Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.

User

Mirësevini, Vizitor. Ju lutemi të identifikoheni ose regjistrohuni.


Sponsor







Etiketa

Forumi ShkencorForumi ShkencorArkitekturë dhe Inxhinieri (Moderator: Fulcrum)Tirana, mes arkitekturës italo-shqiptare !


Faqe: [1]   Shko poshtë
PërgjigjjaDërgojeni këtë temëPrintojeni faqen
Autori Temë: Tirana, mes arkitekturës italo-shqiptare !  (E lexuar 457 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull


Shiko profilin WWW
« më: 23-04-2007, 05:18:19 »
Citojeni

Historia e monumenteve të kryeqytetit shqiptar

Evropa Juglindore ka jetuar për mijëravjeçarë si njësi organike e të njëjtëve komonuellth-ë historikë, e perandorive romake, bizantine dhe osmane. Shqipëria jetën më të gjatë e ka pasur nën të njëjtën çati me to, pa kufij politikë dhe dyer të mbyllura.
Deti i Shqipërisë e quan Koroneli në Atlantën e tij Adriatikun dhe gjiri i Venecias ngushticën e Otrantos.
Ne jemi brigje të të njëjtit liqen me Italinë, pasi Adriatiku, në vendin ku Atllanteja i Kamocios e quan gjiri i Venedikut, në ngushticën e Otrantos, nuk është as 68 km i gjerë dhe as 68 m i thellë. Dhe kjo konferencë është pikërisht njëra nga urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit që lidh dy brigjet me njëri-tjetrin. “E para ishte fjala”, thotë bibla, në kuptimin që i pari është mendimi dhe më tej implementimi i mendimit. Shqipëria është një model në miniaturë i tërë peizazhit evropian. Natyra e saj ndërron çdo 40-50 km si në një kaleidoskop. “Shqipëria është e bukura e përjetshme”, tha pas vizitës së tij të parë në Shqipëri politikani gjerman Franz Josef Straus. Perlat e së “bukurës së përjetshme” janë monumentet shqiptarë, të kudo gjindshëm, jo më larg se 2 km larg njëri-tjetrit.
“Muzikë e ngrirë”, e quante Johan Wolfgang Goethe arkitekturën gotike gjermane. Muzika e ngrirë e arkitekturës shqiptare është një muzikë polifonike, me variacione dhe mbivënie brenda vetvetes. Të ndryshëm nga njëri-tjetri, monumentet e arkitekturës shqiptare jetojnë harmoninë perfekte të unitetit brenda diversitetit: përbri minareve të xhamive lartësohen të qeta kambanoret e kishave. Krahas fortesave romake, të rrepta dhe të hirta zbardhin hajthëm shtëpitë e qyteteve mesjetare. Tej urave që i harkohen me brishtësi lumenjve gjenden teatrot antikë. Deri tani, pak të prekur nga fluksi turistik, kjo natyrë e virgjër, sitet dhe monumentet shqiptare janë ende të “pakonsumuar” për vizitorin potencial.
Më qartë dhe më koncentruar vlerat e kësaj trashëgimie shpalosen në litoralin 320 kilometrash të bregdetit shqiptar, ku sipas ballkanologut gjenial Millan Shuflaj, “shpori i çizmes italike i afrohet më tepër se kudo gadishullit ballkanik. Pikërisht këtu lindja ka shkarkuar korrentin e saj tri herë në përëndim dhe përëndimi katër herë në lindje”.
Këtu Pirro i Epirit zbarkoi në gadishullin italik për të mundur Romën, këtu u zhvillua lufta civile romake, këtu po niste ekspedita e Puljes e sulltan Sulejman Kanuniut, i cili do t’ia nënshtronte Italinë dhe përëndimin lindjes osmane dhe këtu së fundi, me synim po të njëjtë, po stacionohej flota ruse. Në këtë rrugë kalonte kultura dhe arkitektura: teknologjia ushtarake arkimediane në kalanë e Lisit-Lezhës të ndërtuar nga Dionisi i Sirakuzës, skema sirakuziane e teatrit antik, arkitektura e stilit “Dyracensis (durrsake)” siç i quanin në shek. e 16 në Napoli ndërtimet e spikatura.
“Proces osmatik” do ta quante Shuflay këtë ec dhe jake, këtë proces marrje e dhëniesh duke përdorur termin biologjik osmozë, barazim presionesh nëpërmjet membranash organike.
Ngjarjet kanë rrjedhur vrullshëm në këtë rrip toke. Po ditëm t’i lexojmë, ato na risjellin oshtimën e historisë: trokun e vargjeve të Virgjilit “celsam Buthroti ascendimus urbem, gumëzhimën e Dyrrahut që Ciceroni i bezdisur e quante tavernë e Adriatikut dhe thënien e tij për Apoloninë, ku Oktavian Augusti kreu studimet akademike, “Magna urbs et gravis” (qytet i madh dhe hijerëndë).
