të lidhur me njëri-tjetrin dhe gjendemi në çdo rast, sepse është dashuria e madhe që na mban gjithnjë të ngjitur. Secili nga ne ka status të ndryshëm social dhe ekonomik, por dashuria e secilit nga ne është konstante. Unë asnjëherë nuk kam bërë dallime mes motrave dhe vëllezërve, i dua të gjithë njëlloj dhe jetoj me shqetësimet e tyre.
Në përgjithësi edhe nga larg shquhet një sens human në natyrën tënde, nga të buron...?
- Unë jam një njeri si gjithë të tjerët, dhe siç e thashë, luhatem në raportin mes të mirës dhe të keqes. Edhe unë mund të kem pasur momentet e mia të irracionalitetetit ku dhe mund të kem gabuar, por gjithnjë e kam moralin për të thënë “më fal”.
Mban mend ndonjë detaj të një momenti të tillë?
-Një rast ka qenë në kohën e fushatës elektorale të para katër viteve, kur kandidonte Spartak Ngjela për bashkinë e Tiranës, dhe unë imitova duke luajtur rolin e tij pa e menduar se u bëra pa dashur pjesë e “luftës” ...Unë jam artist që u takoj të gjithëve, jo vetëm një pjese. Unë, pa dallim feje, krahine dhe ideje absolutisht i dua të gjithë shqiptarët. Nuk dua të bëj Mesian, por duke qenë se jam kalimtar në këtë jetë dua të lë një gjurmë të mirë, as të majtë as të djathtë, por thjesht gjurmë artisti.
Llakaj 47 vjeç, Së shpejti gjyshMendon shpesh për të kaluarën?
-Sigurisht. E kaluara është pasqyra që duhet të orientojë ç do njeri, nga vjen, ku shkon.... Madje kam filluar të mendoj se mund të filloj të shkruaj edhe një libër për jetën time. Kjo do të jetë si një trashëgimi edhe për fëmijët, për fëmijët e fëmijëve...ja për një muaj pres të bëhem gjysh dhe shumë shpejt mund të bëhem me shumë nipër e mbesa...
Si po e përjeton këtë kohë teksa pret të bëhesh gjysh? Nuk të duket vetja pak i ri për të qenë gjysh?
-Në momentin e parë kur mësova se ime bijë priste një fëmijë të them të drejtën gati u shokova, sepse edhe vajza ishte shumë e re për të qenë nënë, jo vetëm unë shumë i ri për të qenë gjysh. Nuk kam provuar në jetë dashuri më të madhe se dashuria për fëmijët dhe realisht çfarëdo lloj dashurie që fëmija më ofron për mua është mbi të gjitha dashuritë.
Pra, familja juaj po shtohet, po bëhet më e madhe me ardhjen e mbesës?
-Natyrisht. Unë vij nga një familje e madhe, krijova një familje të vogël që aktualisht përbëhet nga unë, ime shoqe Kostandina, djali Eno, vajza Alkida por së shpejti do na shtohet dhe mbesa dhe kjo është si një mrekulli për ne.
Jam kurioze të di, nëse në familjen tuaj gjen gjithnjë humor, apo humori për ty është thjesht profesion?
-Në shtëpinë tonë e vetmja që nuk ka humor është ime shoqe, Kostandina.
Gjithë këto vite duke jetuar me ty, nuk ia ke ushqyer sado pak sensin e humorit?
-Batutën e vetme që ka prodhuar në tërë këto vite bashkë e përdora edhe në “Portokalli” madje. Unë po rrija në sallon, ajo më shumë se gjysmë ore diçka po bënte në kuzhinë, prita e prita e më pas e thirra: “çfarë m...po bën një orë në kuzhinë?” Ndërkohë që ajo më kthehet e më thotë “Atë që do hash ti nesër po bëj” – d.m.th. po gatuante drekën, po sa kemi qeshur thuaj....
E ndjen të privilegjuar veten gruaja jote që është përkrah një burri kaq të suksesshëm dhe që ia bën jetën me humor?
-Në fakt unë ndjehem më shumë i privilegjuar, sepse ajo ka vlera të veçanta për mua. Madje këtë po e ndjej pikërisht këto ditë që i është dashur të largohet për pak kohë nga Shqipëria për t’i ndenjur pranë vajzës.
Me sa duket largësia është një lloj prove që ju bën të kuptoni dashurinë për njëri-tjetrin?
-Kjo është një ndarje e shkurtër që në fakt po na shërben për mirë edhe mua edhe djalit për të kuptuar se çfarë është familja, dhe ndjejmë se po na mungon shumë familja e bashkuar.
Ju jeni një çift që jeni martuar shumë të rinj dhe që keni përballuar shumë sfida bashkë, si e keni ruajtur lidhjen kaq të shëndetshme?
-“Hipokrizia është e modës”-thotë Molieri në gojën e Don Zhuanit, sepse hipokrizitë nganjëherë janë më të vlefshme...natyrish
t edhe ne nuk është se kemi kaluar pa probleme. Por kemi ardhur në një moment që nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Kjo tregon që gjërat më të mira tonat kanë krijuar një assosacion vlerash që kanë mbajtur gjallë dhe të shëndetshme familjen tonë.
Po të kishe qenë në një vend tjetër, me tjetër mentalitet a mendon se rrjedha jote e jetës personale do kishte ardhur ndryshe?
