Berni
Forca Elbasani
Stafi
Karma: 4
offline
Gjinia: 
Postime: 24143
|
 |
« më: 03-03-2008, 09:42:51 » |
|
Njeriu që ka prodhuar çifte, pistoletë, violinë, kitarë, klarinetë, mullinj, nuk heq dorë nga zanati i vjetër
Një burrë i pashëm, i veshur kreko e me hap të ngadaltë, del çdo mëngjes rreth orës gjashtë nga shtëpia. Shumica që e njohin, pas përshëndetjes, e dinë ritualin e tij. Të panjohurit e paktë e marrin për një të moshuar që mezi ka pritur të agojë dita nga pagjumësia. Shumëkush prej gramshiotëve që njohin aftësitë krijuese dhe vlerësojnë talentin e mendjes dhe duarve të tij, vrasin trurin se çfarë është duke punuar sot plaku i qytetit të vogël të Gramshit. Pamja e jashtme dhe profili pa rrudha i fytyrës të jep përshtypjen e një njeriu që vërvitet rreth moshës së gjashtëdhjetave. Kjo mbetet vetëm një aparencë e çastit. Ai, pas një viti feston 80-vjetorin. Për çudi nuk e ngacmon kjo datë. "Ditëlindja" e tij matet me mbushjen e 60 viteve të punës. Ky është Shyqëri Tafa, në këtë qytet disi të largët dhe të vogël. Të gjithë i thërrasin dhe e përshëndesin: "Si je, usta Shyqo"?
Rrallëkënd mund të gjendet një njeri që mes kalvarit të gjatë të persekutimeve të regjimit komunist të ruante freskinë e trurit dhe të shpaloste talentin e rrallë në punimet e shumë objekteve përtej asaj që quhen, artizane. E nisi punën që 19 vjeç. Atëherë e zbuan nga qyteti i Elbasanit. Ndërsa priste meritat e sakrificave të nënës partizane, një ndër delegatet e para të Kongresit të Helmësit në Skrapar, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ata me të cilët kishte luftuar, e syrgjynosën larg qytetit. Familja e Shyqëri Tafës u vendos në fshatin Dardhëzezë të Gramshit, duke nisur kështu ditët "e zeza" më të pamerituara të jetës së tyre. Nisi punën kokulur dhe ashtu ka mbetur në kuptimin më fisnik të përjetimit të kësaj cilësie. I mbrujtur me krenarinë e nënës dhe "vrazhdësinë" e babait, djaloshi elbasanas nisi të përshtatej me një jetë tjetër në fshatrat e asaj kohe. Vetëm ndershmëria, dhuntia për novatoren dhe aftësia krijuese, bënë që "i persekutuari" nga qyteti i Elbasanit të shihej me sy të mirë në periferi të Gramshit. Pse jo, edhe të ofrohej pranë ndërmarrjeve të rëndësishme shtetërore të kohës, vetëm se panë tek ai aftësitë e jashtëzakonshme krijuese. Ishte propozuesi dhe realizuesi i ngritjes së linjës së përpunimit të frutave në qytetin e Gramshit. Pas këtij suksesi iu besua "fabrika" e trikotazhit, ku shumë prej tezgjahëve u ngritën prej talentit të tij. Vetëm atëherë i besuan drejtimin e ndërmarrjeve ekonomike të rëndësishme në këtë qytet. Ndërkohë arriti që të ngrinte bibliotekën e tij, me libra të kohës dhe të ndaluar për kohën. Për letërsinë "e verdhë" mori edhe një goditje tjetër ideologjike, ku në shtëpinë e tij, pushteti i kohës strehoi "njeriun e klasës punëtore", që më pas Shyqëri Tafa do ta quante "heretikun" e pasurive letrare dhe novatorë të krijimtarisë së tij. I zoti i shtëpisë ia dogji të gjitha librat, i hodhi gjithçka që kishte bërë me dorën e tij. Por, Shyqua u ngrit sërish. Aftësia dhe durimi tek ai nuk mund të digjeshin... Suksesin e tij nuk e mohon nga trashëgimia e babait dhe njeriut të talentuar në qytetin e Elbasanit, Isuf Ekmeçiut, që nuk jeton më.