Nëse dimë të lexojmë monumentet e këtij litorali, do kuptojmë se ato janë perla të arkitekturës botërore. Do kuptojmë se për herë të parë tulla shfaqet në historinë e teknikës botërore në këtë territor, se harku dhe qemeri, elementë po bazikë të ndërtimit shfaqen së pari në Apoloni.
Nëse do të avanconim me sytë e dëshirës dhe mendjes, këto gjurmë të historisë do t’i shikonim si qendra pelegrinazhi turistik. Do shihnim të rinxjerrë nga uji flotën e Pompeut të mbytur në Orikum, Shkodrën e plazmuar nga arkitekti i shkollës veneciane Kol Idromeno, do shihnim perlën e shkollës racionaliste italiane, Bankën e Shtetit të shkëlqente si dikur.
Mes kësaj lidhjeje mijëravjeçare artistike dhe arkitektonike, vend nderi zë arkitektura italiane e viteve `30-`40, gjurmët e së cilës ndihen në endjen urbane të tërë qyteteve të rëndësishëm shqiptarë, në Durrës, Korçë, Shkodër, Vlorë dhe së pari, dhe kryesisht, në Tiranë.
Fjalën time do ta përqendroj në këtë qytet, për shkak të vlerave të veçanta që ajo paraqet; vlera të cilat dalin nga suaza thjesht shqiptare dhe fitojnë vlera të veçanta botërore, duke u kthyer në pasuri krijuese të njerëzimit.
Kur para disa vjetëve jepja lëndën e historisë së arkitekturës antike në Marburg dhe Bon, krahas veprave të Nervit, Gropiusit dhe Korbyziesë, pashë se në tekstet serioze të historisë së arkitekturës botërore krahas tyre qëndronin Banka e Shqipërisë dhe hotel “Dajti”.
Shpjegimi për këtë fenomen është i thjeshtë dhe arkitektët e urbanistët e dinë mirë këtë. Eshtë shumë më lehtë të ndërtosh një Brazilia nga e para, sesa t’i përshtatesh endjes urbane të Romës, Parisit a Londrës, ku thuaj çdo gjë tashmë është e vulosur. Arkitekturën avangardë klasike dhe antike e patën kolonitë e Magna Graecias ose qytetet si Bylisi, të ndërtuar ex novo në një terren të virgjër.
Tirana rreth 80-vetëshe në themelimin e saj në vitin 1614, ishte 31.000 vetë në vitin 1930, ende një tabula rasa për një qytet modern. Por në një tabula rasa shkruhet shumë më lehtë dhe më mirë se në një tabelë të zënë nga shkrimet. Kjo u solli projektuesve atë që gjermanët e shprehin me një fjali të tejgjatë, tipike gjermane, eksperimentirungsfr eude, dëshirë për të eksperimentuar. Por në kuptimin e mirë të fjalës, jo eksperiment për eksperiment, por dëshirë për të krijuar.
Ashtu si edhe luftën civile mes Cezarit e Pompeut Roma e luajti larg trojeve të saja, në Shqipëri, në vitet `30-`40 po në Shqipëri u përplasën më fort sesa në Itali shkolla romane me atë toskane, neoklasicizmi me idetë mikelanxhelojane, idetë racionale me barokun. Madje kjo përplasje nuk ishte vetëm mes ideve të ndryshme të shkollave a arkitektëve, por edhe e një arkitekti me vetveten.
Nga monumentalizmi i projektit të vitit 1926 i Sheshit të Ministrive i Brasinit, me shkallare që, si në Sheshin e Luleve në Romë, të çojnë drejt monumenteve neobaroke dhe më tej drejt harqeve eklektikë pompozë, Brasini evoluon në variantin mikelanxholesk të portikut të Vatikanit. Ndoshta si një simbolikë e krahëve të hapura të përkujdesjes kristiane dhe mikpritjes shqiptare.
Dhe në fund, një dekadë më vonë, kjo përfundon në skicimin racional të Berte-s, me një shtrirje gjatësore racionale përgjatë bulevardit në rolin e një dekumane-aks, kufi mes Tiranës së vjetër, qytetit-kopsht që duhej ruajtur si i tillë dhe Tiranës së Re të konceptuar sipas parimeve të Bauhausit. Duhet siguruar që harmonia midis volumetrisë, destinimit, materialit dhe lartësisë ishte kuintesenca e postulateve të tija. Në përmbajtje të këtyre postulateve, xhamia e Et’hem Beut inkorporohet me ministritë falë volumetrisë së saj. Ministritë inkorporohen me hotel “Dajtin” nga volumetrik dhe lëvizjet hapësinore. Hotel “Dajti” inkorporohet me ansamblin e Kryeministrisë dhe ndërtimeve përreth sheshit “Nëna Terezë” me kromaticitetin dhe volumetrinë e tij. Dhe të tëra këto inkorporohen me universitetin falë monokromisë, lojës dritë hije, balleve të rrafshët. Në një unitet brenda diversitetit dhe diversitet brenda unitetit.