-Më vjen ndër mend një këngë që e ka kënduar Edi Rama “Jetojmë në Tiranë”... nuk e di çdo kishte ndodhur me mua po të kisha lindur në një vend tjetër...nuk e zgjedhim vetë vendin ku lindim.
Je një burrë në qendër të vëmendjes, i rrethuar me shumë femra të bukura...ka ndodhur që bashkëshortja jote të shfaqë shenja xhelozie?
-E thashë edhe më parë “hipokrizia është në modë”, e megjithatë mua asnjëherë nuk më ka pëlqyer të shtirem. Mua vërtetë e bukura më tërheq dhe më pëlqen, por nuk lejoj që e bukura të më shkatërrojë jetën, dhe mbi të gjitha familjen.
Pra, ka pasur shenja xhelozie tek jot shoqe?
-Natyrisht. Por ka ardhur një moment dhe ka kuptuar gjithë moralin e së vërtetës se: Agroni ka qenë i saj.
Me sa kuptoj është edhe merita jote që i ke krijuar asaj aq siguri?
-Unë nuk mund të pretendoj se jam njeriu më perfekt apo më i kulluar në botë për të. Unë jam Agroni, në hapësirën e problemeve të zakonshme që mund të ndodhin tek çdo njeri. Por mbi të gjitha kemi dhënë prova se ne të dy e kemi dashur njëri-tjetrin. Mbi të gjitha për mua koncepti i familjes është paksa konservator. Unë nuk kam bërë asnjëherë, asnjë lloj kompromisi në kurriz të familjes sime. Përkundrazi gjithnjë kam investuar për familjen.
Problemet nuk i ndrydh përbrendaVeç investimit tënd profesional, duke qenë i lidhur me televizionin, a të është dashur të investosh shumë edhe për pamjen tënde të jashtme?
-Ndoshta këtu jemi tek pika e dobët. Në përgjithësi jam natyrë impulsive dhe nuk rri dot pa bërë asgjë, por problemi im është se mua më është privuar e drejta për t’u marrë me sport sepse kam probleme me shëndetin (herrnie diskale) dhe pavarësisht vullnetit që kam, nuk mundem të arrij linjat që dëshiroj. E vetmja gjë që mund të bëj është të eci nga liqeni dhe të shoh të tjerët që vrapojnë (qesh).
Shoh keqardhje tek ti për këtë gjë?
-E vërtetë, e thashë që është pjesa ime e dobët. Me vullnetin që kam mund t’ia kisha dalë të isha vërtetë sportiv siç kam qenë gjithmonë si natyrë, por megjithatë përpiqem.
Më the që në natyrë je më shumë sportiv. Po veshja jote zakonisht është si sot, me kostum dhe kollare?
-Jo. Në përgjithësi nuk është kjo veshja ime. Unë karakterizohem nga një lloj sportiviteti edhe në veshje. Kollarja dhe kostumi më krijojnë një lloj zyrtarizmi që nuk është në natyrën time, por nganjëherë duhet të vihem nën të tillë petk. Por di të them se ashtu siç jam në natyrë sportiv, edhe shpirtin sportiv e kam.
Në përgjithësi veshjet e tua i zgjedh vetë? Sidomos ato që të duhen për spektaklet e “Portokallisë”?
-Në përgjithësi zgjedhja e veshjeve të mia bëhet kolektive, sepse kryesisht bëj “shoping” (siç ka dalë kjo fjala e re tani-qesh) kur jam me familjen.... Pra veshjet e mia janë produkt familjar...(qesh).
A mund të jetë mik i yti një person që s’di të qeshë?
-Ai që s’di të qeshë nuk mund të jetë miku im, pasi është i keq dhe i rrezikshëm.
Po ti vetë a ndodh ndonjëherë që të ndjehesh pa humor dhe të kesh nevojë që të ndash mërzinë me dikë?
-Natyrisht, edhe unë jam një njeri si të gjithë të tjerët. Kur jam i mërzitur kam nevojë për fjalën e një miku apo të një mikeshe. Është mirë që ashtu si gëzimin edhe mërzitjen t’a ndash me miqtë.
Nga larg të krijohet ideja se ti je thjesht për të ndarë vetëm humor dhe gëzim me të tjerët?
-Mua më pëlqen që është ky imazh por e vërteta është ndryshe. Unë jam njeri prej mishi dhe gjaku, e thashë, si të gjithë të tjerët, mbi të gjitha jam natyrë shumë e ndjeshme dhe i përjetoj shumë gjërat që ndodhin rreth meje. Madje këtë mund ta shpjegojë më mirë një shprehje e Çaplinit për humoristët: “Qeshu palaço qeshur, se shpirti e di se ç ’heq”.
Çfarë ndodh nëse je duke përjetuar një situatë stresante dhe gjendje jo të mirë emocionale, dhe ndërkohë të duhet të dalësh të bësh humor në skenë?
-Unë kam një parim që e kam të huazuar nga Heminguej “Beso dhe moho”.
Kjo do të thotë se ti përdor mekanizmin e mohimit të realitetit për të dalë nga situata?
-Po. Në momentin që unë dal në skenë unë në mënyrë kategorike harroj gjithçka tjetër (fatmirësisht nuk më ka ndodhur ndonjë gjë tejet e rëndë deri tani). Pra, në momentin që jam përballë spektatorit unë jam Agroni artist, që kam për të kryer misionin tim dhe këtë e arrij duke e ndarë Agronin artist nga Agronin njeri (nga halli që mund të kem).
Mirela Sula GazetaPanorama