M A X
Admin
Karma: 36
offline
Gjinia: 
Postime: 11172
|
 |
« më: 31-05-2009, 15:19:12 » |
|
Europa e pasluftës u ndërtua mbi një intolerancë të intolerancës dhe një minimizim i traditës kombëtare - një mënyrë të menduari e lavdëruar si antiracizëm dhe i përqeshur si korrektësi politike
Frikë e maskuar si tolerancë/Islamofobia dhe nacionalizmi europian
Europa e pasluftës u ndërtua mbi një intolerancë të intolerancës dhe një minimizim i traditës kombëtare - një mënyrë të menduari e lavdëruar si antiracizëm dhe i përqeshur si korrektësi politike. Shpesh kjo e ka bërë të vështirë integrimin e të ardhurve, të rinjve, Christopher Caldwell është autor i librit "Reflections on the Revolution in Europe: Immigration, Islam and the West", i botuar nga Allen Lane më 7 maj. Ky artikull është një ekstrakt i nxjerrë prej tij
Një problem qëndror në mirëpritjen e njerëzve nga vendet e varfëra është se europianët kanë humbur besimin në pjesët e qytetërimeve, nga të cilat në radhë të parë vijnë ata. "Europianët do të donin të dilnin nga historia, nga historia që është shkruar me germa gjaku", shkruante shkencëtari politik francez Raymond Aron në vitet Shtatëdhjetë. "Të tjerët, me qindrat e milionëve të tyre, do të donin të futeshin në të". Është e vështirë të ndjekësh rregullat e Europës dhe të përqafosh vlerat e saj, siç po u thuhet nganjëherë të sapoardhurve se duhet, kur vetë europianët po i rishkruajnë këto rregulla dhe po i rivlerësojnë ato vlera. Europa në të cilën emigrantët filluan të vijnë në vitet Pesëdhjetë po merrte veten nga tmerri i Luftës së Dytë Botërore dhe e preokupuar me ndërtimin e institucioneve për të parandaluar çdo përsëritje të saj. NATO qe më i rëndësishmi i këtyre institucioneve. Bashkimi Europian qe më ambiciozi. Lufta i furnizoi mendimtarët europianë me të gjitha kategoritë dhe kriteret e tyre morale. Shmangia e një shpërthimi tjetër nënkuptonte të spastroje vendet e veçanta të Europës nga nacionalizmi, me "nacionalizëm", duke nënkuptuar përfshirjen e të gjitha shenjave të racizmit, militarizmit dhe shovinizmit kulturor, por gjithashtu edhe patriotizëm, krenari dhe konkurrencë jo të përshtatshme. Këndimi i himneve kombëtare dhe shpalosja e flamujve kombëtare në disa u vende u bë pronë vetëm e kokëtullacëve dhe e huliganëve të futbollit. Të nxitur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat po adresonin problemin e tyre racial në atë kohë dhe me kërcënimin e komunizmin të përqendrohej në mendjet e tyre, europianët filluan të artikulojnë një kod "vlerash evropiane" si individualizmi, demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut. Këto vlera nuk u përcaktuan asnjëherë me shumë saktësi. Megjithatë, ato dukej se lejonin kohezion social dhe përqafimi i tyre përkoi me 60 vite paqeje. Europa qe një vend tërheqës për emigrantët, por tërheqja dhe admirimi nuk janë sinonime. Perandoria Otomane dhe Kina patën të dyja një "fuqi tërheqëse" për perëndimorët në shekullin e XIX-të, por nuk ka qenë prej ndonjë admirimi për sistemet qeverisëse apo idealet e të drejtave të njeriut të tyre që europianët nënshkruan traktate, u sistemuan dhe prishën jetët kombëtare të këtyre dy vendeve. Qe, sepse qenë ato vende të pasura shumë të dobëta për t'ia kaluar me forcat e tyre. Bashkimi Europian nuk u ëndërrua me emigrantët në mendje, por ajo luftoi për të krijuar rregullat sipas të cilave ata të priteshin. Europa e pasluftës u ndërtua mbi një intolerancë të intolerancës - një mënyrë të menduari që është lavdëruar si antiracizëm e antifashizëm dhe përqeshur si korrektësi politike. Interesi ynë këtu nuk është as që ta mbrojmë atë si nonsens, as ta hedhim poshtë si të pakuptimtë. Në radhë të parë, duhet të kuptohet se çfarë po mendonte Europa kur i mirëpriste emigrantët në numra të tilla - diçka që nuk do ta kishte bërë në asnjë moment të mëparshëm në histori - dhe, në radhë të dytë, çfarë bazash kishte Europa për t'u përballur me