Fillimisht arkitektura e viteve `20 pluskon në barok, eklektizëm, ekzotizëm dhe më tej, si në ndërtimet e ministreve të Faustit në një neorinashiment që tenton të lidhet me sforco me traditën, duke sjellë ndonjë helmetë Skënderbeu a shqiponjë.
Por triumfi paradoksal ishte triumfi i racionalizmit, qoftë dhe monumental, mbi rrymat e tjera.
Banka e Shtetit është pa dyshim një nga ndërtimet më të bukura të arkitekturës botërore të viteve `40. Me një bikromatizëm të përmbajtur me ballë të thyer, e lakuar aty ku duhet, me kolonadën monumentale aty ku duhet, me dekorin e përsosur qeramik dhe muzeal, ajo është njëkohësisht një triumf i Morpurgos mbi Morpurgon: Morpurgo i Bankës së Durrësit dhe varianteve të Bankës së Shqipërisë nuk ka pikë afrie me Morpurgon e projektit final të Bankës Shqiptare. Artisti këtu ka superuar vetveten.
Rrugë krejt tjetër ndjek Bosio me ndërtesën e kryemonumentit të bulevardit, Universitetit të Tiranës, duke bashkuar organikisht modernen me traditën. Efektet dritë-hije të muraturës izodomike të fortifikimeve ilire, me krenarinë e kullës qytetare gjirokastrite, ndoshta edhe fortifikimeve toskane. Duke e sjellë traditën jo me eklektizëm artificial, por me shpirtin e saj: madhështinë, rreptësinë dhe qetësinë epike.
Vërtet se pemën e racionalizmit e mbolli me Bauhausin në Weimar Gropiusi dhe më tej ai lulëzoi në Rusi me Gasprom-in e paarritshëm të Harkovit, kjo pemë u sharrua shpejt nga Stalini dhe Hitleri, të cilët e quajtën atë, sinkron në kohë, “degjenerim të artit”. Fjali që na ka takuar ta dëgjojmë shpesh gjatë gjysmëshekullit komunist shqiptar.
Të tërë e dinë se fjala “transparencë”, Gllasnost, u shqiptua nga Gorbaçovi. Por pak e dinë se 60 vjet më parë Musolini kishte shqiptuar thënien “Fashizmi është një shtëpi qelqi, ku gjithçka është transparente”. Si i tillë ndonëse racionalizmi u mboll diku dhe lulëzoi diku tjetër, frutat arritën të piqen në Itali, qoftë fashiste, veçanërisht në Shqipërinë, e cila si provincë dhe jo metropol ishte më e shpenguar se vendi i “shtëpisë së qelqtë”. Taksa që kjo rrymëë i pagoi në Shqipëri formalizmit diktatorial është thuaj e papërfillshme dhe historianët italianë të arkitekturës mendoj se nuk kanë të drejtë ta quajnë arkitekturën e fundit të `30-ave fillimit të `40-ave arkitekturë me tendenca racionaliste, pasi ajo i përmbush kriteret e spirituale të Bauhausit, shfrytëzimin racional të mjedisit me burime të disponueshme.
Duke mbetur gjithnjë në suazën e psikologjisë diktatoriale, do të doja të përmendja një thënie vërtet të prapë të Hitlerit pas rrafshimit të Varshavës: “Nëse një qyteti i shkatërron arkitekturën, qytetarëve të tij u ke shkatërruar të shkuarën dhe u ke marrë të ardhmen”. Dhe, për fat të keq, të tërë qytetarëve të kryeqytetit, atë që zonifikimi italian e kishte ruajtur me kujdesin më të madh, qytetin-kopsht të Tiranës së vjetër, komunizmi e shkatërroi pa mëdyshje, qoftë dhe instinktivisht. Ai prishi Pazarin e Vjetër për të ndërtuar Pallatin pa fizionomi dhe personalitet të Kulturës dhe Rrugën e Barrikadave, duke mos ndërtuar asgjë. Duke prishur për hirë të prishjes.
Sot me pretekstin e rinovimit të qytetit, të kthimit të tij në “qytet modern evropian”, po copëtohet endja e trashëguar urbane duke u kthyer gjithnjë e më episodike. Për fat tejet të keq, veç Tiranës nuk njihet ndonjë metropol tjetër në Evropë që ndërton pa plan urbanistik dhe që nuk merr parasysh të shkuarën e tij. Këtu nuk ka shpëtuar as edhe ajo dekumano-ja italiane, bulevardi i “hijeshuar” me piramida faraonike, të cilat sipas “Historisë Sociale të Artit” të Arnold Hauserit janë forma karakteristike që hasen vetëm në diktaturat totalitare skllavopronare.
