M A X
Admin
Karma: 36
offline
Gjinia: 
Postime: 11172
|
 |
« më: 08-07-2009, 00:08:50 » |
|
Nga Armand Maho
Në vitin 2005 e majta e Fatos Nanos së bashku me aleatët në rang vendi doli parti fituese me gati më shumë se 100 mijë vota, por çarja e së majtës dhe menaxhimi i votës nga e djathta bëri që kjo e fundit të korrte një fitore të konsiderueshme qoftë në maxhoritar, qoftë në proporcional. Pavarësisht frymës fituese që kishte krijuar lideri i së djathtës, duhet të pranojmë se rezultati i Nanos në këto zgjedhje ishte shumë herë më i mirë se ai që ka marrë Rama në vitin 2009.
Nga ana tjetër, të mos harrojmë se Rama e bëri kodin zgjedhor ashtu siç e donte, ndërsa vetë Nano ishte i detyruar të hynte në garë me kodin e vjetër, në një përballje në maxhoritar, ku PD-ja kishte një epërsi të dukshme, pasi imponoi sistemin e Dushkut, të shpikur nga vetë socialistët, në të gjithë vendin, duke nxjerrë së paku 18 deputetë republikanë, por pa humbur votat në maxhoritar. Nano, megjithëse kishte mbledhur më shumë vota se partia në pushtet, sërish në asnjë rast nuk u deklarua fitues. Ankimoi procesin deri në fund dhe, kur u dha përfundimisht rezultati i zgjedhjeve, deklaroi dorëheqjen si kryetar partie. Në fakt, vendosi një standard, duke treguar se është një lider parimor, i përgjegjshëm për koston politike që mban partia tij.
Me vendosjen e këtij standardi shumëkush mendoi se do të kishim të bënim me ndryshim kursi të politikës shqiptare. Pra, nuk do të shihnim më liderë partish që, megjithëse e çojnë partinë e tyre në humbje, sërish mbajnë vendin që kanë, duke kontestuar zgjedhjet dhe mbledhur militantë rreth vetes për të shpëtuar politikisht. Duam apo nuk duam ne, ishte PS-ja dhe e majta që e vendosën këtë standard, si një vlerë të politikës.
Rama e di fare mirë se, në rast se Fatos Nano do të donte të mbante partinë, ai s’kishte asnjë shans për të hipur në krye të saj. S’mund ta merrte as me trafikun e votave të Ruçit dhe me asgjë tjetër. Ata që kanë qenë në sallën e Pallatit të Kulturës në tetorin e vitit 2005, e dinë fare mirë se çfarë paniku shkaktoi te kryetari i Bashkisë lajmi se Nano do të lidhej në linjë telefonike me një stacion televiziv. Vetëm një sms e dërguar në televizion dhe desh e përmbysi rezultatin. E megjithatë Nano nuk i shkoi më tutje. Nuk kishte moral të kërkonte më postin e tij, sepse ishte përgjegjësi për humbjen e PS-së. Nuk nxori militantët, që i kishte me shumicë, të thërrisnin emrin e tij. Nuk doli as në konferenca për shtyp, siç po bën kryetari aktual, i cili mendon se ekranet e medieve do i shmangin largimin. Rastet janë të ngjashme, por individët jo, sepse te Rama nuk ka asgjë që të të lërë përshtypjen e politikanit që na u reklamua si e ardhmja tjetër e këtij vendi. Ai tashmë është humbësi arrogant, që s’ka as fisnikërinë të pranojë se zhgënjeu elektoratin e majtë.
Por ky standard u prish pikërisht nga ajo që u trumbetua si politikë e re e Edi Ramës. Dje ai doli dhe la të kuptohej se nuk do japë dorëheqjen, megjithëse përgjegjësia për humbjen është krejtësisht e tij. E majta mori vetëm 66 mandate, të pamjaftueshme për të pasur pushtetin. Dhe në rast se LSI-ja me katër mandatet e saj do t’i shkonte pas lojës së Ramës, atëherë do futeshim në një udhë të rrezikshme krize me një kosto të rëndë për këtë vend. Të gjithë tashmë e dinë se fajtori kryesor është ai dhe jo Ilir Meta. Ky i fundit ka mbajtur përherë pozicionin e tij dhe në zgjedhjet e 28 qershorit ai triumfoi ndaj luftës së egër politike të kreut socialist, i cili e sulmoi me të gjitha format.