të ardhurit e rinj me mënyrën shpesh naive dhe tejet indulgjente që siç bëri. Europianët e pasluftës u sollën sikur kultura e njërit të mos ishte më e mirë se e asnjërit tjetër. Në vitin 1996, kabineti hollandez tha se, "debati mbi multikulturalizmin duhet të kryhet fillimisht nga parimi se kulturat janë me vlerë të barabartë". Shteti do t'i ballafaqonte çështjet e emigracionit dhe etnicitetit me neutralitet skrupuloz, i ndihmuar nga një grup "vlerash universale" të supozuara të përbashkëta për të gjitha kulturat. Dukej e papërshtatshme që t'i detyroje apo dhe t'i kandisje emigrantët që të asimiloheshin në besnikëritë e vjetra nacionaliste që vetë europianët po i braktisnin. "Ne nuk do t'i bezdisim fëmijët turq me punësimin, apo jo?", pyeste një administrator hollandez gjatë një diskutimi rreth edukimit. Vetëm pse po emigronin në Europë, emigrantët nuk kuptohej se pranonin, kuptonin apo deri vërenin projektin evropian për të lënë prapa "historinë e shkruar me gërma gjaku". Përkundrazi, shumë emigrantë dhe shumë fëmijë, nipër e mbesa të emigrantëve e konsideronin si detyrë që të ulërinin nga çatitë dëshirën e tyre për një shtet palestinez, një atdhe kurd apo një Algjeri islamiste. Ata i mbajtën të gjalla ëndrrat për lavdi kulturore, kombëtare dhe deri raciale që qe përtej zonës së kuptimit të europianëve. Në emër të universalizmit liberal, shumë prej ligjeve dhe zakoneve që i mbanin sëbashku shoqëritë evropiane u flakën nga dritarja. Toleranca u bë një prioritet më i lartë se secili prej preokupimeve tradicionale të shtetit dhe të shoqërisë - rend, liri, ndershmëri dhe kuptueshmëri - dhe filloi të ndiqej në kurriz të tyre. Por gjatë viteve të fundit, ideologjia e neutralitetit e Europës është përkulur nën peshën e emigracionit masiv dhe është jo një burim force, por ajo që Alsana, shtëpijakja bishtpërdredhur bengaleze tek "Dhëmbët e bardhë" të Zadie Smith, e quante "nonsens hosh-kosh". Termi "korrektësi politike" u huazua nga debatet amerikane për të përshkruar deformimet e logjikës që kërkonte universalizmi europian. Askush nuk qe i kënaqur sa duhet me shprehjen. Ndoshta është një mënyrë tejet e vrazhdë të përshkruash gënjeshtrat e padëmshme dhe keqdeklarimet e parëndësishme të llojit që quheshin "të flasësh me mendjen e tjetrit". Për shembull, këngëtari Billy Bragg, deklaroi në një forum lidhur me identitetin britanik se, "Kur Churchill fliste për "orën më delikate të tyre", ai nënkuptonte 500 milion burra e gra të gjuhëve të ndryshme, që vinin të gjithë sëbashku në ishullin tonë të vogël për të luftuar fashizmin". (Jo, nuk fliste për këtë, duhet të kishte replikuar ndonjëri). Korrektësia politike shpesh është qesharake. Ka pasur një fushatë të ngritur nga shoqëria Dutch Honour and Reparation kundër Zwarte Piet, ndihmësit të Shën Nikolasit, i cili sipas folklorit qindravjeçar i dërgon fëmijët e këqinj në Spanjë me një thes. Në Midlands britanikë, qyteti i Dudley i ndaloi disa lojëra dhe nga zyrat e saj administrative, pasi një punonjës musliman u ankua rreth një fotografie të Piglet (personazhit Winnie the Pooh) në tryezën e saj. Histori të tilla ka qenë miell për bukën e medias konservatore - disa janë të vërteta, disa pak a shumë të sajuara. Megjithatë, edhe kur korrektësia politike tregonte një tendencë teprie autoritare, ekzekutuesit arrogantë të saj i ngjanin më shumë personazheve Gilbert dhe Sullivan sesa larove të Stalinit. Megjithatë, në periudhën e ndërrimit të shekujve, emigracioni qe një zonë ku edhe kundërshtimi i butë kundër statukuosë mund të ndeshej me dënime të ashpra. Sfera e opinioneve që diskush mund të shprehte lidhur me emigracionin, përtej çdo dyshimi, ishte ngushtuar në mënyrë dramatike. Ishte ky ngushtim diçka që publiku i ndryshëm europian e kishte miratuar apo i ishte nënshtruar? Qenë bindur apo qenë shtrënguar? Po fitonin maniera apo po humbnin liri? Kjo është gjithmonë një vijë e vështirë për t'u hequr.
