|
Berni
|
 |
« Përgjigjja #31 më: 09-05-2008, 16:57:17 » |
|
Dëmshpërblimi për të përndjekurit, gati fondi për 8 mijë aplikuesit e parë
Qeveria pritet ta miratojë listën e përfituesve mbledhjen e ardhshme. Brenda majit, një javë nga miratimi, nis derdhja e parave në kontot bankare
Ministria e Drejtësisë, së bashku me Ministrinë e Financave kanë bërë gati listat e para të përfituesve të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka marrë rreth 8500 aplikime nga ish-të përndjekurit, të cilat do të çohen në Këshillin e Ministrave për t’u miratuar. Ligji ka përcaktuar se një javë pas miratimit të listave të përfituesve do të kalohet dëmshpërblimi përkatës në llogarinë bankare të çdo ish-të përndjekuri. Fondi prej 10 milionë dollarësh është gati dhe vetëm 1 javë pas miratimit të listës paratë do të derdhen në llogaritë bankare. Lista pritet të miratohet javën e ardhshme në qeveri në mënyrë që brenda muajit maj të fillojë dhënia e parave për ish-të përndjekurit politikë. Përfituesit Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë do të jetë gati për t’u shpërndarë dhe të parët që do të përfitojnë do të jenë të përndjekurit që janë gjallë e mbi moshën 70-vjeçare, si dhe të sëmurët. Ky do të jetë kriteri bazë për përfituesit e parë të dëmshpërblimit, i cili do të fillojë shpërndarjen në fillim të muajit mars, tashmë ka filluar edhe shpërndarja e formularëve për të verifikuar ish-të përndjekurit, duke bërë të mundur fillimin e procedurave për ndarjen e 10 milionë dollarëve që ka përcaktuar qeveria. Shoqatat e ish-të përndjekurve kanë rënë dakord që fondet e para të jepen për bashkëvuajtësit e tyre që janë të vjetër në moshë ose të gjendje të vështirë për jetë. Klasifikimi është bërë mbi bazën e mungesës së fondeve, pasi në dispozicion këtë vit nuk është sasia e mjaftueshme e parave dhe për këtë vit nuk mund të merret më shumë se 1 milion lekë dëmshpërblim. Përfitimi Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 milion lekë. Ligji përcakton se kjo sasi e limituar e dëmshpërblimit do të vendoset gjatë fazës së parë të përfitimit financiar. I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit ose familjarët e viktimave. Ndërkohë është përcaktuar se në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 qind mijë lekë dëmshpërblim. Asnjë ish-i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi. Procedura Ministria e Drejtësisë, brenda 1 jave nga miratimi në Këshillin e Ministrave të vendimit për dëmshpërblimin, i përcjell Ministrisë së Financave kopjen e plotë të dosjeve individuale të ish-të dënuarve politikë, që përfitojnë dëmshpërblim, sipas këtij ligji. Ky proces pritet të marrë fund brenda muajit shkurt çka do të hapte fondet për muajin mars. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan, në vlerë të plotë, dëmshpërblimin, për çdo të dënuar politik, që përfiton sipas këtij ligji, nëpërmjet çeljes së depozitës bankare, ose për llogari të tij ose të familjarëve të tij, në një bankë private. Dokumenti i çeljes së llogarisë bankare i bashkëlidhet dosjes në Ministrinë e Financave. Ministri i Financave urdhëron shpërndarjen e dëmshpërblimit, sipas radhës së përparësisë së caktuar në ligj dhe këtë përparësi e vendos Instituti. Çdo i dënuar për çdo ditë vuajtje apo heqje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30 nëntor 1944 deri më 1 tetor 1991, dëmshpërblehet financiarisht sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2000 mijë lekë në ditë. Për personat, që kanë vuajtur internim në kamp, me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1000 mijë lekë dita.