Dhe për më tej, programi kromatik i kryetarit të bashkisë ka shkatërruar dhe po shkatërron volumetrinë e qytetit dhe akromatizmin a bikromatizmin e ndërtimeve italiane, madje duke lyer tullat me bojë vaji dhe granilin me bojakë çimentoje. Paradoksalisht këtij nënvlerësimi urban nuk i shpëtoi as edhe blloku i “Shallvareve”, i ndërtuar në apogjeun e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Ky bllok sot i zbukuruar me kuadrate futuristike, risjell po paradoksalisht një arkitekturë po italiane, atë të Smolnit të San Petersburgut, të ndërtuar në kohën e Katerinës nga arkitekti italian Rastreli.
Lista e monumenteve shqiptarë në mbrojtje të shtetit, deri pak muaj më parë përmbante edhe “Lëndinën e Dragobisë ku Enver Hoxha bisedoj gju më gju me popullin”, madje ende e përmban atë, pasi sipas burokracisë ministeriale ato mund të hiqen vetëm nga organi që i pati vënë në mbrojtje, përkatësisht nga KQ i PPSH-së. Por kjo listë e botuar në 2003 nga burokratët ministerialë nuk përmbante kryeveprat e arkitekturës botërore: Universitetin e Tiranës, Bankën e Shqipërisë, Kryeministrinë, hotel “Dajtin”. Këtë peshë të autarkisë komuniste, qenien monument vetëm të veprave anonime, IMK e shleu duke vënë në mbrojtje 108 monumente të Tiranës, mes tyre pa dyshim kryeveprat e arkitekturës italiane të viteve `30-`40 dhe të arkitektëve të tjerë shqiptarë e të huaj.
Nuk mund të thuhet kurrësesi se kryeqytetasit janë indiferentë ndaj vlerave arkitektonike të kryeqytetit. Të lindurit dhe rriturit në të janë mësuar me perspektivën e bulevardit dhe mozaikun e tij të trotuareve, me ndërtesat tashmë historike të Bankës së Shqipërisë, universitetit, Kryeministrisë a hotel “Dajtit”, ashtu siç janë mësuar me sinusoidën e kreshtës së malit të Dajtit.
Pas një emisioni në stacionin televiziv “Klan” ku pata mbrojtur bulevardin nga plani i kryetarit të bashkisë, përkatësisht nga kalimi mespërmes i tramvajit, nga ndërrimin i ngjyrës nga gri në të kuqe, nga prishja e dizenjos së mozaikut të trotuarit, të njohur që në antikitet si në Shqipëri ashtu dhe Itali, u kërkua një votim i shikuesve. Rezultati ishte 1220 sms për ruajtjen e vlerave dhe 180 për bjerrjen e tyre.
Do ta përfundoj, duke risjellë mendimin e UNESCO-s për trashëgiminë arkitekturore shqiptare:
“Shqipëria, një ndër vendet me trashëgimi më singulare dhe të pasur kulturale, duhet të fitojë koshiencën e përgjegjësisë për ta ruajtur dhe për t’ia përcjellë këtë pasuri gjeneratave të ardhshme si pjesë integrale e pasurisë universale të njerëzimit”. Pa dyshim, që në këtë kolanë të çmuar të trashëgimisë ka vendin e saj edhe amfiteatri i Dyrrahut, edhe Banka e Shqipërisë, edhe monumenti i Agonotetëve në Apoloni edhe Universiteti i Tiranës.
UNESCO na e kërkon përmbushjen e këtij detyrimi shpirtëror jo vetëm në emër të brezave të ardhshëm të shqiptarëve, por në emër të brezave të ardhshëm të njerëzimit, pasi kur një send me vlerë shpirtërore humbet, humbës është tërë njerëzimi. Por në radhë të parë humbësit e mëdhenj do të ishin shqiptarët dhe më tej pasardhësit e romakëve, italianët, bashkautorë dhe autorë të perlave të mësipërme.

Apollon Bace
E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Përgjigjja Dërgojeni këtë temë Printojeni faqen

Shko te:  

+ Përgjigje e shpejtë


Radio Live | Sfonde per Kompjuterin Wallpapers | Filmime Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Direktoria | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Yasnw | MuzikaWeb LinksMoz | Balkan | Shqiperia | Albania | Shtypi Shqiptar PDF | Blogu Shqiptar | MSN Avatars |