***
Me kalimin e kohës, ideologjia e tolerancës ndryshoi me dy mënyra. E para, ajo u zgjerua. Klasat e njerëzve të kualifikuara për mbrojtjen nga intoleranca u rritën dhe ajo që përbënte një sulm ndaj tolerancës u bë arbitrare dhe ad hoc. Në investigimin e Macpherson, të urdhëruar nga Sekretariati i Brendshëm britanik lidhur me vdekjen e tmerrshme të pazgjidhur të zezakut londinez Stephen Lawrence, një incident racist u përkufizua si "çdo incident që perceptohet se është racist nga viktima apo çdo person tjetër". Ky përkufizim u bë normë aktive në shumë vende europiane. E dyta, ideologjia u forcua. Ajo zhvilloi fuqi të vërteta shtrënguese, pjesërisht pse u kodifikua në ligj dhe pjesërisht pse grupet joqeveritare vepronin si ekzekutues të lirë. Sulmet ndaj ideologjisë së tolerancës sollën tani jo vetëm kritika dhe ndalime, por dhe mundësinë e mjeteve të jetesës të humbura dhe takimeve me autoritetet publike. Kur këto dy tendenca - zgjerimi dhe forcimi - ndërvepronin, rezultati qe ndëshkimi për sjellje që deri më vonshmi qe konsideruar si normale. Të drejtat e geive janë shembulli më ekstrem. Në vitin 2006, një çift kristianësh evangjelistë burrë dhe grua në Britani u pyetën për 80 minuta nga ana e policisë me dyshimin se po shpërndanin "qëndrime potencialisht homofobike" të dukshme; një predikues luteran 63-vjeçar në Suedi u dënua me 1 muaj burg për citimin e mosmiratimit të homoseksualitetit të Biblës dhe Christian Vanneste, një anëtar i Asamblesë Kombëtare Franceze që tha se e gjente "heteroseksualitetin superior ndaj homoseksualitetit në planin moral", u bë francezi i parë i dënuar për homofobi. Ajo çka kishte qenë një opinion konsensusi i njerëzimit, nga lindja e qytetërimit deri në fundin e shekullit të XX-të, papritmas, në fillimin e shekullit të XXI-të, u bë krim. Në çështjet e racës dhe të emigracionit, rregullat u rinegociiuan njëlloj po aq shpejt. Në vitin 1984, Ray Honeyford, drejtor në një shkollë etnikisht të përzier në Bradford, botoi një artikull në të cilin sulmonte atë që e quante "lobi i marrëdhënieve racore". Ai argumentonte - pak a shumë si sociologu (dhe më pas senatori) amerikan Daniel Patrick Moynihan kishte bërë në raportin e tij të vitit 1965 të titulluar "The Negro Family" - se politikat aktiviste qeveritare mund t'i dëmtonin pakicat që synonin të ndihmonin. Injorim, indiferencë dhe armiqësi nuk i shpjegonin të gjitha dështimet e studentëve pakistanezë dhe indianoveriorë, shkruan Honeyford. Përderisa ata kishin nevojë ta përsosnin veten me stilet britanike të mësimit, programet që u nxisnin ata të ishin krenarë në kulturat e tyre të lindjes - çfarë sot do ta quanim "multikulturalizëm" - mund t'i pengojë ata në shkolla dhe t'i segregojë më tej nga shoqëria. Honeyford rezultoi të kish të drejtë, por të pasurit të drejtë, për të mos përmendur i pëlqer midis nxënësve nga të gjitha bekgraundet, nuk e shpëtoi atë nga humbja e përkohshme e punës. Në vitin 1990, Asambleja Kombëtare Franceze hoqi një kufi të ri. Në interes të shtypjes "të të gjitha akteve raciste, antisemite apo ksenofobike", ajo kaloi një ligj, të sponsorizuar nga deputeti komunist Jean-Claude Gayssot, që hiqte disa garanci të caktuara historike të lirisë së shtypit. Ligji Gayssot, kriminalizonte jo vetëm një akt, por edhe një besim, specifikisht mohimin (apo minimizimin e rëndësisë së) holokaustit nazist. Disa vende e pasuan menjëherë tendencën. Sapo ligji Gayssot u miratua, u bë e vështirë për të ngritur një çështje të fortë kundër një kriminalizimi të pafundëm opinioni. Episodet ndaj të cilave grupe të zemëruar kërkonin të vendosnin një të vërtetë zyrtare - masakrat