Another great RocketTheme Joomla Template brought to you by the RocketTheme Joomla Template Club.
Forumi PolitikForumi PolitikAktualiteti Botëror (Moderator: Lefter)Britani e Madhe, rënia e laburistëve


Faqe: [1]   Shko poshtë
Printojeni faqen
Autori Temë: Britani e Madhe, rënia e laburistëve  (E lexuar 113 herë)
0 anëtarë dhe 1 Vizitor po shikojnë këtë temë.
Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull

Shiko profilin WWW
« më: 03-05-2008, 11:37:25 »

"Dush i ftohtë" për Kryeministrin Gordon Braun. Rikthehen konservatorët

Fitore e pastër e opozitës konservatore në zgjedhjet administrative të zhvilluara të enjten në Angli dhe Uells. E në anën tjetër, disfatë e plotë e laburistëve të Kryeministrit Gordon Braun, që kanë regjistruar edhe rezultatin e tyre më të keq në më shumë se 40 vitet e fundit. "Është e qartë që ka qenë një natë e keqe; sigurisht një natë e keqe për laburistët", ka thënë Kryeministri Braun, që me sa duket i ka paguar shtrenjtë pasojat e krizës së kredive, por edhe rënien e ndjeshme të popullaritetit për performancën e tij në fushën e ekonomisë. "Duhet të mësojmë nga ky pësim dhe të vazhdojmë të ecim përpara pa pasoja", ka shtuar ai. Në fakt, për Kryeministrin Braun dhe për qeverinë e tij, këto zgjedhje ishin testi i parë elektoral që nga ngjitja e tij në Downing Street, në postin që për 12 vite me radhë u mbajt nga Toni Bler. Sipas agjencive të ndryshme të lajmeve, laburistët kanë dalë nga këto zgjedhje parti e tretë, pas konservatorëve të të riut Dejvid Kameron dhe liberal demokratëve. Sipas BBC-së, laburistët kanë marrë 24 për qind të votave, konservatorët 44 për qind dhe liberaldemokratët, 25 për qind. Dhe gjunjëzimi rrezikon të jetë i plotë: Në Bashkinë e Londrës, çmimi më i madh në garën elektorale, sipas rezultateve të pjesshme të publikuara nga BBC, konservatori Boris Xhonson është në avantazh kundrejt kryebashkiakut aktual, laburistit Ken Livingston, në nëntë nga 14 njësitë bashkiake. Rezultati përfundimtar do të publikohet dhe certifikohet në vazhdim, por, gjithsesi, mendohet se nuk do të ketë surpriza. Deri më tani, konservatorët kanë marrë 63 asamble lokale, laburistët kanë mundur të mbajnë vetëm 17, ndërsa liberaldemokratët 11. Vlen të saktësohet se laburistët kanë humbur 8 këshilla dhe 297 vende në asambletë lokale; konservatorët kanë fituar 12 këshilla dhe 243 këshilltarë, ndërsa liberaldemokratët kanë marrë një asamble më shumë dhe 24 këshilltarë. Në fakt, diferenca në vota është e ngjashme me atë të pësuar nga Kryeministri konservator Xhon Mejxhër në zgjedhjet lokale të 1995-ës, dy vite para se ai të largohej nga Downing Street për t‘u zëvendësuar nga Toni Bler. E ndërkaq, është regjistruar edhe viktima e parë. Dejvid Pit-Uotson, i paracaktuar nga Braun për të marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Laburiste, është tërhequr. Ai duhej të pasonte Piter Uot, i detyruar të japë dorëheqjen, pasi u përfshi në skandalin e donacioneve të dyshimta për laburistët nga ana e biznesmenit Dejvid Abrahams. Në zgjedhjet lokale, rezultatet e të cilave gjithsesi nuk janë përfundimtare, konservatorët kanë shënuar një rritje prej 4 përqindësh në shkallë kombëtare, në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit të shkuar. Një rezultat i tillë, nëse këto do të kishin qenë zgjedhje të përgjithshme, do t‘u kishte dhënë konservatorëve një shumicë prej 138 vendesh në Dhomën e Komuneve.