Ç‘i shihte syri, i bënte dora. Pasioni, talenti dhe aftësia e duarve të arta nisën një sërë objektesh të rralla që në vendin tonë nuk prodhoheshin kurrë. Rreth viteve ‘58 arriti të prodhojë çiften e parë. Disa vite më vonë, të njëjtën çifte për gjah, e prodhoi sërish, por më funksionale dhe më të perfeksionuar. "Kam prodhuar nga një çifte për secilin djalë dhe dy copë i mbaj për vete", tregon usta Shyqua. Ndërkohë kujton se çiften e parë ia morën dhe ia dhanë kryetarit të degës ushtarake të asaj kohe, por që është funksionale edhe sot. Për armët që disponojnë djemtë ka nxjerrë leje. Ashtu edhe për vete. Novatorizmi nuk mbaroi me kaq. Me drurin e panjës prodhoi violinën. Një vegël që do t‘ia kishte zili edhe firma më prestigjioze e prodhimit në seri të kësaj vegle muzikore. Më pas çiftelinë me dru bushi dhe më vonë klarinetën. "Klarineta ime ka martuar kushedi sa çifte në Gramsh, por ma morën dhe nuk ma kthyen më", tregon ai. "Sa për kitarën, e qava fare. Punova tre muaj për të, duke e gdhendur në dru panje dhe më pas e axhustova në një torno që e ngrita vetë", - vazhdon ai. Në respekt të kujtimit të nënës së tij, ka gdhendur në dru skulpturën e një partizaneje me yll në ballë. Më pas dhjetëra makete shtëpish karakteristike, mullinj dhe hidrocentrale në miniaturë, pa ditur se maketet e tij do të shfrytëzoheshin më pas për ngritjen e tyre reale në kushte e kësaj zone me resurse hidrike të mëdha. Jo pak, por numërohen rreth 90 objekte të rralla të punuara në rrugë artizane, por për nga vlera dhe cilësia, ia kalojnë atyre që prodhohen në kushte industriale- moderne. I ka mbetur pishman, shpikja e fundit. "Më ka mbetur përgjysmë një pistoletë që është më e saktë dhe më e lehtë nga ato që përdoren sot", shpjegon usta Shyqua. Të gjitha shpikjet e tij janë përshkruar edhe në një libër bibliografik. Ndoshta, kështu mund të quhet edhe shkrimtar. Nuk ka shumë kohë që ka nxjerrë në qarkullim librin "Me zemër jam pranë jush". Një metaforë kjo sa për vete, që emri dhe vepra e tij do t‘u mbetet brezave, por edhe dashuria dhe dhimbja për vdekjen e nënës. I është kthyer sërish ditarit. Hedh çfarë mban mend nga ditari që ia dogjën, ato që jeton sot, e mesazhin e një jete tetëdhjetëvjeçare për brezat e ardhshëm. Së afërmi, një libër tjetër prej tij, me fjalë dhe shprehje frazeologjike të kësaj treve të pasur, që nuk janë botuar në Fjalorin e Gjuhës Shqipe.
Nuk ka pirë kurrë duhan dhe nuk ka abuzuar me pijet alkoolike. Para 40 vjetësh, mjekët e nxorën me sëmundjen e zemrës. Nuk mori ilaçe. "Ilaçin" e gjeti te sporti i gjuetisë. Me çiften e prodhuar vetë, nuk ka lënë mal e kodër në zonat e Gramshit pa dalë për gjah. "Një vit pasi nisa të ushtroja pasionin e gjuetisë për çdo ditë të diele, vajta të vizitohesha për zemrën. Doktori më pyeti se çfarë barnash kisha pirë që isha aq mirë. I tregova çiften dhe i dhurova një lepur të egër që e kisha vrarë në malet e Godovjatit", tregon usta Shyqua. Ndoshta ky sport mbetet domethënës për shumë të tjerë. Gjuetia, sipas tij është pasion, zbavitje dhe jetëgjatësi. Ka hyrë në vitin e 80 të jetës së tij. Nuk mban syze. As bastun si shumë të moshuar të tjerë që janë dhjetëra vite më të vegjël se ai. I shtruar në muhabet e i kthjellët në mendime e kujtesë. Nuk mund të rrijë kurrë në shtëpi apo të luajë domino si moshatarët e mi. "U rrita me punë dhe në punë dua të vdes", tregon ustai i Gramshit. Aty afër qendrës së këtij qyteti, do të gjesh çdo ditë usta Shyqon. Në një ndërtesë njëkatëshe do të gjesh me dhjetëra e dhjetëra pajisje elektro- shtëpiake. Të gjitha i riparon sikur të ishte inxhinier i mirëfilltë gjer te gjërat më të imta të përdorimit të përditshëm. Personazhi ynë mbetet ndër të rrallët. Ndoshta për vetë moshën që ka, për jetën që ka kaluar, por më tepër për ato që ka krijuar ndër vite... Mbase pas shumë vitesh, në Gramsh do të mbesë toponimi më i ri "te dyqani i usta Shyqos!".
Gazeta Shqip
|