armene, kolonializmi, tregtia e skllevërve - në fund të fundit po aq realë sa holokausti. Ligji Gayssot u përgatit për të mundur një dordolec. Ai i adresohej populizmit dhe fashizmit të viteve Tridhjetë, që qenë diskredituar prej kohësh dhe kufizoheshin në pak eksentrikë. Problemet e shekullit të XXI-të (emigracion, islamizëm, falimentim të shteteve sociale, panik financiar dhe ndjenjë "çdo njeri për vete" se njerëzit po jetonin në një shoqëri konsumi) qenë të ndryshëm. Kishte një lloj të ri ekstremistësh dhe shumë qenë të aftë të, anovronin një sistem ligjor të fokusuar në sëmundjet e 75 viteve më parë. Çdo zyrtarizim i ri i ruajtjes së kujtesës përmblidhej në të pasurin më shumë "lobe morale", siç njihen në Francë, që i mëshonte pretendimet e tyre akoma më shumë këmbëngulje, në zona akoma më qëndrore të jetës politike. Kërcënime serioze mund, ndërsa Europa po mbante nën mbikqyrje një koleksion bufonësh "fashistë" që po plakeshin.
***
Në tri dekadat që i paraprinë krizës financiare të vitit 2008, për arsye që kanë të bëjnë me globalizimin dhe ndryshimin teknologjik, autoriteti u spostua nga qeveritë drejt grupave private të interesit. Ky spostim ka qenë pjesë e shpirtit të epokës. Ai ka proceduar nën të gjitha partitë politike, në zona që shkojnë nga diplomacia (ki parasysh Bono Vox dhe ndihmën për zhvillim) në zonimin banesor (ki parasysh përhapjen e "komuniteteve të kufizuara me mure" me kode të përpunuara të së drejtës private). Në biznesin e tolerancës dhe të marrëdhënieve raciore, grupet joqeveritare kanë marrë mbi vete funksione shtetërore të rëndësishme dhe janë shtuar deri në atë sa që, në frëngjisht, ato quhen thjesht les associations. Për shembull, Lëvizja kundër Racizmit dhe për Miqësinë midis Popujve (MRAP) me frymëzim komunist, e themeluar në Francë në vitin 1949 për të luftuar racizmin dhe antisemitizmin, në dekadat e mëvonshme filloi të luajë një rol të ndryshëm. Në vitin 2002, gazetarja Oriana Fallaci shkroi një përgjigje të fortë ndaj sulmeve kundër World Trade Centre në të përditshmen e Milanos "Corriere della Sera". Kur u ribotua në formë libri me titullin "The Rage and the Pride", ai u bë një prej librave eseistikë më të shumëshitur në Europë. MRAP-i e paditi atë sipas ligjit kundër nxitjes së urrejtjes raciale dhe kërkoi që ta ndalonte botimin e tij. Kishte racizëm në librin e Fallaci. "Falë Zotit", shkruante ajo në një shënim fundfaqeje, "nuk kam pasur të bëj ndonjëherë me ndonjë arab. Sipas mendimit tim, ka diçka rreth meshkujve arabë, që është e shpifur për gratë me shije të mira". Por, Fallaci u sulmua shumë më tepër se për racizëm. Për shembull, një prej opinioneve që fyente MRAP-in ishte: "Çdo teolog mund t'ju thotë se Kurani e autorizon gënjeshtrën, shpifjen dhe hipokrizinë në mbështetje të besimit". Një tjetër ishte se, radikalët muslimanë janë "kudo dhe më të egrit po jetojnë midis nesh". Ndërsa, të hapura për diskutim, këto qenë pika të mbrojtjshme. Padia e MRAP-it u bë si pjesë e një fushate kundër "islamofobisë", një neologjizëm i dëgjuar shpesh në muajt pas 11 shtatorit. Ajo kërcënonte që të fshinte dallimin midis kritikës së minoriteteve në argumenta jotolerantë dhe kritikën ndaj çdo minoriteti në çdo argument. Ajo kërcënonte që ta shtrinte censurën de facto që tashmë ekzistone në çështjet e racës në çështjet e fesë dhe më tej - në aktet politike të kryera në emër të fesë. Ligjet tolerante të Europës po fillonin të funksiononin në favor të intolerantit. Afera Finkielkraut, e cila u ashpërsua në Francë në ditët pas trazirave në getot anembanë vendit të vitit 2005, qe një tjetër gur themeltar. Ajo tregoi se, për të pësuar tërbimin