G.Shqip
E identifikuar

Berni
Forca Elbasani
Gjinia: Mashkull

Shiko profilin WWW
« Përgjigjja #1 më: 03-05-2008, 16:43:30 »

Sipas meje / Ndëshkim historik i Laburistëve 
       
Shkruar nga Ilva Tare   

Ka qenë një ditë e keqe 1 Maji për Gordon Brown. Kryeministri britanik, që pasoi Tony Blair-in, regjistroi humbjen më të rëndë të Laburistëve në gjysmë shekullin e fundit. Zgjedhjet lokale në Angli që u pritën me kuriozitetin e vënies në provë të pushtetit politik treguan se Laburisti Brown në të parën përballje me elektoratin jo vetëm ka humbur terren, por ka mundësuar atë që analistët e quajnë të pabesueshme dhe të papritur.

Pas konservatorëve të David Cameron, renditen Liberal-Demokratët në vend të dytë dhe Partia Laburiste në pushtet prej më shumë se 10 vjetësh është vetëm e treta, sipas sondazheve të kryera ditën e zgjedhjeve. Nëse të dhënat zyrtare që nuk priten të dalin përpara mëngjesit të së shtunës konfirmojnë thellësinë e disfatës, atëherë debati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të përshkallëzohet. 
Në daljen e parë publike pas zgjedhjeve vendore Gordon Brown nuk arriti ta mposhtte zhgënjimin që i lexohej dukshëm, por siç tha ai, “Puna ime është të dëgjoj dhe drejtoj. Ne do të nxjerrim mësime, do të reflektojmë mbi çfarë ndodhi dhe më pas do të vazhdojmë përpara”.

Sipas sondazhit të BBC, niveli i humbjes është i krahasueshëm me atë të John Major në zgjedhjet bashkiake të 1995-ës, për t’u pasur dy vite më vonë nga Laburisti Blair. Shkaqet e një tronditjeje të tillë për Laburistët, janë të shumta. Ato fillojnë me vështirësitë ekonomike të anglezëve, pikërisht gjatë epokës së Brown-it, i cili vlerësohet si ministri më i mirë i Financave në historinë e Britanisë së Madhe dhe vazhdojnë me lodhjen në pushtet të Laburistëve.

Mandej, edhe udhëheqësi  i tyre i ri nuk shquhet për karizëm, gjë që e ka bërë më pak tërheqës në sytë e publikut, po të kihet parasysh se paraardhësi i tij, Tony Blair ishte një mjeshtër i marrëdhënieve publike. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Laburiste, i njohur si njeriu i Brown dha menjëherë dorëheqjen, duke marrë përgjegjësinë e humbjes, kur nuk kishte vetëm pak muaj nga emërimi në këtë post.

Nga ana tjetër furtuna në shtëpinë laburiste nis në një kohë kur kundërshtari i tyre konservator nuk gëzon ndonjë mbështetje marramendëse të publikut, për shkak të dyshimeve mbi aftësinë e tij për të drejtuar.

Sikur të mos mjaftonte kjo,  rënia e Londrës në duart e Boris Johnson, sipas të gjitha parashikimeve të sondazheve, një tjetër ish- gazetar i kthyer në politikan që nuk simpatizohet masivisht për zotësi menaxheriale e bën edhe më dramatike përmasën e disfatës.

Nuk dihet si i ka pritur Tony Blair këto rezultate ndëshkuese ndaj partisë që rinovoi në 1997-ën. Gjasat janë që më shumë se hidhërim, mund t’i këtë shpëtuar ndonjë nënqeshje djallëzore, si për të thënë se kur ai mbante ende frenat e qeverisë kundërshtari Cameron përçapej 20 pikë mbrapa në sondazhe.

Me ikjen e Blair-it nisi dhe ngjitja e pakthyeshme tanimë e atij që po pret vetëm ditën për të transferuar plaçkat në godinën numër 10 të Downing Street. Dhe ky është David Cameron bashkë me ekipin hije që po përgatiten për ditën e fitores së madhe. 
« Ndryshimi i fundit: 07-05-2008, 16:29:32 nga Berni » E identifikuar

Faqe: [1]   Shko lart
Printojeni faqen

Shko te:  



Radio Live | Sfonde per Kompjuterin Wallpapers | Filmime Videoklipe | Lajme | Vip-at Shqiptar | Muzike, Filma, Sport, Humor | Direktoria | Mp3 Shqip | Galeria | Shqiptaret | Info Sporti | Money Online | Big Brother Albania | Lojra | Video Shqip | Muzik Shqip | Kenge Shqip | Filma Shqiptare | Humor Shqip | Yasnw | MuzikaWeb LinksMoz | Balkan | Shqiperia | Albania | Shtypi Shqiptar PDF | Blogu Shqiptar | MSN Avatars |