Por fabula nuk mbaron me kaq, sepse Rama kërkon ta përdorë veprimin e kundërshtarit të tij brenda së majtës si alibi për të shmangur dorëheqjen nga kryesimi i PS-së, siç e kërkon statuti i kësaj partie. Në këtë ndërmarrje aspak të ndershme ai po ndihmohet qartazi dhe nga disa medie apo analistë të kontrolluar tërësisht prej tij, të cilët kërkojnë ta justifikojnë përballë elektoratit socialist, por s’po bëjnë gjë tjetër vetëm se po thellojnë ndarjen mes tyre. Në vend që t’i kërkojë falje elektoratit të tij, ka përqendruar të gjitha energjitë për të fabrikuar alibinë se fajin na e paska Meta, alibi që gjithsesi duket se s’do ta shpëtojë nga furtuna që pritet të shpërthejë në PS.
Edi Rama po bëhet qesharak, sepse po bie në vorbullën e asaj që e kritikoi gjatë mandatit të tij në krye të PS-së. Po bëhet qesharak dhe me porositë që u jep militantëve që të thërrasin emrin e tij në korridoret ku ai ka dalë për të dhënë konferencë për shtyp për gazetarët, me mendimin se ka përkrahje politike. Bashkë me të po bëhen qesharakë dhe ata që kanë marrë përsipër të përpunojnë opinionin në favor të tij, të cilët përpiqen të justifikojnë Ramën me veprimin e Metës. Tufa e karagjozëve kërkojnë të gjejnë tradhtarin, por tradhtari i vërtetë i elektoratit të PS-së është vetë Rama. Meta nuk e ka tradhtuar elektoratin e tij për faktin e thjeshtë se ato vota janë të besnikëve të tij, të cilët e mandatojnë zgjedhje pas zgjedhjesh. Ato “83 mijë zemra” që flet kreu i PS-së kanë mandatuar Ilir Metën, e kanë përkrahur atë kur ironizohej në grevën e tij të urisë dhe kryetari i PS-së s’mund të dalë të flasë në emër të tyre. Ai që ka zhgënjyer elektoratin e majtë, është vetë ai që sot kërkon të fusë dhe vendin në krizë. Ishte ai që, pasi nuk njohu kontributin e liderit historik të saj, mori përsipër që të tallej dhe me figurat e nderuara të saj, si në rastin e Mejdanit. Ishte ai që deshi të mblidhte të gjithë pushtetin rreth vetes, është ai që duhet të mbajë koston e të mbeturit në opozitë. Dhe është ai që, po vazhdoi ta mbajë PS-në me dhunë, siç janë dhe sinjalet e para, do ta lërë këtë parti në opozitë sërish edhe pas katër vjetësh.
Zgjidhja më e mirë është që Rama të japë dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhjet e reja për kryetar partie. Broçkulla të tipit “do të vazhdoj atë projekt për Shqipërinë që kam nisur” nuk ngjisin më. Tingëllonin boshe që përpara zgjedhjeve, ndërsa tashmë u bënë qesharake. Më shumë se risi, ai mund të jetë një rrezik për humbjen e zgjedhjeve dhe pas katër vjetësh, për faktin e thjeshtë se ai nuk i bashkon dot të majtët. Mblodhi përreth vetes një tufë servilë pa integritet, duke harruar se një parti ngrihet në bazë të vlerave dhe jo me mitomanë që rendin pas pushtetit. Duke e parë në këtë prizëm, del se kreu i PS-së është modeli më i vjetër i politikës së këtij vendi. Se nuk ka asnjë ndryshim nga ata krerë të partive të vogla që vazhdojnë të mbajnë paritë e tyre, pavarësisht se zgjedhje pas zgjedhjes nuk marrin asnjë deputet.
Rama nuk arriti të fitonte as 10% të simpatisë që kishte në elektoratin e majtë Fatos Nano. Duhet ta ketë të qartë se socialistët e thjeshtë votuan PS-në dhe jo kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe punonjësit e tij, që i vuri në krye të listave. Pasi të jenë qetësuar ujërat dhe të qartësohet se kush ishte fajtori i kësaj humbjeje, do të jenë sërish ata që do të kërkojnë që ai të largohet nga kjo parti, si përfaqësuesi i politikës më të vjetër që kjo forcë politike ka parë që nga viti 1991, kur u reformua, dhe ky do të jetë dhe fundi i karrierës politike të Ramës.
|