e establishmentit "antiracist" nuk ishte e nevojshme që të tregoje as një shenjë racizmi. Filozofi Alain Finkielkraut dha një intervistë në gazetën izraeliane "Ha'aretz" në të cilën deklarohej kundër pikëpamjes mbizotëruese se trazirat kishin qenë një "rebelim" kundër kushteve sociale. Finkielkraut nënvizonte se kjo nuk qe mënyra që vetë revoltuesit e përshkruanin atë. Në lirikat rrep dhe në slloganet e tyre kundër Francës dhe francezitetit, shumë i kishin hedhur veprimet e tyre në terma etno - fetarë. "Imagjinoni për një moment se do të ishin të bardhë, si në Rostok të Gjermanisë", shtonte ai. "Menjëherë, çdonjeri do të thoshte: "Fashizmi nuk do të tolerohet"". Gjithashtu, Finkielkraut vinte në pikëpyetje logjikën prapa argumentit se përjashtimi modern i emigrantëve qe një vazhdim i thjeshtë i kushteve kolonialiste. "Në rregull", thoshte ai, "por njeriu nuk duhet të harrojë se integrimi i punëtorëve arabë në Francë gjatë epokës së sundimit kolonial qe shumë më i lehtë". Finkielkraut është i sjellshëm, i moderuar dhe ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij, duke rrëmuar problemet etike që dalin nga dhuna totalitare. Megjithatë, kur "Le Monde" raportoi lidhur me intervistën dhe citonte pjesë të saj, ai ju nënshtrua një fushate përgojimi. Revista "Nouvel Observateur" e quajti atë "neoreaksionar". Një letër për kryeredaktorin e të përditshmes "Libération" e krahasonte Finkielkraut me një funksionar të Frontit Kombëtar fashist të Jean-Marie Le Pen. Kjo është e gjitha një pjesë normale, në mos vulgare, e debatit publik francez. Ajo çka e bëri këtë aferë kaq të shëmtuar qe aspekti ligjor i saj. MRAP-i shpalli synimet e tij për të paditur Finkielkraut, sëbashku me Hélène Carrère d'Encausse, anëtare e Académie Française, e cila kishte bërë disa deklarata deri diku të ashpra rreth trazirave si të lidhura me praktikën e poligamisë midis emigrantëve muslimanë, për nxitje të urrejtjes raciale. Fakti që, MRAP-i i tërhoqi kërcënimet e tij për të paditur disa ditë, pasi i kish nënshkruar atë tregon se nuk kishin gjë në terezi. Por ky është një ngushëllim i vogël. Askush nuk besonte se kjo do ta ndalonte ngacmimin gjyqësor rutinë të çdo intelektuali apo qytetari të thjeshtë me kurajon për të shpalosur një shpjegim kundërrymë të problemit më të keq social të Francës.
***
Ruajtja e tolerancës nuk ka asnjë limit të lindur dhe asnjë logjikë të natyrshme. Pse "krenaria etnike" ishte virtyt dhe "nacionalizmi" sëmundje? Pse papritmas sot është bërë kriminale të pyesësh ajo që konsiderohej një detyrë e qytetarit të pyeste dhjetë vjet më parë? Filozofë eruditë të tolerancës si puna e Jürgen Habermas, mund të kenë qenë të aftë që t'i zbërthejnë pikëpyetje të tilla dhe të heqin dallimet e duhura. Elitat politike mund t'i zgjidhnin ato me dekret, por ata e lanë njeriun me intelekt dhe status social mesatar të ndjehej konfuz dhe i pafuqishëm. Një demokraci nuk mund ta tolerojë gjatë një sistem që e bën një titull të avancuar në sociologji apo një pozicion të lartë qeveritar një parakush për shprehjen e frikës më të vogël rreth mënyrës sesi po ecën vendi i njërit. Virtytet e erës multikulturore qenë virtyte elitare. Me plot të drejtë, sociologu britanik Geoff Dench dyshonte se, favorizimi i elitave ishte një pjesë e madhe e pikës së multikutlrualizmit. Konfliktet në një meritokraci konkurruese, nënvizonte ai, "ndoshta mund të menaxhoheshin më me lehtësi aty ku ka grupe anëtarësia e vendit, të cilave është ekuivoke, që janë shumë të varura në sponsorizimin e elitave dhe prania e të cilave rrezaton përgjigje etnocentrike midis masave që më pas mund të ngrihen kundër