Si do të tërhiqen paratë nga llogaritë bankare
Dëmshpërblimi financiar, i depozituar në llogaritë bankare, tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Depozitat e çelura, në përputhje me ligjin, janë të kërkueshme 3 vjet nga çelja e tyre. Kur brenda 3 viteve pranë bankës nuk paraqitet asnjë i interesuar, apo kur të interesuarit nuk plotësojnë kriteret e caktuara, llogaria transferohet drejtpërdrejt në Thesarin e Shtetit, sipas një rakordimi paraprak, të kryer nëpërmjet bankës së nivelit të dytë dhe Ministrisë së Financave. Zyrat e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë në rrethe, por edhe në Tiranë, janë të tejmbushura nga ish-të përndjekur të cilët kërkojnë të plotësojë dokumentacionin për të përfituar dëmshpërblimin. Ata kanë marrë formularët përkatës dhe po plotësojë të gjitha kërkesat ligjore për dokumentacionin, të cilat do të shqyrtohen nga Ministria e Drejtësisë. Përfundimi i shpejtë i këtij procesi do të thotë një kohë më e shpejtë për të marrë dëmshpërblimin. Ish-të përndjekurit kanë shfaqur edhe disa ankesa për ligjin në fjalë. Konform ligjit të miratuar nga Parlamenti, ku vendoset dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve, degët kanë filluar t’i presin këta të fundit për plotësimin e dokumentacionit. Gjithsesi, ka ankesa për nenin 8 që përcakton trashëgimtarët.
Dokumentacioni, të drejtat për t’u dëmshpërblyer
Në rast se dokumentacioni është sipas rregullave të përcaktuara, atëherë Ministria e Drejtësisë brenda 10 ditësh e miraton atë dhe e dërgon në qeveri për ta miratuar kërkesën për dëmshpërblim dhe brenda 8 vitesh tërhiqen fondet. Ndërkohë, në rast se kërkesa ka mangësi, atëherë kryhen disa procedura verifikuese. Kur Ministria e Drejtësisë vëren nga shqyrtimi paraprak se kërkesa nuk shoqërohet me dokument provues, e njofton kërkuesin për të plotësuar dokumentet brenda një afati 30-ditor, duke i dhënë informacion për zyrën shtetërore ku mund t'i gjejë këto dokumente. Nëse nga shqyrtimi paraprak provon se i dënuari politik nuk është gjallë dhe kërkesa nuk kryhet nga rrethi i familjarëve të përcaktuar në këtë ligj, i dërgon njoftim negativ dërguesit në adresën e tij. I njëjti veprim kryhet edhe për familjarët e viktimave të pushkatuara, kur provohet se familjarët brenda rrethit të caktuar në këtë ligj nuk jetojnë më. Kur nga shqyrtimi paraprak provon se lloji i dënimit nuk përbën shkak për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji, dërgon njoftim negativ në adresën e dërguesit, njëkohësisht shqyrton në themel të gjitha kërkesat e tjera që plotësojnë kriteret formale të këtij ligji. Shqyrtimi i kërkesave për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas ligjit, kryhet nëpërmjet shqyrtimit të drejtpërdrejtë dhe të bashkërenduar. Ministri i Drejtësisë vendos pranimin e një kërkese vetëm kur nga shqyrtimi i drejtpërdrejtë dhe i bashkërenduar kërkesa plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni për çdo kërkesë kërkon në të gjitha variantet emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, llojin e veprës penale etj.
Viti 2009, fondi për të përndjekurit do të jetë më i madh
Qeveria ka premtuar se në vitin e ardhshëm fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë do të jetë më i lartë se aktualisht, i cili për këtë vit do të jetë vetëm 10 milionë dollarë. Faktikisht çdo vit ish-të përndjekurit kanë pasur një fond të përcaktuar në buxhet, por që me përjashtim të këtij viti, ai është herë nuk është shpërndarë për shkak të mungesës së ligjit. Qeveria përcaktoi në Buxhetin e vitit 2007 rreth 5 milionë dollarë ose 500 milionë lekë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Ky fond u dogj për shkak të vonesës së miratimit të ligjit për këtë shtresë. Qeveria në fund të vitit me anë të një Akti Normativ, këto 5 milionë dollarë i shpërndau në destinacione të tjera. Viti 2007 nuk ishte i vetmi që dogji fondet e ish-të përndjekurve, pasi edhe gjatë vitit 2006 ndodhi e njëjta gjë. Mosmiratimi në kohë i ligjit ka bërë që fondet e qeverisë për këtë çështje të jepen për probleme të tjera, që nuk kanë lidhje me fondin në fjalë. Vetëm gjatë këtij viti, falë edhe miratimit të ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, kjo shtresë do të dëmshpërblehet dhe fondi do të jetë 10 milionë dollarë. Dëmshpërblimi për këtë shtresë do të jepet gjatë 8 viteve në vijim dhe fatura financiare do të jetë rreth 430 milionë dollarë gjithsej, çka do të thotë se qeveria vitin e ardhshëm duhet të përcaktojë minimalisht 50 milionë dollarë për të dëmshpërblyer këtë shtresë dhe kjo sasi do të jetë e përcaktuar për 8 vitet në vijim.
Erald Kapri Gazeta Albania
|