tyre. Një shoqëri e lidhur me meritokracinë mund të ketë kështu nevojë për minoritete". Kështu gjithnjë e më shumë emigracioni u bë një shtyllë e të gjitha politikave europiane, jo vetëm e politikave të emigracionit. Ekzistonte një diferencë e madhe midis sfidave të Europës dhe atyre të ngjashme amerikane. Në Shtetet e Bashkuara ekzistonte një "problem racor" dhe një "problem emigracioni" dhe të dy nuk kishin të bënin shumë me njëri tjetrin. Në Europë, problemi i emigracionit ishte problem racor. Kështu, deklarimi i emigracionit si sukses dhe një "pasurim" u bë opinioni i vetëm i pranueshëm. Konsiderimi i emigrimit si dështim është ta zbulosh veten racist; shprehja e dyshimeve rreth emigracionit është të zbulosh prirje raciste. Filozofi Pierre-André Taguieff krijoi termin immigrationisme për të përshkruar ideologjinë se, emigracioni është gjithmonë "i pashmangshëm dhe i mirë". Diskutimet reale rreth "diversitetit" në rritje të shoqërisë europiane dhe nëse ai është një gjë e mirë apo e keqe, u pushuan të gjitha.
Diversiteti i përshkruar njëherazi si realitet sociologjik (kishte më shumë njerëz që dukeshin si të huaj përreth) dhe ideologji (duhet të ketë më shumë njerëz që duken si të huaj përreth). Ideologjia ishte në sintoni të përkthyer me neutralitetin midis kulturave të përqafuar nga ndërtuesit e idealit europian. Megjithatë, diversiteti realisht nuk mund të bëhej asnjëherë një ideal i qëndrueshëm apo i qëndrueshëm, sepse europianët nuk dinin shumë rreth kulturave të tjera sa ta bënin një. Ndërsa, europianët me lehtësi mund t'i çmontonin paragjykimet e tyre, paragjykimet e grupeve të tjera etnike, në mënyrë tejet të natyrshme, qenë të paperceptueshme për ta. Në zemër të universalizmit europian ishte provincializmi europian. Europianët që i konsideronin kishat shtëpi budallallëku, seksizmi dhe supersticioni nuk dinin mjaftueshëm rreth xhamive apo ashrameve sa për të formuar një gjykim dhe i lanë ato të pashqetësuara. Ata abroguan mësimet shkollore të vjetra dhe shumë tallura nacionaliste rreth virtyteve të nos ancêtres les gaulois, por absorbuan mësimet e reja rreth virtyteve të kulturave të tjera dhe dhe drejtësinë e fisnikërinë e kauzave politike ekzotike me një naivitet fëminor. Emigrantët mund t'i nxisnin paragjykime komode të caktuara, për të cilat vendasit do të ndëshkoheshin, fshikulloheshin, ndaloheshin apo burgoseshin po t'i nxisnin. Praktikisht, diversitet nënkupton që të marrësh hierarkitë e vjetra dhe t'i përmbysësh. Obsesioni europian me "kauzat" e Botës së Tretë ishte funksion i një rendi moral të ri të bazuar tek faji i Europës. Emigrantët dhe fëmijët e tyre qenë të lirë që t'i shprehnin politikisht dëshirat e tyre si njerëz në një mënyrë që europianët autoktonë nuk qenë. Censura e pamëshirshme ishte gjithmonë e gatshme për europianët që jepeshin në bufonerinë më të thjeshtë nostalgjike, si UKIP-i britanik, që nuk favorizonte asgjë më shumë radikale se largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian. Pretendimet e vetme nacionaliste që mund të bëheshin pa ngjallur akuza nacionalizmi, racizmi apo ksenofobie qenë atë të të huajve. Ku ndërvepronte me emigracionin, kishte një mungesë logjike në zemër të diversitetit. Nëqoftëse diversiteti "pasuronte" dhe "fuqizonte" vendet aq shumë sa pretendonte çdo njeri, atëhere pse vallë ndonjë vend do t'i donte emigrantët e tij të integroheshin në shoqërinë më të zgjeruar? Kjo do të konsumonte fondin më të vlefshëm të diversitetit të vendit. Në këtë aspekt, etiopianët janë për të shërbyer ushqim etiopian dhe të ndihmojnë që të mbështeten mburrjet e administratorëve të shkollave zonale se "nxënësit tanë flasin 170 gjuhë në shtëpi", jo pse marrin punët si menaxherë marketesh apo asistentësh dentarë apo furnizimi me diversitet nënkuptonte që të mbetej - nëpërmjet emigracionit - përherë në dispozicion? Asnjë publik europian nuk e donte këtë. Kështu, liderët europianë e mbrojtën emigracionin masiv me një frymë, duke thënë se do t'i bënte vendet e tyre të ndryshme (nëpërmjet diversitetit) dhe më pas duke thënë se do t'i linte njëlloj (nëpërmjet integrimit). Diversiteti e fitoi miratimin e tij më të sinqertë në nivelin e konsumizmit - më së pari kuzhinë dhe modë. Në vitet Pesëdhjetë dhe Gjashtëdhjetë, përpara se emigrantët ta ndryshonin kulturën europiane në ndonjë mënyrë domethënëse, europianët qenë mirënjohës për risitë që ata sollën - nga hashashi tek babaganushi. Por nga fillimi i viteve Gjashtëdhjetë e këtej, emigracioni u bë më pak rreth kurioziteteve të shitshme dhe më shumë rreth strukturave thelbësore të shoqërisë - sistemi i përkrahjes sociale, prosperiteti i industrive të rëndësishme, parimeve të të drejtave që qeverisnin transaksionet midis individëve. Në mënyrë të habitshme, ndërsa emigracioni filloi ta ndryshojë Europën në thelbin e saj ekonomik dhe kulturor, fjalori politik mbeti i njëjti siç kish qenë kur emigracioni kish qenë një fenomen anësor. Njerëzit vazhdonin të flisnin për restorantet.
***
Emigrantët joeuropianë mund të mos kenë qenë të dëshirueshëm në një mënyrë socioekonomike, por ato qenë të tillë në një mënyrë ekzistenciale. Ata qenë më kullerë, ata qenë aristokratë të identitetit. Ky qe mesazhi i një gazete magjepsëse, "Gringo", e cila u themelua në rrethinat me shumicë emigrante të Stokholmit. Svartkalle e getoizuar - "kokë e zezë" në zhargonin suedez - në mënyrë stereotipe ishte e shtypur dhe e përjashtuar. Por në faqet e "Gringo", suedezët etnikë quheshin me përçmim Svennar, "Svens", pak a shumë si zhargoni i getos amerikane u referohej meshkujve të bardhë si "Chuck". Suedezët etnikë qenë njerëz injorantë që ndoshta nuk dinin të vallëzonin. Çdo numër kishte moton "Gazeta më suedeze e Suedisë". Zanyar Adami, botuesi i gazetës, nganjëherë thoshte se, projekti i "Gringo" ishte që të krijonte një identitet kombëtar suedez të ri. Kjo nënkuptonte, mund të supozonte njeriu, të heqësh qafe peshën e vdekur të atij të vjetrit. Revolucioni demografik i Europës prej kohësh është mbrojtur si një mjet që siguron një transfuzion rinie, por për sa të rinj ka nevojë Europa? Dhe për çfarë i duhen ata? Për efikasitet të matshëm? Apo për të siguruar një vrull dinamizmi ndaj një shoqërie tejet të plakur dhe të lodhur për të siguruar gjëra të tilla për veten? Autobiografia erotike e Corinne Hofmann, e titulluar "The White Masai" - e cila përshkruan mënyrën sesi në një udhëtim pushimi në Kenia asaj i mbesin sytë në trupin muskulor të një vendasi dhe, e magjepsur, vendos që ta braktisë jetën e saj në Zvicër - nuk përshkruan vetëm shijet e Hofmann, por të gjithë botës gjermanishfolëse. Libri shiti 4 milion kopje dhe qëndroi për disa vite në listat e të shumëshiturve në gjermanisht. Europianët filluan të ndjehen të ulët dhe të vegjël, të shëmtuar dhe të tredhur. Romanet e shkëlqyera të Michel Houellebecq, të cilat i përshkruanin hollësisht frikëra të tilla, u shitën miliona kopje në të gjithë Europën. Për shembull, personazhi kryesor i "Atomised" (1998) e përshkruan ankthin kulturor dhe pasigurinë seksuale që ndjen teksa jep klasikët francezë një klase gjimnazistësh në pjesën më të madhe me prejardhje emigrantësh jashtë Parisit. Askush nuk është i interesuar për Proust dhe vajza për të cilën ai ndjen diçka i lëvyret një studenti maço afrikan ("ky majmun", në përshkrimin e romancierit), i cili e përbuz atë. Mësuesi i Houellebecq fillon që të dyshojë në kulturën e lartë evropiane, të cilën e shet si pavlerë: "Çfarë ishte një bankier, një ministër, një drejtues krahasuar me një aktor filmash apo yll rroku? Financiarisht, seksualisht dhe në çdo aspekt një humbës. Strategjitë e dallimit të përshkruara aq mjeshtërisht nga Proust nuk kanë më pikën e kuptimit … Ai qe … një prej europianëve të fundit. Ajo çfarë ai ka shkruar nuk ka më asnjë fije lidhjeje me realitetin". Tashmë është pothuajse natyrë e dytë për perëndimorët që supozojnë se çdo gjë familjare, tradicionale dhe perëndimore duhet kundërshtuar dhe gjithçka që shkakton rritim dhe e huaj duhet të ruhet. Kështu në vitin 2006, Nadia Eweida, një stjuardesë e British Airways dhe kristiane egjiptiane, u pushua nga puna pa asnjë shpërblim pse mbante kryq, megjithë linja u lejon punonjësve muslimanë që të mbajnë shami koke. (Pas disa ditësh furie nëpër tabloidë, linja e fluturimit u tërhoq dhe e rimorri në punë).
Juristi gjerman Udo di Fabio paralajmëronte në vitin 2005 se gjuha e multikulturalizmit dhe e diversitetit "çel dyert në një Mesjetë të re, në të cilën modeli nuk është individi njerëzor, por renditja harmonike e grupeve" dhe mënyra sesi grupet renditeshin shpesh i linte vendasit që të ndjeheshin si qytetarë të dorës së dytë. Sipas një raporti zyrtar të qeverisë britanike të botuar në vitin 2008, "Të bardhët kanë më pak gjasa të ndjehen se mund të influencojnë vendime në nivel lokal sesa njerëz nga grupe minorancash etnike (37 përqind krahasuar me 45 përqind). Gjithashtu, të bardhët ka pak të ngjarë të ndjejnë se mund të influencojnë vendime që prekin Britaninë (19 përqind krahasuar me 31 përqind". Pesimizmi relativ i të bardhëve rreth ushtrimit të të drejtave të tyre supozohet të na godasë si i vështirë për t'u kuptuar apo si befasues, por sigurisht që nuk është i tillë. Ai pasqyron një besim se, aspiratat e tyre nuk janë subjekti real i politikave të Britanisë. Gjithashtu, mesazhi se shumicat kanë nevoja shpesh është jo i mirëpritur. Bassam Tibi, një sociolog me origjinë siriane në Gjermani, sugjeron se kultura gjermane duhet të kuptohet si kultura kryesore apo drejtuese (Leitkultur) në shoqërinë plurikulturaliste të Gjermanisë. Tibi u dënua për sugjerimin se Beethoven dhe Thomas Mann meritojnë një rol më të madh në modelimin e vetëdijes kombëtare sesa zërat e huaj. Vlerat që u supozuan se çliruan europianët i kanë lënë ata të paralizuar, deri kur aftësia e europianëve për t'u kërkuar emigrantëve që t'i përshtaten mënyrës evropiane u vu në diskutim. "Ne nuk e konsiderojmë çdo veprim njerëzor legjitim apo edhe të kuptueshëm", shkruan filozofi Pierre Manent, "për aq kohë sa mund të tregohet se është subjekt i ndonjë të drejte ndërkombëtare apo i ndonjë parimi etik universal".
Gordon Brown u ka sugjeruar bashkëatdhetarëve të tij që të jenë më eksplicitë rreth vlerave dhe zakoneve që çdonjëri në shoqëri duhet të respektojë, pavarësisht bekgraundit të tyre, por është shumë vonë që të bësh një sugjerim të tillë. Kulturat e vjetra të bazuara tek feja të Europës e kryen funksionin që përshkruan Brown deri kur u sfiduan në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë, në emër të lirisë e pavarësisë vetiake, dhe më pas u hodhën poshtë në vitet Tetëdhjetë e Nëntëdhjetë, në emër të bërjes së Europës më miqësore ndaj pakicave. Si mund të presë Brown tani që emigrantët dhe fëmijët e tyre të ndihmojnë të ringjallet një kulturë ndaj së cilës vendasit dhe fëmijët e tyre nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë qeshur?
Përgatiti:
ARMIN TIRANA RD
|